Ekspertiza mjeko-ligjore zbulon gjurmë marrëdhëniesh të dhunshme seksuale në gojën dhe organet gjenitale të tetë fëmijëve shqiptarë.
Arrestimi i administratorit anglez të shtëpisë së jetimëve “Fëmijët e Mi” në Tiranë, ka zbuluar skandalin seksual në të cilin janë implikuar disa persona nga Anglia, Skocia dhe Irlanda. Të paktën prej katër vitesh, ata kanë derdhur shuma financiare marramendëse në llogarinë bankare të fondacionit në këmbim të kënaqësisë seksuale gjatë marrëdhënieve me të miturit që strehoheshin aty. Pas denoncimit të familjarëve të fëmijëve, agjentët e policisë së komisariatit nr.4, kanë vënë në pranga David Broun, 55 vjeç, administrator i jetimores. Ekspertiza mjeko-ligjore ka zbuluar se tetë fëmijë janë dhunuar seksualisht. Ata janë të moshës nga 6 deri në 12 vjeç, dhe sipas mjekëve ligjorë kanë dëmtime të rënda në organet gjenitale, si dhe në gojë. Ndërkohë që janë shpallur në kërkim edhe dy shtetas të tjerë anglezë, që dyshohet se kanë marrë pjesë në skenat e turpshme, që zhvilloheshin prej katër vitesh brenda ambienteve të qendrës së fëmijëve. Burime nga policia konfirmuan se anglezi Robin Arnold, si dhe një italian me emrin Dino janë të përfshirë direkt në dhunimin e fëmijëve. Arnold, rreth 50 vjeç, është larguar disa muaj më parë nga Shqipëria dhe mendohet të jetë një nga personat kryesorë të përfshirë në organizimin e orgjive.
Zbulimi
Prej gati dy vjetësh, policia kishte marrë denoncime për abuzime seksuale në shtëpinë e jetimëve, “Fëmijët e Mi”. Në qendër janë të strehuar 38 fëmijë nga mosha 6 muaj deri në 16 vjeç. Hetimet kanë marrë rrugë vetëm një javë më parë, pasi në polici është bërë një tjetër denoncim. Të martën pasdite, rreth orës 17:00, forcat e policisë kanë marrë fëmijët nga jetimorja dhe i kanë dërguar për ekspertizë te Mjekësia Ligjore. Mjekët kanë vënë re se tetë fëmijët kishin dëmtime të rënda në organet gjenitale dhe në gojë. Në të njëjtën kohë, agjentët e policisë kanë shoqëruar edhe administratorin David Broun. Anglezi ka kundërshtuar duke kërkuar avokaten e tij. Më pas Broun është paraqitur në zyrat e hetuesve, ku është marrë në pyetje për disa orë. Rreth mesnatës, hetuesit kanë marrë në duar analizat e fëmijëve, duke zbuluar dhunën seksuale që ishte ushtruar ndaj tyre. Menjëherë ndaj 55- vjeçarit Broun është marrë masa e arrestit. Ndërsa janë shpallur në kërkim edhe anglezi tjetër, Robin Arnold dhe italiani Dino.
Hetimet
Burime nga policia shprehen se shtëpia e jetimëve, “Fëmijët e Mi” ka shërbyer si një qendër për pedofilët nga e gjithë bota. Gjatë aktivitetit të saj gjashtëvjeçar në këtë shtëpi, në periudha kohe të ndryshme kanë ardhur pedofilë nga Anglia, Skocia dhe Irlanda, të cilët kundrejt pagesës kanë kryer marrëdhënie seksuale dhe homoseksuale më fëmijët. Pedofilët maskoheshin si vullnetarë, të cilët vinin për t’u kujdesuar për fëmijët jetimë. Ata qëndronin në ambientet e shtëpisë rreth dy javë, ku dhe plotësonin dëshirat e tyre seksuale. Burimet thanë se mes të dhunuarve janë fëmijë nga komuniteti rom, si dhe të mitur me prindër të divorcuar nga Tirana dhe rrethet. Një vend të rëndësishëm në hetimet e policisë së komisariatit nr. 4, dhe Prokurorisë së Tiranës kanë zënë edhe rrëfimet e të miturve që janë dhunuar seksualisht. Në dëshmitë e fëmijëve të dhunuar, ata kanë thënë se “babai”, siç e thërrisnin David Broun, i detyronte të bënin akte të turpshme. Po sipas dëshmisë, anglezët kanë përdhunuar disa vajza, por kënaqësinë e tyre seksuale e kishin te djemtë.
