panorama

......

çifti luarasi

intervista

Ngjarja e veçantë në mbrëmjen e 31 dhjetorit 1963


Mihal Luarasi: Si më fotografuan me vajzën nga Suedia në hotel “Dajti”



Manjola Bregasi
Një suedeze që vallëzon rrok në pistën e hotel “Dajtit”. Një shfaqje perëndimore që do të linte me sytë hapur dhe do të habiste jo vetëm të ftuarit e asaj mbrëmjeje, por edhe vetë punonjësit e sigurimit, që kamufloheshin mes njerëzve atë natë të ndërrimit të viteve.

Vajza ishte stjuardesë në avionin që kishte sjellë në Shqipëri ish-kryeministrin kinez Çu En Lai. Krejt papritur ajo ishte çuar nga tavolina dhe nën tingujt e muzikës, me natyrshmërinë më të madhe, kishte shpërthyer në vallëzimin rrok. Gjithçka kishte ardhur e befasishme dhe e paparashikuar, duke rënduar fort mbi organizatorët e festës së Vitit të Ri. Ishte e pakonceptueshme që Shqipëria, e cila trumbetonte me forcë luftën kundër shfaqjeve të huaja, të bëhej protagoniste e një ngjarjeje të tillë, ndërkohë që ata, të plotfuqishmit sigurimsa shihnin gjithçka, pa mundur të bënin asgjë për ta ndaluar. Tashmë situata kishte dalë jashtë kontrollit. Të paktën në dukje, sepse kjo shfaqje spontane do të ishte sa e bukur aq edhe e rrezikshme për ata qindra sy që ishin ngulur me admirim tek këmbët elegante të bukuroshes që vallëzonte në pistë. Dhe Mihal Luarasi ishte një prej viktimave. Përveç faktit që kanë qenë artistë dhe me ide moderne në artin tyre, në jetën familjare Edi dhe Mihal Luarasi shprehen se kanë qenë natyra që gjithmonë kanë pëlqyer të bukurën dhe kanë shijuar argëtimin. Dhe ishte kjo arsyeja që të dy preferonin shpesh hotel “Dajtin”, më i miri për atë kohë. “Eh sa kemi shkuar atje”, kujton me nostalgji aktorja 66-vjeçare. Por pikërisht një nga ato netët e bukura dhe alegro tek “Dajti” do të kthehej shumë kohë më pas në një prej provave të faktuara të prirjeve të tyre moderniste dhe perëndimore, mollë e ndaluar që helmonte këdo që e kafshonte. Çifti Luarasi është bërë pre e objektivit të mprehtë të një fotografi “të çuditshëm”. Një foto, që më pas në duart e hetuesve ka qenë një fakt i padiskutueshëm “i fajit” të Mihal Luarasit dhe i shijeve të tij moderniste, jo vetëm në art, por edhe në jetën e përditshme. Por çfarë ndodhi natën e ndërrimit të viteve në hotelin më luksoz të Tiranës së asaj kohe? Dyshimet e para të Mihal Luarasit për fotografin trupshëndoshë, që lëvizte lokaleve të kryeqytetit dhe përdorimi i fotos “intriguese” shumë vite më pas, si provë. Çifti Luarasi e kujton atë mbrëmje dhe të dy plotësojnë njëri-tjetrin në detajet e një nate argëtuese, që kurrsesi nuk e kishin menduar që do të kthehej në shkaktare të një drame.
Zoti Mihal, kam dëgjuar nga një mik i imi, se në provat tuaja të hetuesisë ka qenë edhe një foto e realizuar në hotel “Dajti” gjatë një feste, si nis historia e kësaj fotoje?
Historia e fotos nis në vitin 1963 dhe përfundon 10 vjet më pas, me arrestimin tim. Ne shkonim shpesh në hotel “Dajti”, sepse në atë kohë ishte vendi më i mirë në të cilin mund të kaloje një mbrëmje të këndshme dhe ku organizoheshin shpesh mbrëmje apo festa. Atë natë kemi qenë duke festuar Vitin e Ri. Ambienti ishte vërtet i këndshëm dhe gjithë atmosfera e ndezur. Kishte kaluar thuajse gjysma e mbrëmjes dhe nën ritmet e ngrohta të muzikës vumë re një vajzë të re, rreth 25-26 vjeçe, e cila u ngrit nga tryeza ku ishte ulur dhe filloi të kërcente rrok. Për një moment të gjithë shtangën. Nuk mund ta marrësh dot me mend se çfarë sensacioni krijonte një vallëzim modern në një ambient të tillë. Kjo lëvizje erdhi e papritur edhe për punonjësit e sigurimit të vetë hotelit, si dhe për organizatorët e mbrëmjes.
Cila ishte vajza që guxoi të vallëzonte rrok përpara syve të punonjësve të sigurimit?
Vajza ishte një stjuardesë në avionin suedez që kishte sjellë në Shqipëri ish-kryeministrin kinez, Cu En Lai, sepse ishim në kohën e marrëdhënieve miqësore me Kinën. Në atë kohë në Shqipëri vinin shumë rrallë avionë perëndimorë. Kishte disa shoqëri të huaja fluturimesh që vinin në Tiranë, por përgjithësisht të vendeve të lindjes, si “Malevi”, shoqëri hungareze apo “Taroni”, shoqëri rumune. Avionë perëndimorë në Tiranë uleshin vetëm në raste të veçanta, kur sillnin ndonjë personalitet në Shqipëri. Dhe si gjithmonë, personalitetet dhe shoqëruesit e tyre vendoseshin tek “Dajti”.
