Lamtumirë zotni PjetërPostuar më parë nga Brari
Alban Bala* - Tema 11/07/2006
*Autori ka punuar si Drejtor i Informacionit, Dokumentacionit dhe Kërkimeve pranë Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë në periudhën 1995 -1996.
Për të gjithë ata që kanë punuar qoftë edhe një ditë të vetme me Pjetër Arbnorin, ajo ditë për ta është e pashlyeshme në kujtesë. Misionar i së thjeshtës, partizan i mendimit të lirë, serioz deri në vetëmohim dhe politikisht i arsyeshëm - ai njeri i vogël, i mrrolur nga mundimet dhe sprovat, me hapin e tij të shkurtër në korridoret e Kuvendit të Shqipërisë, sikur shpallte vetëdijen se ndryshimet e mëdha në vende si Shqipëria kërkojnë zhvendosje të imta, por të përditshme, të paprera. Njëlloj si hapi i tij.
Shfaqej shpesh atje ku më pak pritej: në dyert e zyrave të stafit të tij për të dhënë një përshëndetje, për të pyetur për diçka apo thjesht për të ndërtuar një marrëdhënie të besueshme dhe të dashur pune. Ta shihje “zotni Pjetrin” nëpër korridore ishte mëse e zakonshme, sidomos në orët kur në Kryesinë e Kuvendit nuk kishte më deputetë.
Në selinë e Kuvendit të Shqipërisë, për stafin e tij, Pjetër Arbnori gëzonte një mijë forma dhe shfaqje: për Ariana Meron e talentuar ai ishte shkrimtari i mbijetuar që ajo ruante me kujdes në kasafortën e zyrës: blloqe të çuditshëm të të gjitha formave dhe përmasave, të shkruar me dorë në rrethana mbinjerëzore dëshmonin dëshirën e tij për jetën.
Për përkthyeset e Kuvendit, Pjetër Arbnoriishte sprova më serioze profesionale.
Në ngujimin e gjatë çnjerëzor Arbnori i kishte mësuar të gjitha gjuhët e tij si gjuhë të vdekura. Gjithnjë i gatshëm të ndihmonte apo korrigjonte me fjalën e saktë në 4-5 gjuhë, për arsye etike Arbnori shmangte të folurën direkt në gjuhë të huaj. Por, ai e dinte shumë mirë atë që donte të thoshte.
Për zëdhënësin e tij, Arbnori ishte gjithnjë një hap para: mendja e tij ishte shumë më e sprovuar me formulime. Shënimet me sugjerime për tekstet delikate preferonte t’i sillte vetë deri në zyrë. Pastaj kthehej i qetë për në tryezën e tij, me hapat e vegjël dhe të pahetueshëm.
I hollë në nuanca dhe i plotë në kuptim, Arbnori ishte një bashkëbisedues i rëndësishëm për partnerët ndërkombëtarë të Parlamentit të ri shqiptar. Tejet i kthjellët dhe shumë inteligjent, aftësia e tij për të ndërtuar një fill të hollë besimi edhe aty ku shanset politike nuk e lejonin këtë, Pjetri ishte më shumë se një shkollë negociate për rishtarët e komunikimit. Qasjet e tij ishin origjinale; logjika e tij ishte historike; vizioni i tij ishte modern; qetësia ishte kristali prej nga dukej ajo që Arbnori donte t’u tregonte të tjerëve. Dhe ishte një qetësi e peshuar mirë.
Për të gjithë ne që kemi shërbyer në stafin e Kryesisë së Kuvendit, Pjetër Arbnori do të mbetet një simbol i pazëvendësueshëm i liderit, ku mendja e tejkalon forcën dhe ku guximi prodhon paqen e brendshme.
Arbnori ishte një njeri i nismave individuale: edhe rezistencën e grupit ai e shihte si një akt dhe përgjegjësi individuale. E tillë qe greva e tij e fundit e urisë në mjediset e Kuvendit. E tillë qe përpjekja e tij e sforcuar për të ndalur fizikisht protestuesit më 13 shtator, të nesërmen e vrasjes së Azem Hajdarit.
I matur deri në vetëmohim, Arbnori refuzoi t’i bënte opozitë opozitës siç bënë shumë të tjerë para dhe pas tij, edhe pse për një kohë nuk ishte shumë dakord me strategjitë dhe taktikat politike të partisë së tij. Duke pranuar humbjen në zgjedhjet e fundit, Arbnori po ashtu dha një shembull të admirueshëm të nevojës që ka vendi për respektimin e ligjit dhe institucioneve.
Në vitin ’96-të, ndërsa opozita e majtë protestonte në rrugë, shumë njerëz nga stafi i Kryesisë së Kuvendit merrnin pjesë në protesta. Edhe pse i informuar më së miri, Arbnori nuk thirri asnjërin prej tyre, as i këshilloi të mos bëheshin pjesë e aksionit politik antiqeveritar.
“Të gabosh është njerëzore. Mos më kërkoni edhe mua të gaboj, si ata apo si ju!” – i qe përgjigjur lakonisht njërit prej drejtorëve të tij, që i kërkoi të ndërhynte në këtë drejtim.
Shtetar i klasit të parë, Pjetër Arbnori ishte mishërim i ligjit në veprim, ndërsa hidhte pa ndalur hapat e tij të vegjël drejt një shkalle të re dhe më të lartë të demokracisë.
Ikja e Pjetër Arbnorit është natyrore. Mungesa e tij do të jetë shumë më e rëndë sesa kaq. Ai do të mbetet profili më origjinal dhe unik i politikës shqiptare postkomuniste, i papërsëritshëm në tiparet njerëzore e historike, i pakthyeshëm si fenomen politik, jetëgjatë falë modelit të tij tërësisht kombëtar e njëkohësisht evropian të të vepruarit institucional, por fatkeqësisht edhe i paimitueshëm.
Në librat e tij gjendet një pjesë e vogël e tij, shpesh ajo që ai nuk mundi të ishte kurrë. Në përvojën që la pas, gjendet pjesa tjetër. Në genet e fëmijëve të tij dhe në letrat e pabotuara gjendet ajo çfarë Zoti deshi të ruante prej tij. Te secili prej nesh, gjendet ajo që Arbnori deshi të mbahej mend prej tij.
Krijoni Kontakt