Halloween, edhe në Kosovë
Nga Express më 31 tetor 2010 në ora 18:56
Me rastin e Halloween ose “Natës së shtrigave”, shumë fëmijë të veshur me rroba dhe maska të ndryshme janë mbledhur në sheshin “Nënë Tereza”, për të shënuar këtë festë, e cila ka origjinën nga keltët në Irlandë dhe Britani të Madhe.
Fëmijë të shumtë, të veshur me kostume dhe maska të ndryshme, kanë shënuar të dielën mbrëma në Prishtinë festën Halloween, të njohur ndryshe si “Nata e Shtrigave”.
Muhamet Xhaferi është njëri nga shumë fëmijët që ka veshur kostume për të kremtuar këtë festë në qendër të qytetit. Ai thotë se edhe herave ka marrë pjesë në këtë festë.
“E kam pa shtrigën te banesat e mia dhe tash kam dal ta festoj “Natën e shtrigave””, ka thënë ai.
Halloween daton që nga keltët pagan dhe tradicionalisht festohet në natën e 31 tetorit, e cila bazohet në rituale. Ajo simbolizon fillimin e vitit të ri druid, që konsideron se të vdekurit sërish vizitojnë shtëpitë e tyre në këtë kohë.
Historikisht, Halloween i paraprin festës fetare krishtere të shenjtërimit, ditës së të gjithë të shenjtëve. Ritet e lidhura me Halloween burojnë nga druidët e lashtë, të cilët besonin se në atë ditë Samani, mbreti i të vdekurve i ka nxjerr jashtë ushtritë e shpirtrave zemërlig.
Druidët tradicionalisht ndiznin zjarre të mëdha me sa duket për të shmangur këta shpirtra. Tek keltët e lashtë, Halloween ishte nata e fundit e vitit dhe ishte konsideruar si kohë e volitshme për të provuar shenjat e ardhmërisë. /kosovapress/
Krijoni Kontakt