Sipas një burimi të brendshëm të Formulës 1, finlandezi ka firmosur me "kokëkuqen" për sezonin e ardhshëm 03-10-2005
Raikonen firmos me Ferrarin për 22 milionë...
Kimi Raikonen ka arritur një marrëveshje me skuderinë Ferrari për sezonin e ardhshëm. Kështu të paktën ka bërë të ditur një burim nga një prej protagonistëve kryesorë të Formulës 1. Finlandezi, me sa duket, ka rënë dakord për të firmosur kontratën për një shumë prej 22 milionë stërlinash. Kjo lëvizje ndoshta do të sjellë fundin e karrierës së lavdishme të Majkëll Shumakerit, 7 herë kampionit të botës.
Edhe në këtë sezon, Kimi Raikonen nuk ka mundur të fitojë titullin kampion me skuderinë McLaren. Ka qenë sezoni i tretë radhazi që ky pilot i afrohet deri në fund titullit, por nuk ia del mbanë. Në vitin 2003 është mundur nga Majkëll Shumaker me vetëm 2 pikë në garën e fundit të sezonit. Ndërsa në garën e kaluar të Brazilit, ai ka parë që t'i largohet edhe këtë herë titulli kampion nga duart. Megjithëse makinat McLaren kanë një potencial shumë të madh, ai nuk ka mundur të ishte kompetitiv në të gjitha garat e këtij sezoni, pasi problemet e besueshmërisë së makinës nga Uokingu kanë qenë të pranishme pothuajse në të gjitha pistat.
Gjithsesi, ky zë i brendshëm i Formulës 1, që ka bërë të ditur këtë lajm, ka shtuar. "Ai nuk po e ndryshon skuderinë për para. McLaren-i dhe Mercedesi janë dy kompani shumë të fuqishme dhe kanë mundësi të paraqiten akoma më mirë, por Ferrari, me sa duket, i ofron një potencial më të madh. Drejtuesit e skuadrës së tij aktuale e vlerësojnë shumë, megjithatë ai është i lirë të bëjë atë që do."
Kalimi i finlandezit te skuderia Ferrari, do të thotë largimin e Majkëll Shumakerit nga ky sport, në të cilin ka shkëlqyer për 15 vjet. Gjithsesi, drejtori i përgjithshëm i skuderisë Ferrari, Zhan Todt, kërkon të bashkojë forcën e finlandezit dhe të gjermanit, për të krijuar skuadrën më të mirë dhe më të fortë të Formulës 1. Në të vërtetë, Majkëll Shumaker ende nuk ka vendosur nëse do të vazhdojë të garojë apo jo, kontrata e tij aktuale përfundon në vitin 2006. Duket qartë që skuderia Ferrari nuk ka kohë të presë, por është edhe me fat, pasi pilotët e nivelit të lartë si Raikonen, Montoja, Alonso, Veber dhe Baton janë të lirë në fund të sezonit 2006, pikërisht në kohën e duhur kur i duhet edhe "kokëkuqes".
Todti e di shumë mirë se çfarë i ndodhi Benetton-it në momentin që iu larguar Majkëll Shumaker, pasi kishte fituar dy titujt kampionë në vitin 1994 dhe 1995. Në të vërtetë filloi një krizë për atë skuderi. Ata fituan vetëm një garë një sezon më pas dhe iu desh një dekadë për t'u rikuperuar. Vetëm në këtë sezon, Renault-ja ka arritur të fitojë një titull kampion me Fernando Alonson.
Shumakeri tashmë është në perëndim të karrierës së tij, gjithsesi mund të largohet nga ky sport me 450 milionë dollarë në bankë, për t'iu bashkuar familjes së tij të vogël.
Ndoshta gjermani do të mendojë që më mirë të tërhiqet, sesa të mposhtet nga pilotët e rinj, siç mund të jetë edhe Raikoneni nëse do ta ketë shok skuadre. Finlandezi do të kërkojë padyshim një status të njëjtë me të, nëse do të kalojë te Ferrari, dhe ky fakt nuk do ta ndihmojë aspak Majkëllin. Në të vërtetë, ai asnjëherë nuk ka qenë dakord që të kishte një status të barabartë me shokun e tij të skuadrës te Ferrari. Kështu ka ndodhur edhe kur ishte Edi Irvain, më pas Rubens Barrielo dhe pa dyshim që e njëjta gjë do të ndodhë edhe me Felipe Masën, i cili është nën menaxhimin e djalit të Zhan Todtit, Nikolasit.
Ne foto Raikkonen dhe gruaja e tije!
Krijoni Kontakt