Bisedimet Kosovë-Serbi, rituale ndërkombëtare
Janush Bugajski


Arsim Sinani

Jozyrtarisht, Qeveria e Beogradit e din se Kosova do të pavarësohet dhe se nuk do të ngelë më një entitet brenda Serbisë. Mjerisht, ata nuk kanë guximin t’ua thonë qytetarëve të tyre atë që tanimë secili e di.

Zyrtarët e korruptuar nuk janë patriotë, por tradhtarë

Bugajski: Korrupsioni zyrtar është një shqetësim në tërë rajonin dhe e ngulfat zhvillimin politik dhe ekonomik, dhe në fund të fundit e dëmton jetesën dhe sigurimin e çdo qytetari. Përveç organeve ndërkombëtare, shoqëria civile e Kosovës duhet që në mënyrë aktive të mobilizohet kundër një fenomeni, i cili shkatërron interesat kombëtare të vendit. Zyrtarët e korruptuar nuk janë patriotë, por ata janë tradhtarë.

Washington, 3 shtator - Bisedimet janë një ritual për të treguar se ndërkombëtarët i kanë ulur të dyja palët së bashku, mirëpo Beogradi dhe Prishtina, thjesht nuk mund të arrijnë të zbatojnë një kompromis. Kështu ka thënë, ndër të tjera, në një intervistë ekskluzive, analisti i njohur amerikan Janus Bugajski. “Ndërkombëtarëve do t’iu duhet të imponojnë një zgjidhje sa më të logjikshme – një formë të pavarësisë kombëtare të mbikëqyrur nga NATO-ja dhe Unioni Evropian”, ka shtuar Bugajski

Ruecker dhe bisedimet Kosovë-Serbi

Tani më dihet PSSP-ja i ri i Kosovës. A mendoni ju se Ruecker do të dijë se çfarë duhet bërë në këtë moment të ndjeshëm për Kosovën?

Bugajski: z. Rucker është një diplomat me përvojë i cili shumë mirë e kupton gjendjen e vështirë që e ka Kosova. Veç kësaj, ai do të bashkëpunojë drejtpërdrejt me z. Ahtisaarin, sa i përket zgjidhjes dhe implementimit të çështjes së statusit, e cila është nën udhëheqjen ndërkombëtare.


z. Bugajski, çfarë prisni ju nga bisedimet që po mbahen në Vjenë në mes të palës shqiptare (Kosova) dhe asaj serbe?

Bugajski: Bisedimet në Vjenë, kryesisht kanë për qëllim zgjidhjen e disa çështjeve siç janë decentralizimi, të drejtat e pakicave, si dhe mbrojtjen e monumenteve kulturore, se sa të jenë vërtet diskutime rreth statusit. Po shpresojmë se ndërmjetësuesit ndërkombëtarë do të jenë të kënaqur me atë që Prishtina u ka shkuar për qejfi sa u përket shqetësimeve të tyre, dhe se do të implementojnë standarde të favorshme për të gjitha pakicat. Kjo do t’iu japë ndërmjetësuesve një rast të mirë se Kosova po e meriton të bëhet shtet.

Takimi i elefantëve

Si e vlerësoni ju takimin e ‘elefantëve’, i cili u mbajt para një kohe në Vjenë? A po e sheh pala serbe se është duke e humbur Kosovën?

Bugajski: Siç thotë një fjalë e urtë, shumë elefantë në një dyqan do të thyejnë gjithë porcelanin apo fajancën. Jozyrtarisht, Qeveria e Beogradit e din se Kosova do të pavarësohet dhe se nuk do të ngelë më një entitet brenda Serbisë. Mjerisht, ata nuk kanë guximin t’ua thonë qytetarëve të tyre atë që tanimë secili e di.

Cili do të ishte përfundimi i këtyre bisedimeve?

