Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 5
  1. #1
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,955

    Historia e çështjes së Kosovës që nga ‘Zanafilla’

    Çështja e Kosovës lindi në vitin 1913 për shkak të vendimeve të Fuqive të Mëdha, të marra në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. (Më 22 mars, 11 gusht dhe 17 dhjetor 1913 u vendos çështja e kufijve të Shqipërisë). Ato vendime të marra në interes të paqes evropiane, që gjithsesi nuk u sigurua, toleruan ekspansionin e qarqeve drejtuese monarkiste të Beogradit, Cetinës dhe Athinës dhe përcaktuan e diktuan copëtimin e trevave shqiptare...

    Prof.dr. Marenglen VERLI*
    Drejtor i Institutit të Historisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë


    Nëse nuk do të llogarisnim momente më të hershme, që i përkasin shek. XIX, të cilat dora-dorës krijuan dhe dimensionuan çështjen shqiptare në përgjithësi (p.sh. vendime të Kongresit të Berlinit 1878 etj.), nuk ka dyshim se çështja e Kosovës lindi në vitin 1913 për shkak të vendimeve të Fuqive të Mëdha, të marra në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. (Më 22 mars, 11 gusht dhe 17 dhjetor 1913 u vendos çështja e kufijve të Shqipërisë). Ato vendime të marra në interes të paqes evropiane, që gjithsesi nuk u sigurua, toleruan ekspansionin e qarqeve drejtuese monarkiste të Beogradit, Cetinës dhe Athinës dhe përcaktuan e diktuan copëtimin e trevave shqiptare. Jo thjesht pohimi i drejtuesit të Konferencës, ministrit të Jashtëm britanik Sër Eduard Greit që natyrisht ishte i mirinformuar për realitetin në Ballkan kur bënte deklaratën e njohur, por edhe të gjithë treguesit përcaktues, veçanërisht përbërja etnike dhe kompozimi shpirtëror i shumicës dërrmuese të popullsisë së Kosovës dhe shumë viseve të tjera që iu aneksuan Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë më 1913, dëshmonin se ishte fjala për treva të mirëfillta shqiptare që sakrifikoheshin arbitrarisht dhe padrejtësisht, të mbeteshin nën sundimin e huaj, në vend që të përfshiheshin natyrshëm në shtetin e vet kombëtar të porsakrijuar. (“Unë e di fare mirë, - deklaroi E. Grei më 12 gusht 1913 në dhomën e komuneve, - se kur gjithçka të bëhet e njohur, kjo zgjidhje në shumë pika do të japë shkas për kritika të forta nga kushdo që e njeh vendin dhe që e gjykon çështjen nga një pikëpamje e ngushtë vendore. Qëllimi kryesor ka qenë që të ruhej marrëveshja ndërmjet vetë Fuqive të Mëdha dhe, në qoftë se vendimi i marrë e ka siguruar atë, ai ka bërë punën më të rëndësishme në të mirë të paqes në Evropë”).
    Ndryshuar për herë të fundit nga Davius : 21-06-2006 më 19:34
    My silence doesn't mean I am gone!

  2. #2
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,955
    Shqiptarët nuk e krijonin dot çështjen e Kosovës më 1913

