Close
Faqja 12 prej 12 FillimFillim ... 2101112
Duke shfaqur rezultatin 111 deri 119 prej 119
  1. #111
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2004
    Postime
    6,063
    Politika e kështjellëzimit

    Shkrimtari Ismail Kadare jo vetëm se kundërshton, dënon, zhvlerëson, duke e quajtur, madje, njollë në historinë e Shqipërisë, pohimin tim se “fati ynë historik është i paracaktuar për të sendërtuar zbutjen e kundërshtimeve mes Lindjes e Perëndimit”, por njëkohësisht merr në thumb të gacatores së tij edhe atë pjesë të politikanëve shqiptarë, që bëjnë politikën e bashkëpunimit politik, diplomatik, ekonomik dhe, pse jo, kulturor të Shqipërisë me të gjitha vendet pa dallim race, kombësie, feje, ideologjie. Shihet qartë: Ismail Kadare e ngre zërin, zëshëm, vendosmërisht, kundër çdo kontakti të Shqipërisë me vendet e Lindjes së Afërme e të Lindjes së Mesme, domethënë me vendet islamike, duke përfshirë këtu, madje, edhe ish-republikat aziatike sovjetike, si vende me popullsi kryesisht myslimane. A është e mundshme? Dhe, përpos vendeve myslimane, Ismail Kadare e ngre zërin edhe kundër çdo bashkëpunimi të Shqipërisë me Kinën e cila për të vazhdon të jetë maoiste, si në kohën kur e ka shkruar romanin Dasma – jehonën e revolucionit kulturor kinez në letërsinë shqipe! Siç e këshillonte dikur Shqipërinë komuniste që të mbahej larg, sa më larg, prej imperializmit perëndimor dhe sa më larg prej revizionizmit sovjetik, Ismail Kadare e këshillon tani Shqipërinë demokratike që të mbahet larg, sa më larg, prej vendeve islamike! A ka nevojë fare të shpjegohen burimet dhe frymëzimet e kësaj myslimanofobie në të vërtetë të këtij kështjellëzimi të ri në mënyrë të koniunkturshme të Ismail Kadaresë? Jo.
    Por ka nevojë të thuhen edhe disa fjalë për zhvlerësimin politik dhe historik që i bën ai mendimit tim mbi fatin e paracaktuar historik të Shqipërisë për zbutjen e kundërshtimeve midis Lindjes dhe Perëndimit.
    Për fatin e popujve të tyre, dhe për fatin e kulturave e të qytetërimeve të tyre është i madh numri i intelektualëve në Perëndim dhe në Lindje të cilët as në kohën e Luftës së Ftohtë nuk janë pajtuar me kështjellëzimin e popujve e të shteteve të tyre, të cilët kanë predikuar dhe të cilët predikojnë lidhjet, bashkëpunimet, bashkëmarrëveshjet midis Perëndimit dhe Lindjes, midis qytetërimit të krishterë dhe qytetërimit mysliman. Dhe, fatmirësisht, numri i tyre tani është në rritje si pas Luftës së Dytë Botërore. Janë këta intelektualë të cilët jo vetëm se nuk e kundërshtonin dhe nuk e kundërshtojnë, dhe jo vetëm se e predikonin dhe e predikojnë, por e quanin dhe e quajnë të fisëm misionin historik të vendit të tyre për zbutjen e kundërshtimeve midis Lindjes dhe Perëndimit. Dhe, për më tepër, këtë fat të rëndë, të vendit të tyre e quanin dhe e quajnë të shenjtë.
    Po e citoj njërin prej tyre: po e citoj shkrimtarin grek, Nikos Kazanxhakis, i cili në romanin e tij të lavdishëm, një kryevepër e letërsisë botërore, Letër El Grekos, përkthyer shqip nga Miço Gubera e të botuar nga Shtëpia botuese Eugen, në vitin 2001, përpos të tjerash, shkruan: “Pozicioni i Greqisë është me të vërtetë tragjik; përgjegjësia e Greqisë së sotme është dërrmuese; ajo ngarkon mbi supet tona një detyrë të rrezikshme, të vështirë për t’u plotësuar.Forca të reja ngrihen nga Lindja, po ashtu forca të reja ngrihen nga Perëndimi dhe Greqia qëndron gjithmonë midis këtyre dy shtysave që përplasen e bëhet edhe më shumë vendi i vorbullave. Perëndimi ndjek traditën e logjikës e të kërkimit, turret për të pushtuar botën; Lindja, shtyrë nga forca të tmerrshme të subkoshiencës, përpiqet edhe ajo të pushtojë botë. Greqia, ndërmjet tyre, kryqëzimi gjeografik e shpirtëror i botës, ka detyrë sërishmi t’i pajtojë këta dy sulmues të mëdhenj, duke arritur sintezën e tyre. A do të mundet?
    Fat i shenjtë, tmerrësisht i hidhur.”
    Bëni krahasim!
    Sa i thjeshtë është mendimi im për fatin e paracaktuar historik të Shqipërisë për të zbutur kundërshtitë midis Lindjes dhe Perëndimit në krahasim me mendimin e autorit grek, i cili nuk ishte njeri pa paragjykime politike dhe ideologjike, por, megjithatë, ishte humanist i vetëdijshëm për misionin që historia ia kishte caktuar vendit të tij: jo vetëm për të zbutur, si them unë për Shqipërinë, kundërshtimet mes Lindjes e Perëndimit, po për të bërë sintezën e tyre.
    Bëni krahasim! Sa kundërhistorik e sa shkurtpamës është mendimi i Ismail Kadaresë, gabimisht i pandehur si i koniunkturshëm sot, me të cilin ia mohon Shqipërisë, me mbi dy të tretat e popullsisë-myslimane, misionin që ia kanë paracaktuar historia dhe gjeografia, për të luajtur rol, vërtet, ndërmjetësues,për të qenë jo “sanduiç”, po subjekt historik, qytetërues, moral në zbutjen e kundërshtimeve mes Lindjes e Perëndimit sot! Sa përjashtues dhe moralisht i mjerë është mendimi i Ismail Kadaresë në krahasim me mendimin e gjeniut grek, Nikos Kazanxhakis, i cili Greqinë, me fare, fare pak popullsi myslimane dhe jo greke, e sheh si ndërmjetësuese, madje si vend pajtimi, ku do të arrijnë sintezën e tyre Lindja e Perëndimi, i cili Greqinë e sheh çka ajo ishte e do të jetë: kryqëzimi gjeografik e shpirtëror i dy botëve.
    E kush e sheh njëmendësinë shqiptare të tillë çfarë është, kush e sheh njëmendësinë shqiptare pa paragjykime fetare e politike, kush e sheh njëmendësinë shqiptare pa e shpërnjohur për shkak të leverdive të veta të çastshme, do të thotë: më parë se Greqia – me fare pak popullsi myslimane dhe jogreke, është Shqipëria (me Kosovën dhe Maqedoninë Perëndimore) – me mbi dy të tretat popullsi të besimit mysliman, është, pra, Shqipëria ai kryqëzimi gjeografik dhe shpirtëror i dy botëve, i Lindjes dhe i Perëndimit, që ka misionin historikisht të paracaktuar për zbutjen e kundërshtive të tyre.
    E kuptueshme.Tokat shqiptare janë ato në të cilat, më dukshëm e më krijueshëm se kudo në Ballkan apo në botë, ka ngjarë takimi i Lindjes dhe i Perëndimit, është arritur bashkimi midis qytetërimit të krishterë dhe qytetërimit mysliman. Kultura dhe qytetërimi shqiptar, ashtu si i ka trashëguar brezi ynë – brezi që i afrohet fundit të jetës, është dëshmia e kësaj. Dhe, bashkëjetesa shumëshekullore e harmonishme fetare në tokat shqiptare është dëshmia e mrekullueshme e kësaj.
    Dhe, ky mision i paracaktuar i Shqipërisë nuk e nxjerr Shqipërinë sot as gjeografikisht, as shpirtërisht, as politikisht prej Evropës. Përkundrazi, pikërisht për shkak të këtij misioni, do të duhej ta bënte më të dëshiruar për Bashkimin Evropian.
    Mos mendojmë ne se Evropa dhe Amerika do të na çmojnë, vërtet, pse prodhojmë këso mendimesh përjashtuese, si të Ismail Kadaresë, që na kthejnë në kohën e Luftës së Ftohtë? Mos mendojmë ne se Amerika dhe Evropa do të na çmojnë, vërtet, më shumë pse ministrin spanjoll të Punëve të Jashtme e presim gojëkyçur vetëm pse kishte ardhur në Tiranë për të frymëzuar pikërisht rolin zbutës të Shqipërisë, me një pjesë të madhe të popullsisë së besimit mysliman, në marrëdhëniet e sotme midis Lindjes myslimane dhe Perëndimit të krishterë? Mos mendojmë ne se Amerika dhe Evropa duan të na konvertojnë në të krishterë për të na përdorur në “luftën” fetare midis qytetërimit të krishterë dhe qytetërimit islamik? Jo. Kjo nuk është ardhmëria jonë. Dhe, kjo nuk është ardhmëria e qytetërimeve. Dhe, kjo nuk është politika e Perëndimit. Kjo nuk duhet të jetë dhe historikisht nuk do të mund të jetë politika e Shqipërisë. Kjo mund të jetë vetëm rrëshqitje politike dhe intelektuale e Ismail Kadaresë.


    vazhdon.......

