Apo tri raste konkrete nga letërsia jonë: Migjeni, Vaso Pasha dhe Fishta
Nikollë Berishaj
Gjithmonë, e veçanërisht në raste kritike të historisë së një kombi provohet të bëhet njëfarë uniteti, qoftë ai i vërtetë apo i rrejshëm. Në ato raste opinioni publik eshtë i kthyer në atë drejtim që ta miratojë orjentimin e përgjithshëm të kombit. Natyrisht, garnitura udhëheqëse e kombit, garnitura në pushtet, mbledh rreth vetes papagallë që vend e pa vend i përsërisin frazat "e pranuara" nga të gjithë. E krejtë makineria propagandistike është e drejtuar në prodhimin e klisheve zi e bardhë, pa nuanca, pa shije dhe pa elemente, që medoemos duhej të gjendeshin diku ndërmjet.
Intelektualët, kryesisht ata "kokëfortit", që nuk e pranojnë lojalitetin e pakusht ndaj "idesë udhëheqëse", kanë mundësi t'i zgjedhin alternativat: ose të futën në lëvozhgën e arrës, duke pritur kohën e vet,e atëherë të paraqiten qoftë edhe me memoare; ose në anën tjetër të luftojnë luftën donkishotiane kundër mullinjve të erës.Të dy këto alternativa i kanë anët e veta, si pozitive, ashtu edhe negative:
- E para i ofron intelektualit qetësi e paqe fizike, e ateron atë në jetën e rrethit të ngushtë, që deri atëherë ishte për të, ndoshta, tejet e ulët; e në anën tjetër vetë rrethi e akuzon si frikacak, gjë që është e barabartë me diagnozën e vdekjes intelektuale klinike.
- E dyta ka si pasojë te kundërtën. Ai vetë gjen qetësi intelektuale, shpirtërore e morale, i bindur se popullit po ia tregon rrugën më të mirë, rrugën e vetme afatgjate, por në anën tjetër vështirësohet rruga e tij jetësore fizike, sepse kundërshtarët e mësuar në "mendjemprehtësinë" aktuale "bardhë-zi" e akuzojne për tradhtar, jane të gatshëm edhe për inkuizicion klasik në turmën e druve. Sepse, 'ai ështe shkatërrues i idilës së njëmendësisë së tërësishme'. Ai i takon anës se kundërt, ai është "spiun", "i paguar", "i shitur", ai
është...
Në fund, pasi të kaloje furtuna, pozita e tyre është sërish duale. I pari mundohet të përfitojë nga rasti, duke trumbetuar se "qëndrimet e pastra i kishte që në fillim". Mundohet të bëhet edhe më rrënjësor për ta treguar pastërtinë e tij.I dyti, në shumicën e rasteve fizikisht i rraskapitur nuk ka më as forcë as vullnet të eksponohet, mbetet përsëri kritik i përditshmërisë. Kryesisht, më së shumti ka asish që deri në momentin e fundit janë në anë të drejtë (me partinë në pushtet), për të kaluar përsëri ne momentin e fundit në anën e drejtë (me partinë e re në pushtet). Nëse të gjitha këto ndodhin në kohëra disi më normale, nuk çojnë peshë aq të madhe, mbeten të shkruara, por me kohë opinioni publik i tejkalon (të mosthemi i harron) ato.
Me raste të tilla është e mbushur plot e përplot historia dhe letërsia jonë kombëtare, por edhe aktualiteti ynë shqiptar.Interes të posaçëm për këtë shkrim zgjojnë intelektualët e tipit të dytë. Ata që nuk heshtin as nuk e lëmojnë pushtetin. Mënyra se si e shprehin ata një kundërshtim me njëmendësinë aktuale e cakton edhe pozitën e tyre të mëvonshme, qoftë edhe pas vdekjes.
T'i marrim tri raste konkrete, të njohura në letërsinë tonë, per ta shpjeguar tërë këtë mozaik. Ta tërheqim një paralele midis poemës "O moj Shqypni" të Vaso Pashës, "Legjendës së misrit" të Migjenit dhe satirës "Metamorphosis" të Atë Gjergj Fishtës. Me qellim po i ballafaqojmë këto të tri krijime artistike, ngase e qesin në pah më së miri idenë tonë.
Përderisa Migjeni në mes të pasqyrës ideale të malësorit (...shembull i pamposhtmërisë, rezistencës, nderit...) dhe dukjes reale të tij (...qenie pakurrizore që numëron të rrahurat e kamxhikut duke u përkulur para përfaqësuesit të pushtetit për një gjysmë thesi misër) zgjedh këtë të dytën, duke e gjetur edhe shkakun për këtë (goja e uritur e fëmijëve që presin bukë).
