Komisioni i “Shkarkimeve në Administratë”, shifrat për 6-mujorin
Qeveria e re ka hequr nga puna 10 mijë punonjës
Opozita kërkon rikthimin e tyre
Darina Tanushi
d.tanushi@gazetashqiptare.com
Rreth 10 mijë punonjës janë shkarkuar nga administrata publike, pas ardhjes së qeverisë së djathtë. Shifra është bërë e ditur dje gjatë një takimi të 4 deputetëve të opozitës, anëtarë të komisionit hetimor parlamentar për shkarkimet në administratën publike dhe shoqatës së këtyre punonjësve civilë, të pushuar nga detyrat. Këta të fundit, ashtu siç deklaruan në takim, kishin kërkuar prej ditësh një takim me të gjithë komisionin, por sipas kryetarit socialist, Blendi Klosi, pjesa e maxhorancës nuk ka pasur vullnetin t’i takojë. Deputetët e opozitës; Blendi Klosi, Ermelinda Meksi, Pëllumb Xhufi dhe Angjelina Kola, kanë kërkuar prej të pushuarve nga administrata që të depozitojnë pranë komisionit dëshmitë e tyre të argumentuara edhe nga ana ligjore, për të bërë të mundur që çështjet të zgjidhen sipas ligjit dhe drejtuesit që kanë cenuar të drejtat e tyre, të shkojnë edhe para Drejtësisë.
Shkeljet
Kryetari i këtij komisioni, Blendi Klosi tha në fjalën e tij se në administratën publike nuk janë pakësuar njerëz, por janë shtuar. Sipas Klosit për një vend pune paguhen dy ose tre vetë, duke shtuar kështu koston për shtetin. “Në të gjitha rastet, - nënvizoi më tej deputeti socialist, - nuk ka asnjë rast të konkurrencës për marrjen në punë. Në të gjitha rastet, njerëzit janë marrë me kontrata të përkohshme dhe mbi ato kontrata janë bërë konkurrime, gjë që është shkelje e hapur e ligjit dhe e transparencës për realizimin e procesit të konkurrimit”, - deklaroi Klosi. Ai tha se PS-ja ka marrë informacione nga rrethet e vendit e të gjitha institucionet dhe rezulton se janë zëvendësuar të gjithë drejtorët e institucioneve dhe janë vënë militantë partiakë. Klosi vuri në dukje se janë vënë re gjithashtu raste skandaloze, kur inxhinierë, juristë apo ekonomistë të zotë dhe me kualifikime, janë zëvendësuar me militantë partiakë pa asnjë lloj kriteri. Socialistët vlerësojnë se ka shumë raste që emërimet janë bërë në mënyrë nepotike. “Kemi zëvendësime të njerëzve të paaftë, të cilët në asnjë rast nuk përmbushin asnjë nga kushtet e drejtimit të institucioneve shqiptare. I gjithë ky spastrim i administratës pa asnjë lloj kriteri, ka sjellë një situatë kritike për administratën”, - theksoi kryetari i komisionit, Blendi Klosi.
Të larguarit
Deputetët e opozitës në komisionin parlamentar, hetimor për shkarkimet në administratë, kanë kërkuar dje prej të pushuarve nga administrata, dëshmi konkrete dhe informacion të shpjeguar nga ana ligjore, në mënyrë që dëshmitë të përdoren edhe për të ndëshkuar ata drejtues institucionesh që në fund të punës së komisionit, të dërgohen edhe për ndjekje penale. Klosi ka informuar se në muajin shtator, i cili është edhe muaji i fundit i punës së tij, do të mblidhen të gjitha këto dëshmi. Përfaqësuesi i Shoqatës së Punonjësve Civilë të Shkarkuar, Nikollë Buja ka ngritur shqetësimin se shifra prej 10 mijë të shkarkuarish po rritet çdo ditë. “Vetëm në sektorin e antikontrabandës, - tha ai, - janë të shkarkuar 46 punonjës. Në dëshmitë që janë sjellë prej disa të larguarish, janë shprehur pakënaqësitë për motivet e shkarkimit. Komisioni hetimor, parlamentar ka thirrur në një mbledhje të parë të tij ministren e Integrimit Arenca Trashani, e cila ka thënë se nuk ka shkarkuar asnjë drejtor, aq më tepër staf negociatorësh. Ndërsa sipas socialistëve, në këtë ministri janë shkarkuar 2 drejtorë, të cilët vazhdojnë të marrin pagat duke qëndruar pa punë dhe kjo është kosto për shtetin.
Largimet nga puna, sipas rretheve
Malësi e Madhe 47
Shkodra 265
Puka 49
Kukës 130
Has 38
Tropojë 23
Dibër 420
Bulqizë 65
Mat 94
Lezhë 130
Mirditë 90
Kurbin 70
Durrës 420
Krujë 61
Tiranë 4400
Kavajë 51
Rrogozhinë 44
Elbasan 185
Gramsh 78
Peqin 40
Librazhd 92
Fier 378
Mallakastër 190
Lushnje 68
Berat 440
Kuçovë 78
Skrapar 46
Gjirokastër 400
Tepelenë 69
Përmet 49
Korçë 530
Kolonjë 70
Devoll 207
Pogradec 180
Vlorë 396
Sarandë 63
Delvinë 54
Shuma gjithsej; 10. 010 të larguar
Krijoni Kontakt