Marrëdhëniet ekumenike me Luteranët
nga Don Albert Jakaj, Prishtinë
Fillimi i Reformës
Luteranët quhen nga themeluesi i tyre M.Luther, ndërsa katolikët dhe ortodoksët i quajnë Protestantë, sepse duke dashur që ta reformojnë Kishën, kundërshtuan dogmat dhe rregullat e Kishës dhe protestuan kundër vendimeve të Konçilëve. Ata e quajnë edhe vetën Evangjelistë, sepse bazojnë pothuajse tërë mësimin e tyre mbi Ungjillin. Quhen edhe Reformatorë, sepse deshën të reformojnë Kishën. Ndikimi i tyre u hap anembanë Europës dhe u duken edhe Kisha të tjera të ngjashme të krishtera, siç janë Anglikane (të cilen e themeloi mbreti Henriku VII-të, sepse Papa nuk ia lejoi kurorën e dytë me gruan e vëllait). Kishat zvicrane u quajtën Anabatistë, themeluesit janë: Cvingli dhe Anabatistët. Morën këtë emër sepse nuk i pagëzonin besimtarët qysh fëmijë, por kur rriteshin.
Martin Luter lindi në Eisleben (Gjermaninë Lindore), me 10 nëntor 1483. Ati i tij ishte pronar i një xehrorjeje të vogël, njeri shumë i ashpër dhe për ketë arsye Martini kishte frikë të madhe ndaj Zotit, sikur të ishte Hyji Ati ndëshkues i pamëshirshëm. Nëna e tij nuk ishte asgjë më e butë dhe i kujtohej Martinit gjithnjë kur e ka rrahur një ditë, saqë ka derdhur gjak, vetëm pse ka vjedhur disa kokrra arra.
Pas shkollimit të sukseshëm, ishte inteligjent i madh, në brendinë e tij u zgjua një shqetësim dyshimi a do të shëlbojë shpirtin. Kur një ditë shpërtheu rrufeja aq u tremb sa që u kushtua Zotit, e për shëlbimin e shpirtit do të bëhej rregulltar i Shoqërisë së Augustinëve të rreptë në Erfurt. Eprori i Kuvendit ia dha në ditën e hyrjes një Bibël.
Ishte rregulltar i zellshëm dhe për të bërë pendesë agjëronte. Shkruan në një vend se dita e agjërimit dhe e pendesës i dukej më solemne se vetë festa e Pashkëve. Megjithatë nuk u qëtësua as nuk u lirua nga skrupujt, por tepër thellë i përjetonte rrëfimin dhe kungimin. Me një rast qëndroi në rrëfim 6. orë. As studimi i Biblës nuk e qetësoi. Shtegtimi në Romë për vizitë varreve të martirëve po ashtu nuk i ndihmoi gjë por përkundrazi kur pa luksin dhe disa gjëra skandaloze në Romë edhe më tepër u shqetësua dhe ngadalë u rritën ndjenjat kundërshtare dhe reagimi. Në ndërkohë emrohet profesor i Shkrimit Shenjt në Universitetin e Winteburgut.
Duke studiuar Shkrimin Shenjt i ra në sy mendimi i shën Palit: njeriu shfajësohet me anë të fesë, pa veprat e ligjit (Rom 3. 28).
Luther në bazë të kësaj mbështet tërë mësimin e tij në parim se feja e shpëton njeriun dhe burimi i fesë është zbulimi i Zotit në Shkrimin Shenjt, në Ungjill, mu për ketë arsye Luteranët quajnë vetën Evangjelistë (Ungjillor). Në bazë të kësaj Luther zhvlerëson Kanunin kishtar, Papatin si dhe kompetencat e Konçilit si dhe shumë rregulla të tjera, si psh. kundërshton celibatin, Mesha Shenjte ose Eukaristia për ta është vetëm një përkujtim i thjeshtë dhe simbolik i Darkës së Fundit. Në këtë mënyrë as ndarja e Kishës Lindore nuk shkaktoi aq të këqija sa ‘reforma’ e Lutherit, madje dhe të përzierja e popullit dhe në kuptimin e plotë të fjalës, deri të ndeshja luftarake. Një prej luftrave të asaj kohe quhet ‘Lufta fetare’. Për të evituar shkatërrimin e popullit u vendos sipas parimit: ‘Cuius regio, illius religio’ (E kujt është krahina e sunduesit/mbretit, është edhe feja) – pra një lloj marrëveshje. Një pjesë e Europës u nda në ‘Reformatorë’ dhe ‘Kundër-reformatorë’. Më vonë në kryë të kundërrevolucionit nga ana e Kishës ka për t’u dukur në skenë Injaci i Lojolës dhe jezuitët e tij. Kuptohet se në këtë konfuzion në Kishë, do të ndërhyjnë edhe politika dhe sunduesit e Europës, gjë që e bëjnë edhe me të komplikuar situatën në Kishë.
Pasojat e Reformës
Njerëzit janë gjetur në fronte të ndryshme dhe të kundërta, jo sepse ata vetë deshën, por sipas vendimit ku jetonin. Mirëpo edhe vetë protestantët janë ndarë ngadalë duke formuar Kishat reformiste, metodiste, baptiste, anglikane.. etj., prandaj edhe Reforma në vetvete ka dështuar. Reforma ka dashur që të përtëritet Kisha ‘në krye dhe gjymtyrë’ (in capite et in membris) dhe baza e reformës do të ishte Bibla. Pra deshen të pastrojnë fenë prej të gjitha besëtytnive, dokeve të dyshimta, kulteve të tepruara, të shenjtërve, tregime me ndjesa dhe ndodhi që prej një zbulimi u bënë shumë zbulime dhe shpjegime të ndryshme, kurse prej një Kishe u bënë shumë Kisha.
Shkaqet e Reformës
Reforma nuk ishte vepër vetëm e Martin Luther, vetëm e një njeriut. Para 95. tezave që i shpalli Luther kundër mësimit të Kishës, si edhe pas tij hynë në lojë shumë shkaqe dhe rrethanat më të ndryshme.
Lëvizja fetare e quajtur ‘përshpirtëria e kohës’ në fund të shëkullit XIV-të, theksonte nevojën e leximit të Biblës dhe kritikonte Mesjetën, sepse nderonte tepër reliket e shenjtërve dhe Shënjtëroret e shenjtërve si vende shtegtimi.
Dështimi i reformave, të shekujve XV-të dhe XVI-të dëshproi revolucionarët dhe i nxiti edhe më tepër në reagime ndaj kundërthënieve ndërmjet idealit dhe realitetit, të mësimit të Kishës dhe të zbatimit të tij.
Humanizmi dhe renesanca kontribuan në dobësimin moral të jetës shkandullore në Kish, sidomos në klerin. Ndërsa Kisha e rritur në hapësirën e kulturës antike, heleniste dhe romake i kontribuoi qytetërimit të Eurpës. Mirëpo të mirat e kulturës sikur të ishin privilegj i klasës priftërore dhe princore, prandaj shtresat e ulta u mundonin të çliroheshin nga mbikëqyrja e Kishës, për të qenë sa ma e pavarur. Kështu u zgjua subjektivizmi, nacionalizmi dhe laicizmi, shekullarizmi. Papa nga ana e tij përpiqej që të ruaj prestigjin si sunduesi botëror, gjë të cilën Papa Bonifici VIII-të e shprehi me këto fjale: Papa do të jetë shpata e botës dhe shpirtit’. Mirëpo Papa u burgos në Avignon të Francës, ku qëndroi prej vitit 1305 deri 1377, kur u kthye përfundimisht në Romë.
vijon
Krijoni Kontakt