Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 4
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Do shkonim në Botëror, por na droguan grekët

    “Do shkonim në Botëror, por na droguan grekët”

    Dyshimet e mjekut Heqimi për ndeshjen e 1985-ës

    Altin Shordi
    a.shordi@gazetashqiptare.com


    Në mur, pas shpinës së tij, bashkë jetojnë me njëra- tjetrën, të ngjitur me leokoplast, foto të zmadhuara të ekipit kombëtar, reklama e një aktiviteti të kaluar boksi dhe një pamje turistike e Ulqinit. Përpara ka kompjuterin dhe në tavolinë janë të shpërndara rrëmujshëm dhjetëra libra me temë mjekësore ose sportive. Lluka Heqimi, të pret në zyrën e tij në Qendrën e Mjekësisë Sportive, me një kujdes të veçantë që për dikë që nuk e njeh karakterin e doktorit, vështirë të mos e vërë në siklet. Njëri prej dëshmitarëve më të rëndësishëm të historisë së ekipit kombëtar, pjesë e tij për 22 vite me rradhë, është i habitur sesi askush më parë nuk e ka pyetur publikisht për ndeshjen e shkurtit të vitit 1985, Greqi-Shqipëri. Ai pranon të rrëfejë shtruar këtë histori të cilën pëlqen t’i heqë një paralele me “Kalin e Trojës”, ndërsa kap moment pas momenti telefonin e tij që bie pa pushim…

    Pikërisht “Kali i Trojës”, nga miti në fjalë ju lindi dyshimi?
    E paevitueshme që në një vend si Greqia, të të mos shkojë ndërmend historia e marrjes së Trojës. Aq më tepër që në atë kohë, për të dy skuadrat ndeshja ishte shumë e rëndësishme. Duke njohur historinë e asaj toke, atij vendi, nuk mund të mos dyshoja. Ushqimi ishte më i mundshmi për ndonjë dredhi, prandaj kur kam parë që në menu u përfshi edhe një supë, unë e kam mbledhur të gjithë skuadrën duke u thënë se nuk duhet ta hanin në asnjë mënyrë. Në ushqimet e tjera vendosja e ilaçeve ishte më e vështirë. Por lojtarët e hëngrën supën pa dijeninë time, pasi ndjeheshin paksa të uritur. Kjo ndodhte tri orë para ndeshjes. Kur e mora vesh u pezmatova shumë. Mbaj mend që u thashë: Çfarë keni bërë kështu. E ndjeva se kishte ndodhur diçka.

    Dhe ju mendoni se ajo supë, pati ndonjë efekt te lojtarët?
    E kam pasur përherë këtë dyshim. Ai m’u përforcua kur pashë lojtarët përpara këndimit të himnit kombëtar, ku mezi mbaheshin në këmbë. Diçka e tillë mund të dallohej qartë edhe në fushë. Futbollistët po bënin veprime të pakontrolluara, tipike për rastet kur sistemi nervor nuk punon siç duhet. Ocelli deshi të bënte një roveshatë, kur topin mund ta largonte me kokë, në momentin e golit të parë të grekëve. Agustin Kola, vinte duart në fytyrë pasi e bezdisnin dritat e stadiumit. Dhe të gjithë më shumë ecnin se vraponin në fushë. Pra ishte një sjellje e çuditshme, që unë e kisha të vështirë dhe e kam ende të vështirë ta besoj. Mendoj se sistemi nervor i lojtarëve nuk ishte në maksimum.

    A ka ndonjë shpjegim, qoftë edhe nga ana mjekësore, për atë gjëndje të lojtarëve?
    Të jemi të qartë, unë nuk akuzoj. Nuk kam prova 100% se lojtarëve u janë dhënë substanca të tilla. E kam qoftë edhe frikën se ndoshta “po i fryj kosit”. Mund të kenë qenë emocionet e një ndeshjeje të rëndësishme, efektet psikologjike, dritat e stadiumit (luanim shumë rrallë me to) etj, por në fakt në pozicione të përafërta me kushtet e mësipërme kemi qenë edhe më parë. Asnjëherë nuk kemi pasur një gjëndje të tilla dhe aq më tepër te e gjithë skuadra.