    Shqiptarët nuk ishin në gjendje të pengonin më 1913 krijimin e çështjes së Kosovës dhe as patën rast, fuqi e aleatë që ta korrigjonin apo ta zgjidhnin atë më vonë në mënyrë të drejtë. Kjo duhet bërë me mirëkuptim në forumet ndërkombëtare, ku bëjnë pjesë edhe shtetet që morën vendimin e gabuar dikur, duke u ngarkuar me përgjegjësinë e krijimit të një precedenti të rrezikshëm për stabilitetin në rajon deri në ditët tona. Historia gati shekullore e konfliktit midis shqiptarëve të dëmtuar rëndë dhe atyre që përfituan padrejtësisht, për shkak të koniunkturave të kohës, është argument i pakundërshtueshëm për të shpjeguar situatën negative që u krijua dhe agravoi me pasoja shumëdimensionale, të cilat u kushtuan shtrenjtë të gjithëve.
    Unë besoj se të gjithë e kanë të qartë se për shqiptarët përgjithësisht dhe për elitën politike shqiptare kudo qoftë, çështja në fjalë (pra çështja e Kosovës) nuk mund të shmanget apo të neglizhohet. Ajo ka lindur kundër vullnetit të shqiptarëve, duke vënë nën sundimin e huaj gjysmën e tyre dhe prandaj sa kohë ekziston një shtet shqiptar, por edhe në Kosovë e banuar nga shqiptarë, çështja e Kosovës nuk mund të mos ekzistojë.
    Kjo lidhje ka qenë e njohur mirë si nga shqiptarët, ashtu edhe nga ata që e aneksuan Kosovën, përgjithësisht nga shtetet ballkanike, ashtu edhe nga Fuqitë e Mëdha me interesa në rajon. Dhe gjithkush, sipas mundësive, në përputhje me synimet strategjike që ka pasur, ka luajtur lojën e vet politike në vorbullën e kombinacioneve lokale, rajonale e ndërkombëtare, me ndërmarrje dypalëshe e shumëpalëshe.
    Shqiptarët, në përgjithësi, në Kosovë, Shqipëri e më gjerë, për arsye të kuptueshme, kanë qenë të interesuarit e parë që çështja e Kosovës të zgjidhej sa më shpejt, sa më drejt dhe në mënyrë përfundimtare. Natyrisht, zgjidhja më reale, por edhe më e vështira për t’u realizuar, ka qenë që Kosova dhe trevat e tjera të trungut etnik shqiptar, të shkëputura më 1913, të ribashkoheshin me Shtetin Shqiptar.
    Shqiptarët sot, të ndërgjegjshëm për vështirësitë që paraqet zgjidhja e problemit dhe me besim se demokratizimi, integrimi dhe plotësimi i shumë standardeve në rajon, sipas parametrave të avancuara euro-amerikanë, do të kënaqte pjesën më të madhe të kërkesave të tyre, nuk kërkojnë atë që do të ishte e natyrshme. Ata, edhe pse janë akuzuar shpesh se synojnë krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, kanë deklaruar shumë herë në mënyrë institucionale, si në Shqipëri dhe në Kosovë, se nuk synojnë të bashkojnë në një shtet të vetëm Shqipërinë dhe Kosovën ose treva të tjera ku popullsia shqiptare përbën shumicën e popullsisë. Ata mbajnë një qëndrim të tillë të matur në interes të stabilitetit në rajon edhe pse trevat shqiptare jashtë shtetit kombëtar janë rrudhur dukshëm gjatë shek.XX, si rezultat i politikës së presionit e të spastrimit etnik që ndoqën qarqet drejtuese të shteteve që i sunduan. Këtu do të duhej sqaruar se termi “Shqipëri e Madhe” është përdorur gjithnjë në mënyrë abuzive, dhe s’ka asgjë të përbashkët me termin “Serbi e Madhe” dhe ca terma të tjerë të ngjashme në Ballkan, sepse shqiptarët, edhe në të kaluarën, nuk kanë pretenduar kurrë më tepër se bashkimin në një shtet të vetëm të territoreve ku etnikisht kanë qenë popullsi shumicë.
    My silence doesn't mean I am gone!

  3. #3
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,955
    Shqiptarët, të pajtuar me gjendjen e re të Kosovës

    Shqiptarët nuk kërkojnë t’u rikuperohen dëmet që pësuan në vitin 1913. Ata madje janë të gatshëm të sakrifikojnë sërish duke pranuar kufijtë që u vunë pa dëshirën dhe kundër interesave të tyre më 1913 apo 1945. Vetëm në Federatën Jugosllave ata u ndanë në 4 njësi, në Maqedoni, në Malin e Zi, në Kosovë dhe në Serbibë “e ngushtë”, edhe pse banonin në mënyrë kompakte në një territor të pandërprerë gjeografikisht. Por shqiptarët nuk mund të lejojnë të copëtohen më tej me kufij të rinj, që shtojnë probleme në vend që të zgjidhnin ato ekzistueset, që sjellin dizintegrim në vend që të shpejtojnë integrimin e natyrshëm. Ata nuk mund të lejojnë që, posaçërisht kundër interesave të tyre të nëpërkëmbura gjatë gjithë shek.XX, të zbatohen edhe këtej e tutje rregulla specifike loje.
    Shqiptarët pranojnë vendosjen dhe respektimin e standardeve në kufijtë ku i gjeti fundshekulli XX dhe bota mund të monitorojë hapat e tyre në rrugën e duhur dhe seriozitetin e deklaratave të tyre. Në këtë kuadër, ata në përgjithësi, dhe veçanërisht kosovarët, kanë kërkuar gjithnjë (shprehur hapur më 1944, 1968, 1974, 1981, 1990 e në vijim), dhe kërkojnë me forcë edhe sot, që Kosova të jetë shtet i pavarur.
    Unë nuk besoj se ka ndonjë njohës, sado mediokër të çështjes së Kosovës, të historisë së Kosovës, që nuk i di arsyet përse Kosova duhet të jetë e pavarur.
    Me një renditje, që nuk ka të bëjë gjithnjë me rëndësinë e argumentit, mund të shënohet se, së pari, Kosova duhet të jetë e pavarur nga Serbia sepse ajo nuk është Serbi. Mithet serbe nuk mund as t’i sjellin serbët në Ballkan para shek. VI-VII, as ta vendosin shtetin serb në Kosovë, për më shumë se në një periudhë të caktuar të mesjetës paraosmane (kryesisht fundi i shek. XII-XIV). Kosova, edhe pse ka qenë disa herë nën sundimin serb, përfshi edhe periudhën pas vitit 1913, mbeti gjithnjë një tokë shqiptare (shqiptarët ishin aty në vitin 1389, kur zhvillohej Beteja e famshme e Kosovës, ishin përsëri aty gjatë luftrave austro-turke të fundshekullit XVII dhe fillimshekullit XVIII, ishin gjithnjë aty më 1878, 1912, 1945 dhe 1999). Gjatë shekullit XX shqiptarët nuk përbënë kurrë më pak se 66% të popullsisë së Kosovës dhe në prag të shpërbërjes së Federatës Jugosllave përbënin aty mbi 85% të popullsisë kundrejt 8% të serbëve.
    Së dyti, Kosova duhet të jetë e pavarur nga Serbia, sepse gjithnjë është dhunuar nën sundimin e saj. Një informacion mëse i plotë, i servirur edhe në mënyrë institucionale në Jugosllavi, dëshmon për masakra, shpronësime, shpërngulje me dhunë të kryera mbi shqiptarët dhe për kolonizim të viseve të tyre me elementë serbë, d.m.th. për një politikë permamente spastrimi etnik të organizuar nga shteti në vitet 1878, 1912-1915, 1918-1941, 1945-1966, 1981-1999).
    Së treti, Kosova duhet të jetë e pavarur sepse nën sundimin e Serbisë ajo është penguar të zhvillohet normalisht. Pasojat e politikës së trajtimit kolonial, si para ashtu edhe pas Luftës së Dytë Botërore dhe, veçanërisht, rrënimi i ekonomisë në vitet 90, mund të riparohen vetëm në një Kosovë të pavarur nga Serbia. Kujtojmë vetëm dëmet e ekonomisë se shqiptarëve në Kosovë nga reforma agrare kolonizuese dhe shpërnguljet në vitet 1918-1941, me pasoja të pallogaritshme në të gjithë treguesit, si dhe deformimet e ekonomisë së Kosovës pas vitit 1945, si rezultat i sasisë së pakët dhe orientimit të papërshtatshëm të investimeve, pasojë e të cilave ishte rënia e prodhimit dhe GDP për banor nga 1:2 në vitin 1945, krahasuar me mesataren jugosllave, në 1:4 në vitin 1990.
