15 vjet pas ikjes së refugjatëve të parë shqiptarë në Greqi, vijnë në një ekspozitë në Tiranë imazhet e rralla, të memorizuara nga një ish-refugjat shqiptar, sot fotoreporter
Kur u bëmë refugjatë në Greqi
Belina Budini
TIRANË
Çanta refugjatësh, bluxhinse, manjetofonë me bokse me drita, atlete... Detaje të mbledhura në kampet e refugjatëve të parë shqiptarë që sapo kishin kaluar matanë, në Greqi. Pas portës që hapej dhe mbyllej, me intervale të gjata dhe të ngadalta, ende pantallona doku, këmisha fanellate, çizme llastiku.... Detaje të veshjeve të atyre për të cilat porta e kalimit në Greqi nuk ishte hapur ende. Si për të na i kujtuar, një ekspozitë e financuar nga Ambasada Greke në Shqipëri, i risjell kontrastet pas 15 vjetësh, nëpërmjet gjetjes së fotografive të rralla që ka “marrë” rastësisht nga kalimi i shqiptarëve në Greqi në vitin 1991, pikërisht një refugjat shqiptar, tanimë fotoreporter për media në Greqi dhe në Shqipëri.
Ai nuk e kishte menduar se do të bëhej “memorie” gati-gati ekskluzive e një ngjarjeje që e përfshinte edhe vetë. Fotografitë që ai “përjetësoi” gjatë kalimit të refugjatëve të parë shqiptarë në Greqi janë ndër dëshmitë e rralla vizive të atij kalvari të cilin të shumtë qenë ata që e përjetuan, por që është fotografuar shumë pak, për të mos thënë fare.
Të paktën nga sy shqiptarë, ndërsa mediet e huaja nuk kanë munguar të “marrin” imazhet e para të shqiptarëve që dilnin nga “burgu” komunist për në anën tjetër të kufirit, në Greqi apo në Itali. Në fakt, imazhet e ikjes së parë të shqiptarëve në Itali janë më të njohura. Ato të kalimit në Greqi i ka sjellë, për herë të parë, dje në një ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve një emigrant shqiptar në Greqi.
Ishte vetëm 21 vjeç dhe i kanë mjaftuar 24 orë për të memorizuar gjithçka me një aparat të thjeshtë manual të markës “Practica”. Nuk i ka shkuar mendja të dalë vetë fotografi, ndërsa gjithçka që shihte përreth i dukej fotografi e gatshme.
“Mjaftonte të shkrepja aparatin. Kishte portrete, skena, ngjarje...”, - tregon Dritan Haxhia. Atëherë nuk është se dinte aq shumë për fotogazetarinë, por diçka kishte mësuar nga fotografi i qytetit të Fushë- Arrëzit, ku ishte rritur, ndërsa sapo kishte ndërprerë edhe studimet për operator filmi dhe regjisurë në Tiranë. Pastaj, siç kujton, vetë pati rastin të shihte se si fotografonin ata dhjetëra fotoreporterë të huaj që tregonin mjaft interes ndaj asaj ngjarjeje që duket se ishte e madhe dhe e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë.
Aventura e Dritan Haxhisë ngjan me atë të shumë shqiptarëve të tjerë në fillim, por tanimë ka marrë një kthesë më të mirë sesa për një pjesë. “Meqenëse të gjithë shokët e mi po iknin, kështu bëra edhe unë. Mbaj mend që shkuam me një fugon deri në Gjirokastër dhe aty gjeta më shumë se 500 emigrantë të tjerë në pritje për të kaluar pikën kufitare të Kakavijës. Prisnim përpara një porte që hapej dhe mbyllej. Nuk më ra të prisja gjatë.
Pas 24 orësh të kaluara në një çadër të ndërtuar nga ushtria, kohë gjatë së cilës realizova edhe fotografitë, na nisën për në Greqi, ku fillova punën për dy vjet në ndërtim, pastaj kamerier, më vonë gazetar dhe fotograf për media shqiptare në Greqi dhe si korrespodent i Greqisë në Shqipëri”, - rrëfen Dritani.
Pas kaq vjetësh në Greqi, Dritani ka mbledhur dëshmi të tjera shqiptarësh atje, por duket se ato të vitit 1991 kanë filluar të marrin aromën e “verës së mirë”. Në fakt, i është dashur t’i punojë disa syresh, pasi filmat ishin dëmtuar nga lagështia, ndërkohë që disa prej tyre i ka ekspozuar edhe në veprimtari ndërkombëtare të fotografisë, edhe pse thotë se nuk është një profesionist i fotografisë, por ende një amator i saj dhe se foton e ka më tepër pasion sesa profesion, pasi nuk jeton me të. Ishte pikërisht ai çast pasioni fatlum që e ndihu Dritanin ta ruante një ngjarje të rëndësishme dhe jo vetëm për vete, në 10 pelikula bardhezi.
Ekspozita
Shqiptarët e para 15 viteve
Tani imazhet e shqiptarëve në Greqi mund të ishin të ndryshme. Të sillnin edhe nxënës të shkëlqyer shqiptarë në shkollat greke, këngëtarë të suksesshëm shqiptarë në spektaklet greke, ashtu si edhe mjaft profesionistë, të tjerë e shqiptarë, që kanë arritur të jenë të suksesshëm në Greqi. Por ndoshta kjo do të jetë tema e një ekspozite tjetër. Kësaj radhe ekspozita “Kalimi për në Greqi”, e fotoreporterit Dritan Haxhia, e financuar nga Ambasada Greke, solli dëshmi të rralla fotografike të vitit 1991, që kujtojnë largimin e shqiptarëve për në Greqi. I pyetur se përse ka zgjedhur të sjellë pikërisht këto momente dhe jo ato që tregojnë ndryshimin që ka ndodhur me shqiptarët në Greqi, Dritan Haxhia shprehet se “ky ishte objekti i kësaj ekspozite. Për ato ndoshta do të ketë një ekspozitë tjetër”.
Një kalim bardhezi për në Greqi
Filmi bardhezi (i Dritan Haxhisë) na jep nuancat e pafundme shpirtërore, ngarkesën, por edhe relaksimin pas furtunës. Kështu, siç po vazhdon edhe jeta, me furtunat dhe bunacat e saj...”
Pantelis Carcabassis
Ambasador i Greqisë në Shqipëri
Çfarë duan të kujtojnë këto foto?
Disa fotografi të kësaj ekspozite të kujtojnë “holokaustin”. Nga ana tjetër, ato imazhet shumë të forta me pjatat në duar në radhë për të marrë ushqimin në anën tjetër të kufirit në Greqi, sikur “të kujtojnë bukën e dhënë”. Në fakt, nuk e di se kujt i intereson kjo...
Krijoni Kontakt