“Autostrada e re,na afron më Shkupin”
Në ceremoninë e organizuar mori pjesë si i ftuar nderi edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Të pranishëm ishin kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, zv.kryeministri Musa Xhaferri, njëkohësisht kryetar i Këshillit Organizativ për kremtimet e 100-vjetorit, anëtarë të kabinetit qeveritar e qytetarë të shumtë. Pas vendosjes së gur-themelit, të pranishmit vendosën kurora me lule pranë monumentit të Skënderbeut. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, tha se emri i Skënderbeut, statuja e Skënderbeut, i bën nder çdo qyteti europian. Sipas Bashës, “Skënderbeu është simbol i bashkimit, i lirisë, i vëllazërisë, i atdhedashurisë, por është po kështu një simbol i fuqishëm i europianizmit të kombit shqiptar, i europianizmit për të cilin ky prijës u shpall ‘atlet i Europës’ shumë më herët se sa ajo të konceptualizohej si një entitet politik, drejt të cilit jemi të orientuar të gjithë ne shqiptarët, pavarësisht se ku jetojmë”, tha Basha. Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, u shpreh se Flamuri dhe Skënderbeu janë dy emblema që kanë mbajtur gjallë shpirtin e shqiptarëve për 544 vjet. “Sot është një moment i veçantë, një ditë e veçantë, 544-vjetori i vdekjes së prijësit shqiptar Gjergj Kastriot Skënderbeu, është 30-vjetori i Flakës së Janarit dhe 30-vjetori i Lëvizjes Popullore të Kosovës, e me këtë rast, në këtë ditë të veçantë, fillon punimet sheshi ‘Skënderbej’, nën kujdesin e kryetarit të Çairit dhe me investime të qeverisë së Republikës së Maqedonisë”, tha Ahmeti. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, gjatë qëndrimit në Shkup u takua me zv.kryeministrin Musa Xhaferri, përgjegjës për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, njëkohësisht kryetar i Këshillit Organizativ për kremtimet e 100-vjetorit. Me nisjen e punimeve për sheshin “Skënderbej” nisën kremtimet edhe për 100 – vjetorin e pavarësisë. Basha dhe Xhaferri ishin në një mendje për forcimin e rolit të pushtetit vendor në këtë 100-vjetor të pavarësisë. Më tej Basha u prit në një takim të veçantë edhe nga kryetari i qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski. Të dy homologët ranë dakord për të vendosur një bashkëpunim mes Shkupit e Tiranës si dhe për të intensifikuar bashkëpunimin mes dy administratave. “Bashkëpunimi do të lehtësohet nga ndërtimi i autostradës Tiranë-Elbasan, e cila do të shkurtojë distancën mes Shkupit dhe Tiranës”. Nga ana e tij, kreu i Bashkisë së Shkupit, Trajanovski, tha se duhet vënë në eficiencë Protokolli i Bashkëpunimit, i nënshkruar në vitin 2000. Ky protokoll është nënshkruar nga ish-kryetari i Bashkisë, Albert Brojka dhe që prej atëherë nuk ka pasur asnjë marrëdhënie mes bashkive.
panorama
Krijoni Kontakt