    Përflitet që sidomos pjesën e parë, kur janë shënuar golat e grekëve, skuadra ka reaguar në mënyrë të çuditshme?
    Po dhe një specialist i kësaj fushe të mjekësisë, mund të detajojë shkencërisht deri edhe në momente kur një medikament do t’i japë efektet e saj. Në atë kohë, kushdo i ka pasur mundësitë që të fusë ndonjë gjë në gjellën tonë. Dhe në raste të tilla, kur luhet për kaq shumë, e vështirë që t’i rezistosh tentacionit për ta fituar ndeshjen kaq thjesht…

    A kishit mundësi për ta parandaluar. Ju thonit se kishit dyshime para ndeshjes. Psh mund të merrnit ushqime me vete, një praktikë e njohur kjo?
    Jo në atë kohë dhe jo me Shqipërinë. Nuk i kemi pasur dhe as i kemi mundësitë që të marrim ushqime dhe guzhinier me vete. Të vetmen herë që është gatuar nga një shqiptar për kuqezinjtë jashtë vendit, ka qenë në Rusi më 2002, kur unë kam gatuar “spaghetti” për skuadrën për shkak se guzhinierët e hotelit, nuk dinin ta bënin këtë. Sa për rastin në fjalë, vetëm ekipe të mëdha si Anglia apo Gjermania mund të marrin guzhinierë me vete.

    Çfarë mendoni se mund të ketë qenë medikamenti në gjellën e lojtarëve tanë?
    Ka lloj-lloj substancash qetësuese që mund të ndikojnë në performancën e lojtarëve. Bromuret psh, nëse jepen në doza jo të mëdha kanë një efekt të rëndësishëm te loja e skuadrës, ul reflekekset e lojtarëve dhe rrjedhimisht ata janë larg 100%-it. Që ekipi të jetë në formën më të mirë në fushë, nuk është i lejueshëm qoftë edhe gjumi para ndeshjes jo më një qetësues. Me efektet që pashë te lojtarët, mund të kenë qenë bromure ose valium.

    Po vetë futbollistët çfarë ju thanë pas ndeshjes?
    Të gjithë më treguan se nuk ndiheshin mirë, se kishin marrje mendsh dhe nuk orientoheshin drejt në fushë.

    Si ka mundësi që kjo çështje nuk ka dalë në dritë më parë, a është folur në atë kohë?
    Po në të gjithë Tiranën, por në atë kohë gazetat nuk mund të shkruanin për diçka të tillë.

    Dhe në fund, a mendoni se nëse nuk do të kishte qenë për atë supë, ne do të ishim në botëror sot?
    Tani nuk mund të thuhet asgjë, por atëherë ishim në një gjëndje shumë të volitshme për të synuar finalet e kampionatit botëror.
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    “Kali i Trojes” ne ndeshjen historike te Shqiperise

    Shkurt 1985, Athine. Vendasit fitojne 2-0

    “Kali i Trojes” ne ndeshjen historike te Shqiperise

    Sërish grekët. Përherë ata. Siç ka ndodhur rëndom me krejt historinë e vendit tonë, futbolli shqiptar ironikisht do të njihte një kulm të tij, më të madhin, në një përpjekje kundër fqinjëve jugore. Që do të përcaktonte vetë të ardhmen e këtij sporti në Shqipëri: ngjitjen drejt lavdisë ose kthimin në anonimat. Ishte 27 shkurti i vitit 1985. Një mbrëmje që premtonte kaq shumë por që u kthye në të kundërtën e vet të trishtueshme.
    Në Athinë atë ditë të ftohtë dimri kishte udhëtuar brezi më i mirë i historisë së futbollit shqiptar. Në shumicën dërrmuese lojtarët ishin po ata që kishin tronditur Gjermaninë në nivel ekipesh Shpresa vetëm dy vite parë, duke hyrë në tetëshen e evropës së kësaj kategorie (u eleminuan nga Italia e Vialit, Mançinit et). Ndodhte në vitin 1983 dhe kur ky brez arriti një fitore historike kundër Belgjikës më 22 dhjetor të vitit 1984 tani në kombëtaren e madhe, të gjitha kartat ishin në rregull për të rishkruar historinë kundër Greqisë, dy muaj më pas. Fqinjët me vetëm një pikë të grumbulluar deri në atë takim, kishte të gjitha arsyet e mundshme për ta pasur frikë Shqipërinë. Ja pse historia e një medikamenti në supën që i është servirur skuadrës, tri orë para ndeshjes, është një variant që nuk mund të mos merret parasysh.
    Dyshime
    Skuadra kuqezi, që ishte argëtuar gjatë ditëve të qëndrimit në Athinë duke vizituar vendet historike, çka e dokumenton edhe një album fotografik i doktorit të ekipit Heqimi, duhet të ushqehej tri orë përpara ndeshjes. Përveç menusë së paracaktuar, nga hoteli është servirur edhe një supë që doktori ka insistuar fillimisht te trajneri dhe më pas te e gjithë skuadra, që të mos prekej nga asnjëri prej lojtarëve, për shkak se aty mund të futej gjithçka. Pas ushqimit dhe sidomos para fillimit të ndeshjes, një pjesë e mirë e lojtarëve nuk janë ndjerë mirë. Të gjithë e kanë kaluar me pretendimin se ishte një efekt psikologjik, nga rëndësia e ndeshjes. Por në rreshtimin e zakonshëm gjatë këndimit të himneve të të dy vendeve, gjëndja u rëndua më tej. Disa lojtarë mezi mbaheshin në këmbë. Agustin Kola, ndihej më keq se të gjithë të tjerët (një qetësues i mundshëm përzier në gjellën e tij ose thjesht efekti psikologjik, janë sot dy hipotezat për sëmundjen e tij misterioze). Drejtuesit e ekipit kombëtar dhe vetë mjeku Heqimi, e kanë ende të gjallë në mëndjen e tyre, sesi ai mbrohej nga dritat e stadiumit, duke ngritur lart të dyja duart. Gjë që ka vazhduar edhe për një pjesë të mirë të ndeshjes. Më vonë, vetë Kola por edhe ndonjë lojtar tjetër, kanë deklaruar se nuk mbanin mend asgjë nga ndeshja. Edhe veprimet në fushë të shumë lojtarëve kanë qenë të pazakonta si gjesti i Ocellit që për një top të lehtë në zonë, në vend që ta godiste me kokë, është munduar ta largojë me roveshatë, apo pësimi i golit në mënyrë të çuditshme nga portieri Musta (mes këmbrëve), brenda të njëjtit aksion. “Ishin veprime të çuditshme, të cilat mund të kishin vetëm një shpjegim të qenësishëm. Sistemi i tyre nervor nuk punonte në maksimum”- të thotë sot 21 vjet më pas Lluka Heqimi, ish-mjeku i ekipit.
    Dhimbja është e madhe nëse kupton se duke fituar atë ndeshje (apo qoftë edhe barazuar), Shqipëria do të konsolidohej në krye të grupit dhe me dy përballje të mbetura që do luheshin brenda fushës sonë, shanset për kualifikim ishin mëse reale. Me humbjen në Athinë, Shqipëria nuk kishte më komoditetin e mëparshëm në renditje dhe gjithashtu as motivimin e mëparshëm për të fituar. Vetëm me këtë dështim, mund të shpjegohet periudha e errët e Shqipërisë në eleminatoret pasaardhëse. Brezi i artë i futbollit kuqezi, i kishte dhënë kështu fund ciklit të vet, vetëm pak metra larg startit…
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Në aeroport pritje pretendentësh

    Në aeroport pritje pretendentësh

    Barazimi me Poloninë e mbi të gjitha fitorja me belgët i kishin krijuar skuadrës përfaqësueses luksin që të ishin në qëndër të vëmendjes në aeroportin e Athinës një ditë përpara se të luhej ndeshja fatkeqe. Fotoreporterë, blice pa fund dhe gazetarë nga e gjitha bota përshëndesin skuadrën e një vendi të vogël dhe krejstësisht të çuditshëm (ishin vitet e izlomit të madh) që tani do të luante ndeshjen e jetës për tu kualifikuar për në Kampionatin Botëror. Vetëm një muaj më parë “france Football” revista më prestigjoze sportive në Botë i kishte kushtuar Mustës kopertinën mujore.