    Së katërti, Kosova duhet të jetë e pavarur sepse ajo është ndjerë dhe ndjehet gjithnjë shqiptare. Mjafton të kujtohet reagimi masiv i popullsisë së saj në kundërshtim të vendimeve të Kongresit të Berlinit më 1878, për copëtimin e trevave shqiptare, i realizuar nën udhëheqjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, programet kombëtare të elitës politike të Kosovës të organizuar në Komitetin e Kosovës në periudhën midis dy luftërave botërore, vendimet e Konferencës së Bujanit dhe Lidhjes së Dytë të Prizrenit gjatë Luftës së Dytë Botërore, lëvizja ilegale dhe legale në periudhën 1945-1999, rezistenca e organizuar dhe spontane gjatë gjithë shek. XX kundër sundimit serb etj.
    Së pesti, Kosova duhet të jetë e pavarur sepse nën sundimin e Serbisë ka qenë e penguar të integrohej natyrshëm në rajon e të kthehej në një element stabiliteti. Prerja e korridoreve të komunikimit që ekzistonin para 1913, me pasoja veçanërisht për popullsinë shqiptare, politika ekonomike që imponoi integrim të dhunshëm, diskriminues dhe vartësi nga Serbia dhe Federata, vendosja e shqiptarëve në pozita inferioriteti nacional, moral dhe ekonomik, nxitja e elementit serb kundër tyre dhe ndezja e konflikteve nacionale në Kosovë, janë disa nga provat e shumta që tregojnë përse u kthye Kosova në vatër tensioni në rajon.
    Së gjashti, edhe juridikisht, sipas specialistëve, Kosovës nuk i mungojnë argumentet për të qenë e pavarur nga Serbia. Prof. Noel Malkolm, ndër të tjerë, ka rreshtuar argumente që provojnë se Kosova as juridikisht nuk ka pengesa për të qenë e pavarur. Vlen të shihet në këtë plan fakti se Jugosllavia e viteve 1918-1944 nuk ishte juridikisht Serbia e vitit 1913, të cilës iu dha Kosova. Po kështu as Federata e Titos. Më tej, organe legjitime për Kosovën si Konferenca e Bujanit, më 1944, Kuvendi i Kaçanikut, Kushtetuta dhe Referendumi të viteve 1990-1992, morën vendime që s’ka pse të mos merren në konsideratë, madje ndonjëri kishte natyrë plebishitare, kurse vendimi i “Këshillit Krahinor” të Kosovës i marrë në Prizren (1945), për kthimin e Kosovës në një “obllast”, apo qark të Republikës së Serbisë, ishte një imponim ilegjitim. Periudha gati një shekullore, posaçërisht ajo e viteve 1999-2006, konfirmon qëndrimin kolektiv deri institucional, pa përjashtuar edhe sakrificën kolektive të popullsisë shqiptare të Kosovës për t’u vetëqeverisur dhe për të qenë e pavarur plotësisht nga Serbia.
    Së shtati, Kosova duhet të jetë e pavarur sepse asnjë organizëm ndërkombëtar, nuk mund të marrë përgjegjësinë t’i mohojë një popullsie shumicë dërrmuese në një territor të përcaktuar qartë, të gatshme të votojë të monitoruar vullnetin e vet sa herë t’i kërkohet, të drejtën e vetëvendosjes për të qenë e pavarur. Kosova duhet të jetë e pavarur sepse Organizma ndërkombëtare universale si Kombet e Bashkuara, mandej SHBA dhe BE, janë përcaktuar të sigurojnë integritetin, stabilitetin dhe zhvillimin në rajon e më gjerë duke respektuar të drejtat njerëzore, përfshi edhe ato kombëtare dhe vullnetin e shumicës.
    My silence doesn't mean I am gone!

