Një delegacion i atasheve ushtarak ndërkombëtar vizitoi Luginën e Preshevës
Bujanoc, 20 qershor - Delegacioni i të dërguarve ushtarak të 15 vendeve të akredituar në Beograd ka qëndruar të martën në Bujanoc. Ky delegacion është informuar lidhur me gjendjen e sigurisë në rajon dhe me punën e Trupit Koordinues për jugun e Serbisë. Delegacioni i të dërguarve ushtarak nga Austria, Bullgaria, Franca, Holanda, Kroacia, Irani, Kina, Hungaria, Rusia, Sllovenia, Ukraina, Britania e Madhe dhe Zvicra kanë biseduar me anëtarin e Trupit Koordinues, Ninosllav Kërstiqin dhe me udhëheqësin e ekipit ekonomik Branko Delibashiqin. Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe kryetarët e komunave të Bujanocit dhe Preshevës, Nagip Arifi dhe Ragmi Mustafa. Gjenerali Ninosllav Kërstiqi i ka informuar të dërguarit ushtarak se situata e sigurisë në rajonin e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës është stabile dhe se gjatë tri viteve të kaluara është zvogëluar për dhjetë për qind numri i veprave penale; si dhe nuk janë shënuar incidente mbi baza ndëretnike, ka njoftuar agjencia “Beta”.
Krijoni Kontakt