Partia Socialiste vë alarmin për rritjen numrit të të larguarve nga puna gjatë një viti. Sekretari i Burimeve Njerëzore në Partinë Socialiste Blendi Klosi tha dje në një prononcim për gazetën “Sot” se numri i të larguarve nga administrata gjatë një viti, që kur demokratët kanë ardhur në pushtet, ka arritur në mbi dhjetë mijë të larguar duke u zëvendësuar me njerëz që nuk kanë kurfarë arsimi përkatës dhe madje as me arsimin e mjaftueshëm për të qenë drejtues në administratë. Njëkohësisht edhe në rolin e drejtuesit të Komisionit Hetimor të iniciuar nga opozita për hetuar shkarkimet e bëra në administratë, Klosi vëren se numri është rritur së tepërmi dhe nga informacionet e marra në të gjitha rrethet e vendit, kjo shifër rezulton të jetë alarmante. “Shifra në mënyrë krejtësisht të frikshme ka kaluar në mbi dhjetë mijë nëpunës të larguar, shifër kjo e detajuar në rrethe të ndryshme të vendit, shifër e cila po rritet në vazhdimësi. Pra nuk kemi vetëm një lëvizje të administratës së lartë të iniciuar nga kryeministri dhe ministrat e tij, por kjo lëvizje tashmë po shtrihet në të gjithë vendin dhe kjo për ne është një shqetësim shumë i madh”, tha Blendi Klosi. Klosi vëren, se në bazë të informacionit të marrë, emërimet e reja janë jo vetëm emërime politike dhe mungesë arsimi, por çdo gjë është bërë duke shkelur ligjin e Shërbimit Civil dhe në konflikt të hapur interesash. “Kemi largime krejtësisht abuzive, largime në mënyrë jocivile, largime që janë bërë në konflikt të hapur me të gjitha ligjet e shtetit, me funksionimin e të gjithë administratatës publike, por që në shumicën e rasteve, siç e kemi evidentuar janë bërë në konflikt të hapur. Në gjithë shtetin shqiptar po vërehet emërimi i njerëzve të paaftë, njerëz që nuk kanë aspak aftësinë dhe arsimin e lartë për të kryer një detyrë të caktuar, por që të gjitha po vendosen me begraund të pastër politik”, shtoi Klosi. Sipas Klosit, i gjithë mosfunksionimi i shtetit mbase ka një tipar të caktuar që është injoranca e njerëzve që po vendosen kudo. “Ne i kemi evidentuar dhe do i bëjmë publike. Kemi evidentuar emërime me njerëz jashtë profilit administrativ”, deklaroi Klosi.
Komisioni Hetimor
Klosi është njëkohësisht edhe kryetari i Komisionit Hetimor për shkarkimet në administratë që po hetohen nga Kuvendi. Në rolin e kryetarit të këtij Komisioni Klosi thotë se tashmë hetimi është në punën e tij më intensive. Deri më tani është kërkuar informacioni përkatës nga të gjitha ministritë dhe ato institucione ku janë bërë shkelje të hapura me ligjin e Shërbimit Civil. “Komisioni hetimor tashmë është në fazën e tij më intensive dhe ne kemi kërkuar informacion në të gjitha ministritë dhe insitucionet në varësi të ministrive dhe Këshillit të Ministrave, për të bërë një pasqyrë më të qartë të të gjithë situatës në administratën publike”, tha Klosi. Informacioni që do të paraqitet nga opozita është edhe ai që është mbledhur prej më se një viti nga ana e një strukture të re të PS-së që është krijuar posaçërisht për ankesat që kanë ardhur pas largimeve flagrante nga puna. Klosi rrëzon akuzat e mazhorancës se ai si kryetar po bllokon qëllimisht punën e komisionit. Ai tha se shkak për disa vonesa të krijuara e kanë adresën pikërisht nga administrata e vetë Kuvendit. Sipas tij, mazhoranca ka një frymë bllokuese të punës së Komisionit. “Komisioni hetimor po pengohet nga administrata e Kuvendit për mënyrën se si ka funksionuar dhe pengesat që kanë ardhur për këtë komision. Mazhoranca vazhdon të bllokojë, anëtarët e komisionit e kuptojnë se masakra e administratës publike nuk i drejtohet vetëm opozitës, por gjithë shtetit shqiptar”, përfundoi sekretari i Burimeve Njerëzore në PS Blendi Klosi.
Gazeta SOT.
Krijoni Kontakt