    Nga himni deri te golat, shqiptaret... “ecen”


    Për ata që kanë qënë në pankinën shqiptare në 90 minutat dështuese kundër Greqisë habitë kanë filluar që nga këndimi i himnit. Dëshmitarët janë gati të vënë bast që kanë parë futbollistë që belbëzonin nën tingujt “Rreth flamurit të përbashkuar”, ndërkohë që fytyrat e tyre ishin krejt të zbehta dhe sytë të perënduar. “Jo vetëm kaq – tregon një nga pjesëtarët e stafit teknik – minutat e para ishin shkatërruese, asnjë skuadër nuk mund të luajë ashtu. Kam parë Kolën më keq se kurrë, ndërkohë që Ocelli bën një gafë në mbrojtje që s’mund ta bëj kush. Si për ta mbyllur ishte goli mes këmbëve të Mustës. E pabesueshme. Lojtarët vetëm kanë ecur në fushën deri në momentin e golit të dytë”.

    Perpara ndeshjes, guide turistike neper Athine

    Të qeshur dhe në një gjëndje psikologjike të shkëlqyer. Ashtu siç dokumentohet edhe në fotot që po serviren në këtë speciale, gjendja e lojtarëve para ndeshjes kundër Greqisë, në stadiumin Olimpik të Athinës, ka qenë më e mira e mundshmja. Lojtarët i kanë shfrytëzuar orët e lira përpara ndeshjes, duke vizituar të shoqëruar nga delegacioni i ekipit, vendet më të mira turistike. Lojtarët madje edhe e kanë “tepruar” në ndonjë vend gjatë pozave që kanë marrë sidomos te Akropoli i lashtë, gjë që tregon se ata nuk e kanë ndjerë në mënyrë të veçantë psikologjikisht takimin. Orët e fundit dhe vetë ndeshja, kanë qenë më pas një histori tjetër.

    Gazeta Shqiptare
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  4. #4
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    08-11-2002
    Postime
    1,509
    Do ishte mire qe futbollistet te thone ndonje gje, po te shkretet s'jane te mesuar te japin intervista. Asnje futbollist s'jepte dot intervista ne kohen e Dulles.

    Besnik Dizdari e pergenjeshtroi lajmin, dhe per mendimin tim beri gabim, pasi ai nuk ishte brenda ne stomakun e futbollisteve. Mjeku kujton deshmi te lojtareve, keshtu qe nuk mund t'ia fuse kot fare. Ajo ndeshje i goditi shume psikologjikisht lojtaret. Nese do kishim fituar ne Greqi do kishim shkuar ne Meksike, pasi me Polonine kushtet nderronin komplet dhe do luanim per dy rezultate.

    Ajo ishte kombetarja me e talentuar e te gjitha koherave.

    Se fundi, Lluka Heqimi nuk eshte njeri dosido, po mjek i shkelqyeshem sportiv me eksperience 30 vjecare. Ka kaluar neper duar sportistet me te mire te kombit tone.
    Ndryshuar për herë të fundit nga Pasiqe : 19-07-2006 më 11:49

Tema të Ngjashme

  1. Video e ushtarëve grekë në Internet indinjon shqiptarët
    Nga Ingenuous në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 207
    Postimi i Fundit: 22-09-2011, 14:58
  2. Greqia u jep shtetësinë minoritarëve
    Nga DYDRINAS në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 411
    Postimi i Fundit: 12-03-2008, 06:59
  3. Dosja antishqiptare e Greqisë, 1912-2007
    Nga BARAT në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 645
    Postimi i Fundit: 15-10-2007, 19:27
  4. Gjergj Kastrioti sipas pikëpamjeve antishqiptare
    Nga Davius në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 77
    Postimi i Fundit: 28-04-2006, 12:45
  5. Refimet e adjutantit te Mbretit Zog
    Nga Albo në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 20
    Postimi i Fundit: 12-03-2003, 03:11

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •