Kryeministri, Tony Blair, është vënë nën presion për të dhënë një datë të caktuar se kur ka ndërmend të largohet nga detyra.
Presioni erdhi pas rezultateve të dobta të laburistëve në zgjedhjet lokale të javës së kaluar. Por mbështetësit e zotit Blair i kanë akuzuar disa anëtarë të qeverisë së tij, se janë duke komplotuar për të detyruar largimin e kryeministrit.
Zoti Blair ka degjuar edhe më parë thirrje për dorëheqje.Disa anëtarë të partisë Laburiste në pushtet gjithnjë e kanë patur të vështirë ta pranojnë atë si udhëheqës. Por numri i kritikëve të besueshëm ka filluar të rritet, në kohën që popullariteti i kryeministrit ka filluar të bjerë në mesin e elektoratit.
Pas paraqitjes së dobët të laburistëve në zgjedhjet lokale, disa kritikë të tjerë të panjohur më parë iu bashkuan grupit të zakonshëm.Kundërshtarët thonë se janë duke mbledhur firma për një kërkesë ndaj kryeministrit që të vendosë deri në verë një program të qartë për dorëzimin e pushtetit.Ministrat besnikë ndaj zotit Blair i akuzojnë kritikët se janë duke luajtur një lojë të rrezikshme dhe po përgatisin një grusht ndaj kryeministrit.
Zoti Blair e ka bërë të qartë programin për largimin e tij. Ai ka thënë se nuk do të luftojë për një mandat tjetër në zgjedhjet e përgjithshme.Por kritikët e tij duan që ai të largohet më shpejt. Prapa përpjekjes për pushtet është ministri i Financave Gordon Brown, i cili ka bërë thirrje për një tranzicion të qëndrueshëm dhe pa probleme. Zoti Brown dëshiron detyrën e kryeministrit dhe ndoshta është i mërzitur me pritjen, por nga ana tjetër ai nuk dëshiron që të asociohet me kritikë. Të qënit i pabesë do ta ndante partinë dhe zoti Brown e di mirë se pa unitet e ka të vështirë të fitojë zgjedhjet
Krijoni Kontakt