Çfarë reagimi pati në sallë?
Të gjithë ata që ishin aty ia ngulën sytë vajzës. Edhe çiftet që deri në ato momente po kërcenin u ndalën për të ndjekur një performancë të jashtëzakonshme rroku dhe aq më tepër në një ambient të jashtëzakonshëm, ku ai vallëzim ishte i ndaluar. Të gjithë shikonim me admirim dhe askush nuk shihte me përçmim apo urrejtje. Mes të tjerëve ishim edhe ne.
Po sistemi i brendshëm i sigurisë së hotelit, ndërhyri për t’i thënë të ndalonte?
Jo. Me sa pamë edhe për ata kishte qenë e papritur dhe befasuese, por nuk ndërhynë dhe e lanë vajzën të mbaronte vallëzimin dhe gjithçka u mbyll me aq.
Po fotoja si u realizua ajo?
Sigurimi kishte fotografët e vet që lëviznin mbrëmjeve nëpër lokalet e Tiranës, madje edhe tek ata më të thjeshtët. Në atë periudhë më kujtohet një fotograf shumë i shëndoshë, që sillej nëpër lokale mbrëmjeve dhe fotografonte njerëzit kudo dhe me këdo që të ndodheshin, ndonëse askush nuk i kërkonte foto. Rutina e tij ishte e zakonshme. Kalonte nga një lokal në tjetrin dhe fotografonte. Të gjithë e shikonin, por askush nuk i thoshte ndonjë fjalë. Ndoshta nuk dyshonin, ndërsa mua më kishin bërë përshtypje fotot e realizuara kudo dhe pa kriter nga ky njeri. Atë mbrëmje ai ishte aty. Dhe ndërsa ne të gjithë ia kishim ngulur sytë suedezes që kërcente, fotografi vazhdonte punën e vet me shumë përkushtim. Duke e parë që po na fokusonte shpesh i fola: “Ik, mjaft fotografove, nuk kemi nevojë për foto”.
Ai buzëqeshi dhe vazhdoi të fotografonte pa u shqetësuar aspak.
I vutë rëndësi këtij fakti?
Edhe pse nuk më kishte pëlqyer kurrë ai njeri, në ato momente askush nuk i vuri më rëndësi dhe për më tepër, pas asaj mbrëmjeje puna e suedezes u harrua. Në fund të fundit ne nuk ishim të vetmit të pranishëm aty. Por krejt rastësisht, suedezja, fotografi dhe gjithë kjo ngjarje do të riktheheshin tek unë në një moment vërtet të keq. Ishte viti 1973, kur pasi kisha bërë disa muaj riedukim dhe punë në ndërtim në qytetin e Ballshit, (pas Festivalit 11-të) më 10 korrik u arrestova, atje në dhomën time të hotelit të punëtorëve, duke më akuzuar si armik të partisë dhe të shtetit. Menjëherë më sollën në Tiranë, ku gati për një vit u mbajta në hetuesi. Ishte e çuditshme mënyra se si zhvillohej hetuesia dhe si kërkonin të dilnin fajtorët, duke u përpjekur që ta pohonin vetë fajin.
-Na thuaj çfarë ke bërë?! - m’u drejtuan hetuesit në të parën seancë pyetjesh.
-Më thoni ju, që më arrestuat përse më keni marrë, unë nuk erdha vetë këtu, - iu përgjigja unë.
-Hë, vazhduan duke qeshur, - ne i dimë të gjitha, por ti vetë duhet të na i thuash.
Çfarë duhet t’ju them mendoja me vete. Në një farë mënyre ndjehesha i sigurt brenda vetes, sepse kisha qenë njeri i luftës dhe nuk besoja kurrsesi që do të më nxirrnin armik, për më tepër që me artin dhe mendimet e mia, s’kam pasur aspak ndër mend të rrëzoja pushtetin popullor, por doja vetëm të isha i lirë në krijimet e mia dhe të ndreqja defektet e sistemit. Por dalëngadalë provat në duart e hetuesisë po bëheshin konkrete dhe natyrisht nata e Vitit të Ri 1963 tek “Dajti” ishte një prej tyre. Pas pohimeve të firmosura dhe 13 dëshmitarëve, (disa të vërtetë e disa të sajuar, me të cilët kisha folur ndonjë fjalë në lidhje me konceptet e mia sidomos për artin) hetuesia do të kujtohej edhe për stjuardesën suedeze.
-Mbrëmjen e vitit të ri, ku stjuardesa perëndimore është ngritur dhe ka vallëzuar rrok në pistë, ti ke qenë duke e vështruar me admirim. Prirjet e tua nuk janë rastësore, por të qëllimshme dhe të përsëritura. Për më tepër ato e kanë burimin që herët, këtu e 10 vjet më parë dhe nuk është një shkarje e rastit.
Cila qe përgjigja juaj?
I thashë se unë nuk isha i vetmi që po e shihja vallëzimin e stjuardesës, por në fund të fundit kjo ishte një prej pikave ku ata u kapën dhe kishte shumë të tjera të ngjashme si kjo.




