Kryeministri Sali Berisha bëri dje publike pikat kryesore të projektbuxhetit shtesë të miratuar nga qeveria
Berisha: Rritet 50% granti për qeverisjen vendore
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha informoi deputetët e grupit parlamentar të PD-së mbi pikat kryesore që përmban projektbuxheti shtesë. Kreu i ekzekutivit bëri me dije se këtë vit, duke u bazuar te burimet e vendit, ka një rritje të investimeve publike nga 24 miliardë në 38 miliardë lekë. Pra, ka një rritje mbi 50 % të tyre, në krahasim me vitin 2005, nënvizoi kryeministri Berisha, ndërsa theksoi faktin se nga ky buxhet përfitojnë taksapaguesit shqiptarë. Duke iu referuar grantit për qeverisjen vendore, kryeministri theksoi se nga 7,3 miliardë që ka qenë në vitin 2005 së bashku me buxhetin suplementar, shkon në 12 miliardë, pra, sipas tij, 53 për qind më shumë se një vit më parë. Kryeministri vlerësoi se në raport me buxhetin, qeveria i realizoi të ardhurat 100 për qind, madje duke i tejkaluar ato me 23-24 për qind. Berisha theksoi se këto rezultate u arritën duke luftuar korrupsionin, kontrabandën, evazionin fiskal, informalitetin në ekonomi. “Ky tejkalim bëhet vërtet i jashtëzakonshëm në rast se kemi parasysh se bëhet në kushtet e uljes së taksave dhe jo të rritjes së tyre”,- u shpreh ai. Berisha nënvizoi se “kjo jep një efekt prej 200 milionë euro. Nuk ka asnjë qindarkë deficit, përkundrazi ka një shtesë prej 140 milionë të tjera. Pra, janë 340 milionë euro gjithsej, nga të cilat 200 milionë i kalojnë biznesit si ulje e sigurimeve shoqërore dhe 140 kalojnë investime publike”. Kryeministri vuri në dukje se këto investime kanë një shpërndarje të gjerë nga Konispoli në Tropojë. Ato përfshijnë projekte madhore, siç janë ndërtimi i akseve të mëdha rrugore; Durrës-Qafë Morinë, Fier-Vlorë, transballkanikja e Vlorës, Unaza e Shkodrës, rikonstruksion të akseve të tjera Qafë Thanë- Korçë, Lushnjë- Berat, Milot-Peshkopi, Palasë- Dhërmi etj. Kryeministri u ndal edhe në prokurimet e bëra deri tani nga administrata qendrore, duke informuar se këto prokurime janë bërë 20 deri 30 për qind më lirë sesa një vit më parë. “Tashmë, sipas dosjeve përkatëse, mund të gjesh 15-20 kompani në një garë tenderi, gjë e cila ka sjellë një normalitet të tregut. Kjo ka ndodhur pasi të interesuarit për tenderët e dinë tashmë se nuk ka më tender të parathënë”, -tha ai.
Shekulli
Krijoni Kontakt