Dy krerët e partive të majta propozojnë kreun e PS-së dhe kryebashkiakun aktual, për një mandat të tretë në kryeqytet
Meta dhe Gjinushi: Edi Rama, kandidat për Bashkinë e Tiranës
Denion Ndrenika
TIRANË
Me Edi Ramën në rikandidimin për kryetar Bashkie në Tiranë, të majtët thonë se janë të sigurt në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme vendore. Komentet i kanë bërë dje kryetari i socialdemokratëve, Skënder Gjinushi dhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Gjinushi saktësoi dje se dita-ditës të majtët kanë ardhur duke e forcuar pozitën e tyre në Tiranë, pavarësisht nga ajo që ndodhi në zgjedhjet e përgjithshme të 3 korrikut të 2005-ës, për shkak të ndarjeve mes tyre. Gjinushi konfirmoi dje bindjen e aleatëve opozitarë për një mundësi fitoreje të pastër në zgjedhjet e ardhshme vendore, duke kaluar nëpërmjet një rruge bashkëpunimi serioz e të drejtë. Për ish-kryetarin e Kuvendit, Gjinushi, "bashkëpunimi fillon që nga ai politik, që nga imazhi, që nga propaganda, që nga mesazhi që përcjell, që nga mitingu i sheshit "Skënderbej", sepse është e gjitha kjo që krijon një trupë të vetme, një elektorat solid, i cili kthehet pastaj në një elektorat fitues, si atje ku mendon se je i sigurt edhe atje ku disa mendojnë se je humbës dhe arrin të fitosh". Bindja për rikandidimin e Ramës për Bashkinë e Tiranës, sipas Gjinushit, mbështetet në kapacitet që mbart kryetari në detyrë me dy mandate në kryeqytet dhe në analizë, po sipas Gjinushit, të rrjedhës politike të së majtës në Tiranë. "Në Tiranë fitorja e të majtës ka ardhur duke u thelluar vazhdimisht deri në vitin 2005, kur ndodhi humbja, për shkak të ndarjes së votës. Kjo sepse ndarja e kësaj vote ka qenë më e shumtë këtu në Tiranë dhe sepse edhe ndarja e socialistëve në kryeqytet ka qenë më e madhe, ashtu si edhe pakënaqësia e tyre. Pra, në Tiranë kishte më shumë socialistë të pakënaqur se sa kishte në vende të tjera. Rrjedhimisht, as që diskutohet që Rama është fitues dhe ne jemi të sigurt që me Ramën si kryetar aktual i Partisë Socialiste, si kryetar bashkiak aktual, e majta do të fitojë në zgjedhjet lokale", -ka thënë Gjinushi. Bashkëpunimi ndërzgjedhor, sipas tij, mes partive aleate, duhet të mos ndërtohet mbi bazën e territoreve të sigurta dhe të lëkundura, në rast se do të duhej të përvijohej fitorja. "Bashkëpunimi duhet që nga zonat e sigurta deri te zonat më pak të sigurta, çka do të thotë se nga bashkëpunimi duhet të përfitojë e gjithë majta dhe pastaj patjetër edhe të tëra partitë proporcionalisht sipas peshës dhe mundësive reale që kanë. Ideja është që të thyhet ndonjë tendencë që mund të kenë disa, që në zonat më të sigurta të hynë vetë dhe pastaj në zonat e lëkundura vetëm të kërkojnë ndihmën e aleatëve", -ka thënë kreu socialdemokrat.
Meta
Nuk ka qenë aspak larg qëndrimit për mbështetjen e shefit të opozitës për në garën vendore zgjedhore për Bashkinë e Tiranës, kryetari i Lëvizjes Sociasliste për Integrim, Ilir Meta. Për ish-kryeministrin Meta, kandidatura e Ramës është një siguri më e madhe për të fituar zgjedhjet vendore, përpos Bashkisë së Tiranës, për të cilën thotë se nuk mundet kush t'ia mohojë punën e bërë bashkë me drejtuesin e saj. "Padyshim që zoti Rama është kandidati më i mirë i së majtës", -është cituar Meta dje nga mediat, ndërsa ka shtuar se megjithatë "është një çështje që mbetet për t'u vendosur sepse ende nuk kemi hyrë në fushatë elektorale". Meta ka përsëritur kritikat ndaj qeverisjes dhe praktikave të saj antikushtetuese, sipas të majtëve, përfshi çështjen e “Zogut të Zi”, që nën gjykimin e LSI-së shkojnë në favor të fitores opozitare në zgjedhjet e ardhshme. "Mendoj se përpjekjet e fundit të qeverisë aktuale si dhe akti më i fundit për të prishur një vepër publike bazuar nga taksapaguesit e kryeqytetit nuk e errësojnë dot punën e bërë nga Bashkia e Tiranës dhe nga kryetari i Bashkisë, Edi Rama, gjatë këtyre 6 viteve, përkundrazi", -ka thënë Meta.
“Me Ramën, fitorja është e sigurt”
Shefi socialdemokrat, Skënder Gjinushi, ka thënë dje se kryeqytet fitorja e të majtëve është e padiskutueshme, për shkak të rritjes përherë e më shumë të ndikimit të tyre te zgjedhësit. Ndërsa ka komentuar humbjen më 3 korrik 2005, për shkak të ndarjeve mes të majtëve, Gjinushi ka shtuar se “as që diskutohet që Rama është fitues dhe ne jemi të sigurt që me Ramën si kryetar aktual i Partisë Socialiste, si kryetar bashkiak aktual, e majta do të fitojë në zgjedhjet lokale".
“Rama, kandidati më i mirë i të majtës”
Për ish-kryeministrin Ilir Meta, kandidatura e Ramës është një siguri më e madhe për të fituar zgjedhjet vendore, përpos Bashkisë së Tiranës, për të cilën thotë se nuk mundet kush t'ia mohojë punën e bërë bashkë me drejtuesin e saj. "Padyshim që zoti Rama është kandidati më i mirë i së majtës", -është cituar meta dje nga mediat, ndërsa ka shtuar se, megjithatë, "është një çështje që mbetet për t'u vendosur, sepse ende nuk kemi hyrë në fushatë elektorale".
Krijoni Kontakt