Prishtinë, 2 tetor - Nga viti i ardhshëm shkollor, gjuha angleze do të mësohet nga klasat e para, ka vendosur Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Dhe jo vetëm shkollat private, nga viti i ardhshëm edhe në shkollat publike do të futet gjuha angleze në programin mësimor nga klasat e para.
Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj ka vizituar të premtën shkollën fillore Xhemajl Mustafa në Prishtinë, së bashku me ambasadorin e Britanisë së Madhe, Andy Sparkes, për ta kumtuar këtë lajm. Hoxhaj tha se mësimi i gjuhës angleze është një mundësi e re për komunikim me botën.
Ata dy bënë edhe shpërndarjen e revistës për fëmijë “OK Kids”, e cila do ndihmojë nxënësit në mësimin e gjuhës angleze.
Ministri Hoxhaj para fëmijëve tha se mësimi i gjuhës angleze do të ofrojë një mundësi të re për komunikim me botën dhe për ta bërë Kosovën shtet të dijes.
Edhe për ambasadorin britanik gjuha angleze është shumë e rëndësishme, duke e konsideruar atë si një urë lidhëse ndërmjet popujve.
Por, a janë të gatshme shkollat publike në vend të ofrojnë kushtet e duhura për nxënësit e klasës së parë për ta mësuar një gjuhë tjetër?
Për psikologen e shkollës “Faik Konica”, Rukije Vllasa, nuk përbën ndonjë problem dhe mësimi i gjuhës angleze nuk do ta ngarkojë nxënësin e klasës së parë.
Nga ana tjetër, për shkollat private mësimi i gjuhës angleze nga klasat e para nuk është ndonjë risi.
Mësuesja e gjuhës angleze e ciklit të ulët, Krenare Lleshi thotë se nxënësit e klasave të para e mësojnë me zell programin e gjuhës angleze.
Pritet që këtë vit shkollor Ministria e Arsimit të fillojë pilot projektin mësimor nëpër 5 deri në 6 shkolla në çdo qytet, për të provuar këtë lëndë.
Krijoni Kontakt