Kjo kohë moderne e çartafillosur
Kiço Blushi
Kjo kohë, kjo hallemadhe e harlisur, e hazdisur dhe e çartafillosur që na hyn në shtëpi, në trup e në tru më së shumti nga ekrani i vogël i TV-ve e tash edhe i celularëve, duke na i përtypur e ripërtypur orët e jetës, gjithsesi nuk po u jep dot përgjigje këtyre pyetjeve dramatike që si cifla predhe shpojnë e hedhin në erë psikën e ushqyer me gjizë e fërgesë të çdo qytetari shqiptar, të djathtë e të majtë, të pasur e të varfër, të dijshëm, a injorant: -Në këtë kohë të hallakatur ç’të bëjnë e nga t’ia mbajmë? Kush ka të drejtë sot e si duhet vepruar nesër? Ku po shkojmë e kujt t’i besojmë? Ç’është e shenjtë dhe ç’ është e ndyrë? Ku fillon e ku mbaron morali, nderi e turpi? Kush duhet respektuar, prostituta apo murgesha? Çiljeta, apo Nënë Tereza? Ligji, apo Kanuni? Perëndimi, apo Lindja? Derri i kënaqur, apo Sokrati i vuajtur? Hajduti, apo polici? Po drejtësinë kush e vendos ndër ne: gjykata, apo vetëgjyqësia? I paudhi apo i drejti? I dobëti, apo forti? Dreqi e mori, pse ti jeton me luks e në drogë e në seks të pakufizuar e unë të vuaj? A nuk jemi të barabartë, si na është premtuar nga Zoti e nga qeveria? Ç’ke ti më shumë nga unë, o vëlla, o mik, o armik, o njeri, qofsh edhe i huaj, i panjohur, i bardhë, i zi, amerikan, evropian, mysliman, a i krishterë?
As politika, as akademikët e as analistët tanë të shquar nuk e venë ujin në zjarr për as edhe një nga këto pyetje. Halleqari e halleziu duhet t’u japë dum vetë e të gjejë shtegun e daljes i cili, siç dihet, në të ashtuquajturin tranzicion, shumicën e herës e nxjerr njeriun në shtegun e keq e të humnertë, ku nuk të mbetet gjë tjetër, veç ta lesh veten të rrokopiset, sipas parimit: të dalë ku të dalë!...
***
Le të tregoj shkurt një histori të vërtetë që ka ndodhur në një katund të Shqipërisë një vit më parë e që shërben për të kuptuar diçka më konkrete se analizat e pyetjeve të mësipërme. Kjo rrëfenjë, – sigurisht pa thënë emra konkretë, megjithëse përmendja e tyre nuk do të ishte aq dramatike sa nxjerrja e emrit të Inis Gjonit, - do të ketë vlerë për të kuptuar shkakun, po ca më tepër për pasojën e përballjes sonë me “moralin dhe turpin e ri”. Historia është kjo:
Në katundin Filan u kthye pas 12 vjetësh vajza e ikur në emigracion, konkretisht në Itali. Ajo erdhi me një veturë luksoze që e ngiste vetë, bagazh të ngarkuar sipër dhe me një fëmijë që, kuptohet, ishte e saj. Bashkëfshatarët i kishin pasur zili prindërit e saj se vajza ishte bërë “e mbarë”, se iu dërgonte rregullisht pare jo vetëm për të ngrënë e për të pirë, po edhe për të ndërtuar një shtëpi të re... E ja tek kishte ardhur, me veturë, me plot valixhe, me pare në bankë dhe me një evlat...Të nesërmen pyetjes se, cili ishte babai i fëmijës, vajza u përgjigj se ajo nuk e dinte kush e se ndoshta mund të qe edhe i tutorit të saj, po ky nuk e pranonte... Çuditërisht vajza i tha këto fjalë pa droje, pa u tutur e turpëruar, po me një lloj krenarie të çuditshme.. Ajo pra nuk kishte punuar kameriere në një piceri, po kishte pas qenë prostitutë, më fshatçe, kurvë!...Habisë së shoqeve për këtë të vërtetë ajo, duke i parë drejt e në sy, me një karshillëk tronditës e kokëfortë, iu përgjigj: - Po të kisha ndenjur këtu, si ju, e të ruaja dhitë, nderin e namuzin e familjes e të fshatit, sot do të isha si ju... Po a mund të krahasohemi dot ne? Kush është më mirë sot, ju apo unë?
Këto fjalë hodhën në erë mbarë fshatin, të rinj e pleq. Gjykojini vetë edhe ju jo dhe aq shkakun, po pasojën.
***
Kohët e fundit po flitet shumë për të drejtën themelore të njeriut për privacion, d.m.th. për të mos dalë në publik sekretet, intimitetet, përndryshe, të palarat e tij. Në çdo vend demokratik ka ligje të prera e të ngurta që sigurojnë intimitetin e privacionin e qytetarit. Po edhe këto mure moraliteti e turpi po bien me shpejtësi. Sado të mbyllësh dyert e dritaret, ekrani i vogël hyn e bëhet zot në çdo shtëpi, duke servirur jo vetëm lajme, po edhe kulturë, moral, receta, modë, mënyrë tjetër jetese, klishera, lakuriqësi, turp nga turpi, Vip-a të dyshimtë, vanitet dhe përtaci intelektuale. Njeriu i thjeshtë ka përpara një pasqyrë sa rrezëllitëse, aq edhe masakruese që i tregon or e çast se ai është jo vetëm i shëmtuar, po edhe i padenjë, fatkeq, i pashpresë, i braktisur, pa perspektivë, teksa të gjithë të tjerët jetojnë nëpër lokale luksoze e nëpër spektakle marramendëse ku bëhet vetëm qejf pa kufi...
Bota e spektakleve të Tiranës nuk ka as edhe një lidhje me botën e mjerë të rinisë së provinës e të periferisë. Sot ka dy palë njerëz, ca që jetojnë e shtiren se janë njësh me modelet e servirura nga ekrani i vogël e kjo i bën të besojnë se kanë marrë udhën për në parajsën e tokës, Hollivud, dhe ca që marrin frymë në ferrin e mjerimit, që quhet Bathore. Ca që nxjerrin gjoksin, shalët, kërthizën te rrugët e Bllokut e ca që kullosin dhitë, mbjellin kanabis fshehur e dëgjojnë të sharat e prindërve fanatikë. Psikika e njeriut të sotëm është një pasqyrë e thyer ku tradita duket e deformuar, e dëmshme, penguese, ndërsa e ardhmja e shfytyruar dhe e pakapshme, veç po të bësh paudhësi të papara.
Para disa vitesh edhe në SHBA lakuriqësia dhe kufijtë e seksit në kinema e në shtyp kanë pas qenë të kufizuara me ligj. Filmi “Tango e fundit” me Brandonë, që tani duket naiv e “ekologjik”, u ndalua në shumë vende evropianë se u quajt “i ndyrë”, i dëmshëm, i pamoralshëm...Po të ndodhte para disa vitesh që një gazetë të botonte prapanicën e kancelarit gjerman, teksa vesh mbathjet, gazetari dhe revista nuk do të ishte e nevojshme të dënoheshin nga gjykatat. Nga një e tillë vaki në kohën e kajzerave, atij vendi do t’i shpallej luftë e kushedi sa milionë njerëz do të jepnin jetën për të vënë nderin e kajzerit në vend!...Karikaturat për profetin Muhamed tronditën botën, gjithsesi. Ajo që quhet e moralshme dhe e lejueshme në Perëndim quhet herezi në Lindje. Ajo që quhet e bukur dhe me vlerë në Tiranë, quhet e tmerrshme dhe e ndyrë në periferi. Kur mikroregjistruesit u hodhën në treg me çmime të lira, adoleshentët amerikanë, për t’u marrë pare prindërve të pasur, i montonin ato në dhomat e gjumit e me incizimet intime u bënin presion etërve për të marrë para për drogë e për më tepër ”liri”...Kurse tani te ne mjafton të përgatisësh vajzën me ëndrrën për “Mis” e “balerinë” e të ndryshon jeta, si asaj vajzës të kthyer në katund që rrëfyem në krye...Ne jetojmë në dy Shqipëri, një reale dhe një virtuale, të dyja janë në konflikt, të dyja luftojnë për jetë a vdekje e na shtyjnë të bëhemi moralisht e psikikisht deledash.
***
Megjithatë, teknologjia e celularëve, e përgjim-filmimeve, e pornove, e seksit, e imitimit majmunëror, e perversiteteve që po dalin në publik kohët e fundit edhe te ne, afërmenç e kanë shtuar apo kufizuar lirinë e njeriut? Kësodore jemi bërë njerëz më me shumë dinjitet, më vetanakë, apo veprimet tona, ashtu si mendimet, moda, muzika, arti dhe shijet na telekomandohen nga larg, pasi të gjitha bashkë janë ca produkte omëgjërash kompjuterikë?
Përçudnimi nuk vjen për faj të teknologjisë, si po thuhet, po të keqpërdorimit që i bëjnë njerëzit së pari dhe së fundmi vetes e më pas edhe lirisë që duhet t’i japin, ose t’i marrin akoma më me zell, njëri-tjetrit. Okulistët nuk ia heqin fashat menjëherë një të verbëri të operuar nga sytë. Ne i hoqëm fashat dhe i vumë sytë e operuar e gjysmë të verbër përballë projektorëve të videoklipeve me pulla të kuqe! Mjerë ne ç’do të na shohin sytë, sigurisht po të mos na e kenë shkatërruar përfundimisht retinën!
Tek ne nuk ka ligj për pornografinë, për lokalet e natës, për shtëpitë publike, për pullat e kuqe nëpër TV-ra, për mbrojtjen e intimitetit të qytetarit dhe të moralitetit të shoqërisë dhe nuk dihet e as nuk tentohet të dihet se çfarë ndikimi qorrues kanë te sytë tanë shfaqje të tilla të thikta. Ne nuk e kuptojmë, po jeta jonë nuk është e ndotur dhe e rrezikuar vetëm nga pluhuri dhe balta, nga erozionet dhe gërryerjet e lumenjve, po më e rrezikuar është nga prishja e ekuilibrave qytet-fshat, si dhe e skrupujve të trashëguar moralë. Kjo mungesë ligjore, po edhe tradite, sa vjen e do të sjellë te ne konflikte e drama sociale e familjare të papara. Më shumë se hallet ekonomike, pa e kuptuar as vetë, njeriun e sotëm shqiptar po e komandon dhe po e shfytyron përballja me sfidën e një kulture që bën të moralshme atë që dje quhej e pamoralshme, vlerë atë që dje quhej turp, dinjitet atë që shitet më shtrenjtë. Rrënimi moral po vjen rrufeshëm edhe pse ne vijmë nga një shoqëri tepër e mbyllur, jo dhe aq konservatore, se sa patriarkale dhe kanunore, d.m.th. pa shtylla të qëndrueshme morale. As fetë te ne, për arsye që dihen, nuk kanë mundur të ngjizin te njeriu norma morale të qenësishme. Aq më pak sistemet politike të instaluara përgjatë një shekulli (shumë pak kohë!) e as kulturat e pushtuesve (përgjatë shekujve) nuk kanë mundur të lenë gjurmë të qëndrueshme në ndërgjegjen kolektive. Ndaj ne ia besojmë liritë vetjake më shumë anarkisë dhe kuturusë, se sa rregullave të përbashkëta të komunitetit e aq më pak të shtetit të përbashkët, për të cilët kemi shumë pak besim. Vetë fakti që shumica e fshatrave tona i kanë shtëpitë shumë larg njëri-tjetrit e provon këtë që themi, d.m.th. mungesën e besimit te normat morale të pranuara nga të gjithë. Legjenda e Rozafës, e vëllait të vogël që e pëson nga dy vëllezërit e mëdhenj, është provë e këtij mosbesimi dhe sidomos e mendësisë primitive, që tregon se shqisat tona nuk e kanë të lehtë të shkëputen nga instiktet e nënlëkurës, d.m.th. nga nënndërgjegjja kur të parët tanë jetonin në marrëdhënie parafeudale, fisnore.. Edhe kjo tregon e provon se ne jemi shumë të pambrojtur dhe tejet të dobët përballë trysnisë së teknologjisë dhe sidomos rivlerësimit, që po i bën bota e përparuar moralit dhe moralitetit.
Nuk ka shkencëtar, madje as Frojdi, po të ngjallej, që të zbulojë e të shpjegojë se ç’ndodh në trurin e në psikën e një banori rural shqiptar që në darkë shtrihet i rraskapitur në postiqe e shikon video me pulla të kuqe! Ç’mendon vallë një adoleshente në periferi të Shqipërisë po të shohë në celular Inis Gjonin tek merr drogë e lakuriqësohet krenarisht dhe më pas të dëgjon median që e cilëson atë si një Vipeshë të shoqërisë? Ç’gjë u thye në shpirtin e në mendjen e katundarëve pas fjalës së prostitutës krenare?
***
Bota dhe informacioni, marrëdhënia individ-komunitet, individ–shtet, distancat dhe kuptimi i lirisë e bashkë me të edhe i moralit, tashmë janë zvogëluar e janë bërë sa një saçmë që ndryshe mund të quhen kompjuter, TV, celular. Njeriu sot komandohet e drejtohet lehtë nga një e tillë “sacmë elektronike” shumë më lehtë se nga pushtetet e tjera. Vetëm shoqëritë e vetëdijshme dhe qytetarët që e kuptojnë se injoranca dhe analfabetizmi i bëjnë mish për top për këtë teknologji globaliste, mund të shpëtojnë veten nga shpërbërja dhe rrënimi moral.
Krijoni Kontakt