Kush janë Edi dhe Mihal Luarasi
Çifti, në skenë dhe në jetë së bashku

Njohja e Mihal Luarasit me Edi Mirditën ka qenë krejt rastësore, por megjithatë do të kthehej në një dashuri të përjetshme. Ishte viti 1956 kur në kërkim të një aktoreje për një prej roleve të tij, Mihal Luarasi do të spikaste Edin në xhiron e pasdites në Tiranë, por bukuroshja çapkëne nuk e pranoi ofertën për t’u njohur me regjisorin që i ofroi rolin. E megjithatë fati do ta çonte Mihal Luarasin me punë në estradën e Tiranës, pikërisht aty ku ndodhej edhe Edi si këngëtare. Për regjisorin e ri nuk do të ishte aspak e lehtë ta zbuste “çamarroken e pabindur”, e cila shpesh e bënte të priste me javë të tëra për ta takuar. Por gjithsesi, më në fund, ajo që e bëri të dorëzohej Edi Mirditën ishte dashuria. Në verën e vitit 1958 ata u martuan dhe kanë sot dy fëmijë, Lean që jeton në Zvicër dhe një djalë që jeton në Itali. Njëkohësisht kanë shijuar edhe kënaqësinë e të qenit gjyshër.
***
Mihal Luarasi u lind më 16 shtator të vitit 1929 në qytetin e Korçës. Shkollën e mesme e kreu në Liceun artistik në Tiranë, ndërsa studimet e larta në Akademinë e Arteve të Teatrit dhe Filmit në Budapest të Hungarisë. Aktivitetin e tij artistik Mihali e filloi që me krijimin e studios së Televizionit Shqiptar. Në teatër për herë të parë si regjisor paraqitet me dramën “Intrigë dhe dashuri”, në vitin 1957. Në repertorin e tij mund të përmendim: “Dhelpra dhe rrushtë”, “Dragoi i Dragobisë”, Rrugë të tërthorta”, “Një dashuri e tillë”, “Të pamposhtur”, “Mosha e bardhë”, “Njolla të murrme” etj, ndërsa me dramën “Orfeu zbret në ferr”, Mihali pezullohet dhe më vonë burgoset.
Eshtë gjithashtu edhe regjisor i operave “Karmen”, “Traviata” etj., si dhe i festivalit XI. I nderuar me çmimin e parë në të dyja pjesëmarrjet në festivalin e teatrove. Në vitin 1993 është regjisor i dramës “Vdekja e një mbretëreshe”, vënë në Budapest. Spektakli i tij i fundit është streha e të harruarve. (2005) Mban titullin “Artist i Popullit”.
***
Edi (Mirdita) Luarasi u lind më 7 maj të vitit 1940 në Tiranë. Ajo u dallua për talentin e saj në këngë. Pas përfundimit të shkollës së mesme nisi studimet në Institutin e Lartë të Arteve, dega Aktrim. I përfundoi studimet duke mbrojtur diplomën me veprën e Shekspirit “Shumë zhurmë për asgjë” e drejtuar nga pedagogu Kujtim Spahivogli. Në vitin 1963 nisi punë në Teatrin Popullor. Në vitin 1966, Edi dhe bashkëshorti i saj u transferuan në Teatrin e Korçës. Pas burgosjes së Mihal Luarasit, në vitin 1973 e larguan nga teatri dhe e dërguan rrobaqepëse në NPV. Ka spikatur në shumë role si në teatër, edhe në kinema ku përmendim: “Shtëpia në Bulevard”, “Njolla të murrme”, “Ngadhënjim mbi vdekjen”, “Vizita e damës plakë”, “Dasmë gjaku”, “Hekurat”, “Vitet e para”, “Gjurmët” etj.





Edi: “Si e mashtrova oficerin e sigurimit që më ndiqte në tren”

Rregullorja e burgut të Ballshit na lejonte ne familjarëve të takoheshim dhe t’u shpinim ushqime, një herë në muaj, njerëzve tanë të burgosur. Me ato pak gjëra që kisha mundësi të blija, ulesha në sediljet e trenit dhe kërkoja ndonjë vend afër dritares, në mënyrë që shikimin ta drejtoja të shumtën e kohës jashtë. Por ky pozicion nuk bëhej i mundur gjithnjë. Fatkeqësisht si në rrugën e shkuarjes, edhe në atë të kthimit, nuk mund t’u shpëtoje pyetjeve të panumërta që të bënin bashkudhëtarët:
“Ku shkoni?”, “Je e martuar?”, “Sa fëmijë keni?”, “Ku punon?”, “Ku të punon burri?”... dhe ku e ku-të nuk kishin të mbaruar. Atë ditë gjeta vend pranë dritares, ashtu siç e desha. Përballë meje ishte ulur një burrë me mustaqe rreth të gjashtëdhjetave. Pas pak erdhën edhe dy gra, që duhet të ishin të reja, por nga stërmundimi prej punës tërë ditën në diell dukeshin 50-vjeçare. Pak përpara nisjes së trenit hyri dhe ul pranë burrit me mustaqe një djalë i ri, për të cilin u mor vesh se ishte student i Institutit Bujqësor. Shumë mirë, thashë me vete, nga këta asnjeri nuk më njeh! Meqë shikimin e kisha jashtë, pyetjet iu drejtuan dy grave që përmenda. Dashur pa dashur dëgjoja pyetjet dhe përgjigjet që bëheshin ndërsjelltas nga të dy krahët. Pyetjet futeshin edhe në gjërat më intime të familjes. O Zot, ç’iu interesonin të dy palëve punët e njëri-tjetrit, kur ishin njerëz që nuk do të shiheshin më kurrë?!
Njëra nga gratë filloi të shkopsisë trikon, fytyra i ishte bërë prush nga të nxehtit.
-Uf, sa vapë, - tha ajo.
-Eshtë presioni i ulët atmosferik, - fola unë pa e kthyer kokën.
Studenti i Bujqësorit më vështroi me çudi dhe duke buzëqeshur me ironi hodhi këto fjalë në drejtimin tim: “Pse e ditke edhe ti moj shoqe se ç’është presioni atmosferik”?
-Epo kam shkuar edhe unë shkollë, iu përgjigja, por në çast u pendova që e hapa gojën. Po unë ç’dreqin desha që fola.
Menjëherë filluan pyetjet:
-Çfarë shkolle ke bërë?
-Gjimnazin.
Pyetjet u ndërprenë se të dy gratë u ngritën në këmbë për tu përgatitur për zbritje. Udhëtimi i tyre përfundonte në Rrogozhinë. U përshëndetën si miq të vjetër dhe pas disa minutash, treni rifilloi çuf çufet e tij monotone. Tani ishim më lirshëm. Mbasi gratë zbritën, unë mbeta objekti i vetëm mbi të cilin do të godisnin pyetjet e burrit me mustaqe që kisha përballë.
-Nga të kemi?
-Nga Tirana?
-Ku po shkon?
-Në Fier.
-Kë ke atje?
-Motrën.
-Ç’punë bën?
-Arsimtare.
-Ç’lëndë jep?
-Kimi-biologji.
-E martuar është?
-Po.
-Ku i punon burri?
-Eshtë sportist. (Deri këtu nuk kisha gënjyer fare, vetëm spostova Tiranën në Fier).
-Kanë fëmijë?
-Dy vajza.
-Po si e ka emrin ky sportisti?
O Zot, po tani?! Një e dridhur më përshkoi të tërë trupin. Edhe flokët i ndjeva të më ngrihen.
-Petrit Shehu, - thashë me nxitim emrin e një komshiu, i pari që më erdhi ndër mend.
-Petrit Shehu?!...Petrit Shehu...nuk kemi këtu në Fier sportist me këtë emër.
