OIKUMENE – Këshilli Ekumenik i Kishave
World Council of Churches dhe Taizè
nga Don Albert Jakaj, Prishtinë

EKUMENIZËM – kjo fjalë, që vjen nga greqishtja, është bërë sot një term shumë i përdorur që ka si kuptim përpjekjet e vazhdueshme për të afruar kishat e krishtera me njëra-tjetrën, me qëllimin e unitetit të Kishës së Krishtit dhe bashkimin e të gjithë të krishterëve në botë. Numri i madh i kishave të krishtera që u formuan gjatë dhjetëra shekujve, në Lindje dhe Perëndim, i nxiti besimtarët në kërkim të unitetit të humbur pas Luftës së Dytë Botërore, më 1948, u krijua në Amsterdam, Këshilli Ekumenik i Kishave (KEK) – World Council of Churches (WCC). Në të, sot bëjnë pjesë mbi 300 kisha të Lindjes dhe Perëndimit. Në formulën bazë të këtij Këshilli shkruhet: ‘Këshilli Ekumenik është një bashkësi kishash, të cilat sipas Shkrimit Shenjt e pranojnë Jezu Krishtin si Zot e Shëlbues dhe e quajnë vokacionin e tyre si një detyrim të përbashkët për nder të Zotit, të Birit dhe të Shpirtit Shenjt. Kjo formulë bazë u përfundua me 1961 në New Delhi. Kisha Katolike Romake nuk është anëtare e këtij Këshilli. Por, që në kohën e Koncilit II të Vatikanit (1962-1965) ajo merr pjesë në mënyrë active në lëvizjet e ndryshme ekumenike. Arritja e bashkimit të të gjithë të krishterëve, ishte një nga detyrat themelore të Koncilit II të shenjtë Ekumenik të Vatikanit. Sepse Jezu Krishti, Zoti ynë ka themeluar një kishë të vetme’. (Dekreti mbi Ekumenizmin).
1964 – dy njerëz përgatitën për rrugë.
Që në kohën e përjashtimit reciprok të delegacionit të Papës dhe Patriarkut, në vitin 1054, e sidomos që me faktin tragjik të kryqëzatave në shekullin XII, u duk se ndarja ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes do të ishte e pakapërcyeshme. Megjithatë pas 900 vitesh, në qytetin e shenjtë të Jerusalemit, ku dhe u themelua Kisha e parë e krishterë, në vitin 1964, kemi zhvillimin e një takimi në mes Papës Pali VI dhe Patriarkut Atenagora. Në këtë takim u shpreh keqardhja mbi gjithë atë që kishte ndodhur gjatë shekujve. Në vitin që pasoi, më 07 dhjetor 1965 u përcaktua pavlefshmëria e përjashtimit reciprok të dy kishave, si pika më e lartë e Koncilit II. Në festimet e dhjetëvjetorit të Koncilit kemi një nga shembujt më të shkelqyer të rrugës së pajtimit. Gjatë festimeve në Romë, Papa Pali VI ra në gjunjë para përfaqësuesit të delegacionit ortodoks (e kështu para gjithë ortodoksisë, që vuante nën komunizëm). Metropoliti i Kalcedonit me këtë rast u shpreh: ‘Më këtë iu tregua botës dhe Kishës se si është, e si duhet të jetë një Ipeshkvi i parë i Krishterimit: një forcë Pajtimi dhe Bashkimi’.
Megjithë përpjekjet e vazhdueshme, ende sot nuk është arrit një Pajtim dhe njohje e plote reciproke.
Çfarë kanë të përbashkët kishat e krishtera?
# Shkrimin Shenjt – Lajmi i gëzueshëm dhe shëlbimi i njerëzve prej Jezu Krishtit.
# Pagëzimi në emrin e Jezu Krishtit: ‘Sepse të gjithë ju që jeni pagëzuar në Krishtin, e keni marrë Krishtin në zemër’ – ‘Sepse ju të gjithë jeni NJË në Krishtin’ (Gal. 3. 27).
# Formula e Besimit – ‘Besoj’ e formuluar më 325 në Koncilin e Nikeas, ka mbetur e pandryshueshme për të gjitha kishat dhe njihet sot si shenjë lidhjeje dhe element themelor bashkimi.
# Lutja për Mbretërinë e Zotit: në ‘Ati Ynë’ lusin të gjithë të krishterët e të gjitha kishave të botës ‘ardhtë Mbretëria jote’ – shenjë kjo e bashkimit në Jezu Krishtin, Zotin tonë.
Krijoni Kontakt