Dyshja Berisha-Topalli erdhi, premtoi dhe iku
Nga Besi Bekteshi -
Kryeministri i Shqipërisë erdhi në Shkodër dhe ju tha qytetarëve shkodranë të sallës së “Milleniumi-t” se planet për Shkodrën janë madhështore se ajo është një tradicion i lidhjes me perëndimin, se ishte projekti Adriatik –Jonian dhe ai Trans-Alpin, i emergjencës në infrastrukturën e qytetit, zbutjes së papunësisë, se planet janë ambicioze dhe se po ti përmbahemi këtyre planeve ne ( ai siguroi se qeveria do ti përmbahej) edhe vendorët, shuma të mëdha do të vërshojnë drejt rajonit etj etj. Në këtë organizim premtimesh ndihmë të madhe i dha kryeministrit edhe deputetja e Shkodrës dhe kryeparlamentaria Jozefina Topalli e cila u fut edhe në detaje për planet duke sqaruar auditorin që kishte brenda edhe ekspertë ekonomikë dhe të planifikimit se: ”Sigurisht ideja për t’a parë zhvillimin e rajonit në kuptimin europian është interesante dhe jo rastësisht është futur koncepti policentrik”. Topalli tha gjithashtu se Shkodra duhet futur në koridorin i cili e lidh atë me rrugën e Kosovës, duke kërkuar rikthimin e qytetit në identitet dhe gjithmonë sipas Topallit, me rradhë do të zhvilloheshin Bushati, Vau Dejës, Velipoja dhe Shëngjini duke arritur deri në idenë e zhvillimit të segmentit Podgoricë-Lezhë-Shkodër. Pas gjithë këtyre çudive spektakolare dhe mrekullitë që dy njerzit më të rëndësishëm të shtetit po i bënin dhuratë Shkodrës dhe shkodranëve, nga goja e tyre nuk doli asnjë prononcim se sa lekë qeveria do të hidhte në Shkodër për të bërë atë 10-të herë më të mirë se çka qënë apo se ç’është. Duke e nisur nga fjalia e fundit e Topallit segmenti Podgoricë-Lezhë –Shkodër që në fakt nuk mund të konceptohet si e tillë, sepse gjeografikisht Shkodra është më afër Podgoricës së Lezha, por edhe po ta marrim si një lapsus nga dëshira e mirë e Topallit për këtë segment, nuk kuptohet fare se ku është interesantja në këtë mes dhe që nuk e kishin ditur të tjerët më përpara. Se çfarë ka interesante te ky segment dhe pse nuk është interesante mos fillimi i punës të segmentit Shkodër –Hani i Hotit i cili kishte si plan dhe “bay-pasin” e Shkodrës këtë nuk e sqaroi Topalli. Pse një gjë në plan për tu kryer është interesante dhe një që ka kohë që duhej të vihej në zbatim nuk është interesante me që kanë një drejtim? Pse nuk është interesante të dihet pse italianët e vonuan këtë investim i cili nuk është i qeverisë shqiptare, por i asaj italiane. Pse nuk është interesante të dihet në se përfaqësuesit lokalë të Shkodrës në linjën e shtetit, pra në prefekturë kanë ndonjë “gjë interesante” për ti thënë publikut në lidhje me këtë segment dhe takimin po “interesant” në prefekturë të Shkodrës. Çfarë do të thotë vetëm të premtosh dhe të jesh entuziast si zoti Berisha në Shkodër dhe ku është interesantja në këtë mes. Përveç se është interesant fakti se mbas 9 muajsh qeverisje ka më shumë drita në Shkodër, asgjë tjetër nuk është ineresante, sepse nuk ka asgjë tjetër për tu përmendur. Nuk ka as faturim më të mirë dhe pagesë të saj më të mirë, që tregon se energji jepet më shumë në Shkodër, por lekë nuk paguhen më shumë dhe kjo nuk është interesante si strategji. Tashmë kjo nuk është fushatë elektorale ku premtohet dhe vetëm premtohet. Nuk është se PD-ja dhe Berisha janë në opozitë dhe duan të marrin pushtetin dhe duan të bëhen akoma më shumë “interesantë” duke premtuar. Tashti qeveria ka buxhetet e saj dhe përpara se të përmendë projektet “interesante të një zhvillimi 15-të vjeçar” praktikisht duhet të tregojë se kush do të jenë investimet konkrete që do t’i jepen Shkodrës që thuajse në ç’do legjislaturë i ka dhënë maksimumin e deputetëve formacionit politik të dy përfaqësuesve të lartë të shtetit. Kush janë projektet konkrete që do të zhvillojnë kryeqendrën e veriut të Shqipërisë. Në qoftë se Shkodra është bërë më mirë se sa në kohë të socialistëve dhe këtë nuk e dinë të gjithë atëherë së paku të thuhet që të merret vesh. Konsatime, objektiva, planifikime dhe duartrokitje janë interesante vetëm në fushatë elektorale. Po kush nuk e di që Shkodra është e pasur me resurse dhe nyje e rëndësishme zhvillimi, kush nuk e di që ajo ka nevojë për infrastrukturë të brendëshme, kush nuk e di që në Shkodër duhet të kryqëzohen akse të rëndësishëm veri jugë dhe lindje perëndim. Ka nëpër sirtarë të, kryeministrisë, ministrive, bashkisë, OJF-ve të huaja dhe shqiptare me mijra plane dhe programe interesante të cilat janë për Shkodrën, Lezhën dhe rajonin. Interesante është se të gjitha duan lekë dhe këtu është më interesantja, këto të fundit mungojnë. Asgjë më të prekshme në të gjithë paradën e 22 majit në Shkodër të qeverisë dhe deputetëve të Shkodrës nuk kishte se sa fjala e Berishës se: I pari është përkushtimi ynë dhe jam i bindur se të tjerat ne do ti zgjidhim me sukses. Pra për Shkodrën është përkushtimi dhe këtë megjithëse Shkodra e beson nga që voton për Berishën dhe PD-në ky është edhe çdo gjë. Në fakt është për të ardhur keq, sepse fjala përkushtim me datën 22 maj në Shkodër nga Berisha, i cili është një njeri i moralit dhe mbajtës i premtimeve, nuk hyn më në asnjë lloj kategorie përdorimi mbas 3 korrikut. Fjala “përkushtim” është domethënëse vetëm para 3 korrikut, atëherë kur në shesh në Shkodër në një miting madhështor i cili edhe për mua, por edhe për shumë shkodranë krijoi bindjen se do të merrte fund një fushatë denigrimi dhe armiqësie ndaj Shkodrës nga një e majtë, e cila vazhdonte të ruante “bestytnitë” e baballarëve marksistë-leninistë që mbas çdo shkodrani shihnin një armik të popullit dhe partisë. Në pushtet mbas 9 muajsh Sali Berisha nuk mund të thotë më “jemi të përkushtuar” sepse tashmë ai është i “kushtëzuar” apo i “kushtuar” dhe mbas tij edhe zonja Topalli e cila është edhe ajo e angazhuar ta bëjë Shkodrën 10-të herë më të mirë. Nuk është paradë mode ardhja mbas 9-të muajsh dhe premtimi përsëri pa asnjë shoqërim shifrash. Nuk ka se si në 84 km distancë nga Tirana të sillen me Shkodrën si sillet Europa me të drejtë me ne, duke na vënë detyra dhe plotësim të tyre siç thotë zoti Berisha. Ka një ndryshim të madh midis Europës dhe Shqipërisë dhe Tiranës dhe Shkodrës. Prej vendit tonë Europa nuk merr vota dhe parlamentarë, kurse Tirana e Berishës dhe Topallit merr vota nga Shkodra dhe ky është edhe detyrimi që ka Berisha dhe Topalli për Shkodrën. Pastaj Shkodra nuk ka sesi të “hyjë” në Tiranë strategjikisht dhe politikisht apo “të marrë vizë” për të shkuar në kryeqytet, sepse teorikisht jemi një vënd sovran dhe demokratik. Ka me qindra intelektualë dhe mijëra qytetarë shkodranë që frazat e Berishës dhe Topallit i dinë shumë mirë dhe e dinë akoma më mirë se si duhet transformuar qyteti i tyre i cili është pre e braktisjes tranzicionale që ka ardhur nga të gjitha qeveritë duke futur edhe 10 muajt e Berishës dhe të Topallit. Por fatkeqësia e tyre është se nuk janë në parlament, nuk kanë në dorë as buxhete dhe as qeverinë, por dëshirën e mirë për t’a parë Shkodrën të ndryshuar dhe të transformuar dhe jo të braktisur e në ditë të hallit. Kushdo nga shkodranët e kupton, që shumë premtime të bëra nga Berisha dhe Topalli janë propagandë e mirëfilltë që shpeshherë kalon edhe në tallje , pasi historira koridoresh dhe autostradash janë dëgjuar shumë por që të bëhen ato duhen vite pa fund, kur dihet shumë mirë që asnjë projekt egziston nga premtimet e Berishës. As ai i korridorit Jonian-Adriatik, as ai i rrugës së Kukësit i cili nuk ka filluar akoma. Të gjitha premimet e dyshes Berisha-Topalli ishin premtime sa për të kaluar rradhën. Sidoqoftë edhe këtë raund të shpresës për ndonjë financë dhe hapje drite jeshile të qeverisë për fonde, Shkodra e humbi dhe tashmë pret vizitën e rradhës të modelit kur “shkodranët të bëhen të pa durushëm shkojmë dhe premtojmë përsëri”. Në fakt të padurueshëm e thashë për edukatë, sepse Shkodra është qyteti më i durueshëm i cili pranon edhe të tallesh me të, gjë që nuk e bëjnë shumë qytete të tjerë të Shqipërisë sidomos në jugë, por edhe në veri.
Gazeta SOT.
Krijoni Kontakt