  2. #112
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2004
    Postime
    6,063
    Identiteti i nënçmuar

    Prej hidhërimit mospajtues me të cilin reagon ndaj pohimit tim se në identitetin shqiptar janë të përmbajtur përbërës të krishterë dhe përbërës myslimanë, se identiteti kombëtar shqiptar në të vërtetë është një përgjithësi, një e përbashkët, një e tërë e gjerë, e identitetit fetar të krishterë dhe e identitetit fetar mysliman, në të cilët janë bashkuar edhe përbërës historikë, kulturorë, zakonorë, moralë e të tjerë edhe më të përparshëm; prej përzgjedhjes së njëanshme të disa të dhënave apo trillimit të disa të tjerave; prej analizës dhe shpjegimit të njëanshëm të tyre, kur e kur të cekët e të njëanshëm deri në naivitet dhe, më në fund, prej disa përgjithësimeve që bën, del qartë se Ismail Kadare mohon të vërtetën dhe të drejtën për identitetin shqiptar i tillë çfarë është dhe madhëron një identitet evropian shqiptar sot të mbajtur prej tij në shemërim të supozuar me identitetin mysliman të Lindjes. Qëndrimi shpërfillës ndaj identitetit mysliman në identitetin e gjithësishëm shqiptar nuk ka se si të përjetohet ndryshe përpos si fyerje prej shqiptarëve myslimanë që si përbërës të identitetit të vet kombëtar e çmojnë edhe fenë myslimane me të gjitha të veçantat e saj shpirtërore, morale dhe qytetëruese. Mund të thuhet kështu sepse në gjykimet e tij janë shpërfillur: adetet që shoqërojnë ceremonitë e lindjes, të martesës dhe të varrimit; mënyra të jetës në shtëpi dhe në shoqëri; ceremonitë fetare në ndërtesat dhe në vendet e kultit; veshjet me të cilat shumë gra myslimane vishen në shtëpitë e tyre apo edhe dalin në qytete; muzika popullore me veçori të muzikës orientale; vallet popullore me veçori të valleve orientale; kuzhina popullore me veçori të kuzhinës orientale; arti popullor në të cilin janë të përmbajtura motive dhe veçori të tjera të artit popullor turk dhe arab; krijimtaria letrare, fetare, iluministe, pedagogjike, morale, dokumentare e shkruar me alfabetin arab; monumentet fetare kulturore siç janë xhamitë, teqetë dhe tyrbet, numri i të cilave, posaçërisht i xhamive, është i madh në Shqipëri, në Kosovë dhe në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarë në Ballkan; urat dhe kështjellat e ngritura në kohën e Perandorisë Otomane vlera kulturore historike e të cilave është e madhe; objektet e arkitekturës bashkëkohore, në të cilat shihen përbërës të arkitekturës tradicionale orientale; qytetet e njohura shqiptare si Shkodra, Berati, Vlora, Prizreni, Gjakova, Peja, Gjirokastra e të tjera, në të cilat arkitektura evropiane paraqitet vonë, kryesisht, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në kohën e komunizmit.
    Në turrin e tij shpërfillës të përbërësve myslimanë në të vërtetë të identitetit mysliman në identitetin e gjithësishëm shqiptar, Ismail Kadare ka shkuar aq larg sa ka shpërfillur edhe emrat e mbiemrat e disa milionë shqiptarëve e kjo do të thotë se ka shpërfillur qytetërimin që i ka krijuar ata!
    Dhe, jo vetëm kaq. Në këtë turr shpërfillës Ismail Kadare ka shkuar edhe më larg: ka shpërfillur edhe emrin e vet, Ismail, sigurisht duke mos dashur ta pranojë se edhe emri i tij e nënkupton një qytetërim – se është shprehja e tij dhe një identitet – se është dëshmia e tij.
    Domethënë: në këtë turr të myslimanofobisë së tij, të supozuar të leverdishme sot, ai ka shpërfillur një qytetërim - një sistem vlerash materiale e shpirtërore, zakonesh, rregullash, shprehish, virtytesh e vesesh, që karakterizojnë identitetin mysliman të shqiptarëve myslimanë e që, bashkë me identitetin e krishterë të shqiptarëve të krishterë, është i përmbajtur në identitetin e përbashkët: në identitetin kombëtar shqiptar.
    A është e mundshme?
    Mos ka dashur Ismail Kadare t’i bëjë të verbër dhe t’i bëjë të shurdhër evropianët që kanë qenë ndonjëherë në Shqipërinë shtetërore, në Kosovë dhe në Maqedoni? Dhe, mos ka dashur Ismail Kadare të na bëjë edhe ne të verbër dhe të shurdhër: të mos shohim çka shohim dhe të mos dëgjojmë çka dëgjojmë! Dhe, të mos jemi edhe çka jemi!
    Po, kjo është e drejta e tij: njeriu mund të bëjë me veten çka të dojë. Nuk mund të bëjë çka të dojë, ndërkaq, me të tjerët: me identitetin e tyre. Mbas përmbysjes së komunizmit kjo quhet shkelje e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

    vazhdon.....

  3. #113
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2004
    Postime
    6,063
    Si ta sjellim Evropën në jetën tonë