  4. #4
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,955
    Serbët dhe e vërteta për Kosovën

    Ndërsa për shqiptarët çështja e sigurimit të pavarësisë së plotë të Kosovës nga Serbia, përveçse një çështje e drejtë është një çështje jetike, nuk mund të thuhet se ajo është e tillë edhe për kombin serb. Serbët do të duhej të ishin pas shqiptarëve më të interesuarit për zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës, por ata deri sot, përgjithësisht, nuk kanë llogaritur interesat e shqiptarëve. Në Kosovë jeton vetëm një minoritet serb, por kjo trevë ka bërë pjesë në gjeopolitikën e qarqeve drejtuese serbe për ekspansion dhe dominim në Ballkanin Perëndimor. Ajo ka qenë konsideruar rajon strategjik që lidhte Serbinë me Maqedoninë e lakmuar gjithnjë, ka qenë element plus që ka forcuar pozitat serbe në një shtet ku përfshiheshin edhe kroatët e sllovenët, sikurse ka qenë Jugosllavia Mbretëri dhe Jugosllavia Republikë Socialiste Federative, ka qenë llogaritur si territor i domosdoshëm për të pretenduar një dalje në Adriatikun Jugor përmes Shqipërisë Veriore, mandej ka qenë rajon potencialisht shumë i pasur, me vlera për ekonominë e Serbisë, rregullator i tregut serb e jugosllav, ka qenë amortizator krizash e trazimesh sociale etj. Përsa i përket miteve serbe, që e paraqesin Kosovën si “djep të Serbisë”, ato kanë qenë dhe janë vetëm mjet justifikimi, që elitës serbe i ka shërbyer për të mbuluar synimet politike ekspansioniste për krijimin e “Serbisë së Madhe”, një propagandë komode për të përfituar e shfrytëzuar opinionin e brendshëm serb dhe atë ndërkombëtar.
    Plane e këndvështrime të kësaj natyre i kanë penguar qarqet drejtuese të Serbisë, por, për shkak të mentalitetit të krijuar gjatë dy shekujve, edhe një pjesë të popullsisë serbe, që t’i shikojnë e trajtojnë fqinjët e tyre shqiptarë si partnerë e jo si armiq, ose së paku, si fajtorë për shumë probleme që ka pasur Serbia. Dokumentacioni i publikuar është i mjaftueshëm për të dëshmuar se synimi i Serbisë zyrtare e jozyrtare, i qarqeve drejtuese në pozitë ose në opozitë, ka qenë asgjësimi i shqiptarëve në Kosovë e më gjerë, në pamundësi të asimilimit, si edhe ricopëtimi, ose, së paku, dobësimi dhe nënshtrimi i Shtetit Shqiptar. (Shih për këtë platforma të shumta, të njohura si “Naçertania” e 1844-ës, elaboratet e intelektualëve serbë të “Klubit serb të Kulturës” në vitet 30-të, veçanërisht dy elaboratet e viteve 1937 dhe 1944 të akademikut Vasa Çubriloviq, elaboratet e Stevan Moleviqit, diplomatëve Ivo Andriq e Ivan Vukotiq, Konventën për shpërnguljen të vitit 1938 (të penguar fatmirësisht në zbatim nga Mustafa Qemal Ataturku), marrëveshje të tjera, mandej Memorandumin e Akademikëve serbë të vitit 1986, por edhe shumë deklarata e veprime zyrtarësh të lartë si Millosheviqi, apo edhe njerëzish anonimë).
    Për pasojë, shqiptarët në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare të përfshira në Serbi e Jugosllavi, vetëm gjatë shek.XX, pavarësisht nga ndonjë premtim demagogjik për përfitime në momente të caktuara, asnjëherë nuk u trajtuan normalisht e aq më pak nuk u lejuan të vetëvendosin për të ardhmen e tyre. Ata u penguan në mënyra të ndryshme, pa përjashtuar edhe përdorimin e dhunës së drejtpërdrejtë, të kenë më shumë se disa deputetë në skupshtinën (parlamentin) e paraluftës së Dytë Botërore, mandej, pas Luftës së Dytë Botërore, u penguan të kenë më shumë se autonomi krahinore në RFSJ, stadin më të lartë të së cilës e sanksionoi Kushtetuta e vitit 1974, kurse në vitet 90-të, me rastin e shpërbërjes së Jugosllavisë, treva e tyre u kthye në një koloni të Serbisë. Pasojat e kësaj politike konstante antishqiptare, që zë fill nga viti 1913, janë humbje të konsiderueshme jetësh njerëzore, pengesa të rritjes së natyrshme demografike, ngecje ekonomike, probleme të mëdha sociale, arsimore, kulturore, trauma shpirtërore kolektive etj. (Pasojë e politikës së përmendur janë dhjetëra mijë të vrarë (nga të cilët mbi 10 mijë të vrarë e të zhdukur vetëm gjatë viteve 1998-1999), qindra mijë të shpërngulur (nga të cilët rreth 1 milion deri në vitin 1966, qindra mijë të tjerë deri në vitin 1998 dhe gati 1 milion të tjerë vetëm në pranverën e vitit 1999, të cilët për fat të mirë, me angazhimin e faktorit ndërkombëtar, u rikthyen në Kosovë pas largimit të trupave serbe), një numër i pallogaritshëm shqiptarësh të keqtrajtuar, të shpronësuar e të grabitur, dëme dhe shkatërrime masive, përqindje e lartë e analfabetizmit, standart i ulët i jetesës etj.).
    Një politikë e tillë e zbatuar mbi shqiptarët, nuk mund të mos krijonte, sikurse edhe ka ndodhur, një hendek të thellë midis shqiptarëve dhe serbëve, problematik për raportet e mëtejme midis tyre, deri sa të ndërtohen raportet e reja që duhet të shërojnë plagët e vjetra e të rivendosnin marrëdhënie normale.
