Kryeministri takohet me faktorin shqiptar në rajon. Pas delegacionit nga Presheva, mbrëmë erdhi kryeministri Çeku nga Prishtina. Pritet Arbër Xhaferri dhe Ali Ahmeti.
Dy kryeministrat shqiptarë, takim në Pogradec
Kosova, pjesëmarrja e shqiptarëve në qeverinë e re të Shkupit, çështje parësore në bisedime
Bardhyl Berberi per Gazeten Shekulli.
Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, u takua rreth orës 20, mbrëmë, me kryeministrin Sali Berisha në Pogradec, në një vizitë të komentuar më shumë si private. Çeku mbërriti nga Prishtina rreth orës 19.30. Takimi mes kryeministrave Çeku e Berisha është zhvilluar “kokë më kokë”, në rezidencën qeveritare dhe më tej ishte përgatitur edhe që të darkonin së bashku. Vëmendje të veçantë, sipas burimeve pranë kryeministrit Berisha, zuri në darkën e punës ecuria e negociatave për statusin e Kosovës me pavarësinë si fund të tyre, aq më tepër tani në prag të takimit të pritshëm mes krerëve më të lartë të Prishtinës dhe Beogradit në nivelet kryeministër-president në Vjenë me ndërmjetësimin e paralajmëruar të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari. Po kështu, takimi u mbajt pak orë pasi mbërriti nga vizita në Këshillin e Sigurimit, presidenti shqiptar i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Kryeministri Çeku mbërriti në Pogradec pasi kishte pranuar disa vërejtje të opozitës së tij për programin e 100 ditëve, të cilin e mbrojti në Kuvend në Prishtinë. Parësore ka qenë, sipas Çekut, se është arritur një rezultat i theksuar në të gjitha fushat e funksionimit të shtetit, ndërkohë që premtoi se Kosova do të hyjë shumë e përgatitur në fazën e parë pas statusit. Çeku edhe më parë në dy takimet e muajve maj-qershor me Berishën ka theksuar se qeveria e tij është duke punuar intensivisht në përmbushjen e standardeve, finalizimin e statusit, forcimin e stabilitetit politik dhe të sigurisë. Nuk janë bërë komente të tjera rreth bisedimeve mes kryeministrave Çeku dhe Berisha, por burimet thonë se zhvillimet në të dy vendet, Kosovë e Shqipëri, në shtetin maqedonas pas zgjedhjeve të përgjithshme dhe përpjekjet për krijimin e qeverisë së re në Shkup si dhe në tërësi bashkëpunimi dhe integrimi kanë qenë çështjet e diskutuara. Burimet shtojnë se zoti Berisha po punon për një bashkëbisedim me kryetarët e forcave kryesore politike shqiptare në shtetin maqedonas, Arbën Xhaferri të Partisë Demokratike, që ka fituar 11 deputetë në Kuvendin maqedonas pas zgjedhjeve të 5 korrikut dhe Ali Ahmeti të Bashkimit Demokratik për Integrim, që ka 18 deputetë të fituar. Berisha ka qëndruar në Pogradec që prej së premtes në mbrëmje i vendosur në rezidencën qeveritare. Ditën e premte rreth orës 20 kryeministri ka mbërritur me helikopter dhe një orë më pas (të po asaj mbrëmjeje) ka dalë shëtitje së bashku me bashkëshorten nëpër bulevardin kryesor të qytetit i përshëndetur nga qytetarët kalimtarë. Burime brenda kryeministrit thanë se ardhja e Berishës në Pogradec ishte thjesht për pushime. Por dje rreth orës 11 kryeministri është nisur me helikopter në drejtim të Tiranës dhe është kthyer në orën 15 të pasdite. Ai ka qëndruar në një drekë me familjen brenda vilës derisa erdhi rreth orës 19 e 30 në rezidencën qeveritare kryeministri i Kosovës, Çeku. Takimet me drejtues të lartë shqiptarë rajonalë të Berishës janë paraprirë rreth së premtes kur kryeministri priti delegacion nga Lugina e Preshevës që përfshin territoret etnike shqiptare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, të njohura si Kosova Lindore. Ky delegacion drejtohej nga prefekti i Preshevës, Ragmi Mustafa dhe sipas korrespondentit të radio “Kosovës”, nga Presheva, vizita dhe takimet janë vlerësuar të suksesshme. Prefekti Mustafa kishte deklaruar se bisedat me autoritetet e Tiranës përqendroheshin në gjendjen aktuale në Luginën e Preshevës, në veçanti për kërkesat e shqiptarëve të këtij rajoni për zgjidhjen e statusit final të tyre si dhe për saktësimin e kuotës së studentëve nga Lugina, që do t’i mundësonte qeveria shqiptare në vitin e ardhshëm akademik në universitetet e Shqipërisë.
Krijoni Kontakt