    Nuk ka dyshim se rruga që ka ndjekur Ismail Kadare për ta treguar evropian identitetin tonë, është e gabuar dhe është e gabuar për dy arsye: e para, pse prej identitetit tonë është përpjekur të heqë ato që nuk mund të hiqen, dhe e dyta, pse në jetën tonë nuk po i sheh ato që do të duhej të hiqeshin.Duke vrapuar nëpër histori ai nuk u është afruar pothuaj fare çështjeve kryesore në jetën e sotme shqiptare.
    Pse Evropa po i afron shqiptarët më ngadalë se popujt e tjerë të Ballkanit? Sigurisht jo për shkak se në identitetin e tyre, në atë përgjithësinë, në atë të tërën, që i themi identitet kombëtar i shqiptarëve, është i përmbajtur edhe identiteti mysliman i numrit më të madh të tyre. Siç shkruan Rexhep Meidani në artikullin Eurobarometri dhe barometri shqiptar, të botuar në gazetën Panorama, më 11 janar 2005, Agjencia e Komisionit Evropian për Hulumtimin e Opinionit dëshmon se vetëm 33 për qind e qytetarëve evropianë e përkrahin pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, kurse Bosnjën e Hercegovinën 40 për qind. Kjo e dhënë dëshmon mjaftueshëm se nuk është feja myslimane e shumicës së shqiptarëve arsyeja pse ata dëshirohen më pak se të tjerët në Bashkimin Evropian se, po të ishte feja arsyeja , atëherë më pak se shqiptarët do të ishin të dëshiruar boshnjakët. Arsyeja e vërtetë pse shqiptarët dëshirohen më pak se të tjerët në Bashkimin Evropian në të vërtetë është joevropa e sotme në jetën e tyre të sotme politike dhe shtetërore, janë mentalitetet, shprehitë, sjelljet, veprimet, të bërat e palejueshme, jodemokratike, primitive në politikën e tyre të sotme, që po ua vrasin sytë evropianëve që na vizitojnë, a që janë në Kosovë, që u kanë ardhur në majë të hundës edhe shqiptarëve e për të cilat Ismail Kadare nuk e quan të nevojshme të bëjë fjalë në sprovën e tij Identiteti evropian i shqiptarëve.
    Dhe, këto mentalitete, shprehi, sjellje, veprime, të bëra të palejueshme, jodemokratike, në thelb cenuese për identitetin tonë në sytë e të tjerëve aq sa janë orientale janë edhe oksidentale, aq sa janë burimore janë edhe të mësuara prej botës së huaj të djeshme dhe të sotme.
    Në qoftë se kjo është e vërtetë, atëherë për një intelektual shqiptar, që do të merrej me çështjen e përbërë të identitetit, shumë më e arsyeshme se të shemërojë identitetin kombëtar shqiptar dhe identitetin mysliman, që të shemërojë Lindjen dhe Perëndimin në kulturën dhe në qytetërimin tonë, është të bëjë betejën mendore pikërisht kundër kësaj joevrope të sotme në politikën dhe në jetën tonë të sotme. Është e rëndësishme për të sotmen dhe për të nesërmen tonë evropiane që të ngremë zërin e të mos lejojmë që në heshtje të bëhen përbërës i identitetit tonë: kultura e kuptuar vetëm si e drejtë e jo, para së gjithash, si obligim; shteti i privatizuar që po ngjan në Shqipëri e në Kosovë; shteti i kuptuar kryekëput si pushtet mbi popullin e jo si servis i tij; politika e kuptuar si sundim urdhërdhëniesh e jo si qeverisje demokratike; tribalizmi dhe krahinorizmi të dëshmuar jo vetëm në zgjedhje, në organizimin partiak e në administratë, po edhe në gjykimet politike të njerëzve të politikës; konflikti i ideve moderne dhe i shoqërisë së mbyllur folklorike; trajtimi i pabarabartë i dinjitetit të feve, që mund të cenojë baraspeshën e tyre historike dhe të ndikojë në çintegrimin e shoqërisë; politika e njerëzve të papërgjegjshëm që ia mësojnë popullit papërgjegjësinë, shfrenimin, shumëfytyrësinë, paqëndrueshmërinë morale, shndërrimet servile; lidhja pushtet-medie që sjell uzurpimin dhe shpërdorimin e sovranitetit të popullit dhe shpërfilljen e të drejtave dhe të lirive të qytetarëve; vetitë e pushteteve despotike siç janë vrazhdësia, arroganca, hipokrizia, nënshtrimi para të fuqishmëve dhe përçmimi i të vegjëlve; tirania e vazhdueshme e gënjeshtrave; demokracia frikësuese-predikimi i demokracisë me britmë, me kërcënime, me gënjeshtra dhe me urrejtje; trajtimi i partive si firma tregtare më parë se si organizata që reformojnë shoqërinë; korrupsioni tmerrësisht i përshtrirë si në Shqipërinë shtetërore ashtu edhe në Kosovë, në të cilin janë zhytur prijës politikë, familjarë, miq dhe të afërm të tyre të tjerë; plaçkitja marramendëse e pronës dikur të quajtur shoqërore në Kosovë nga ana e pushtetarëve dhe të afërmve të tyre; luksi tragjiko-komik i njerëzve të politikës në Kosovë ndërsa 67 për qind të kosovarëve janë të papunë, 38 për qind jetojnë në varfëri, kurse 17 për qind jetojnë në varfëri të skajshme; despotët qesharakë, të cilët krye më vete, pa pyetur Kuvend, Qeveri a popull shpallin: ndërtimin e Shtëpisë së bardhë, afër Prishtinës,si ajo në Uashington dhe Ditën e presidentit, domethënë të vetvetes, si Dita e stafetës së rinisë e Marshall Titos; despotët qesharakë të cilët, pa pyetur Kuvendi,Qeveri a popull caktojnë flamur dhe himn të vendit ende të pabërë shtet, caktojnë urdhra, medalje e dekorata të folklorizuara me të cilat i bëjnë “figura kombëtare” miqtë, shokët dhe bashkëpunëtorët e vet; politikanët të cilët pjesë të teknikës nga kabinetet e veta çojnë në vilat vetjake, kurse pastruesit e zyrave në institucione i përdorin për pastrime në shtëpitë e tyre; administrata më e shtrenjtë partiake, politike dhe shtetërore në skajet më të varfra të Evropës; gropat e rrugëve në kryeqytetet shqiptare; telat e korrentit të rënë nëpër arat dhe livadhet e Shqipërisë shtetërore dhe të Kosovës; qërimhesapet foljore dhe trupore, tashmë të shpeshta, në Kuvendin e Shqipërisë; kthimi i Kuvendit të Kosovës në kuvend të familjarëve, miqve, shokëve, kushërinjve të kryetarëve, nënkryetarëve, sekretarëve të partive të përfaqësuara në Kuvend. E të tjera e të tjera.
    Të gjithë shembujt e sipërthënë të joevropës së sotme në politikën dhe në jetën tonë të sotme flasin mjaft për mbetjet e shumta:
    1.të despotizmit oriental,
    2.të tribalizmit primitiv, dhe
    3.të totalitarizmit komunist në identitetin tonë të sotëm.

    Do të duhej të shqetësoheshim: mos shembujt e sipërthënë dhe shumë të tjerë si ata, mund t’i nxisin institucionet evropiane të mendojnë se klasës politike, që prodhon aq të këqija në jetën e popullit të vet, i mungon përgjegjësia për jetë të përbashkët institucionale në një bashkësi demokratike, moderne, siç është Bashkimi Evropian!
    Për këtë arsye është e nevojshme që parullat e Ismail Kadaresë për identitetin tonë evropian t’i zëvendësojmë me përpjekje të sinqerta, këmbëngulëse, të vazhdueshme që të sjellim Evropën në jetën tonë: shtetin e së drejtës, demokracinë e vërtetë, kulturën politike, gjedhen kulturore kritike, standardet dhe vlerat evropiane. Vetëm kështu do ta shpejtojmë integrimin në Evropë.
    Një nga personazhet në romanin Mbreti i xhindeve të shkrimtarit bashkëkohor francez, Mishel Turnie, thotë se çdo popull i shquan si virtyte të vetat pikërisht ato që më së shumti i mungojnë. Ismail Kadare në sprovën e tij Identiteti evropian i shqiptarëve është përpjekur që t’i japë sa më shumë të drejtë këtij personazhi dhe ta bëjë përbërës të identitetit tonë pikërisht atë që më së shumti na mungon: identitetin evropian! Jo rastësisht këtë identitet edhe e ka rrëgjuar në gjeografinë.
    E kuptueshme!
    Popullorësia e Ismail Kadaresë, përpos në atë pjesë të çmuar të krijimtarisë së tij, që i ka shpëtuar realizmit socialist, në masë të madhe u detyrohet edhe iluzioneve, gjysmë të vërtetave dhe të pavërtetave historike dhe bashkëkohore me të cilat i ka ushqyer ai gjatë shumë viteve përkushtimet politike, ideologjike, kurse tani edhe anshëm fetare të lexuesve e me të cilat është bërë edhe frymëzuesi më përshtypjelënës i atdhetarizmit të rendit të tretë në jetën tonë kombëtare. Për këtë arsye, është shumë e nevojshme, është në interesin e shkencës letrare shqipe dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi, që krijimtaria e tij, aq shumë politike dhe e politizuar, të shpjegohet dhe të paraqitet kritikisht, objektivisht, ndershëm. Kjo do të jetë e dobishme edhe për vetë Ismail Kadarenë sepse leximi, shpjegimi, vlerësimi glorifikues i krijimtarisë së tij e ka bërë të vetëkënaqur: i ka krijuar iluzionin se të gjithë lexuesit, paraqitësit dhe kritikët pajtohen edhe me koniunkturizmin e tij politik. Ky koniunkturizëm është edhe arsyeja kryesore pse Ismail Kadare, sado krijues me vepër letrare të rëndësishme, nuk është bërë pikë referimi në kulturën shqiptare. Dhe s’mund të bëhet.
    Mjerisht.
    Prirja e Ismail Kadaresë për të qenë me çdo kusht i koniunkturshëm politikisht, nuk është më vetëm çështje e tij: kjo është, tani, mëzirë e letërsisë dhe e kulturës sonë, sepse letërsia dhe kultura jonë prirjen e tillë po e shpërblejnë! Dhe, kjo ka një çmim moral që letërsia dhe kultura jonë e paguajnë në dëmin e vet!
    E, kulturës dhe jetës sonë publike, për shkak të shtrirjes së jashtëzakonshme të korrupsionit mendor, moral dhe material në jetën kombëtare, sot më tepër se kurrë i nevojiten:
    -ndershmëria intelektuale;
    -intelektualë të qëndrueshëm, me karakter të fuqishëm, që nuk shikojnë
    si t’iu përshtaten pushteteve dhe opinionit mbizotërues, që të vërtetën dhe të drejtën nuk pranojnë t’ua flijonë leverdive vetjake:
    -intelektualë që në çdo kohë nuk ngurrojnë që –si thuhet për ta në botë- të tregojnë terrin që mund të pllakosë shoqërinë dhe, njëkohësisht, të ndezin qiriun që të shohim në atë terr.

    Prishtinë

    19.4.2006

  4. #114
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2004
    Postime
    6,063

    Kasëm Trebeshina: Disidenca dhe debati Kadare - Qosja

    Kasëm Trebeshina: Disidenca dhe debati Kadare - Qosja

    Nga kritika letrare është konsideruar “disident i kulluar i letrave shqipe”, por ai nuk ka dëshirë ta quajnë kështu. Është burgosur disa here. Njëra prej akuzave ka qenë se nuk ka marrë pjesë në zgjedhje. Thotë se është i sabotuar nga pushtetarët e Shqipërisë, ndërsa Kadarenë e cilëson “poet të oborrit”. Polemikat midis Kadaresë dhe Qosjes i quan “intriga sharlatanësh dhe dokrra kotnasikoti”.

    Si e ndieni vetën kur ju quajnë disident?

    Mua nuk më pëlqen të me quajnë disident, pavarësisht nga rrethanat që janë krijuar, sidomos mbas Luftës së Dytë Botërore. Ka dy arsye që unë nuk dua të pranohem si dissident: E para, se në Shqipëri tashti po spekulohet me disidencën. Dihet që në Katovice në Poloni, Gorbaçovi dha udhëzimet e duhura që të bënin transformimin e shoqërisë. Në Shqipëri asnjë gjë s’po vërehet. Kërkojnë ruajtjen e regjimit edhe ashtu si në shumë fusha të tjera edhe disidencën duan ta fabrikojnë sikur e kanë bërë ata. Bile-bile kalohet nganjëherë deri në absurditete të tilla sikur edhe në Ministrinë e Brendshme edhe në Sigurimin e Shtetit që ka bërë tërë ato krime të jetë organizuar disidenca. Po ashtu edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve. Me një disidencë të këtillë, tejet të fëlliqur nuk mund të rrish. Nuk mund të rrish me ta. Nuk mund të ulesh në një tryezë me një disident të tillë të fëlliqur.
    Mbasandej ka edhe një arsye të dytë që unë nuk dua të jem disident. Përmendet letra. Nuk dua në asnjë mënyrë të përmendet letra. “Trebeshina ka vuajtur, por disidenca e vërtetë ka qenë në Lidhje, se aty kemi shkrimtarët e mëdhenj”, etj., dhe duan të kalojnë në heshtje duke folur për disidencën, dukë lenë përshtypjen e tillë kinse “ne po ia krijojmë të drejtat” edhe “artin e kemi ne”. Dihet se në vendet e Evropës Lindore për të gjithë dramaturgët janë organizuar festivale teatrale në mënyrë që këta dramaturgë të dënuar të integrohen në shoqëri duke shfaqur veprat e tyre. Në Shqipëri jo vetëm që këtë s’ta bëjnë, por atje nuk hyn dot në teatër. E gjen derën mbyllur. Unë jam dramaturg me 76 drama dhe akoma asnjë nuk më është kërkuar nga teatri i Tiranës. Gjithmonë kam qenë i sabotuar.

    Nga kush?

    Direkt nga shteti shqiptar. Nga pushtetarët e Shqipërisë.

    Po të mos e kishit kundërshtuar Enver Hoxhën, të cilin në promemorie e keni krahasuar me Luigjin e 14-të dhe po t’i kishit shërbyer atij ku do të ishit tani? A mendoni se do të kishit qenë i përkthyer në shumë gjuhë të botës?

    Poshtë e lart flitet sikur unë kam qenë ambasador në Rusi. Unë nuk kam qenë ambasador. E gjithë kjo është krijuar nga fakti se kur është bërë një votim kur ishim studentë unë kam marrë vota për ambasador. Por ajo doli nga fakti se kisha një të kaluar gjatë luftës. Isha ndër kuadrot komanduese më të mira që kishte vendi. Është thënë se unë kam qenë major. Unë nuk kam dokument për major. Tashti vjen puna se si do të isha unë po të mos ikja nga Lidhja dhe t’i pranoja të gjitha. Në burgun e parë më është dërguar një komision me tetë oficerë të lartë që më kanë thënë se në rast se pranoj që të heshti do të përkthehem në gjithë botën. Pastaj nga komiteti qendror është caktuar Zihni Sako i cili më ka thënë se do t’më sjellin të gjitha librat që dua nga Parisi dhe do t’më përkthejnë në të gjitha gjuhët e botës. I thashë se nuk dua. Propozime të tilla më janë bërë dhe nuk i kam pranuar. Unë nuk kam pranuar të heshti. Unë njëherë flas, pastaj mund të hesht dhjetë vjet, por më nuk kthehem te ajo që kam thënë. Thash që unë nuk rri në Lidhje dhe dhashë dorëheqje. Ika nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe nuk kthehem më kurrë sa të jem gjallë.

    Shkrimtarët disidentë botërorë pas rënies së komunizmit janë rehabilituar nëpër vendet e tyre, si p.sh. Solzhenicini, Kundera, etj., dhe çmohen si shkrimtarë të mëdhenj. Sa vlerësohen në Shqipëri shkrimtarët disidentë?

    Në Shqipëri disidentët edhe në kohën e tanishme konsiderohen si kundërshtarë, si njerëz që kanë dëmtuar regjimin. Në fshehtësi kanë një urrejtje të tmerrshme për njerëzit që kanë qenë në burg dhe as që duan t’i rehabilitojnë. Kanë kërkuar ribotimin e veprave të mia, por nuk kam pranuar. Ai shkrimtar që I ka shërbyer diktaturës, në qoftë se nuk ka bërë krime s’ka pse të futet në burg. Por, veprat e tij nuk duhet të mësohen në shkolla sepse me mësimet e ndyra të komunizmit i helmojnë fëmijët tanë. Nuk kam pranuar ribotimin e veprave të mia. Një Ministër i Kulturës në vitin 1995 ka thënë: “Trebeshina ato kishte, ato botoi”. Nënshtrimin që nuk e arriti diktatura dëshirojnë ta arrijnë këta.

    Çfarë pozite ka në letërsinë shqipe periudha e Realizmit Socialist? A është bërë analiza kritike e tij?

    Trebeshina: As që donë të bëjnë analizën kritike të tij. Periudha e Realizmit Socialist në Shqipëri është vlerësuar në mënyrë feudalo-perandorake. Këtë system ata kërkojnë ta ruajnë edhe tashti. Kur flitet për shkrimtarët e realizmit socialist thuhet se janë “nder i kombit”, “kanë nderuar kombin”, “ata na kanë bërë të njohur përjashta”. Kaq. Nuk pyet kush se cilat janë vlerat e tyre letrare, çfarë kontributi letrar sjellin ato. Ata arrijnë deri aty sa një autor ta vejnë barabar me flamurin. Kombi që qëndron me poshtë nga një shkrimtar apo artist s’është komb.

    Sa ka pasur ndikim në krijimtarinë tuaj vuajtja nëpër burgjet komuniste?

    Trebeshina: Në pikëpamje letrare ndoshta ka bërë ndonjë pengesë në kohëra të caktuara, por unë nuk kam pasur asnjë lloj pengese nga burgu. Kam vazhduar punën time kudo që kam qenë. Ajo që me dallon mua si person është kjo: kur kam armët në dorë, pena është lënë diku- kur kam penën në dorë, armët janë në depo. Kështu, burgu nuk më ka sjellur asnjë pengesë në krijimin e punës sime. Burgu ka një të keqe se humbet kontaktin me brezat.
    Çfarë raporte keni me shkrimtarët në Shqipëri dhe në Kosovë?

    Shkrimtarët shqiptarë de fakto edhe de jure mua me kanë deklaruar luftë dhe kur më deklarohet luftë u them: “Shtrëngohuni se do luftojmë!”. Raportet janë krejt të pështira. As s’dua të di për lidhjen e tyre, as s’dua të di për shkrimtarët shqiptarë. Le të vazhdojnë luftën deri ku të del. Shkrimtarët kosovarë nuk e njohin situatën. Le të prononcohen pro ose kundër. Duan të luftojnë kundër meje le të luftojnë.

    Le të bëjnë si të duan ata. Lidhja e Shkrimtarëve e ka bërë propozimin që të digjet vepra ime dhe ka vendim gjyqi për djegien e veprës sime. Jo vetëm për mua por edhe për Fishtën, Koliqin, Nolin, Konicën. Gjersa letërsia shqipe është një tempull ku ata kanë hedhur ato jashtëqitjet e tyre, vrerin e tyre dhe gjithë pështymat e tyre- ose do t’i lëpijnë ose ai s’është më tempull. Aty s’kthehem më.

    Shkrimtarët shqiptarë mund t’i ndash në dy kategori. Kategoria e vjetër, që ishin në shkolla perëndimore, e pranoi realizmin socialist por asnjëherë nuk shkoi deri të zhdukja fizike e shkrimtarëve. Ke pastaj grupin e dytë - Agolli, Kadare dhe të tjerët. Ky është grupi i të gjashtëdhjetës. Këta nuk kanë lenë gjë pa bërë në Shqipëri. Menjëherë mbas të gjashtëdhjetës me intrigat e tij, sidomos Kadareja, mundohej t’i hiqte profesorët nga Universiteti - “të hiqet ky, të vihet ky”. Gjithë Lidhja e Shkrimtarëve është me denoncime për njëri tjetrin.

    Është pikërisht Ismail Kadareja, bashkë me të tjerët, që i kanë shërbyer sigurimit të shtetit duke denoncuar njëri tjetrin dhe gjithë popullin, por nuk janë ndalur as këtu- kanë arritur deri në dhunë fizike për persona dhe për interesa familjare. Në qendër të të gjitha këtyre intrigave është Kadareja.

    Kur jemi të Kadareja, ka që thonë se ai ka qenë disident. Sipas jush, a ka qenë disident Ismail Kadare?