Bugajski: Bisedimet janë një ritual për të treguar se ndërkombëtarët i kanë ulur të dyja palët së bashku, mirëpo Beogradi dhe Prishtina, thjeshtë nuk mund të arrijnë të zbatojnë një kompromis. Kështu që, ndërkombëtarëve do t’iu duhet të imponojnë një zgjidhje sa më të logjikshme – një formë të pavarësisë kombëtare të mbikëqyrur nga NATO-ja dhe Unioni Evropian.

Decentralizimi në Kosovë

Cili është mendimi juaj rreth decentralizimit në Kosovë, çfarë pritni nga ky proces?

Bugajski: Një marrëveshje do të arrihet, nëpërmjet së cilës qeveritë lokale do të marrin disa të drejta të rëndësishme dhe se pakicat, përfshirë këtu serbët do të marrin mbrojtje të mjaftueshme për të drejtat e tyre individuale dhe kolektive. Mirëpo, ndërmjetësuesit janë të prerë se kjo nuk do të thotë autonomi etnike apo territoriale, e cila mund të çojë drejtë konflikteve të reja në të ardhmen dhe drejtë tentimeve potenciale, përvetësimeve territoriale nga Serbia.

Mitrovica

Një çështje tjetër që ende ngelë e hapur, është edhe qyteti i ndarë i Mitrovicës, si do të zgjidhet ky problem? Si e vlerësoni ju situatën momentale në Mitrovicë. Kam përshtypjen se çdoherë kur ndodhin çështje shumë të rëndësishme për Kosovën, në po të njëjtën kohë po ndodhin sulme ndaj pakicave serbe në Mitrovicë. A mendoni ju se kjo është një gjë e sinkronizuar nga Beogradi, apo ka diçka tjetër këtu?

Bugajski: Mitrovica, me siguri do të marrë ndonjë status special dhe një prezence më afatgjate të ndërkombëtarëve, me qëllim që gradualisht ta bashkojnë qytetin, shumë e ngjashme me rastin e Brçko-s në Bosnjë dhe Hercegovinë. Haptazi forcat speciale të Serbisë janë aktive në qytet për ta parandaluar integrimin e plotë në Kosovë dhe për të nxjerrë sulme që janë propaganda kundër shqiptarëve. Beogradi është i dëshpëruar që nuk po ia arrin qëllimit që shqiptarët t’i shndërrojë në ksenofobë, kriminelë, fundamentalistë dhe terroristë, edhe pse mundohet që këto t’ua mveshë atyre.

Zyrtarët e korruptuar nuk janë patriotë, por ata janë tradhtarë

Një problem shumë i dukshëm në kuadër të institucioneve të Kosovës është gjithashtu korrupsioni. Ky problem, pothuajse është bërë gati modë dhe po ndodh në mënyrën më transparente. Si mund të shmanget kjo situate shumë e rëndë, e cila e frenon aq shumë Kosovën, qytetarët, institucionet dhe demokracinë?

Bugajski: Korrupsioni zyrtar është një shqetësim në tërë rajonin dhe e ngulfat zhvillimin politik dhe ekonomik, dhe në fund të fundit e dëmton jetesën dhe sigurimin e çdo qytetari. Përveç organeve ndërkombëtare, shoqëria civile e Kosovës duhet që në mënyrë aktive të mobilizohet kundër një fenomeni, i cili shkatërron interesat kombëtare të vendit. Zyrtarët e korruptuar nuk janë patriotë, por ata janë tradhtarë.

E ardhmja e Kosovës

Si e shihni ju të ardhmen e Kosovës, a jeni ju optimist për vendin tonë?

Bugajski: Unë jam optimist për Kosovën, kryesisht për arsye se vendi juaj e ka vetëm një forcë shumë të rëndësishme: një popullatë të re dhe ambicioze, të vrullshme dhe shumë të edukuar, e cila refuzon të pranojë një status quo politike dhe ekonomike. /Intervista është marrë nga gazeta “Epoka e Re”/