Ministria e Bujqësisë, hetim ndarjes së tokave nga ‘91
Shekulli
TIRANË- Të gjitha tokat që janë ndarë nga viti 1991 e deri më sot, do të verifikohen nga Ministria e Bujqësisë. Ky përcaktim u miratua dje në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, si pjesë e paketës së ndryshimeve të propozuara nga qeveria dhe grupi parlamentar i PR-së në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronave. Kështu Ministria e Bujqësisë do të jetë institucioni i ngarkuar nga ky ligj që të bëjë verifikimin e ndarjes së tokave në 15 vitet e fundit. Në fakt PR ka kërkuar vazhdimisht që këtë proces ta bënte një inspektoriat i veçantë, por zëvendëskryeministri Ilir Rusmali propozoi që me to të merren seksionet e bujqësisë pasi kështu nuk rëndohet edhe buxheti i shtetit. Për të hetuar mënyrën e ndarjes së tokës në 15 vitet e fundit, Ministrisë së Bujqësisë i është lënë një afat kohor më pak se një vit. Në projekt u përcaktua që brenda muajit mars të vitit 2007 ministria duhet të përfundojë çdo hetim për ndarjen e tokave. Ndërkaq afati kur do të mbyllet procesi i kthimit dhe kompensimit fizik të pronave, do të përfundojë në 31 dhjetor 2008.
Krijoni Kontakt