Heshtja që ra mbajti vetëm pak sekonda, sa për t’i dhënë kohë atij burri të moshuar të nxirrte përfundimet e hetimit që po bënte në fytyrën time dhe në çantat që kisha me vete. Mori një pamje të zymtë, vetullat ia mbuluan sytë dhe tërhoqi këmbëzën e armës së tij.
-Pse gënjen moj shoqe, pse nuk thua që po shkon në kampin e armiqve të Ballshit?!
Ktheu kokën nga ana tjetër dhe nuk u ndje më. Deri në Fier kishim edhe gjysmë ore rrugë, gjatë së cilës fillova të ha veten përbrenda. “Hajvane, idiote, nuk di ndopak të gënjesh?! Siç duket qenka e vërtetë që nuk është njësoj të luajturit në skenë, me të luajturit në jetë! Më vinte inat edhe me nënën time “Mos gënjeni...rrena i ka këmbët e shkurtra” dhe të tjera këshilla morale si këto. Tashti u binda se gënjeshtra në raste të veçanta është jo vetëm e lejueshme, por edhe e domosdoshme.
Me këto mendime në kokë, majë një kamioni, vazhdova rrugën për në Ballsh. Pastaj me të zbritur atje, i fshiva të gjitha nga truri dhe me sytë e mendjes rifillova të shoh fytyrën e njeriut tek i cili po shkoja...
***
Në rrugën e kthimit për në Tiranë, nuk e ndjeva më lodhjen, aq më tepër se isha lehtësuar edhe nga plaçkat. Hipa në trenin e Fierit. Vagoni ishte pothuaj bosh. Zura vendin e preferuar pranë dritares dhe po prisja nisjen, kur para meje befas u gjend një mesoburrë me kostum gri dhe me një kasketë të qepur po me copën e kostumit. Ngjante si sigurims ose siç i thoshin atëherë kalec. U ul karshi meje. Unë me marifet kryqëzova krahët, i mbështeta në tryezën e vogël dhe ula kokën mbi to. Në këtë pozicion qëndrova më tepër se një orë edhe për të pushuar, por më tepër për t’u mbrojtur nga pyetjet eventuale “të kasketës”. Dhe ato nuk vonuan të vijnë, kur ndërrova pozicion, ngaqë m’u mpinë krahët.
-Po ngrije, ngrije kokën të shkretën, të bëjmë një çikëz muhabet, se nuk shtyhet rruga kështu! Nga Tirana jeni?
-Po.
-Ku ishit kështu?
-Në Vlorë.
-Po unë të pashë që hipe në Fier?!
-Kisha pak punë atje...
-Çfarë pune bëni?
-Rrobaqepëse.
-Keni njeri në Vlorë?
-Jo, isha për punë...
-Punë?! Ç’punë, shkëmbim eksperience?
-Jo jo...rrobaqepësia është puna ime e dytë.
Ideja se çfarë do t’i thosha më erdhi menjëherë. Qysh prej tre vjetësh më kishin larguar nga skena dhe më erdhi rasti të luaj një fragment të vogël.
-Po me çfarë pune tjetër merresh?
-Eshtë shërbim sekret.
Kasketa shtangu për një moment, por shpejt në sytë e tij u shfaq ndjenja e respektit.
-Fli, fli, se je e lodhur...më fal se ndofta të shqetësova. Bëra një gjumë të qetë derisa mbërrita në Tiranë.



neser do te lexoni

Vizita e parë e artistëve nga Tirana në Kosovë, pas ftesës së drejtorit të "Kosovafilm". Porositë e veçanta të Ramiz Alisë për të gjithë anëtarët e delegacionit. Episodi me punonjësin e sigurimit që shoqëronte delegacionin tonë në Kosovë
Ardhja në Shqipëri e aktorit të madh Bekim Fehmiu. Bisedat me Bekimin dhe rezervat për të folur hapur nga frika e ndonjë përgjimi të mundshëm. Takimet e Bekim Fehmiut me artistët shqiptarë dhe mendimet e tij për Shqipërinë e asaj kohe