REPORTAZH/ Kalimtarët shajnë anglezët e dyshuar për pedofili
Ndihmësi i administratorit: Skandali është i vjetër
Frika e hakmarrjes, policia blindon shtëpinë e të miturve
TIRANE -I vetmi punonjës i shtëpisë së hetimeve që pranoi të jepte shpjegime për mediat ishte Janaq Papaleka, ndihmësi dhe përkthyesi i administratorit të arrestuar. “Mendoj se ajo që ka ndodhur këtu është një gjë e vjetër. Unë kam punuar rreth pesë vjet me Johan Braun dhe nuk kam vënë re ndonjë gjë të dyshimtë tek ai”, sqaroi përkthyesi Papaleka. Më pas dera jeshile e shtëpisë u mbyll. Anglezët e tjerë që gjendeshin në godinë nuk pranonin që të prononcoheshin. Nga jashtë shtëpia 1-katëshe në kryqëzimin e rrugës “Qemal Stafa” dhe “Riza Cerova”, dukej e qetë. Me një arkitekturë të veçantë dhe e lyer me bojë kafe, shtëpia binte në sy. Dritaret ishin të mbyllura nga grilat jeshile. Deri pak ditë më parë, të gjithë mendonin se ajo ishte vetëm një strehë për jetimët, kryesisht fëmijë romë. Por kishte edhe familje në vështirësi ekonomike, të cilët i çonin fëmijët e tyre, duke shpresuar për një përkujdesje nga stafi shqiptaro-anglez. Por dje porta jeshile ishte shumë e rëndë. Zilja duhet të binte shumë herë para se ndonjë punonjës të dukej te porta. Ajo hapej vetëm kur trokiste ndonjë prej prindërve për të marrë fëmijët. Duke mallkuar, ata kërkonin sqarime nga punonjësit e shtëpisë, për çfarë kishte ndodhur me fëmijët e tyre. Ndërsa të huajt mjaftoheshin vetëm duke mbledhur supet. Në rrugën që po asfaltohej, katër-pesë punëtorë ndiqnin të heshtur çdo skenë në portën jeshile. Duke soditur nga larg, ata u mjaftuan vetëm duke sharë njërin prej anglezëve, që pasi hipi me arrogancë mbi xhipin e kuq me targa të huaja, u largua me shpejtësi duke krijuar një re të madhe tymi. Një makinë policie patrullonte çdo dhjetë minuta, duke mbajtur situatën nën kontroll. Ndoshta punonjësit e policisë i druhen ndonjë hakmarrjeje nga prindërit. Megjithatë anglezët dukeshin të qetë. Interesimit të gazetës fillimisht iu përgjigjën duke kërkuar kohë, pasi ishin duke ngrënë drekë. Por duket se më pas ndryshuan mendje, duke u mjaftuar vetëm me sqarimet e ndihmësit shqiptar. f.b
Miliona në llogaritë bankare
Policia ka zbuluar transaksione të mëdha parash në numrat e llogarisë të shtëpisë së jetimëve, “His Children”, të depozituara nga vullnetarët. Edhe pse me një depozitë mjaft të majme, kushtet në shtëpinë e jetimëve ishin mjaft të këqija. Kujdestarët anglezë janë treguar të kujdesshëm vetëm për pamjen e jashtme të ndërtesës. Sipas policisë, ata shpenzonin para për pushime në plazhet e Durrësit dhe të Vlorës, si dhe organizonin piknikë me të miturit. Fëmijët shoqëroheshin nga vullnetarët që vinin nga Anglia, Irlanda dhe Skocia, të cilët kryenin dhe marrëdhënie seksuale me ta. Efektivat e rendit që kanë bërë kontrollin në banesë thanë se ambientet e brendshme
të saj ishin një
“ferr” i vërtetë.
Anglezët s’kishin leje qëndrimi
David Broun dhe punonjësit e tjerë të shtëpisë së jetimëve, “Fëmijët e Tij”, me qendër në Tiranë, rezultojnë të jenë klandestinë në Shqipëri. Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit thanë se për 55-vjeçarin Broun nuk është dhënë leje qëndrimi nga autoritetet shqiptare. Ai ka pasur një të tillë nga viti 2000 deri në 2002, por më pas nuk e ka rinovuar atë. Pas kësaj, administratori anglez dhe stafi i tij nuk i kanë rinovuar lejet, duke qëndruar ilegalisht në Shqipëri. Por një fakt i tillë nuk i ka penguar të zgjerojnë vit pas viti aktivitetin e tyre, edhe në disa rrethe
të tjera të vendit.
Gazeta Panorama
18 Maj 2006
Krijoni Kontakt