Close
Faqja 0 prej 2 FillimFillim 12 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 16
  1. #1
    Perjashtuar Maska e Cappuccino
    Anëtarësuar
    01-12-2005
    Vendndodhja
    N'bisht t'ballanes
    Postime
    311

    Një mjekër për Maqedoninë

    Një mjekër për Maqedoninë


    Janë hequr maskat. Por fytyrat janë sërisht të paidentifikueshme. Mjekrat. Mjekrat e të dyja palëve, janë rritur

    nga Sokol Shameti

    Të kthehesh në Maqedoni pas katër vjetësh, është të kthehesh në një vend ku maskat janë hequr. Nëse je një gazetar nga Tirana, mesditën e një të hëne në vendkalimin kufitar të Qafë Thanës, kujdes. Viza jote hyrëse është në varësi të nivelit të alkoolit në gjakun e policit maqedonas tek kioska e verdhë e kontrollit. Çdo vizë tjetër përveçse maqedonase në pasaportën tënde, perceptohet si shenjë sfide. Ty mund të të lënë si kavie të presësh nja dy orë ndërkohë që të vështrojnë nga prapa xhamit të kabinës së kontrollit dhe pijnë cigare tërë mendjemadhësi, e më pas, nëse nuk ke miq të mirë në stafin tepër korrekt të ambasadës së asaj që sinqerisht do të donim ta quanim Republikë) Maqedonase, të bëjnë të kuptosh se në gjuhën e tyre doganore nuk ekziston fjala: mirësevjen. Oh- mund të thotë çdo punonjës i shtypit shqiptar- po ky mund të quhet një trajtim me pesë yje. Qeveria shqiptare as që është ndier, por ndërkohë, Rajmonda Melcka, një tjetër kolege nga një media e Shqipërisë, po vuan dënimin prej 5 vitesh burg vetëm ngaqë guxoi të bëjë një reportazh në një katund të rebeluar shqiptar pranë Shkupit. Emri të thotë shumë. Prit, si e quanin atë fshat? Kondovë? Të njëjtën gjë kishte bërë para saj edhe një ekip televiziv kroat, por atyre vetëm sa u ishte konfiskuar kaseta dhe u ishte thënë miqësisht: mos e përsërisni më. Madje, pasi qeveria e Zagrebit skërmiti dhëmbët, edhe kaseta u kthye tek të zotët, e shoqëruar "me komplimentet më të mira". Dy gazetarë të tjerë, shtetas të Republikës së Shqipërisë, të cilët kanë punuar për shumë kohë në Tetovë, u shpallën së fundi persona non grata për arsye fare të paqarta. Atmosfera, të thuash të drejtën, s'është ajo më e mira për ta shëtitur atë vend. Vërtet në Shkup mund të shohësh më në fund grupe turistësh që barisin në sheshin Makedonija të rikonstruktuar sipas modelit që të kujton Republika Trg në Beograd. Ata mund t’i ndeshësh edhe mbi urën e lashtë (por tashmë pa gurin e vjetër që tregonte datën me mbishkrime arabe, i cili gjatë rikonstruksionit humbi në lumë- "kuptohet, gabimisht", nxiton të sigurojë një guidë turistike vendase).

    Por nëse kryeqyteti vendas tulatet në vapën e korrikut dhe shushurimën e Vardarit që rrjedh i pisët si një Lanë e madhe, gjëra të papëlqyeshme bëjnë vaki pak kilometra më tutje. Për Kondovën dhe jo për Sharm El Sheikun flasin tërë ditën lajmet e para në televizionet vendase. Heroi i zi nuk është Bin Ladeni me mjekër, por Agim Krasniqi me berretë dhe flokëgjatë si Che Guevara. (Për të ndihmuar ata që e kanë të vështirë të bëjnë lidhjet, Bin Ladeni e ka vendin zakonisht pas ndonjë lajmi sqarues se Kondova, fshati ku komandant Krasniqi ka bazën, është edhe qendra e Fakultetit të shkencave islame të shqiptarëve). “Nuk ka birra Skopsko në Kondovë, madje as raki shqiptare nuk ka. Myslimanët s’e duan alkoolin”, thotë një maqedonas, kamerier i një restoranti afër stadiumit të qytetit. “Ka zëra se djemtë e Agim Krasniqit janë përfshirë në incidentet e rrahjes së disa imamëve tolerantë nga fanatikët ekstremistë myslimanë, pak kohë më parë”, thotë një gazetare maqedonase. Zëra të tillë, herë të konfirmuar e herë që enden të eter të lirë si shpirtra, ka me shumicë sot në Maqedoni. Prania e tyre, është një tjetër provë më shumë se në këtë vend maskat janë hequr. Nënteksti s’është edhe aq elegant: ndërsa bombat gjakosin Londrën, Irakun apo Turqinë në emër të flamurit jeshil të Xhihadit, për arsye po të njëjta apo të ngjashme e kërcënon integritetin e Maqedonisë edhe rebeli Agim, nga fshati Kondovë, me medrese në mes. Prej disa javësh policia etnikisht e përzier maqedonase nuk guxon të hyjë atje. Agim Krasniqi ka kërcënuar se nëse kjo ndodh, ai do të bombardojë Shkupin. Dhe kjo është fizikisht e mundur, duke ditur se Kondova është për kryeqytetin maqedonas, si Linza për Tiranën. Komandanti rebel është mbyllur aty së bashku me një numër të papërcaktuar ish-anëtarësh të UÇK-së, të cilët thonë se janë të zhgënjyer nga tradhtia e idealeve të luftës prej lidershipit të kryesuar nga Ali Ahmeti tashmë të përfshirë në qeverinë e Maqedonisë. Për shumë njohës të krizës maqedonase, e gjithë kjo është një déjà vu. Qysh nga 2001-shi del herë pas here në skenë ndonjë komandant i mërzitur që s’ka marrë post në administratë, i cili zapton ndonjë fshat afër apo larg Shkupit dhe sfidon shtetin maqedonas pikërisht nga ato zona ku shteti fqinj kurrë s’ka pasur dëshirë dhe interes të jetë i pranishëm. Për një pjesë të shqiptarëve aty, Krasniqi është një hero i luftës. Për disa të tjerë, ai është një spiun grek ose serb që po i prish punë Kosovës në prag të statusit. Këta janë publiku i ndikuar dhe nga komentet e disa mediave maqedonase, por larg e larg, edhe nga Besnik Mustafaj tek i cili i kanë sytë të gjithë ngaqë e quajnë ministrin e ri të jashtëm të Shqipërisë, ndonëse ai Kondovën e quan paditurisht “Kordova”. Kësaj radhe, sidoqoftë, në Maqedoni gjërat janë ndryshe. Kësaj radhe flitet më pa dorashka. Një prift i kishës ortodokse me tepër ndikim, është arrestuar si i lidhur me Beogradin në dëm të autoqefalisë maqedonase. Besimtarët sllavë, të cilët në të vërtetë janë të ndarë midis tradicionalëve që e shohin kishën serbe si nënë dhe të tjerëve që kërkojnë një identitet të ri, bashkohen në të vetmin rast, tek frika se mos zgjohen shqiptarët. Dhe kështu fanatikët marrin frenat. Dhe mjekrat e murgjve e të përdëllyerve dalin në skenë.

    Në anën shqiptare, krahas Kondovës, një krizë e rëndë ka përfshirë edhe Bashkësinë Fetare Islame, një organ që përfaqëson administratën shpirtërore së cilës i takojnë në shumicën dërrmuese të gjithë shqiptarët e Maqedonisë. Ngjarjet janë zhvilluar aq paralelisht dhe aktorët janë përzier aq fort me njëri- tjetrin në këtë histori dhe në atë të rebelimit të Kondovës, saqë duken si të lidhura pazgjidhshmërisht. “Po bëhet një luftë e ashpër për pushtet midis dy krahëve”, thotë Avni Halimi, gazetar dhe nëpunës në Bashkësinë Islame. Ai thotë se në radhët e imamëve vendas, po del në pah përditë e më tepër një krah përkrahësish të rrymave filoarabe të grupuar afër myftiut të Shkupit Zenun Berisha. Ata luftojnë të marrin kontrollin mbi gjithë institucionin dhe duket se kjo bëhet për të shtrirë ndikimin mbi një burim shumë të mirë financiar që vjen si pasojë e pronësisë së dhjetëra dyqaneve në çarshinë e Shkupit, qeratë e të cilave i administron pronarja: Bashkësia Islame. Dy muaj më parë, kreu i Bashkësisë Reisul Ulema Arif Emini dha dorëheqjen, pas disa akteve të shëmtuara rrahjesh dhe dhunimesh me kallashnikovë që ndodhën në zyrat e institucionit. Disa bodyguardë të Zenun Berishës që morën pjesë në këto akte, përfliten si pjesë përbërëse e një liste të zezë fanatikësh të rrezikshëm që SHBA-të e kanë tashmë në dispozicion. E njëjta gjë thuhet edhe për vetë Zenun Berishën dhe për krahun e tij të djathtë Zejnullah Fazliun, i cili ndodhet në Kondovë në krye të një grupi prej atyre që Halimi i quan “muxhahedinë”, nga ata që marrin urdhëra për të sulmuar cilindo imam që nuk është pro tyre. Bashkëjetesa e tyre me komandant Krasniqin në fshatin e rebeluar rrezikon vërtet ta kompromentojë imazhin e mbrojtësve të interesave kombëtare shqiptare. Nga ana tjetër, të krijohet përshtypja se vërtet përmes tërë kësaj rrëmuje, rreziku i fondamentalizmit islamik i kërcënohet Maqedonisë përmes luftëtarëve shqiptarë që u zhgënjyen nga nacionalizmi dhe tani shumë lehtë mund ta kthejnë kursin kah integralizmi. Shkrimtari i njohur shqiptar në Maqedoni, Kim Mehmeti nuk e mendon kështu. “Përkatësia fetare islame, nuk i ka penguar kurrë shqiptarët të jenë shqiptarë të mirë”, thotë ai. Për Mehmetin, kriza e Kondovës duhet ndarë nga ajo e Bashkësisë Islame. Kjo e fundit sipas tij është vetëm një problem materialist dhe aspak ideolgjik. “Muslimanët shqiptarë të Maqedonisë do të bëhen muxhahedinë vetëm pasi të tillë të jenë bërë gjithë muslimanët e Shqipërisë dhe të Kosovës. Këtu nuk do të ndodhë kurrë diçka që do të dëmtonte kombin pasi vetëdija kombëtare shqiptare tashmë e mbizotëron prej vitesh atë fetare muslimane”, thotë Mehmeti. Ramadan Ramadani, imami i xhamisë së Isa Beut në Shkup- dhe njëkohësisht një nga njerëzit më të kthjellët në bashkësinë islame atje- thotë se nuk ka një luftë brezash mes imamëve shqiptarë në Maqedoni. “Ju mund të mendoni se ka rivalitet mes atyre që kanë studiuar në Arabi dhe imamëve të vjetër autoktonë”, thotë ai, por shton se kjo nuk është e vërtetë pasi në Maqedoni të gjithë imamët dhe hoxhët janë të shkolluar në lindje, qysh gjatë periudhës së Jugosllavisë. “Ëndrrat e mia kanë qenë dy: unë të shkoj për haxhillëk në Mekë dhe të vijë loçkë Shqipnia këtu”, thotë një taksist i vjetër shqiptar nga Kumanova që vetquhet axha Selim. “Besimi fetar i ka ndihmuar shqiptarët të ruajnë identitetin e tyre midis maqedonasve të grupuar rrotull kishës kombëtare ortodokse e cila ia doli t’i asimilojë gjithë shqiptarët ortodoksë”, thotë nga ana tjetër Avni Halimi. Por të shohësh me një sy më përgjithësues, kanë qenë qeveritë jugosllave apo maqedonase të 93 viteve të fundit ato që e kanë inkurajuar këtë lidhje mes shqiptaritetit dhe islamizmit. “Në vitet e Jugosllavisë, prindërit sugjeroheshin t’i pagëzonin fëmijët me emrat Hasan apo Jakup, por nëse guxonin t’i quanin Ilir apo Arben, ata paditeshin për nacionalizëm shqiptar”, thotë Besim Iljazi, një gazetar nga filiali i Kohës Ditore në Maqedoni. Deri para pak vitesh, çdo fshat shqiptar në Maqedoni nuk kishte as problemin më të vogël për të ndërtuar xhaminë apo medresenë e vet, por aty nuk lejohej hapja e një shkolle shqipe. Kjo ka sjellë një superprodhim hoxhallarësh shqiptarë në Maqedoni dhe në një vend ku shqiptarët kanë qenë për vite të radhë të përjashtuar nga sistemi i punësimit dhe një rol dinjitoz në shoqëri, xhybja dhe çallma kanë qenë mundësia e vetme për mbijetesë për shumë njerëz. Një mundësi për t’i ikur realitetit të hidhur dhe mjerimit. Një shërbim i ofruar me tepëricë, që si i tillë, ka natyrisht dhe anomalitë e tij.

    Kur unë mbërrita në pjesën shqiptare të Shkupit, përmes kalldrëmeve të vjetra dhe çarshisë plot aroma orientale, një hije e përgjithshme hutimi hetohej në sytë e të gjithëve. Të rinjtë, të dhjetuar nga kurbeti ishin fare të paktë, ndërsa shumica e burrave dhe të moshuarve, tërhiqnin këmbët zymtësisht duke ecur kokëulur midis pluhurit. Dikush mundohej të shiste diçka në tezga të improvizuara, disa gra me veshje muslimane shkriheshin ngadalë tej si hije në ato rrugë si nën vranësirë të përjetshme. Më tërhoqi vëmendjen një burrë i vogël dhe i veshur keq, me një kollë që të këpuste shpirtin që endej sa nga një lokal në tjetrin me një qese paketash cigareje në duar. Varfëria dukej që ishte shtruar mirë këmbëkryq. Shumë nga ata që takova kishin qejf të bisedonin për politikë, për Berishën në Tiranë, për marrëveshjen e Ohrit që kishte hapur disa vende pune për shqiptarët në Maqedoni, si dhe për komandant Agim Krasniqin që “shumë p’e tut shkaun”. Por ndërkohë mjerimi, skamja, dëshpërimi dhe vetëdorëzimi ishin të pranishme kudo. Peizazhi i hirtë dhe primitiv i krahasuar me atë të pjesës tjetër të Shkupit, konturohej ndër dhjetëra banesa të ngushta ku shqiptarë të shumtë jetojnë ngjitur, duke “i vjedhur” edhe oksigjenin njëri tjetrit, së bashku me familjet e tyre të shumta në numër, midis telave të telefonit në një mishmash lidhjesh ilegale dhe minareve të xhamive nga ku rrallë e tek dëgjohej përtueshëm zëri i ndonjë hoxhe. Por edhe brenda këtij realiteti prej getoje apo rezervati eksperimental indiosh të Amerikës veriore, ekzistojnë ekuilibrat e mbajtur në këmbë nga dozat e rregulluara të parave që vinin nga emigracioni, tregtisë së vogël, zanateve, kënaqësive fizike e atyre shpirtërore. Çdo prishje raporti ndikon në ndryshimin e nuancës së grisë së përgjithshme. E kësaj radhe, grija ishte më e thellë. Disfata dukej më totale. Aplikimi i marrëveshjes së Ohrit që duhej t’u jepte më shumë të drejta shqiptarëve ishte bllokuar nga mjeshtrat e interpretimeve teknike që ia kishin dalë ta ngushtonin në minimum atë që vërtet shqiptarët duhej të përfitonin. Nga 27 projekte të mëdha investimesh publike për vitin e ardhshëm në Maqedoni, vetëm njëri ishte lënë për zonat e populluara nga shqiptarët. Ndonëse kujdesi shëndetësor në këto zona ishte si mos më keq, në asnjërin nga dy universitetet shqipfolëse të Tetovës nuk ishte lejuar hapja e një dege që do të formonte kuadrin shumë të nevojshëm të personelit që do të ndihmonte në uljen nivelit të sëmundjeve në përgjithësi dhe veçanërisht të vdekshmërisë super të lartë foshnjore që ishte shkaku kryesor që inkurajonte “modën” nga halli të lindshmërisë tepër të lartë nga ana tjetër. Por edhe rritja e lartë demografike shqiptare kishte bërë armiqtë e vet, ndërkohë. Akademia e Shkencave të Maqedonisë ka përpiluar një program të cilin duhet ta miratojnë shqiptarët si kompensim për marrëveshjen e Ohrit, me anë të të cilit ata duhet të pajtohen për të frenuar rritjen e tyre të vrullshme demografike. “Kjo më kujton rregullin që ekzistonte në kohën e Jugosllavisë”, thotë Ymeri nga selia e PDSH-së në Tetovë, “kur në familjet me shumë fëmijë, vetëm 3 të parët gëzonin mbrojtje shoqërore dhe shëndetësore nga shteti”. Ndarja territoriale ua kishte qethur komunave shqiptare shumë hapësira jetike. Partia në pushtet e VMRO-DPMNE, kishte mundur t’ua mbyllte gojën me poste disave prej mbështetësve partiakë të partisë partnere BDI. Mes mjerimit, demonizimit dhe pamundësisë për një punë të ndershme, ish-luftëtarë si puna e Agim Krasniqit kishin të drejtë të revoltoheshin: po ne? E si të mos mjaftonin, të gjitha këto, kriza kishte kapluar në fund edhe bashkësinë fetare. Besimtarët dukeshin të çoroditur. “Të ardhurat e bashkësisë kanë rënë. Nga 20 mijë familje muslimane të Shkupit, vetëm 4 mijë i paguajnë detyrimet për bashkësinë”, tregon Avni Halimi. “Shikoni nëpër xhamia, ata që shkojnë atje janë tashmë vetëm disa pleq që duan të komunikojnë me Allahun porositë e fundit para vdekjes”, thotë shkrimtari Kim Mehmeti. Hallka mes besimtarit klasik shqiptar që transmeton besimin brez pas brezi është në shkëputje. Në një rrugë të Tetovës, ky imazh mund të përftohet fare qartë. Gjyshja e burgosur kokë e këmbë në pallton e rëndë dhe shaminë muslimane që i mbulon flokët, ecën duke mbajtur për dore një nip me kanatjere të kuqe dhe atlete nga ato që bëjnë xixa kur shkelin në tokë. Në një moment fëmija shkëputet dhe nis të vrapojë. Shkrimi mbi kanatjerë tani lexohet qartë: O sa mirë me qenë shqiptar.

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    08-11-2002
    Postime
    1,509
    Sokol Shameti ka bere artikull shume te bukur, ku ka paraqitur gjendjen e mjeruar te shqiptareve te Shkupit dhe ne pergjithesi te Maqedonise dhe shtypjen sistematike qe pesojne nga bullgaro-maqedonasit. Mbyllja eshte shpreselenese.
    Ignore List: Den Bossi

  3. #3
    i/e larguar Maska e dibrani2006
    Anëtarësuar
    29-01-2006
    Vendndodhja
    Europe
    Postime
    2,693
    Lexoni lexoni Partiokota mos kopjoni prat irak.

  4. #4
    Perjashtuar Maska e Lunesta
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Dove la..Vittoria.....
    Postime
    1,660
    Maqedonasit nuk jane miqesore ndaj shqiptareve, por edhe shqipot e maqedonise kane probleme te medha me mentalitetin.

  5. #5
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    16-02-2006
    Postime
    182
    Infidel and Disaster !

  6. #6
    i/e larguar Maska e dibrani2006
    Anëtarësuar
    29-01-2006
    Vendndodhja
    Europe
    Postime
    2,693
    Citim Postuar më parë nga Lunesta
    Maqedonasit nuk jane miqesore ndaj shqiptareve, por edhe shqipot e maqedonise kane probleme te medha me mentalitetin.


    Per mentalitet e ke gabim u njohem se çfare mentaliteti kini ju rebelat qe keni be name neper bote more grek.

  7. #7
    Perjashtuar Maska e Cappuccino
    Anëtarësuar
    01-12-2005
    Vendndodhja
    N'bisht t'ballanes
    Postime
    311
    Citim Postuar më parë nga dibrani2006
    Per mentalitet e ke gabim u njohem se çfare mentaliteti kini ju rebelat qe keni be name neper bote more grek.
    Ankes per mod dhe admin!!!! JUVE ju pengon firma ime ndersa nje postim i till fyes ndaj antares Lunesta nuk u bie ne sy. Une lexoj me endje postimet e saja dhe askund nuk kame mundur te has ne postimet e saja ne helenizem e ju mod dhe admin sic duket po i perkedhelni uahabistet e forumit???

  8. #8
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    16-02-2006
    Postime
    182
    Lengu !

    Akoma ketu je ti ?

  9. #9
    Perjashtuar Maska e Cappuccino
    Anëtarësuar
    01-12-2005
    Vendndodhja
    N'bisht t'ballanes
    Postime
    311
    Citim Postuar më parë nga Rejjan
    Lengu !

    Akoma ketu je ti ?
    Per shembull: Sic ofendon ky i fundit!!

  10. #10
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    16-02-2006
    Postime
    182
    Te jane erresuar syte , kaq shume ke ofenduar e fyer vete, sa tashme nuk kupton dot dallimin e nje fjalie normale me fyerjen.
    Pastaj me sa di une capuccino eshte leng.

Faqja 0 prej 2 FillimFillim 12 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Kontesti me Greqinë: rrezik për tensione ndëretnike
    Nga RaPSouL në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 248
    Postimi i Fundit: 01-08-2012, 12:36
  2. Sllavomaqedonizimi i historisë shqiptare
    Nga Artti në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 19-06-2012, 17:46
  3. Halili: E duam Maqedoninë si Belgjika
    Nga Faik në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 11
    Postimi i Fundit: 12-09-2009, 00:14
  4. Studenti me mjekër, përjashtohet nga Universiteti i Durrësit
    Nga Cappuccino në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 30
    Postimi i Fundit: 05-11-2006, 00:07
  5. Vizita e Nanos, gazetarët dy orë për viza në kufirin me Maqedoninë
    Nga Genti^Itali në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 18-06-2004, 08:02

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •