shekulli
---------
Jaho Salihi do të përballet me Gjykatën e Krimeve të Rënda për vrasjen e Bislim Hykës dhe Isuf Bashkurtit
“Salihi eliminoi dy vetë me armën që vrau Hajdarin”
Ardita Hysa
TIRANË –Jaho Salihi (Mulosmani) do të përballet me Gjykatën e Krimeve të Rënda për vrasjen e Bislim Hykës dhe Isuf Bashkurtit. Prokurorët e çështjes e akuzojnë Mulosmanin se dy personat e mësipërm i ka vrarë me të njëjtën armë që vrau edhe deputetin Azem Hajdari, vetëm një ditë para se të largohej nga detyra si shef i krimeve në policinë e Tropojës. Tri gëzhojat e nxjerra nga pistoleta e tij e punës, të cilat ndodhen tashmë në cilësinë e provës materiale në duart e përfaqësuesve të akuzës, kanë sjellë hapjen e një gjykimi të ri për Jaho Salihin. Pas përfundimit të hetimeve, prokuroria është e sigurt tashmë se emri i autorit të vrasjes së Hykës dhe Bashkurtit është Jaho Salihi, i njohur edhe me mbiemrin Mulosmani. Për katër vjet me radhë, që nga mesdita e 4 gushtit 1999, autorësia e këtij krimi kishte mbetur pa emër për drejtësinë. Enigma e dy vrasjeve në Tropojë ka vazhduar deri pas dënimit përfundimtar të Salihit me burgim të përjetshëm si vrasës i deputetit Hajdari, ngjarje kjo e ndodhur më 12 shtator të vitit 1998. Hetimet e nisura në janar të vitit të kaluar dhe analizat e laboratorit kriminalistik vërtetuan se arma që qëlloi mbi deputetin ka shtënë edhe mbi Hykën e Bashkurtin. Kjo është provuar me anë të shenjës që kishte lënë në tre gëzhojat e gjetura në vendngjarje, arma me numrin e shasisë 2000030699. Sipas prokurorisë, në kohën kur kanë ndodhur këto vrasje, kjo armë mbahej nga Jaho Salihi, i cili ishte shef i sektorit të krimeve në komisariarin e Tropojës.
Akuza
Prokuroria, duke avancuar në hetimet e saj, kishte provuar se një armë e tillë, e përdorur më parë edhe nga
Fatmir Haklaj, kishte shkaktuar të tjera vrasje në Tropojë. Paraardhësi i Salihit në detyrë, Fatmir Haklaj, është vrarë në 9 nëntor 1999, në afërsi të shtëpisë së Jaho Salihit, i cili atë ditë mbeti i plagosur. Sipas akuzës, në kohën kur arma e mësipërme ishte në duart e Fatmir Haklajt, kanë mbetur të vrarë prej saj Gjin Kolgjeçaj dhe Naim Dizdari. Ka qenë pikërisht kjo armë objekti i hetimeve të prokurorisë, në zbardhjen e vrasjeve të mësipërme, të cilat kanë mbetur të errëta për shumë kohë. Jaho Salihi, sipas të dhënave në dosjen e tij të re të gjykimit, ka filluar punë si polic pranë komisariatit të Bajram Currit më 1 qershor 1998 dhe e ka mbajtur këtë post deri më 5 gusht 1999, një ditë pas vrasjes së Hykës dhe Bashkurtit. Në të njëjtën ditë, Tropoja ishte përgjakur dy herë. Një tjetër vrasje e dyfishtë kishte ndodhur në Cërnicë, ku ishin vrarë Halil Haklaj dhe Feriz Kërnaja. Sipas akuzës, Salihi kishte kaluar nga aksi rrugor Cërnicë-Ura e Valbonës, ku mbetën të vrarë Kolgjeçaj dhe Dizdari dhe i është drejtuar qendrës së Tropojës, ku mbetën të vrarë Hyka dhe Bashkurti.
Seanca
Për herë të parë në dhënien e një vendimi, Jaho Salihi është “braktisur” nga avokati i tij mbrojtës. I dënuari me burgim të përjetshëm për vrasjen e deputetit Azem Hajdari ka refuzuar madje të paraqitet në seancën e djeshme gjyqësore, të drejtuar nga gjyqtari Artur Gaxhi. Praninë e tij në këtë seancë e kishte refuzuar edhe mbrojtësi i tij i deritanishëm, Vladimir Meçe, i cili vetëm pak kohë më parë i është drejtuar Gjykatës së Strasburgut për të kundërshtuar vendimin e dhënë nga drejtësia shqiptare. Meçe e ka cilësuar antikushtetues, vendimin për dënimin me burgim të përjetshëm të Salihit, por Gjykata Kushtetuese nuk e ka pranuar shqyrtimin e kësaj dosjeje. Ndërkaq, gjatë seancës së djeshme, avokati Meçe nuk e ka përfaqësuar klientin e tij të vjetër. Në këto rrethana, Gjykata vendosi përfaqësimin kryesisht të Jaho Salihit nga avokati Agron Gruda. Pasi kishte studiuar dosjen e mbërritur në Gjykatën e Tiranës më 26 janar të këtij viti, gjyqtari Artur Gaxhi vendosi moskompetencë për këtë çështje dhe urdhëroi kalimin e të gjitha akteve të saj pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda. Këtë radhë, Salihi akuzohet dy herë për “vrasje me paramendim”, akuzë kjo që minimumin e dënimit e ka më shumë se 15 vjet burg, dhe sipas ligjit klasifikohet ndër krimet e rënda.
24/04/2004
------
Krijoni Kontakt