Djali i Berishës nëndrejtor tek “Eagle Mobile”

Data e Publikimit: 27/04/2007

Autori i Lajmit:
Mo.Ro.
Tiranë- Edhe djali i kryeministrit ka marrë tashmë një post drejtues. Nuk është kthyer nga jashtë vendit thjesht për të qenë një drejtor në administratën shtetërore, ku i ati mund t'i siguronte një karrige të mirë. Shkëlzen Berisha është kthyer vetëm për të marrë postin e nëndrejtorit të "Eagle Mobile". Lajmi konfirmohet nga brenda kompanisë që do të zërë vendin e operatorit të tretë celular në vend. Ndonëse nuk ka qenë i qartë pozicioni që ka pritur në fillim djalin e kryeministrit, dihet që brenda pak kohësh Shkëlzeni do të arrijë majat, duke mos u mjaftuar me vendin e nëndrejtorit tek "Eagle Mobile". Lëvizjet e të tjerëve, të emëruar nga familja e tij nëpër drejtori dhe ministri, gjithmonë për më lart, tregojnë edhe rrugën nga do të lëvizë shpejt edhe djali i kryeministrit.

Tek operatori i tretë celular
Duhet të kishte nisur punë prej kohësh, por një marrëveshje për shitjen e "Albtelekom" që mbeti peng politik i ndërrimit të qeverive, e ka lënë "Eagle Mobile" një strukturë të ngritur por që aktualisht vazhdon të merret me përgatitje. Sigurisht edhe një strukturë që pret e përcjell persona, ende pa nisur nga puna, në formën e ndereve dhe favoreve që bëjnë qeveritarët për të rregulluar njerëz të afërt të tyre. Sic është edhe rasti i djalit të kryeministrit, i cili është nëndrejtori i ri i operatorit celular që nuk ka hyrë akoma në treg. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që e gjithë struktura e ngritur, e cila po merret me përgatitjet për të filluar nga puna nuk po paguhet në bazë të hierarkisë. Cka do të thotë se Shkëlzeni ka hyrë në bordero për t'u paguar si nëndrejtor i operatorit, fitime që priten të rriten në mënyrë të konsiderueshme kur ky të hyjë në treg.

Biznesi fitimprurës
tek "Albtelekom"
Nuk është synuar më kot biznesi i ri që pritet të lindë në gjirin e "Albtelekom" edhe pse ky është premtuar të shitet. Ndonëse me mbërritjen e qeverisë Berisha kontrata e shitjes tek firma turke u vu në dyshim, vendimi i pak kohëve më parë nuk ndryshoi asnjë presje për shitjen e "Albtelekom" tek "Calik". Kurse operatori i tretë celular në vend pritet të ketë shumë fitime që me hyrjen në treg, duke qenë konkurues me dy operatorët më të hershëm që veprojnë në Shqipëri, "Vodafon" dhe "AMC". Jo për rastësi, djali i kryeministrit, Shkëlzen Berisha u gjend tek "Eagle Mobile" ende pa hyrë në treg operatori i tretë. Gati për të marrë pozicion të mirë por edhe shumë më tepër fitime, sapo kjo kompani të marrë një pjesë të konsiderueshme të tregut shqiptar.

Kapja e operatorit
të tretë celular
Ende pa filluar nga puna, familja e Berishës ka kapur edhe operatorin e tretë celular në vend. I njëjti kryeministër që flet për monopole në tregun e telefonisë celulare dhe madje u ka shpallur luftë këtyre, tregoi se mënyra me të cilën do të zhvillojë këtë luftë është thjesht zaptimi i monopolit tjetër, atij që pritej të ishte gjoja shpëtimi. Për këtë arsye ka cuar djalin e tij të drejtojë "Eagle Mobile". Aktualisht, struktura e ngritur që është vënë nën udhëheqjen e Shkëlzen Berishës, po merret me shtrimin e fibrave optike në të gjithë vendin. Një punë që paguhet jo pak dhe për të cilën vetë operatori ka marrë shumë të konsiderueshme parash. Pikërisht këto para janë vënë nën menaxhimin e të birit të kreut të qeverisë prej pak ditësh. Më pas në duart e tij do të lihen të tjera shumë të mëdha, fitimet e shumta që do të llogariten në xhiron e operatorit të tretë celular në vend do të menaxhohen po nga Shkëlzen Berisha.

Emërimi i Shkëlzenit,
jo transparent
Kthimi i djalit të kryeministrit nga jashtë shtetit dhe vendosja e tij në drejtimin e "Eagle Mobile" është bërë në fshehtësi të plotë. Jo rrallë, kreu i qeverisë ka fshehur detaje të lidhura me jetën e djalit të tij. Por në këtë rast kemi të bëjmë me një emërim në një post për të cilin qytetarët sot po paguajnë taksa dhe kanë të drejtën të dinë se si po menaxhohen këto para dhe si do të menaxhohen edhe në të ardhmen. Duket e tepërt të pyesim lidhur me formimin profesional të Shkëlzen Berishës dhe nëse kjo përgatitje i përshtatet vendit që ai mban tashmë, pasi ky është një detaj që nuk është marrë parasysh në asnjë prej emërimeve që janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen akoma nga familja e kryeministrit. Duke filluar nga drejtorët e enteve kyce dhe deri tek ministrat, të cilët vazhdojnë lëvizjen nëpër ministri pa patur përgatitjen profesionale të nevojshme. E njëjta gjë ndodh edhe me vendosjen e Shkëlzen Berishës si nëndrejtor i "Eagle Mobile". Primar është fitimi që do të marrë djali i kryeministrit nga puna e tij e re, por edhe ngjitja më sipër në drejtim me kalimin e kohës, për të realizuar plotësisht kapjen e operatorit të tretë celular në vend.

Edhe Shkëlzeni
shef kuadri
për emërime

Tiranë- Pas 3 Korrikut, gjithë familja Berisha mori në dorë frenat e qeverisjes, duke filluar nga emërimet në administratë. Pas zbrazjes së zyrave dhe reformave tërësisht antiligjore që u ndërmorën nga kjo qeveri, përpara doli detyra e vështirë për emërimin e militantëve dhe besnikëve të partisë Demokratike, në formën e shpërblimit për kontributin e dhënë gjatë kohës së gjatë të qëndrimit në opozitë. Kurse postet në drejtim u lanë për gjithë miqtë, shokët dhe të afërmit e familjes. Bija e kryeministrit, Argita Malltezi ka dorë në pjesën më të madhe të emërimeve të bëra në krye të drejtorive dhe ministrive. Duke filluar nga bashkëshorti i saj në krye të projektit për studimin e bregdetit të jugut. Po kështu edhe bashkëshortja e kryeministrit që gjeti vende të mira për vëllezërit e saj, por edhe për nipër e mbesa. Si në rastin e drejtoreshës së Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Por edhe Shkëlzeni pati pjesën e tij të favoreve për të bërë, duke iu lënë dorë e lirë në zgjedhjen e vendeve dhe karrigeve që donte për miqtë e tij. Isuf Cela është emëruar drejtor i Kuadrit në Ministrinë e Brendshme. Djali i kryeministrit i ka bërë një nder Celës edhe pse me të nuk e lidh asnjë lidhje gjaku, farefisnie apo shoqërie. Ai është thjesht administrator i pallatit ku jeton familja Berisha. Shkëlzen Berisha ka ndërhyrë edhe për emërimin e shokut të tij të shkollës, sërisht në ministrinë e Brendshme, por këtë herë për vendin e drejtorit të inspektimit. Lista e ndereve vazhdon të jetë akoma e hapur edhe pse Shkëlzeni nuk ka qenë në Shqipëri dhe tani që është kthyer është kujdesur njëherë për punën e tij. Megjithatë, djali i kryeministrit tani që është në postin e nëndrejtorit të operatorit të tretë celular, do të ketë akoma më shumë karrige për të ofruar për të njohurit e tij, të cilët priten shumë shpejt të zënë gjithë zyrat në strukturën e ngritur për "Eagle Mobile", duke zaptuar edhe këtë kompani ende pa hyrë në treg.

Qeveria
shtyu afatin
e “Eagle Mobile”

Tiranë- Tashmë numërohen katër vjet që kur kompania "Eagle Mobile" është themeluar si pjesë e kompanisë shtetërore të telefonisë fikse "Albtelekom". Por i prituri si operatori i tretë celular vazhdon të mos jetë gati për licencimin. Drejtuesit e qeverisë së sotme kanë akuzuar qeverinë e mëparshme për ngathtësi në veprime, por edhe pse kanë premtuar se kompania do të hyjë shpejt në treg, vazhdon të mos ndodhë asnjë ndryshim në këtë drejtim. Kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj, kohë e cila u pa e mjaftueshme për "Eagle Mobile" që të hynte në treg, por as pas më shumë se një viti situatë mbetet e njëjtë. U pretendua se fillimi i veprimit të operatorit të tretë celular do të rriste vlerën e shitjes të "Albtelekom", marrëveshje që u vu në pikëpyetje disa herë duke arritur deri tek akuzat. Por tashmë shtyrja e afatit për të katërtën herë ka ardhur si pasojë e kërkesës të bërë nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në cilësinë e pronarit të "Eagle Mobile". Nga ministria nuk është bërë e ditur një kohë tjetër kur kompania do të hyjë në treg si operatori i tretë celular, cka ka lënë të kuptohet se as qeveria nuk di se cfarë do të bëhet me të. Janë thënë vetëm fjalë dhe premtime, bërë llogaritje që janë kthyer prapë për korrigjime dhe këto quhen përgatitje të "Eagle Mobile" për hyrjen në tregun shqiptar të telefonisë celulare. Deri atëherë, stafi drejtues i "Eagle Mobile" ku bën pjesë edhe djali i kryeministrit, Shkëlzen Berisha, në postin e nëndrejtorit, do të vazhdojë të paguhet thjesht për përgatitjet, të cilat duket se nuk kanë për të mbaruar asnjëherë.