
Postuar më parë nga
Korcar-L1
Me qe jemi ne kuadrin e Dardhes (respektin tim per njerzit e ketij fshati)
Ja dhe nje artikull qe ka te beje me dardharet:
Dardharët, homazhe Polikarpi Boçit në Greqi
13 Dhjetor Ëndërr e realizuar pas 185 vjetësh
Rreth 35 banorë të fshatit Dardhë të rrethit Korçë, kanë vendosur lule dhe kurora lulesh te monumenti i Polikarpi Boçit, në qytetin Larisa të Greqisë. Kjo kishte qenë një ëndërr e vjetër e dardharëve, pasi Polikarpi Boç,i edhe pse ka monumentin e tij në Greqi, është njëri prej bashkëfshatarëve të tyre. Dëshira e dardharëve për të nderuar njeriun e tyre ka gjetur realizim pas 185 vjetësh.
Për të shkuar deri te monumenti i Polikarpi Boçit në Larisa, 35 dardharëve u është ofruar ndihma e konsullatës greke në Korçë, e cila u tregua e gatshme në nxjerrjen e vizave për të gjithë dardharët që kishin shfaqur një dëshirë të tillë, tregon njëri prej vizitorëve të këtij monumenti, Niko Balli.
Veç kësaj, dardharët në momentin që kanë mbërritur në Larisa janë shoqëruar edhe nga përfaqësues të pushtetit vendor atje, madje kanë marrë pjesë edhe në një meshë, në nderim të figurës së Polikarpi Boçit. Mes dardharëve kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues nga Mitropolia e Korçës, pasi Polikarpi Boçi ka shërbyer në qytetin e Larisas.
Duke treguar diçka për Polikarpi Boçin, Niko Balli tregon se ky dardhar, i cili ka monumentin e tij në Greqi, ka luftuar për çlirimin e popullit grek, ndërsa më pas u vra nga turqit.
“Shtëpitë e vjetra të tij, janë ende edhe sot e kësaj dite në fshatin tonë, tregon Niko Balli, edhe pse janë të rrënuara. Fshati ynë është mjaft i vjetër dhe të gjitha shtëpitë e Dardhës kanë një moshë mbi 200-vjeçare. Njëra prej tyre është ajo e Polikarpi Boçit. Në fshatin tonë të gjithë e dinë se babai i Polikarpit Boçit quhej Jani Boçi, ndërsa nëna e tij kishte një emër të veçantë, e quanin Kiraca. Polikarpi ishte djalë i vetëm i Jani Boçit, i cili përveç Polikarpit kishte edhe katër vajza. Polikarpi Boçi jetoi vetëm 42 vjet, sepse u vra nga turqit, të cilët, pasi i prenë kokën e hodhën në lumin e qytetit Larisa. E gjithë kjo histori ka të bëjë me faktin se Polikarpi Boçi luftoi për çlirimin e popullit grek. Sigurisht, grekët e nderojnë për pjesëmarrjen e tij në çlirimin e popullit grek, por ne e nderojmë atë si bashkëfshatarin tonë”, përfundon Niko Balli.
xxx.gazetametropol.com/tekst.php?idt=36563
Krijoni Kontakt