    A mund të jetë disident një poet I oborrit? Nëse doni jepjani dekretin për disident. Është punë për ju. Fuqi keni. Pushtetin e keni. Disidencën jepjani.


    A i keni përcjellur polemikat e kohës së fundit midis Kadaresë dhe Qosjes rreth identitetit shqiptar?

    Unë në polemika të tilla nuk mund të përzihem, sepse polemika të natyrës së fundit të shekullit XVI dhe fillimit të shekullit XVII, të kohës së Papa Klementit VIII kur digjeshin njerëz në zjarr nuk bëj. Unë jam i mendimit se shqiptarët duhet të mbesin brenda tyre edhe kur të shkojnë në Evropë. Nuk kanë pse të nxitohen, duhet të jetë edhe Evropa e denjë edhe ata të jenë të denjë. Identitetet nuk bëhen kështu, nuk janë këto identitete.

    Kur populli shqiptar ka disa probleme të nxehta që duhet të zgjidhen, hidhet një bombë me tym që të dalin dy personalitete të shkëlqejnë aty dhe të tjerët të merren me ta. Është një papunësi galopante dhe ata shkëlqejnë duke u zënë me njëri tjetrin. Me intriga sharlatanësh dhe me kuvende sharlatanësh nuk merrem. Spiunët le të merren me punët e tyre. E them edhe një herë- nuk merrem me spiunë të sigurimit të shtetit edhe me diskutime që nuk kanë asnjë përmbajtje pozitive për kombin shqiptar. Me gjëra antihistorike që u vjen era mesjetë, u vjen era inkuizicion. Kërkojnë të djegin prapë njerëz këta, që janë fetarë apo s’janë fetarë? Ne që nuk besojmë duhet të zhdukemi? A duhet të ndezim një luftë fetare? Duan të mbesin ata të dy se duan të shkëlqejnë se janë të ditur. Le të shkojnë ku të donë të marrin gradat shkencore dhe të mos i bezdisin njerëzit me dokrra kotnasikoti duke djegur shtriga sikur janë djegur nëpër Evropë në shekullin XVI dhe XVII. Me gjëra të tilla bajate, me diskutime të tilla nuk merrem.

    Marrë nga gazeta “Express” e Kosovës

    Intervistoi Alfred Beka, Prishtinë, 22 maj
    Ndryshuar për herë të fundit nga ATMAN : 29-05-2006 më 11:41

  5. #115
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    11-01-2006
    Vendndodhja
    Tirane
    Postime
    31

    Debati mbi Identitetin Kombetar

    Debati periferik mbi Identitetin Perëndimor

    Mero Baze

    Një ese brilante e Ismail Kadaresë, e shkruar rreth nevojës së theksimit të identitetit europian të shqiptarëve,ka ndezur zjarre në periferitë e shoqërisë sonë. Të prekurit prej saj, dhe të ekzaltuarit po prej saj, po mbushin përditë faqe gazetash me klizma, të cilat dëshmojnë anën e errët të identitetit shqiptar. Një përfaqësi myslimanësh akuzojnë pa lidhje Kadarenë për racizëm, ndërkohë që të tjerë shfaqin racizëm të papenguar ndaj shqiptarëve të Kosovës, apo vlerave të tyre perëndimore. Pra, debati në tërësi, në vend që të orientohej drejt ndriçimit të tipareve perëndimore të Shqipërisë, është kthyer në një fushë-betejë, ku po ekspozohen shumë tipare antiperëndimore të periferisë së shoqërisë shqiptare. Kjo nuk ka ndonjë rrezik të madh, përderisa këto zëra janë periferikë, por rreziku është nëse ata konsiderohen përfaqësues të këtij debati në Shqipëri.

    1. Së pari, desha të nënvizoj se sot në Perëndim, problem i madh nuk është identiteti i vendeve perëndimore, pasi ai është shumë llojesh, por aftësia që ka identiteti i çdo vendi perëndimor për të integruar kulturat dhe identitetet e tjera, të cilat nuk vijnë nga Perëndimi. Periferitë e Francës u ndezën zjarr nga ata që e ndjenin veten jashtë Parisit. Anglia dhe Gjermania, si vendet më të fuqishme të Evropës, harxhojnë miliarda që të mos hetohet diferenca e kulturave që ka zbarkuar në vendet e tyre. Tipari kryesor i sotëm i identitetit europian është toleranca dhe bashkëjetesa e kulturave dhe religjioneve. Ne e kemi këtë dimension, ndoshta më parë se të gjithë. Si dimensioni ynë më i fortë properëndimor ne nuk kemi asnjë arsye të shtiremi dhe të themi që s’kemi myslimanë në Shqipëri, por të theksojmë faktin që katolikët, ortodoksët, myslimanët dhe ateistët në Shqipëri ndjehen shqiptarë të barabartë me njëri-tjetrin. Ky është një tipar i madh perëndimor, tipar që p.sh SHBA e ka fituar me shumë sakrifica, me shumë beteja të mëdha kundër segregacionit, racizmit dhe stërhollimeve religjioze që mbijnë përditë. Ulërimat religjoze të disa zërave periferikë nuk na na e fshijnë dot identitetin europian edhe pse ka plot sirena që na nxisin për të lënë në histori përballë njëri-tjetrit, myslimanët me të krishterët.

    2. Së dyti, ne po e gjykojmë këtë debat nga pozitat e një vendi të varfër, ku problem është e shkuara dhe jo e ardhmja. Shqiptarët po vihen në provë për atë që ka prodhuar historia mbi ta, dhe jo mbi atë çka mund të prodhojë e ardhmja europiane e tyre. Perandoria Otomane, duke qenë një superfuqi pesëqind-vjeçare, dy herë më e vjetër se SHBA e sotme, ka lënë produktet e saj në Ballkan dhe ka imponuar kulturën e vet. Fuqia jonë perëndimore është ta integrojmë atë histori në identitetin tonë. Fati i keq na ra që diktatura e Enver Hoxhës ishte, mes të tjerash, një mizerje ekonomike dhe sot ne jemi një vend i varfër. Por shqiptarët nuk janë vënë në provë si vend i pasur dhe i hapur. Unë nuk di si do silleshin këta njerëz, nëse sot ne do të ishim një vend normal i zhvilluar dhe, për shkak të zhvillimit, tek ne do të vinin të punonin marokenë, kinezë, grekë apo serbë. Kam frikë se pereferia jonë kulturore dhe elita mediokre do të ishte alarmuar dhe ne do të demonstronim tipare antiperëndimore.



    Vazhdimi i artikullit ketu: http://www.albpr.org/g-news/modules....rticle&sid=216

  6. #116
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    11-01-2006
    Vendndodhja
    Tirane
    Postime
    31

    Debati mbi Identitetin Kombetar

    Diskutim i një cikli të mbyllur

    Nga Bujar Ramaj
    Ka kohë që në shtyp dhe në ambjentet publike – nisur nga përplasja Kadare – Qose – vazhdon të debatohet mbi indentitetin shqiptar. Pyetje shtrohet: cili është qëllimi i këtij debati, përse ndodh, ku qëndron e mira e tij, a ka karakter personal apo ai ndikon në mbushjen e boshllëkut tonë në lidhje me identitetin kombëtar. Një gjë që kërkohet do të thotë se mungon, kur ke nevojë për dritë e kërkon atë, kur ke nevojë për shi e kërkon atë, kur ke nevojë për ujë e kërkon atë, kur të mungon dija e kërkon atë... pra, kur nuk ke identitet kërkon atë.
    Mendoj se këtu është kriza. Ajo që vihet re në debat e nënshtretëzuar është përkrahja hapur e atyre pro Kadare dhe pro Qose. Nuk mund të mbulohet e grisura me andrime, ne kemi nevojë për një dush sinqeriteti, kemi nevojë t‘i themi gjërat ashtu si janë dhe të mos trembemi prej tyre.
    R.W.Emerson në librin e tij “Udhëheqje në Jetë” thotë se “...Dy gjëra më tmerrojnë, injoranti i devotshëm dhe dijetari, që s’beson”. Realisht të dy Kadare dhe Qose në shkrimet e tyre shprehen, se nuk besojnë. Besimi të rreshton menjëherë në një krah të së vërtetës, mosbesimi të rreshton në krahun e kundërt.
    E vërteta është se nuk ka identitet kombëtar, por ka vetëm identitet fetar. Deri sa morali, kultura, psikologjia, shpirtërorja dhe e drejta kanë burime religjoze, identiteti është religjoz. Ngjyra, gjuha janë dukuri dhe mjete shprese dhe nuk mund të lidhen me thelbësoren. Kombet i dallon vetëm ngjyra dhe gjuha, të tjerat janë religjoze.
    Historia njërzore është dëshmia më e mirë e këtij fakti. Sa herë që raca njerëzore ka dashur të dalë nga identiteti fetar, si në komunizëm, ajo kthehet prapë tek identiteti i saj fetar. Jashtë këtij identiteti ngelen vetëm jobesimtarët, të cilët kërkojnë identitet duke e ndjerë që nuk e kanë. Midis identitetit fetar dhe atyre që nuk kanë identitet lind bashkësia e ashtuquajtur “identitet kombëtar“ dhe kjo del më e theksuar në vende, ku shkalla e përqindjes së popullsië, e cila nuk beson është e madhe ose kur popullsia është me besime të përziera, si në rastin tonë. Në imazhin tonë na duket se disa kombe kanë identitetin e tyre kombëtar, jo në esencë ato janë fetare por duken më kompakte se janë të të njëjtit besim dhe kanë shkrirë në një identitetin fetar me psikologjinë kombëtare, p.sh sllavët kanë të shkrirë indentitetin fetar dhe psikologjinë kombëtare, grekët, gjermanët etj. Ne jemi një komb i rallë në botë, që kemi tre besime, kjo bënë që të mos të kemi një identitet fetar, por tre, ku vetëm gjuha dhe territori ku shtrihemi na bashkon. Vështirësia qëndron në atë që ne si popull nuk kemi të unifikuar psikologjinë kombëtare me identitetin fetar, kjo ka shkaktuar krizën për identitet. Ndoshta të parët që e zbuluan këtë krizë dhe luftuan për ta unifikuar ishin rilindasit tanë të mëdhenj, të cilët ngritën një ideologji të tërë për këtë unifikim, të identitetit fetar me psikologjinë kombëtare që ne sot duam ta quajmë identitet shqiptar. Populli e ka kuptuar instiktivisht këtë kërkesë prandaj në heshtje ai në një farë mënyre e ka zbatuar praktikisht idenë e rilindasve, që ne i themi tolerancë fetare, bashkëjetesë, indentitet kombëtar. Çdo tendencë për ta prishur këtë situatë solide e të qëndrueshme, duke e kanalizuar në qytetërim perndimor ose lindor është jashtë natyrës të këtij standarti që ka kombi, duke shkaktuar vetëm përçarje.
    Përçarja është gjëja më delikate, që kemi pasi uniteti ynë si komb - i veçantë nga kombet e tjera - ngrihet mbi ndarjet që kemi brenda vetes sonë: kemi ndarjen fetare; në myslimanë, ortodoksë, katolikë dhe mosbesimtarë, kemi ndarjen krahinore, e ashtuquajtura në gegë dhe në toskë, kemi ndarje territoriale jashte truallit mëmë si Kosova, shqiptarët e Malit të Zi, Maqedonisë , Çamët etj. por ne kemi brenda qenies sonë ende me pasoja ndarjen klasore të shkaktuar gjatë periudhës totalitare. Pra, uniteti dhe psikologjia jonë kombëtare ngrihet mbi ruajten e ekuilibrit të këtyre ndarjeve. Sa herë kundërshtarët tanë ose politika e mbrapsht shqiptare kërkon të përçajë shqiptarët mjafton të nxisë një nga këto identitete ndarës.
    Dhe të gjitha luftrat, ndarjet, mospranimet, rrebelimet, kontradiktat janë të ngritura mbi këto identitete ndarës. Kështu sa herë që një identitet fetar ka mbizotëruar ose mbizotëron në Shqipëri do të kemi më vonë hakmarrjen e tjetrit, kështu gjatë Perandorisë Osmane dominuan myslimanët, pas rënies së saj u hakmorrën ortodoksit fqinjë dhe brenda duke e djegur dhe duke e ndarë Shqipërinë. Lufta u shtri dhe në territorin tonë dhe në përplasjet kotolikë - ortodoksë, më vonë vjen një Mysliman në Shqipëri (Zogu) përmbyset nga një ortodoks (Fan Noli), vjen një mysliman (Enveri) tentohet të përmbyset nga një ortodoks (K,Xoxe) dhe do të ishte përmbysur nëse Enveri të mos të ishte mbështetur tek një fuqi e madhe ortodokse si Rusia, vjen Saliu përmbyset nga ortodoksi Nano e të tjera.
    Duke qënë se dhe shtrirjet janë në hapësira të ndryshme të mysilmanëve, ortodoksve dhe katolikëve dhe ndarjet krahinore kanë dukuri mospajtuse, kështu jugu ortodoks (pasi bektashinjtë që janë kryesisht në jug janë një sekt që kanë lëvizje nga islami drejt krishtit prandaj kryesisht ata gjithmonë u kanë dalë krahë ortodoksve) ka ndarje me veriun mysliman ose e ashtuquajtura gegë dhe toskë, kjo ka sjell gjithmonë në luftën për pushtet ose ndikim me forcë në ndryshimin e disa gjërave, që i ndajnë ata. Ata që kanë qenë gjithmonë si një aleat të një krahu ose të një tjetri ose që kanë tentuar e po tentojnë të fuqizohen janë katolikët të cilët kohët e fundit po ngrihen me një ritëm të shpejtë.
    Ndarja ekziston dhe në politikë. Kështu Partia Socialiste po dallohet gjithmonë e më tepër si një parti otodokse, u shkëput Meta që është midis myslimanit dhe ortodoksit, nga Partia Demokratike u shkëput Partia e Pollos me ngjyra ortodokse, nga Partia Socialdemokrate u shkëput ortodoksi Milo, janë krijuar parti me ngjyra fetare, Partia e të Drejtave të Njeriut, po merr fuqi Partia Demokristiane e cila ka ngjyrime të thesuara katolike. Të gjitha këto ndarje partiake kanë edhe influencën e tyre nga shtetet sipas religjionit që i përkasin ose ju shërbejnë. Por psikologjia kombëtare vazhdon të vuajë dhe nga ish- ndarja klasore ose nga ish- ndarjet e Luftës së II-të Botërore. Debati i fundit midis Kadaresë dhe Qoses i ka ndarë opinionistët mbi baza fetare, krahinore dhe ideologjike; në krah të Kadaresë janë rreshtuar kryesisht jugorët, kristianët, bektashinjtë, ndërsa në krah të Qoses; veriorët, myslimanët ose dhe ndonjë i veçantë i ndikuar nga qëndrimet ideologjike.
    Kushdo që ka tentuar të nxisë një nga këto ndarje ka shkaktuar dhe përçarje, që çfaqen në formën e rrebelimeve, përmbysjeve, vendosjen e qeverive ndarse dhe krijimin e përplasjeve midis grupeve dhe bashkësive, që të dukshme apo të padukshme zjarrmojnë në heshtje.
    Një fakt tjetër kokëfortë mbi qendrueshmërinë e identitetin fetar mbi atë shqiptar është dhe dukuria e zhdukjes së atij kombtar në kushte të tjera dhe e ruajtjes së atij fetar. Marrim rastin e emigrimit të shqiptarëve në rajon e më gjerë. Po t’i hedhim një vështrim atyre personave që kanë qenë besimtarë myslimanë ata nuk ndryshojnë asgjë nga identiteti i tyre karshi identitetit perëndimor ata ngelen shqiptarë mysliman, por ata nuk ndryshojnë asgjë nga identiteti i tyre fetar, në sjellje, kulturë, moral etj, ndërsa 90% e atyre, që nuk kanë identitet fetar kthehen; amerikanë, grekë, italianë, kanadezë. I natyrshëm është edhe kthimi i kristianëve në identitetin e shtetit, që ata venë sipas besimit katolik ose ortodoks duke braktisur identitetin e ashtuquajtur shqiptar. Për të dëshmuar e pranuar këtë argument do të mjaftonte një vështrim i realitetit të sotëm të shqiptarëve në botë.

    http://www.albpr.org/g-news/modules....rticle&sid=217
    Ndryshuar për herë të fundit nga AIPR : 30-06-2006 më 03:16

  7. #117
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    11-01-2006
    Vendndodhja
    Tirane
    Postime
    31

    Debati mbi Identitetin Kombetar

    ...................
    Ndryshuar për herë të fundit nga AIPR : 30-06-2006 më 03:17

  8. #118
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    11-01-2006
    Vendndodhja
    Tirane
    Postime
    31