Ai aspak nuk dyshon se shkrimi i tij do të keqkuptohet, pa marrë parasysh se një shkrim i tillë e shkatërron paragjykimin ideal të formuar në opinion për malësorin, si në komb ashtu edhe jashtë tij. Është kjo gjë njerëzore e kuptueshme prej te gjithëve. E pra, Migjeni na çfaqet aty si heretik i pashoq ndaj "religjionit kombëtar"! E pra, Migjeni si heretik then pasqyrën ideale "të dhënë nga Zoti", sepse "shqiptari s'është i tillë"! E pra, Migjeni si heretik duhet djegur në turmën e druve. Ai, jo vetëm se nuk e beson idealen, por edhe ezhveshë atë cullak, e shkatërron dhe e lufton atë me çdo qelizë të intelektit të vet.
Për fat, Migjeni mbetet i gjallë me shkrimet e veta!
Ndërkaq, Vaso Pasha shkon edhe më tutje. E përgjithëson idenë e Migjenit me tezën "Shqiptarë, sot s'ka shqiptarë!..." E pse, pra Vaso Pasha mbetet në piedestalin, ku e vendos vetë kritika letrare?
Pse nuk çohën të gjithë shqiptarët ta dënojnë atë për akuzën – shpifjen që bëri? A thua me këtë nuk e meritoi zgjimin e ndjenjës neroniane te shqiptarët, që ta ndezin turmën e druve nën autorin e kryqëzuar?Përgjithësimi i la të fjetura ndjenjat individuale, sepse, si duket, asnjëri personalisht nuk e gjet veten drejtpërdrejt të akuzuar. Në vend të klithjeve "vdekje autorit!" u dëgjuan dhe dëgjohen "rroftë autori!"
Dhe, mirë që autori mbetet në vendin e merituar!
Shumë intelektualë dhe "intelektualë" të sotëm me Atë Gjergj Fishtën u takuan tepër vonë, por një thënie të tij e kanë të ngulitur si thumb në trurin e tyre. Thumb ky që nxit shumë pyetje, shpesh pa përgjigje.Shumë dyshime të pashpjegueshme janë të lidhura me vargjet e tij aq shpesh të parafrazuara "le ta dijë tan bota mbar / se un ma nuk jam shqiptar".
Nuk jam i denjë, e as që kam nevojë ta mproj Fishtën dhe atdhetarizmin e tij, por dëshiroj ta jap një vështrim timin lidhur me satirën Metamorphosis, në të cilën gjenden këto vargje!Ndoshta do të ishin shpjegim i mjaftueshëm i veprës së tij "Anzat e Parnasit" dhe satirës në fjalë, që është pjesë e veprës, dy moto që izgjedh vetë autori:
"Qeshem për punë të njerzvet veç pse s'muj me kja" për veprën, dhe "Tros Tyriusue mihi nullo discrimine habentur", për satirën.Apo ndoshta do të ishte shpjegim i mjaftueshëm vetë definicioni: "Satirë-af. (lat. Satira, satura - përzierje) 1. ironi e hidhur, therëse e fshikulluese,qëndrim që shpreh një ironi të tillë; 2. iit. Vepër letrare ose shkrim që fshikullon të metat, veset dhe anët e dobëta të njerëzve dhe të
shoqërisë". Mikel Ndreca, Fjalor i fjalëve dhe shprehjeve të huaja,Prishtinë 1986, 624.
E si vjen zemërimi i brendshëm i Fishtës në atë stadium, që t'i "pështyjë" në letër këto fjalë? A thua se Homeri i shqiptarizmës iu nënshtrua ndikimit të fuqive antikombëtare dhe u bë sahanlëpirës i tyre?
Nëse e pranojmë tezën se me citate të shkëputura edhe Biblën mund ta paraqesim si libër heretik, do të mund të përgjigjemi pozitivisht në këtë pyetje. Ja vargjet që do të mund të ishin pikënisje për një shtjellim
të tillë:
"Se vjershtarët sa janë n'këtë jetë
Gjithmonë luftë kanë me kuletë"!
Por Fishta si mjeshtër i vargut dhe si kolos i mendimit që është, nuk e lejon asnjë dyshim. Jo veç se satirën e vet të shkruar më 1907 e fillon me moton e Virgjilit që përmendëm, por në strofën e parë të tij anatemon kohën në të cilën jeton, si dhe rrethin e tij:
"Qe besa, or burra
Nuk dij kah t'çajë
Mbasi do t'thirret
Sot derri dajë..."
Nuk e cekëm kot vitin e lindjes së satirës. Ishte viti kur Fishta gjindej gati në kulmin e veprimtarisë së tij atdhetare në përgatitjen e alfabetit gjithëkombëtar shqip. Kundërthëniet, që i paraqet duke krahasuar veten, që dirgjet"për atme të vet" duke u "kacagjelue" me armiq të Shqipërisë, me disa të tjerë që:
"... për dhë t'parvet
S'u bjen ndërmend
Me sa për kpurdha
Qi bijnë n'dervend"
Janë aq të parafytyrueshme, sa që lexuesit i duket se është vetë i thurur në vargje.
Me cinizëm, që është karakteristik vetëm për intelektualët e rangut më të iartë, Fishta godet "kujdesin" e shoqërisë për pishtarët e kulturës dhe të kombit, por njëkohësisht ajo shoqëri i dhuron ata:
"që me i gut'n Morgen
A kalimera
Me i dobra veçer
A Buona sera
Të gjitha punët
U shkojnë përfilli
E edhe morrizi
U çelë drandafili"
Të gjitha këto i di Fishta, e mu për këtë edhe më tepër eksplodon pranë varreve që s'kanë ndryshim në epitaf, përveç, ndoshta në pamje të jashtme. Pasi poetët e atdhetarët tërë jetën e shkrinë për "Atme" nuk u mbet asgjë për rrasë të varrit, kurse atyre që "u lodhën prej vjamit" e që ndërruan jetë "për sherr të Adamit", në rrasë të varrit, me shkronja të arta u shkruan epitafe shokët e tyre:
"Ktu njaj fatbardhi
Asht tue pushue
Për Fe e për Atme
Qi pat jetue"
Fishta këtë dukuri e përgjithëson edhe më skajshmërisht. Duke i parë të gjitha që ndodhin në Shqipëri, me ironi e cinizëm pyet:
"A thue asht vorri
Bash i Spartanvet
Qi n Thermopila
Banë ball Persjanvet?..."
Pas të gjith këtyre, Poeti shpërthen:
"Ta dijë Shqypnija
Pra e sheklli mbarë
Se ma mbas sodit
Un s'jam shqyptar"
Dhe për këtë thënie Fishta edhe sot akuzohet, pa marrë parasysh se kjo është satirë, pa marrë parasysh shtjellimin e shkëlqyeshëm që i bën thënies paraprakisht, pa marrë parasysh veprimtarinë e tij të atëbotshme dhe të mëvonshme, si dhe vlerat artistike - atdhetare të kësaj dhe veprave të tjera të tij.
Për vargjet në poezinë Gjuha shqipe:
"Pra mallkue njaj bir shqyptarit
qi këtë gjuhë të përëndisë
trashigim të lanë prej s'parit
trashigim qi s'i le fmisë..."
ai çohet në pedestal, por gjithmonë pa ia harrua (më mirë duke ia përkujtua) mëkatin mortor të'moskënitshqyptar'.
E ç'dallim kanë në thelb novela e Migjenit, poema e Vaso Pashës dhe satira e Fishtës, përpos gjinive të ndryshme letrare të cilave u takojnë.
Shikuar nga këndvështrimi i kuantitetit, thënia e Fishtës "se un ma nuk jam shqyptar..." është e nivelit më të ulët. Ai e "bën" vetëm vetvetën "joshqiptar". Migjeni e zgjëron akuzën, duke i "nënçmuar" malësorët, kurse Vaso Pasha e përgjithëson në krejtë shqiptarët - krejtë kombin "shqiptarë, sot s'ka shqiptarë...". Por, siç thamë, lexuesi ia "merr për të madhe" vetëm Fishtës.
Nëse këtë e analizojmë psikologjikisht dallimi qendron tjetërkund: konkretizimi ka peshë më të madhe se pergjithësimi. Konkludim logjik që del nga kjo analizë:
Veta e tretë e njënësit (malësori i Migjenit) dhe veta e tretë e shumësit (joshqiptarët e Vaso Pashës) nuk prekim askënd individualisht, ngase çdo përgjithësim ka përjashtime (kështu secili malësor, e për analogji me të, secili shqiptar ia bën vendin vetes në anën e kundërt të prototipit migjenian, gjegjësisht të atij të Vaso Pashës me qendrimin "kjo nuk vlen për mua dhe mirë po ua bën atyre të tjerëve", është, pra, vetëm inspirim letrar i autorit).
Në anën tjetër, veta e parë e Fishtës ("Un s'jam shqyptar..."), pa marrë parasysh ironinë e plotë satirike të autorit në vetë psikën e lexuesit konkretizon diçka si dyshim, si pyetje, si diçka të pasqarueshme. Duket si heqje e perdes përmbi shtresat më të thella të ndërdijes të secilit prej nesh, që e bën të mundshme të zbulohet e vërteta. Deshte s'deshte, thënia mbetet me e ngulitur në tru. E veçanërisht nëse ajo thënie duhet recituar publikisht!
Duhet pranuar edhe ana tjetër, ajo e kundërta. Edhe sikur Fishta ta kishte shpreh këtë qendrim me tërë seriozitetin e ratios, do të duhej nderuar karakteri i tij si dhe guximi ta shpalle atë, e jo më ta qesë në letër. Në fund të fundit Scripta manent. E shkruara, pra, mbetet për të gjitha kohërat dhe për të gjithë lexuesit.Me gjithë citatet e shkëputura dhe dyshimin eventual për heretizëm,Bibla mbetet Bibël.
Marrë nga:
Alternativa-Revistë për kulturë dhe shkencë
Krijoni Kontakt