Sa shumë llafe, sa pak besim…

Pali Nito

Fatkeqësisht, te ne politika nuk prodhon ide, alternativa efektive dhe zgjidhje praktike adekuate dhe ne interes te drejtperdrejt te qytetareve. Perkundrazi, ajo bluan me tepri dhe pa doganë shumë llafe, retorike, ekstravagance, tangerlleqe, moralizime, demagogji, premtime pa mbarim, rrahje gjoksi, eufori dhe optimizem fals ne kohen qe thesi eshte bosh, e nuk po duken gjekundi zgjidhje praktike, duke qendruar larg halleve, problemeve e shqetesimeve të qytetarëve. Rrotacioni politik ishte mëse i domosdoshëm, por tabloja social-ekonomike nuk ka ndryshuar e, për pasojë, pakënaqësia, dëshpërimi dhe zhgënjimi janë prezent dhe kanë pushtuar ndjenjat e qytetarëve. Kështu, kohët e fundit qeveria po reklamon e propagandon me mburrje e pompozitet se te ne do të vërshojnë vrullshëm firma të huaja të të fuqishme për të investuar në energjetikë, infrastrukturë, bujqësi, turizëm,etj. Se jemi në tratativa me investitore të huaj për zbatim projektesh me rëndësi strategjike, se jemi në fazën e përgatitjes së negociatave për të bërë këtë ose atë mrekulli. Hidhen ide utopiste për prognoza e parashikime ekonomike që do të sjellin ndryshime të mëdha.
Dhe çuditërisht, gjithë këto përralla e ëndrra me sy hapur na shiten dhe reklamohen papërgjegjshmërisht si tregues e arritje. Në kohën që projektet e mëparshme energjetike aq të përfolura si HEC-et e Bushatit, Kalivacit apo ato të gjigantit energjetik në Vlorë i ka mbuluar pluhuri i harresës burokratike. Pra, shkurt, te ne flitet e moralizohet pafundësisht, ndërsa punë të gjallë dhe realizime konkrete ka shumë pak për të mos thënë aspak. U propagandua bujshëm e me tam-tame të mëdha e si një arritje e madhe nënshkrimi i MSA-së me BE-në, por shqiptarët dergjen dhe sfiliten në radhë në ambasada dhe nuk arrijnë të marrin një vizë as për një të sëmurë, pa le më për të takuar të afërmit e tyre emigrantë. Trumbetohet deri në ekzaltim se po luftohet krimi, por, në fakt, prostitucioni, dhuna, drogmenët, trafiqet, hajdutët, grabitësit e gjithfarë mostrash shfaqen në mes të Tiranës deri edhe njerëz me uniforma qëllojnë me armë zjarri, si pa të keq, në mes të publikut për arsye nga më të rëndomtat. Pa dashur të bie në pozita kritizere nihiliste, gjendja social-ekonomike është e rëndë; dëshpërimi, situata e pashpresë, depresioni, vetëvrasjet e përditshme te ne janë bërë të zakonshme dhe kanë fituar të drejtën e qytetarisë. Përfitoj nga rasti të theksoj e t’ju kujtoj politikanëve e qeveritarëve se qytetarët nuk mund të ushqehen e të mbahen gjallë me premtime, llafe e moralizime, me buzëqeshje hipokrite me poza dashamirëse, me shpresa të pashpresa, e me hiq e mos këput. Qytetarët duan punë e mirëqenie, shërbime korrekte publike, rend e qetësi.


01/07/2006
KATEGORIA: Letrat e Lexuesve