Shefi i UNMIK-ut Soren Jesen Petersen, brenda disa ditësh do të shpall vendimin për mbajtjen, apo shtyrjen e zgjedhjeve të ardhshme lokale në Kosovë. Zyrtarët ndërkombëtarë në Prishtinë thanë se konsultimet e kreut të UNMIK-ut me subjektet politike, janë në përfundim e sipër. Ndërkohë, partitë vazhdojnë të mbajnë pozicionet e mëhershme: ato në pushtet angazhohen për shtyrjen e zgjedhjeve, ndërsa ato në opozitë kërkojnë mbajtjen e tyre brenda këtij viti.
Ditët e ardhshme pritet t’i japin fund dilemës nëse deri në fund të vitit, paralelisht me negociatat për statusin, në Kosovë do të ketë apo jo edhe zgjedhje komunale. Vendimi për këtë pritet të shpallet së shpejti nga shefi i UNMIK-ut Soren Jesen Petersen.
“Sa u përket zgjedhjeve komunale, në këtë moment nuk ka ende një qëndrim të shefit të UNMIK-ut, mirëpo vendimi pritet brenda ditëve të ardhshme” tha sot zëdhënësi i UNMIK-ut Niraxh Sing.
Në pritje të këtij vendimi partitë, si ato në pushtet ashtu edhe ato në opozitë nuk kanë ndryshuar qëndrimet e mëhershme. Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të përfaqësuar në qeveri kanë argumentuar se zgjedhjet do të duhej të shtyheshin për shkak se këtë vit po zhvillohen negociatat për statusin. Të njëjtin qëndrim mban edhe partneri tjetër i koalicionit qeverisës: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Sidoqoftë, zëdhënësi Ernest Luma tha sot se zgjedhjet nuk duhet të shtyhen për një vit, por vetëm deri në pranverë të vitit 2007.
“Konkretisht muaji prill është përafërsisht objektivi i AAK-së si komprmis për shtyrjen e zgjedhjeve locale. Si parti e kemi kuptuar shqetësimin për mbajtjen e zgjedhjeve Brenda këtij viti. Mirëpo, domosdoja e përfshirjes së të gjithëve në temën e statusit final të Kosovës sigurisht se ka imponuar shtyrjen” tha Luma.
Partia kryesore opozitare, ajo demokratike pajtohet se viti 2006 është vit i zgjidhjes së statusit politik të Kosovës. Por kjo, sipas zëdhënëses Vlora Çitaku nuk nënkupton se duhet bllokuar jetën institucionale dhe politike në vend.
“Ballafaqohemi me një shkallë të lartë korrupsioni dhe keqmenaxhimi në nivelin lokal. Raportet e fundit të auditimit nëpër komuna janë treguesi më i mirë. Do të ishte ndëshkim i madh për qytetarët nëse këtij pushteti lokal do t’i zgjatej mandati, qoftë edhe për gjashtë muaj” tha Çitaku.
Sipas saj vendimi do të duhej marrë me konsensus dhe atij t’i paraprinte një debat i gjerë. Kjo gjë, tha zëdhënësja e PDK-së, nuk ka ndodhur deri tani.
“Kemi pasur vetëm një tryezë të organizuar në OSBe para dy javësh. Ky debat do duhej dinamizuar. Subjektet politike do duhej të qitnin në peshojë arsyetimet për mbajtje apo shtyrje. Deri tani nuk është dhënë ndonjë arsyetim I qëndrueshëm për shtyrjen e zgjedhjeve” tha Çitaku.
Sidoqoftë, sipas ligjeve në fuqi vendimin përfundimtar për këtë çështje duhet ta marrë shefi i UNMIK-ut. Nëse vendoset që zgjedhjet komunale të shtyhen, atëherë në vitin e ardhshëm në Kosovë do të zhvillohen dy palë zgjedhje: ato lokale dhe pas disa muajsh edhe ato qendrore.
Gjylie Rexha
Postuar më: Eh/Radio Kosova & Blue Sky Staff me May 31, 06 | 3:43 pm
Krijoni Kontakt