
Postuar më parë nga
hulumtuesi09
Gilmana Bushati
Myslimanët nuk pranojnë që ortodoksët të jenë më të privilegjuar për pronat. Për këtë kanë kërkuar ndryshimin e marrëveshjes dhe unifikimin e qëndrimit të qeverisë për këtë çështje. Me anë të negociatave është arritur në një konsensus, që të gjitha komunitetet fetare të kompensohen fizikisht me prona aty ku është mundësia si dhe financiarisht aty ku nuk është e mundur të merret prona. Ky përfundim është bërë realitet në versionin e fundit të marrëveshjes së nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe tre komuniteteve fetare në tetor të 2008. Versioni i parë i marrëveshjes, që u miratua nga qeveria në prill të vitit të kaluar, bënte të qartë privilegjimin e ortodoksëve sa i takon kthimit dhe kompensimit të pronave. Bëhet fjalë për nenin 22 të kësaj marrëveshjeje, të cilën e patën kundërshtuar që në prill, ministri i Drejtësisë, Alibeaj dhe ministrja e Integrimit, Bregu. Në nenin 22, pika 3 e marrëveshjes, bëhej e qartë se shteti merr përsipër t’u kthejë ortodoksëve “të gjitha pronat, pasuritë, objektet…”. Ndërsa, po te ky nen, pika 2, për myslimanët marrëveshja parashikonte që, “në përputhje me legjislacionin në fuqi, shteti trajton me përparësi kërkesat e komunitetit mysliman të Shqipërisë për kthimin dhe kompensimin e pronave”. Pra, për ortodoksët përdorej fjala “të gjitha”, ndërsa për myslimanët, mes të tjerave thuhej “kompensim pronash”. Kjo marrëveshje kaloi e tillë në mbledhjen e qeverisë, në prill. Kundërshtia e Alibeajt për këto pika ishte se komunitetet fetare duhej t’i nënshtroheshin procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave njëlloj si të gjithë qytetarët e tjerë shqiptarë. Kurse Bregu, në një nga pikat e relacionit të saj, theksonte se për çështjen e pronave, në respektim edhe të së drejtës ndërkombëtare, të gjithë duhej të trajtoheshin njësoj. Marrëveshjet me tre komunitetet fetare, ku përveç myslimanëve dhe ortodoksëve nënshkruan marrëveshjen dhe bektashinjtë, kanë ngjashmëri në shumë nene, për të treguar se qeveria ka marrëdhënie e detyrime të barabarta për të tre këto komunitete. Ndryshimet kanë konsistuar vetëm në terma të ndryshëm fetarë, për tre besime të ndryshme. Vetëm te çështja e pronave ka pasur një diferencim. Për ta sheshuar dhe këtë diferencim, u përfshinë në bisedime dhe negociata palët e interesuara. Myslimanët, duke pasur si pikë kontakti dhe bashkëpunimi Komitetit Shtetëror të Kulteve, janë drejtuar me kërkesën për barazi me të gjitha komunitetet e tjera.
Kjo bëri që në tetor të nënshkruhej marrëveshja mes qeverisë dhe tre komuniteteve, në një ceremoni të veçantë, ku u shpreh dukshëm vullneti i qeverisë shqiptare për të zgjidhur çështjen e pronave.
Varianti i fundit i marrëveshjes, sa i takon çështjes së pronave, po në nenin 22 të tij, është i njëjtë për të tre besimet: Shteti trajton me përparësi kërkesat e Komunitetit … të Shqipërisë për kthimin dhe kompensimin e pronave të veta.”
Krijoni Kontakt