    Hapja e diskutimeve për statusin e Kosovës ku ende pozicionet e palëve janë krejt të kundërta, gjithësesi është hapi i parë i duhur që sjell, jo vetëm për shqiptarët por edhe për serbët, shansin e madh që të hidhet pas shpine e kaluara dhe të ndërtohen raportet e reja, të cilat padyshim, pritet të sjellin për të dy palët dhe për gjithë rajonin stabilitet, zhvillim e integrim. Analistë të shumtë që kritikojnë trajtimin e pavëmendshëm, jorealist e ndoshta eksperimental të çështjes së Kosovës gjatë shek.XX, kanë pranuar se duke serviur për shqiptarët e Kosovës një lidhje varësie nga Serbia, qoftë edhe nën emrat autonomi e zgjeruar, republikë e tretë në Unionin e mbetur Serbi-Mal i Zi etj., ose duke rekomanduar copëtim të Kosovës, krijim enklavash etj., as në Kosovë, as në viset e tjera shqiptare e më gjerë, madje, as në Serbi, rrjedhimisht as në rajon, nuk është e mundur të prodhohet mjaftueshëm damokraci, paqe dhe prosperitet, në kuota që do të ishin të pranueshme për standardet që kërkon Bashkimi Europian. Madje njëri nga variantet, përkatësisht ai që e llogarit Kosovën me statusin e një republike të bashkuar me Serbinë dhe Malin e Zi, tashmë, me përcaktimin e kombit malazez, nëpërmjet referendumit të 21.05.2006, për të qenë shtet, konsiderohet krejtësisht i parealizueshëm. Përcaktimi i Malit të Zi, për t’u shkëputur nga Serbia, duhet t’i heqë çdo dilemë edhe Serbisë edhe faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në mënyrën e duhur.
    Cilatdo të kenë qenë dikur motivet që, për shkak se siguronin avantazhe të ndryshme, e nxisnin Serbinë të ndërtonte një politikë komplekse antishqiptare, sot vetëm një gjykim anakronik, ose llogari politike që nuk synojnë perspektivën, mund ta mbajë elitën politike serbe në pozicionet e vjetra.
    Në Serbi elita politike nuk mund të mos e kuptojë se dy shtete shqiptare në Ballkan nuk prishin ekuilibrat dhe nuk dhunojnë paqen e sigurinë rajonale. Mënyra si veprohet sot për zgjidhjen e problemeve duke respektuar parametrat demokratike në vendimmarrje në politikat e brendshme e të jashtme, nuk sjell asnjë rrezik për ndonjë reaksion zinxhir që do të ndizte zjarre aty ku ka minoritete, sikurse paralajmërojnë pa argumente kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës. Në Serbi e dinë gjithashtu se me format e vjetra të mbajtjes nën kontroll Kosova nuk ka vlera ekonomike për Serbinë, madje në atë situatë pengohet edhe çlirimi i energjive mendore dhe ekonomike të serbëve për ngritjen e gjithanshme dhe integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Në Serbi e kanë të qartë se Shqipëria dhe Kosova, qoftë veçmas qoftë të llogaritura së bashku, kanë një ekonomi të vogël që ka nevojë për lidhje më të gjera me fqinjët dhe gjithë rajonin, rrjedhimisht janë të interesuara për zbatimin e marrëveshjes së asocim stabilizimit, orientim ky i garantuar edhe nga interesat e Bashkimit Evropian dhe të ShBA. Në Serbi nuk mund të mos e shohim se shqiptarët i vlerësojnë dhe i dëshirojnë lidhjet e hapura dhe miqësore në rajon, sepse vetëm 60 milion banorët e tij dhe jo gjithsej 6-7 milion shqiptarët e veçuar, e bëjnë rajonin, pra edhe trevat shqiptare, pjesëtare të një tregu me përmasa të pranueshme për investime serioze perëndimore. Unë besoj se duhet të jenë shtuar serbët, që e kuptojnë se BE dhe ShBA, dhe dihet pesha e tyre në zgjidhjen e problemeve në botë, duan që në Ballkan të kalohet nga faza e stabilitetit në atë të zhvillimit rajonal. Pikërisht në këtë kuadër ShBA vlerësojnë zgjidhjen e çështjes së sovranitetit dhe zhvillimit të shqiptarëve në Kosovë, padyshim edhe të statusit dhe të standarteve të duhura për pakicën serbe atje. Rajoni si i tërë mund të ketë sukses për t’u drejtuar në BE vetëm nëse lidhet mbi bazën e respektimit të të drejtave të natyrshme të gjithkujt, qoftë të kombeve e kombësive, qoftë të pakicave dhe të shanseve të të gjithëve për zhvillim ekonomik kulturor etj.
    Në Serbi duhet jo vetëm ta kuptojnë, por edhe të guxojnë të hedhin hapat në drejtimin e duhur, se Pavarësia e Kosovës dhe e Malit të Zi, tashmë e vendosur kjo me referendumin e datës 21.05.2006, do t’i vendosin palët në raporte partneriteti dhe lidhjesh normale, që përfshijnë edhe lidhjet ekonomike. Vetëm kështu mund të shkohet drejt rezultatit të kërkuar nga të gjithë.
    Natyrisht zgjidhja e çështjes së Kosovës shqiptarëve do t’u sillte në dimensione reale forcimin e lidhjeve të shumëllojshme ndërshqiptare, të penguara artificialisht, posaçërisht lidhjeve ekonomike, por ky treg, që do të ishte pjesë e integrimit rajonal dhe më gjerë integrimit evropian, tregtar e të investimeve, është me interesa të ndërsjellta që nuk pengon askënd, madje u sjell të mira të gjithëve. Vetëm kështu viset shqiptare në të dy shtetet shqiptare, por edhe Serbia do të kalojnë nga faza e nevojave për ndihma te investimet normale, nga papunësia e ngecja ekonomike në zhvillim ekonomik, në kapërcimin e armiqësive të së kaluarës.
    My silence doesn't mean I am gone!

  5. #5
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,955
    Pavarësia e Kosovës

    Pavarësia e Kosovës do të shërbente si një faktor madhor stabiliteti edhe për faktin se vetë Kosova, e cila ka nevojë për zhvillim, për investime për përparimin, do të siguronte stabilitetin e vet të brendshëm për qytetarët e vet. Asnjë projekt tjetër veç pavarësisë nuk mund të sillte aty paqe e stabilitet, por edhe në botën shqiptare në Ballkan, rrjedhimisht edhe në rajon.
    Në Serbi, vihet re dhe është për të ardhur keq që ende për shumë arsye, asnjëra e pakalueshme, nuk është gjendur solucioni i përshtatshëm që të afrohet me atë që kërkojnë me këmbëngulje shqiptarët, e cila është as më pak e as më shumë por shteti apo republika e Kosovës e pavarur dhe pa lidhje speciale me Serbinë. Pozicionet e kundërta nuk çojnë kurkund, veçse hapin shtigje për zgjatjen e agonisë, sjellin vonesë në evropianizimin e Ballkanit, krijojnë mundësi për instrumentalizim të palëve në konflikt etj.
    Çështja e Kosovës e krijuar dikur kundër interesave të shqiptarëve solli për ta një tragjedi gati shekullore por edhe destabilitet në rajon, prandaj sikurse theksojnë personalitete të shumtë në botë, njohës të thellë të çështjes së Kosovës, ndër të cilët do të citoj zotin Riçard Hollbruk, kjo tragjedi duhet dhe “... do të përfundojë me pavarësinë e Kosovës”.
    BE dhe ShBA i kanë të gjitha instrumentat që serbët të kuptojnë se pavarësia e Kosovës ndihmon edhe Serbinë për t’u çliruar nga e shkuara e për të ecur përpara. Ato i kanë mundësitë për të bindur edhe disa fuqi të mëdha (si Rusia e Kina) që janë shprehur kundër pavarësisë së Kosovës, se ky hap është në interes të gjithë botës së re demokratike.
    Shqiptarët shpresojnë se në zgjidhjen më të drejtë të mundëshme të çështjes së Kosovës, sikurse deri sot, edhe në të ardhmen, Republika Turke do të luajë rolin e vet konstruktiv.

    *Fjala është mbajtur në Universitetin e Trakës në Turqi dhe ka pasur si temë “Çështja e Kosovës dhe stabiliteti në rajon”..., ashtu si edhe tema e profesorit. Titulli është i redaksisë
    My silence doesn't mean I am gone!

Tema të Ngjashme

  1. Adem Demaci: Eksperimenti politik ndërkombëtar me Kosovën
    Nga ARIANI_TB në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 20-04-2006, 18:39
  2. Demaçi themelon "Forumi Qytetar i Kosoves"
    Nga mani në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 37
    Postimi i Fundit: 20-03-2004, 13:33
  3. Interviste e Fadil Tolaj-t
    Nga Brari në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 04-01-2004, 06:56

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •