Intervista/ Flet varrmihësi Altin Ballabani
“Më kërcënuan në telefon se denoncova për varret”
Nga e dërguara jonë në Kosinë të Përmetit, Genta BRAHIMI
Altin Ballabani, është protagonisti i ngjarjes së zhvarrosjes së eshtrave në fshatin Kosinë të Përmetit. Ka qenë ai i pari që ka bërë denoncimin në media për skandalin e marrjes së eshtrave të banorëve të fshatit, me pretendimin se ishin eshtra të ushtarëve grekë. 34-vjeçari, babai i dy fëmijëve, thotë se ndihet i lehtësuar që ka bërë denoncimin, por edhe i frikësuar për shkak të kërcënimeve që ka marrë. Në një intervistë për gazetën “Tirana Observer”, Ballabani tregon përse vendosi të denonconte hapjen e varreve. Çfarë i thanë në telefonatën kërcënuese dhe reagimi ndaj prononcimit të priftit se ka personalitet të dyfishtë.
Pse vendosët ta denonconi hapjen e varreve, mos vallë për hakmarrje ndaj priftit meqë iu largoi nga puna?
Unë vërtet e kundërshtova priftin, por grindja erdhi kur unë fillova të kuptoja atë që ndodhte. Fillimisht na thanë që eshtrat që ishin në vendin pranë kishës do t’i groposnin brenda oborrit të saj. Pastaj morëm vesh që kërkonin eshtrat e ushtarëve grekë. Unë e dija që këtu ishin varrezat e vjetra, se babai im ka të varrosur gjyshin e kushërinjtë e tij. I thashë se po zbulojmë varre fëmijësh e grash dhe At Themollari më tha “e di unë këtë punë”. Pastaj nisi grindja për një varëse të një gruaje që unë nuk e dorëzova, doja ta mbaja si provë që këtu kishte varre familjare dhe jo ushtarë. U largova nga puna dhe vendosa ta bëj publike të gjithë këtë që po ndodhte.
Ju kanë kërcënuar?
Po, që në momentin e parë që dola në televizor e thashë të vërtetën më kanë marrë në celularin tim dhe më kanë thënë, “pse e hape gojën, ta shikosh ç’do pësosh ti dhe gjithë familja jote”. Nuk është se u tremba për vete, por për fëmijët më shumë. Por nga ana tjetër mendoj se bëra mirë. Shumë vetë më kanë thënë bëre mirë që i denoncove, varret janë të shenjta dhe nuk duhet t’i prekë kush.
Prifti ka thënë që ti je person me personalitet të dyfishtë...
Më njohin mua njerëzit e njohin dhe atë, tani të thotë ç’të dojë. Mua nuk më ka shlyer të gjitha detyrimet, më ka edhe 40 mijë lekë borxh.
Nëna e varrmihësit: Altini bëri veprimin e duhur
Nëna e varrmihësit që bëri publike gjithë historinë e zhvarrosjes së eshtrave të banorëve të fshatit Kosinë, është e bindur që djali i saj bëri veprimin e duhur. Lefteri Ballabani kërkon që eshtrat të kthehen ku ishin dhe drejtësia të dënojë fajtorët. 66-vjeçarja thotë se kërcënimet që i janë bërë nuk e trembin aspak, se e drejta është në anën e tyre. “Unë jam nuse këtu, im shoq ka vëllanë në varreza, gjyshin e shumë të afërm të tjerë”, tregon Lefteria. Sipas asaj që ka dëgjuar, në kishë varroseshin njerëz deri nga viti 1934 e jo më vonë. “Ndërsa në oborrin e kishës ka qenë varrosur një gjeneral. Në vitet ’80 motra e tij erdhi me skica, e dinte vendin tamam, gërmuan dhe i morën eshtrat”, tregon 66-vjeçarja. “Varret e grekëve kanë qenë më poshtë, tek spitali i luftës, 1 km më poshtë nga kisha”, thotë ajo.
Varret
Ngjitur me kishën bizantine të Kosinës që thuhet se është nga më të vjetrat në Ballkan, e daton vitin 1200, në një copë të vogël toke, jo më shumë se 10 metër katrorë kanë qenë varret e vjetra të fshatit. Varreza e vjetër nuk ka asnjë mur rrethues, asnjë kryq, asnjë gur të dukshëm. Vendi sapo është mbuluar, pas gërmimeve që janë kryer për të nxjerrë eshtrat e të vdekurve. Deri në vitin 1934 varreza ka qenë funksionale, aty varroseshin të vdekurit e krishterë. Këtë fakt e dinë të gjithë banorët e zonës. Brenda oborrit të kishës në vitin 1940 është varrosur një gjeneral grek.
Eshtrat
Eshtrat e grumbulluara nga hapja e rreth 100 varreve janë çuar në kishën e fshatit Kutal, që është i vendosur 5 km larg Kosinës. Aty janë krijuar 69 skelete të plota që janë mbyllur në arka të vendosura brenda kishës. Sipas dëshmive të banorëve, para se eshtrat të futeshin në arka janë larë me verë, që ka shërbyer si dezinfektues në këtë rast. Kisha e Kutalit, një ndërtesë e re e ndërtuar gjatë këtyre viteve, në pjesën e poshtme të fshatit ka qenë nën vëzhgimin e forcave të policisë gjatë 24 orëve të fundit.
Opinione
Lena Ballabani, 45 vjeç
Kësaj gjëje që ka ndodhur këtu, nuk dimë si t’ia vëmë emrin. Ky është një turp i vërtetë. Unë kam të varrosur aty gjyshin, stërgjyshin, im atë ka vëllanë. Kërkojmë që eshtrat e të parëve tanë të na kthehen dhe të dënohen fajtorët. Askush nuk i prek eshtrat e të vdekurve, është mëkat. Ata që e kanë bërë nuk janë njerëz të zotit. Kjo punë dukej e dyshimtë që në fillim. Kjo sepse kur erdhën që morën eshtrat e ushtarëve të tjerë, kishin secili dokumente, kësaj radhe asgjë. Nuk e di në ka qenë e qëllimshme, siç thuhet, se iu duheshin për të shtuar apo plotësuar numrin e ushtarëve. Por ama dihej që kjo këtu ishte varrezë fshati.
Perparim Nikolla, 47 vjeç
Këtu duhet të ndërhyjë drejtësia. Të dënohen fajtorët që të mos ndodhin më skandale të tilla. Vetëm këtu vijnë e hapen varre si pa të keq në mes të ditës. Nëse e dinë me të vërtetë që ka eshtra të ushtarëve grekë, të vijnë të bien dokumente e t’i marrin si iu ka hije. Kanë bërë gjynah që u kanë lëvizur njerëzve eshtrat nga vendi. Shumë banorë nuk e kanë ditur ç’po ndodhte. Banorët u gënjyen se iu thanë që do rregullojmë kishën e do t’i heqim këtej. Kujt i shkonte në mend se do t’i merrnin për eshtra të ushtarëve grekë. Eshtrat merren në mënyrë të organizuar, si kështu tha një prift dhe hajt të gërmojmë. Po ku gërmohet se, a dihet?
Dilaver Aliu, 53 vjeç
Nuk di ç’të them. Edhe këtë s’e kishim dëgjuar, as të vdekurit s’i lënë rehat. Gjithë fshati e di që aty ishin varrezat e vjetra. Janë varrosur njerëz deri në vitin 1934. Nuk e di pse i lanë të gërmonin. S’e dinë këta që thonë se aty kishte varre të ushtarëve dhe se do bëhen analiza, shikohen medalione, merr e fut në qese kot. Po kush të lë ashtu se. Mirë banorët u gënjyen, po drejtuesit e fshatit e të komunës, nuk e dinin ç’po bëhej. Atyre nuk iu falet që i lanë të hapnin varret. Shteti duhet të reagojë patjetër, që të mos guxojë njeri të përsëritë këtë gjë në vende të tjera.
Pavllo Goga, 66 vjeç
Jam shumë i irrituar dhe i prekur. Si more venë dhe hapin varret e të parëve tanë. Unë kam patur njerëz në atë vend. Duhet që kryeplaku, kryepleqësia të ishin mbledhur dhe të diskutonin me ne këtë problem. Kjo për faktin e thjeshtë, se unë dhe shumë të tjerë në këtë fshat kemi të parët aty. Të na pyesnim ishim dakord, donim, a s’donim. Nga na dolën varret e grekëve aty. Ato kanë qenë më poshtë, rreth 1 km, ku ka qenë spitali në kohë të luftës italo-greke. Të dënohen ata që kanë prekur eshtrat e të parëve tanë. Është e turpshme për të gjithë fshatin kjo që ndodhi.
Në Kosinë të Përmetit, aty ku një muaj më parë u hapën 100 varre. Flasin banorët
Eshtrat false të ushtrisë së vdekur greke
Eshtrat, varret, mallkimet dhe figura e një prifti që prishi qetësinë e fshatit Kosinë. Mungon vetëm shiu dhe plaka Nicë. Nuk është një nga pjesët e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, por një realitet që ndesh në fshatin me 600 banorë të komunës së Piskovës. Kur një muaj më parë, Ikonom Vasil Themollari, Alqi Kasa si drejtues i ish-ushtarakëve minoritarë dhe 5 punëtorë varrmihës nisën gërmimet e para për nxjerrjen e eshtrave në varrezën pranë kishës së Shën Mërisë. Askush nuk e shkoi në mend rrjedhën që do merrnin ngjarjet.
Në fshatin e madh rreth 1 km larg rrugës nacionale Këlcyrë -Përmet nuk flitet për gjë tjetër, veçse si eshtrat e banorëve u adoptuan në ato të ushtarëve grekë. Këtu jetojnë në harmoni mes tyre myslimanë e të krishterë, gati-gati në numër të barabartë mes tyre. Përkatësinë në njëren apo tjetrën fe e kupton nga reagimi që kanë në lidhje me ngjarjen. Myslimanët preferojnë të mos përzihen në këtë çështje. Ngrenë supet dhe thonë se nuk dinë asgjë. Të krishterët jetojnë në lagjet më të vjetra, rreth kishës dhe flasin me indinjatë për këtë veprim.
Spiro Zhaka, kryeplaku i fshatit tregon si nisën gërmimet dhe pse puna shkoi deri këtu. “Në 20 a 22 prill erdhi At Themollari dhe më tha se ka dokumente e skica se këtu kishte ushtarë grekë, veç banorëve të fshatit. Do fillonin gërmimet për t’i nxjerrë që t’i çojnë tek manastiri i Këlcyrës”, thotë Spiroja. “Iu thashë që po të ishin në rregull le të punonin”, vijon ai.
Pjesa më e madhe mbrojnë një tjetër variant të ngjarjes. Kujtim Ballabani shprehet se, “At Themollari na tha se do t’i heqim varret këtej e do t’i çojmë në oborr të kishës. Kemi hapur dhe vendin për këtë, se do rregullojmë kishën e mos t’i shkelim me makinë”. Më vonë prifti solli qese i futi eshtrat brenda dhe ato u dërguan në kishën e fshatit Kutal nga është prifti. Pas zënkës me njërin nga varrmihësit, Altin Ballabani, e vërteta del në shesh. Eshtrat e të parëve të këtij fshati po merreshin si të ishin eshtra të ushtarëve grekë.
Historia
Ngjitur me kishën bizantine të Kosinës që thuhet se është nga më të vjetrat në Ballkan, e daton vitin 1200, në një copë të vogël toke, jo më shumë se 10 metër katrorë kanë qenë varret e vjetra të fshatit. Varreza e vjetër nuk ka asnjë mur rrethues, asnjë kryq, asnjë gur të dukshëm. Vendi sapo është mbuluar, pas gërmimeve që janë kryer për të nxjerrë eshtrat e të vdekurve. Në sipërfaqe të zë syri copëra eshtrash të shpërndara gjithandej. Banorët thonë se janë mbetjet e eshtrave të nxjerra ditë më parë. Ndërsa dallojnë fare qartë gjurmët e lëna nga rrotat e një makine që ka shkelur gjithë vendin. Deri në vitin 1934 varreza ka qenë funksionale, aty varroseshin të vdekurit e krishterë. Këtë fakt e dinë të gjithë banorët e zonës. Brenda oborrit të kishës, në vitin 1940 është varrosur një gjeneral grek. Rreth viteve ‘75-‘77, motra e tij erdhi dhe i mori eshtrat, ku vendin e gjeti në bazë të skicave dhe dokumenteve që solli me vete nga Ministria greke e Mbrojtjes.
Banorët thonë të sigurt se aty nuk ka ushtarë të vrarë grekë. “Varret e ushtarëve kanë qenë poshtë dhe janë marrë dy vjet më parë për t’u çuar në manastirin e Këlcyrës, këtu janë të parët tanë”, thotë Pavllo Goga. Sipas tij, ai është i sigurt për këtë pasi i ati ia ka treguar të saktë vendndodhjen e varreve të grekëve. Në varret e zbuluara varrmihësit tregojnë se në asnjë rast nuk janë gjetur medalione ushtarësh, por flokë të gjata, këpucë, varëse e zbukurime grash.
Meshë e çuditshme në Kutal
Eshtrat e grumbulluara nga hapja e rreth 100 varreve janë çuar në kishën e fshatit Kutal, që është i vendosur 5 km larg Kosinës. Aty janë krijuar 69 skelete të plota, që janë mbyllur në arka të vendosura brenda kishës. Sipas dëshmive të banorëve, para se eshtrat të futeshin në arka janë larë me verë, që ka shërbyer si dezinfektues në këtë rast. Kisha e Kutalit, një ndërtesë e re e ndërtuar gjatë këtyre viteve, në pjesën e poshtme të fshatit ka qenë nën vëzhgimin e forcave të policisë gjatë 24 orëve të fundit. Kur pritej që policia të hynte për të sekuestruar eshtrat, aty ia ka behur Ikonomat Vasil Themollari, Konsulli i Përgjithshëm i Greqisë në Gjirokastër, Kristo Mandelos dhe përfaqësues të Mitropolisë së Gjirokastrës. Arsyeja e vizitës së tyre të papritur në orën 16:30 minuta ka qenë mbajtja e një meshe bekuese për eshtrat që ndodheshin në kishë. Themollari dhe Mandelos kanë qëndruar përreth gjysmë ore në kishë dhe më pas janë larguar pa pranuar të flasin për mediat. Pasdite ka folur zëdhënësi i konsullatës, z. Vasil Kuço i cili ka deklaruar për median se konsulli Mandelos ka qenë për humanizëm në fshat. “Kisha ka ndjeshmëri historike për popullin grek”, ka deklaruar Kuço. Konsullata greke thotë se ka rënë dakord me autoritetet për eshtrat. Ndërkohë megjithëse policia ka kërkuar të bëjë një mbikëqyrje të kishës dhe skeleteve që ndodheshin aty, prifti sapo mbaroi mesha është larguar duke i vënë kyçin derës kryesore të kishës.
At’ Themollari: Asgjë s’është e vërtetë
Ndërsa kishin nisur hamendjet për arratisjen apo fshehjen e Ikonom Themollarit, ai shfaqet papritur në kishën e fshatit të tij. Mban një meshë për eshtrat e ushtarëve të mbledhur dhe largohet qetësisht, madje nuk e ka humbur sesnin e humorit. Banorët ortodoksë të zonës shprehen se mbajtja e një kishe ditën e hënë e për më tepër pasdite, është e çuditshme, nuk është e zakontë. Por askush nuk di të shpjegojë këtë veprim. As At’ Themollari nuk i jep përgjigje. Lidhur me akuzat që janë bërë në drejtim të tij, Themollari i përgjigjet se asgjë nuk është e vërtetë. Gazetarët kanë mbajtur qëndrim të njëanshëm dhe nuk kanë folur drejt. Sipas tij mbi të është ushtruar presion psikologjik nga policia dhe është dhunuar kisha ku mbahen eshtrat e mbledhura.
“Çështja është në fazën e verifikimeve”
Që prej ditës së premte, në Komisariatin e Policisë në Përmet është ngritur një grup hetimor për të zbardhur krejt ngjarjen. Shefi i Komisariatit Përmet, Petrit Halo, thotë se janë marrë deklarime të të gjithë personave që janë në dijeni të ngjarjes dhe po bashkëpunohet me policinë për të bërë verifikimet e më pas mënyrën si do veprohet. Sipas tij, “nuk kemi asnjë denoncim të banorëve për zhvarrime të eshtrave të të afërmve të tyre”, ndërsa ata janë në pritje të udhëzimeve dhe vendimeve që do jepen nga prokuroria. Ndërsa kryetari i komunës, Karafil Pasha, thotë se “kam bërë denoncim në prokurori në lidhje me zhvarrimet e bëra në fshatin Kosinë, është një vepër e turpshme dhe do kërkojmë nga policia që fajtorët do të dënohen. Duam t’i shkohet deri në fund problemit”, shprehet Pasha. Ndërsa thotë se gërmimet për hapjen e varreve janë bërë pa dijeninë e komunës së Piskovës.
Flamur Hoxha: Prokuroria të zbardhë ngjarjen
Deputeti i Përmetit, Flamur Hoxha, ka kërkuar në seancën e djeshme të Parlamentit që prokuroria dhe Ministria e Brendshme të zbardhin ngjarjen e trafikut të eshtrave në fshatin Kosinë. Hoxha ka akuzuar edhe strukturat e qeverisjes për “servilizëm ndaj shtetit grek dhe paaftësi në kryerjen e detyrave”. Sipas tij ngjarja e pashembullt duhet të ishte parandaluar dhe organet kompetente duhet të kishin marrë masat. Gjithashtu, deputeti socialist i Përmetit vuri theksin në shkeljen e të gjitha ligjeve shqiptare nga ana e personave që kanë ndërmarrë zhvarrosjen e eshtrave. “Minimalisht personat që kanë kryer një veprim të tillë duhet të merrnin leje pranë organeve të pushtetit vendor, dhe qeveria duhet të kishe bërë më parë një marrëveshje me shtetin grek”, tha ai.
Brokaj: Vendi nuk ka sovranitet
Edhe më alarmante e ka cilësuar këtë ngjarjen e Përmetit kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Sabit Brokaj. Gjatë seancës së djeshme në Parlament, Brokaj u shpreh se një akt i tillë i trafikut të eshtrave tregon se vendi nuk ka sovranitet. “Është jashtë çdo koncepti njerëzor zhvarrimi i eshtrave të grave dhe fëmijëve të fshatit Kosinë, dhe etiketimi i tyre si eshtra të ushtarakëve grekë që janë vrarë në vitet ’40 gjatë luftimeve italo-greke”, tha Brokaj. Ndërkohë Brokaj ka kërkuar që organet e drejtësisë duhet të ishin vënë në lëvizje për këtë çështje. Sipas tij janë shkelur ligjet e shtetit shqiptar dhe ato ndërkombëtare. Edhe deputeti i Partisë Demokratike, Baki Shehu, kërkoi nga qeveria dhe prokuroria të merren me hetimin e ngjarjes.
Tirana-Observer.
Krijoni Kontakt