    Debati mbi Identitetin Kombetar

    Qoseizmi, ose teoria e urrejtjes

    Nga Maks Velo

    Ky debat i ashpër ishte i domosdoshëm, sepse për dekada këto probleme nuk po diskutoheshin hapur. Nëse Qosja ka një meritë të vetme në shkrimet e tij, është se, për herë të parë, ai shkruan ato që mendon, ato që i ka menduar gjatë. Artikujt e tij janë testamenti i tij. Për herë të parë njohëm Qosen e vërtetë. Ai pa u bërë aspak merak për pasojat, godet dy figurat më të shquara: Nënë Terezën dhe Kadarenë. Është i vetmi që ka dhënë argumente të tilla me një ligësi dhe xhelozi të pamatë. Tani i kuptoj nga vinin frymëzimet për deklaratat e Myftinisë së Shkodrës, për mosvendosjen e monumentit të saj: nga Prishtina. Ka kohë që Qosja po vërtitet në qiellin shqiptar të letrave dhe mendimit me tone urdhëruese dhe kërcënuese. Qëllimi i tij final ka qenë Kadareja.
    Duke asgjësuar Kadarenë, piedestali mbetej bosh dhe ne do të vendosnim Qosen. Këtu dhe bëri gabimin fatal dhe të pakorrigjueshëm. Kadareja është një gjeni. Qosja është një farë mendimtari dhe shkrimtari kosovar, dhe meqenëse vetë kosovarët na kishin mësuar se ata i quanin popull i kategorisë së dytë, unë e pranoja edhe Qosen si një fare akademiku i dorës së dytë. Dua të kujtoj një ngjarje në dhjetor të vitit 1991: ishte një delegate e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, dhe unë shkoja për herë të parë në Kosovë.
    Në mëngjes na thanë se do të shkonim t’i bënim një vizitë akademikut Qose. Kur vajtëm te shtëpia, shoh që të katër anëtarët e delegacionit u vunë në radhë dhe po hiqnin këpucët. Ndeja i fundit, pyes Çashkun, që ishte para meje, më thotë hiq këpucët se ndryshe nuk futesh dot. Pashë ç’pashë i hoqa dhe unë. Dhoma e madhe ishte shtruar me tapete si në një xhami. Në krye ishte ulur në mënyrë impozante akademiku ynë. E kujtova edhe këto ditë me Çashkun këtë ngjarje; na i hoqën këpucët me urdhër, më përsëriti Çashku. Është i vetmi rast që në një vizitë të tillë, ku shkoj për herë të parë, detyrohem të heq këpucët. Që atë ditë më ka ngelur një fyerje nga Qosja, një si dhunim i pashpallur…. Më nuk e kam takuar dhe nuk dua ta takoj…Por edhe në Kosovë nuk kam shkuar më….Asnjë popull nuk ka më një shkrimtar, atë raport që kemi ne shqiptarët me Kadarenë. Duke goditur Kadarenë, ai na fyen të gjithëve, sepse ai tani është një krenari kombëtare. Dhe zgjodhi momentin më delikat dhe të çuditshëm, kur fama e tij po ritet dhe ai po vlerësohet ashtu si e meriton në të gjithë botën. Dhe sa më shumë që kalon koha, aq më shumë do të vlerësohet. Ka shkrimtarë që menjëherë arrijnë kuotat maksimale, ka të tjerë që për arsye të caktuara i arrijnë mbas shumë kohësh; i tillë është rasti i Kadaresë.
    Kur ai të përkthehet plotësisht në anglisht, atëherëë figura e tij do të marrë përmasa të tjera. Sidoqoftë, letërsia moderne evropiane nuk mund të kuptohet pa të. Kadareja, për mua, është një fenomen i çuditshëm. Dhe çudia është si është e mundur që ky njeri lindi në një kontekst si ai i yni, ku ka ndër të tjera edhe akademikë si Qosja?
    Profesori nga Shkupi, Zekerija Ibrahimi, në artikullin “BREGOVICI DHE TATLISESI” (SHEKULLI 20 PRILL) deklaron se: ”…Shqiptarët e ish-Jugosllavisë ngadalë po e ndërrojnë epiqendrën e tyre etnike dhe kulturore drejt Prishtinës, mbase dhe për këto sjellje joserioze të bashkëkombësve të tyre në Republikën e Shqipërisë e të autoriteteve shtetërore të Republikës së Shqipërisë. Dhe kjo jo nga dëshira – ata janë të refuzuar nga “shteti amë”.”
    Po cilat janë këto dëshira të vogla që ne u a refuzojmë? Të mos pranojmë kërkesat e Bashkimit Evropian për një mirëkuptim me të gjithë popujt e Ballkanit. Shqiptarët ortodoksë janë Grekë, pra nuk janë shqiptarë. Ta pranojmë historinë tone dhe të mos mundohemi ta korrigjojmë. Të zihemi dhe të jemi armiq me të gjithë popujt e krishterë të Ballkanit: dhe me grekët, dhe me maqedonasit, dhe me bullgarët, dhe me rumunët, dhe me serbët, dhe me kroatët, dhe me sllovenët dhe me malazestë. Të mos bashkohemi me Evropën dhe të refuzojmë Amerikën. Ta konsiderojmë veten tonë si lindorë, islamikë, dhe të njehsohemi me to. Të DUAM BABËN, dhe filozofia jonë udhëheqëse të jetë haxhiqamilizmi.
    Ja si shprehet ai : « …në ekstazën e orgazmës së tyre me Perëndimin janë dalldisur pas politikës evro-amerikane dhe kanë harruar se politika shumë shpesh i ka mashtruar shqiptarët në formësimin e identitetit të tyre». Pra, ne po bëjmë një orgazmë me perëndimin (fjalor shumë i lakmuar, tamam prej profesori) i cili po na mashtron, si zakonisht…
    Është e vërtetë, qoftë shoqëria, qoftë qarqet politike apo akademike, në Shqipëri janë bërë koshientë për dëmin e madh që i vjen Shqipërisë nga deklarimet e papërgjegjshme se Shqipëria është shtet mysliman, dhe po bëjnë ç’është e mundur për të sqaruar opinionin evropian dhe atë amerikan.
    Dhe pikërisht në këtë moment që ka filluar të kuptohet dhe të pranohet kjo e vërtetë, është ky reaksion kaq i ashpër i qarqeve fondamentaliste myslimane në Prishtinë apo në Shkup, që kohët e fundit kanë marrë barrën që të na tërheqin zvarrë drejt lindjes. Drejt Lindjes. Nëse ata quajnë epiqendër etnike dhe kulturore etnitetin arab dhe kulturën islamike, sigurisht Tirana nuk u a siguron dot më këtë qendër. Tirana është kryeqytet evropian dhe i tillë do të mbetet.
    Qosja është në të njëjtat teza me Ibrahimin, dhe jo vetëm me të; janë një tabor i tërë shkrimtarësh, studiuesish, artistësh, politikanësh, teologësh, të cilët deklarohen vazhdimisht për përkatësinë islamike të shqiptarëve. Tetova është bërë një nga qendrat kryesore islamike në Ballkan. Ibrahimi thotë se osmanët kanë qenë superfuqi. Po kanë qenë superfuqi e masakrave, e thirrjeve dhe e prerjes së kokave; e jeniçerëve dhe e hallvës.
    Superfuqi është një atribut që nënkupton vlera jo vetëm ushtarake. Si është e mundur që në Turqinë e sotme nuk ka një qendër të studimeve ballkanike ose shqiptare? Përse të gjitha arkivat ndodhen në Vatikan apo Venedik ? Përse të gjithë studiuesit e shqipes dhe të Shqipërisë janë nga vendet e krishtera evropiane ? Përse nuk ka një fakultet të studimit të gjuhës shqipe në Stamboll apo Ankara, kur ka në S. Perterburg, Torun, Palermo, Milano apo Paris? Përse nuk ka një diasporë shqiptare në Turqi, kur aty kanë shkuar me miliona shqiptarë? Përse diaspora gjithmonë ka qenë e krishterë, qoftë në Itali, Greqi, Bullgari, Rumani deri në Rusi? Përse shqiptarët myslimanë janë tretur në Turqi si sheqeri në hallvë? Për çfarë patriotizmi mund të flasin ata që tradhtuan fenë e të parëve dhe fenë e të gjithë Ballkanit dhe Evropës, Krishterimin. Shqipërinë e ka sjellë në këtë gjendje (si vendi më i prapambetur dhe më i varfër), pikërisht kjo tradhti nga një pjesë e shqiptarëve. Shqipërinë e solli në këtë gjendje Islami, që ishte një regres i pashembullt. Jemi i vetmi popull në Evropë që kemi përjetuar një tragjedi të tillë. Të paktën tani pasardhësit e tradhtarëve të heshtin.
    Ato që thotë Qosja kundër Kadaresë i kanë thënë më parë Lubonja, Kolevica, Trebeshina, Baleta etj….dhe prandaj ai duhet t’i kishte cituar. Interesant është fakti se kohët e fundit qendra e sulmeve kundër Kadaresë është zhvendosur në Kosovë; tani kuptohet kush është organizatori dhe frymëzuesi. Qosja, në mënyrë naive, kujton se tani që është kurorëzuar në Prishtinë « si më i dituri», do të vijë të na habisë dhe në Tiranë, dhe pastaj do të pushtojë hapësirën gjithë shqiptare me gjithëditurinë e tij!!!
    Gabohet Qosja. Dhe kjo sepse Qosja është një dijetar tipik islamik, tërësisht lindor. Kjo nga mënyra e të menduarit.
    Nga logjika e tij. Nga fshehtësia e tij. Nga pabesia e tij. Çdo krijues apo studiues, çdo shkrimtar, artist, gjuhëtar apo shkencëtar ka veç ADN-së biologjike dhe një ADN të fshehur krijuese dhe zbuluese, e cila është e padukshme, e paidentifikueshme dhe e paanalizuar. Është kjo që udhëheq mendimin progresist apo regresiv. Qosja këtë AND e ka islamike dhe gjithë jetën është udhëhequr prej saj.
    Para pesëmbëdhjetë vjetësh erdhi në Tiranë një tjetër kosovar, Ajdin Sejdia, që na bëri një gropë në mes të Tiranës.
    U deshën pesëmbëdhjetë vjet që gropa të mbushej prapë. Qosja në këto ditë që gropa u mbyll, hapi një tjetër gropë, një grope virtuale. Gjithmonë këtë do të bëjnë kosovarët me Shqipërinë? Qosja me këtë debat dhe shkrimet e tij ka dëmtuar rëndë Kosovën, pikërisht në momentin më delikat, kur zhvillohen bisedimet për statusin e saj. Nuk ka dyshim që i gjithë ky debat është vëzhguar me kujdes nga ndërkombëtarët, të cilët me këtë rast mbajnë edhe shënimet e duhura. Nuk më vjen mirë që shkrimet kundër tij në Kosovë kanë qenë të pakta. Dëmi i dytë është këtu në Shqipëri,
    konkluzioni im është: me Kosovën dhe kosovarët duhet të jemi shumë më të kujdesshëm. Po të zhvillohej një referendum për bashkimin me Kosovën, unë do të votoja kundër. Janë akoma primitivë dhe do të na hapin probleme pa fund; le të rrinë të rregullohen vetë njëherë. Mbas pavarësisë, nuk do të dinë ç’të bëjnë me të. Ka mundësi të bëjnë nja dhjetë “REVOLUCIONE DEMOKRATIKE TË VONUARA” ala Qose, si ai i joni i 97-ës. Janë qaramanë dhe duan gjithmonë që të projektojnë fajet që i bëjnë tek të tjerët. Mos fajtorët e ardhshëm janë shqiptarët? Mjerë ata popuj që kanë të tillë “udhërrëfyes” si Qosja, tipikë për vendet islamike dhe të botës së tretë.
    Ndryshuar për herë të fundit nga AIPR : 30-06-2006 më 03:21

  9. #119
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    11-01-2006
    Vendndodhja
    Tirane
    Postime
    31

    Debati mbi Identitetin Kombetar

    Europianizimi i Shqipërisë fillon nga Elitat

    Nga Alban BALA

    Për shumë kohë e kam pyetur veten, se përse vallë, përballë një shumice paqësore, e cila sheh punët e veta dhe hallet e saj të panumurt, përballë një popullsie e cila ka treguar se trashëgon një dhunti’ të jashtëzakonshme virtytesh (dhe sigurisht edhe një mal me probleme), përballë një grupi të gjerë njerëzish që e shohin identitetin e tyre qoftë edhe fetar si punë tërësisht personale dhe nuk përpiqen ta shumëfishojnë atë- por as ta vrasin, përballë një grupi të mpirë qytetarësh e fshatarësh që kalamendet në qiejt e mbijetesës, nuk resht prej kaq kohësh një trysni dhe një revansh i paparë ofezash, një kundërvënie e fortë shoqërore dhe refuzimi institucional; për asnjë çast në këto 15 vite nuk ka pushuar kundër tyre presioni politik dhe kulturor. Përse?

    A thua këta njerëz të thjeshtë dhe të padukshëm në përditën tonë e çuan Alfred Serreqin në Konferencën Islamike? A thua ata e bindën Fatos Nanon të vazhdonte të qëndronte aty si anëtar? A thua këta njerëz shpikën dhe vendosën diktaturën në Shqipëri? Këta na larguan nga Europa?

    Eshtë turp që debati mes shkollarëve në Shqipëri lë shteg për baltosjen e imazhit kombëtar në të ardhmen e tij. Eshtë turp që gënjeshtrat- pjesshëm apo plotazi- gëlojnë në të tërë tekstet e botuar deri tani si pjesë e këtij debati.

    Dilemat mbi identitetin europian të muslimanëve shqiptarë apo të krejt shqiptarëve dëshmojnë pa dilema se problemi i këtij vendi janë elitat e tij. Qofshin këta emra të mëdhenj, brenda apo jashtë vendit.

    Përfundimisht ky debat qartësoi se, europianizimi i shqiptarëve kërkon pikë së pari europianizimin e elitave të këtyre shoqërive. Përfaqësuesit e këtyre elitave, qofshin ato politike, ekonomike, kulturore, etj nuk kanë tipare europianiste, përpjekjet e tyre nuk ndërtohen mbi hapësirën e ideve, por mbi tehun e shpatës së “monopolit mbi të vërtetën”.

    Qosja kërkon që shqiptarët të përplasen në lidhje me religjionin e tyre, pikërisht në çastin kur përcaktohet e ardhmja europiane e kombit shqiptar. Kadare, falë përfshirjes së hershme në stihinë e presionit kulturor ndaj traditës së shumicës shqiptare, ra pre’ e këtij qëllimi. Madje më shumë se kaq.

    Nëse z.Kadare vendosi të bëjë “drejtësi” ndaj armiqve të tij duke përdorur një çështje kombëtare si identiteti, aq më keq për të. Shqiptarët mund t’i njohin z.Kadare tituj dhe çmime letrare, por kurrë t’i falin si plaçkë beteje identitetin e tyre, sado i rrëgjuar të jetë ai sot. Sepse ai është i shenjtë.

    Askurrë shqiptarët nuk kanë pasur dilema mbi përkatësinë e tyre gjeo-politike apo kulturore. Elitat e këtij vendi vazhdimisht kanë prirë drejt zgjidhjeve të gabuara duke krijuar hendeqe zhvillimore ne marrëdhëniet brenda dhe jashtë vendit.

    Bujar Rama ka të drejtë kur nënvizon se ata që kërkojnë të gjejnë rrënjët e identitetit, e bëjnë këtë sepse ndjejnë në vetvete mungesë identiteti.

    Shqiptarët e kanë identitetin e tyre kombëtar. Jo vetëm kaq, por e kanë në disa raste të mbishprehur, gati në infantilizëm. Për fat të keq, elitat e tyre nuk kanë pasur dhe nuk kanë identitet.

    Në Shqipëri është trumbetuar si europiane dhe liberale prirja për të dalë kundër interesave të vendit, dëshira shpesh e çmendur për të deklaruar mungesën e themeleve të kombit shqiptar apo aftësive të shtetformimit; është përkrahur ai që ka kërkuar ndarjen regjionale të Shqipërisë, është mbështetur ai që i ka shpallur shqiptarët dhe kosovarët dy kombe të ndryshëm, është lartësuar ai që ka sulmuar origjinën shoqërore dhe kulturore të shumicës së popullsisë shqiptare. Disidenca ideologjike antikombëtare është vlerësuar si virtyt i mendjes së hapur dhe i progresit të elitave.

    Ashtu si lulja e diellit, në çdo epokë, elitat e këtij vendi i janë referuar pikës më të ndritshme (kryesisht ideologjike) por dhe më të afërt (fitimprurëse) duke u detyruar një herë në 20 vjet të kërkojnë falje dhe të përmbysin qëndrime. Dikush prej tyre edhe vepra.

    Ka ardhur koha ta themi njëherë e mirë me zë të plotë: Identiteti kombëtar shqiptar ekziston. Por ai nuk është ideologjik. Ai është pronësor. Ai buron nga një origjinë njerëzore (komponenti religjoz), i përket një cikli historik (komponenti politik dhe kulturor) dhe reflekton pritshmërinë për të ardhmen (komponenti ekonomik). Kjo e fundit e bën atë të gjymtuar sot për sot, por jo të paringritshëm.


    Çka ishte e padurueshme në këtë debat ishte metodologjia e urrejtjes, që adoptuan palët. Mekanizmi i rehabilitimit identitar nuk mund të rindizet me urrejtje, por me dashuri për bashkëkombasit.


    Vazhdimi ketu: http://www.albpr.org/g-news/modules.php?name=News&file=article&sid=215
    Ndryshuar për herë të fundit nga AIPR : 30-06-2006 më 03:13

Faqja 12 prej 12 FillimFillim ... 2101112

Tema të Ngjashme

  1. Premisa të gabuara
    Nga Arrnubi në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 30-04-2012, 18:25
  2. Përgjigje: 10
    Postimi i Fundit: 06-10-2011, 14:03
  3. A po realizohet teoria e konspiracionit hebre?
    Nga DEN_Bossi në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 9
    Postimi i Fundit: 20-11-2006, 12:27
  4. Rexhep Qosja: Të vërtetat e vonuara
    Nga ARIANI_TB në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 20
    Postimi i Fundit: 19-09-2006, 20:51
  5. Historia fetare përmes historisë dramatike (nga Ismail Kadare)
    Nga macia_blu në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 23
    Postimi i Fundit: 13-01-2004, 12:15

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •