Gjykata morri masën ekstreme për ekzekutuesin e Gramoz Palushit
Burg përjetë grekut që vrau tifozin shqiptar
Procesi u zhvillua në masa të larta sigurie
SELANIK
Gjykata e Patrës dënoi me burg të përjetshëm 22-vjeçarin Panajotis Kladhis, i cili më 4 shtator të vitit 2004 ekzekutoi me thikë emigrantin shqiptar Gramoz Palushi si dhe plagosi tri shokë të viktimës, që festonin fitorën e kombëtares shqiptare ndaj asaj greke. Ndërsa bashkëpunëtorin e tij, Dionisis Kefalinos, gjykata e dënoi me 10 muaj burg, që u konvertua me burgim në arrest shtëpie për një periudhë tri-vjeçare, nën akuzën e “armbëajtjes pa leje”. Ai u la i lirë, pasi nuk u gjend asnjë provë për të vërtetuar pjesëmarrjen e tij në vrasjen e të riut shqiptar.
GJYQI
Nën masa të rrepta sigurie Gjykata e Patrës që prej ditës së premte të javës së shkuar u rrethua me forca speciale, për të shmangur ndonjë incident të mundshëm gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore ndaj Kladhis. Pas dhjetë seancave, gjykata greke e Patrës ka shqiptuar dënimin final për ekzekutorin e 20-vjeçarit shqiptar Palushi dhe tri emigrantëve të tjerë. Gjyqtari Aristotelis Hristopulos në orët e vona të së hënës e ka shpallur grekoamerikanin Kladhis fajtor. Gjatë procesit gjyqësor, Kladhis ka deklaruar se mbrëmjen e 4 shtatorit të vitit 2004 ka qenë i pirë, kur është sulmuar nga një grup shqiptarësh me motorrçikleta. “As vet nuk e di sesi kam reaguar duke qëlluar me thikë mbi personat që më sulmuan. Kur më kanë thënë në mëngjes se kam kryer një vrasje mu ka dukur e pabesueshme. Më vjen shumë keq për atë që kam bërë, dhe sikur të kisha patur mundësi ta ktheja kohën pas, nuk do ta kisha përsëritur një gjë të tillë”, është shprehur i penduar Kladhis në gjyq. Por kjo deklaratë shfajsuese nuk ka ndikuar aspak në lehtësimin e dënimit ndaj tij. Pas marrjes së dënimit Kladhis u dërgua në burgun e Koridhalose në Athinë, ku sipas informacioneve paraprake është vendosur në një qeli të veçantë. Ndërkohë, është vënë re se familjarët e viktimës dhe të afërmit e tri të plagosurve të tjerë shqiptar nuk janë paraqitur në gjyq. Duke analizuar këtë fakt, mediat greke deklaruan se familjarët e Kladhis kishin dhënë rryshfet për katër familjet shqiptare. Ndërsa në sallë zhvillohej gjyqi, në oborrin e gjykatës studentë dhe anëtarë të Organizatës Kundër Shtetit, shpërndanin fletushka me përmbajtje kundër racizmit dhe krimit të kryer në ishullin e Zakinthos dy vjet më parë.
Krijoni Kontakt