Close
Faqja 11 prej 12 FillimFillim ... 9101112 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 101 deri 110 prej 119
  1. #101
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2004
    Postime
    6,063
    IDENTITETIT KOMBËTAR SHQIPTAR

    Shprehitë e vjetra

    Kritikën e pikëpamjeve të mia mbi ndikimin e mundshëm çintegrues të vetëdijes së tejshquar fetare në shoqërinë e sotme shqiptare, prandaj edhe në identitetin kombëtar, Ismail Kadare e fillon ashtu siç filloheshin shkrimet politike dhe ideologjike në kohën e komunizmit: duke zbatuar metodologji ideologjike - duke ia vënë gishtin tregues komplotit të armiqve të brendshëm dhe të jashtëm politikë e klasorë dhe duke kërkuar likuidimin e tyre moral! Dy ngjarje politike i shërbejnë Ismail Kadaresë për të bërë politikisht dhe ideologjikisht të dyshimta, në të vërtetë kombëtarisht të dënueshme, pikëpamjet e mia mbi çështjen e trajtuar: e para, ardhja e kryekomisionarit të Bashkimit Evropian, Baroso, në Tiranë në lidhje me nënshkrimin e afërm të marrëveshjes së Shqipërisë me Evropën dhe, e dyta, fillimi i bisedimeve për statusin e ardhshëm të Kosovës, që sapo kishin filluar në Vjenë. Unë isha ai që, ja, me veprimtari mendore dhe politike po sabotoja fitoret që sapo dukeshin në horizontin shqiptar!

    Po, t’ia japim fjalën vetë Ismail Kadaresë:
    “Sa më shumë që nënshkrimi i marrëveshjes së Shqipërisë shtetërore me Evropën afrohej, aq më fort ndiheshin murmurimat. Sa më shumë që afrohej caktimi i statusit të Kosovës, me fjalë të tjera, besimi i Evropës e i Amerikës se Kosova mund të hynte si shtet i pavarur në familjen kontinentale, aq më këmbëngulëse bëhej krrokama se shqiptarët ishin si mish i huaj, pra i padashur, për Evropën.”
    Dhe, më tej:
    “S’ishte mbushur as java e fillimit të bisedimeve të Vjenës për statusin e Kosovës, e s’kishin kaluar veç disa orë që avioni i kryekomisionarit evropian Baroso, ishte ulur në aeroportin e Tiranës, kur murmurimat disi kaotike u shtuan. Ato u shfaqën madje edhe atje ku priteshin më pak, si për shembull, në ndonjë deklarim të akademikut nga Kosova, Rexhep Qosja”.
    Meqenëse presjet i vë edhe ku s’duhet, nuk është e çuditshme pse Ismail Kadare nuk e vë pikëçuditjen ku duhet: në fund të kësaj fjalie.

    Po të lëmë rregullat e pikësimit e të gramatikës e të shohim logjikën.

    Për të parë sa larghedhëse është kjo logjikë politike po i kthejmë dy pasuset e cituara në trajtën e bashkëbisedimit sepse, kështu, do të mësojmë më mirë çka në thelb mendon autori dhe si mund t’i përgjigjet ndonjë lexues.
    Çka po ngjante ndër shqiptarët në çastet kur po afrohej nënshkrimi i marrëveshjes së Shqipërisë shtetërore me Bashkimin Evropian?
    Po ndiheshin murmurimat.(Mungon pikëçuditja).
    Çka po ngjante në çastet kur po afrohej caktimi i statusit të Kosovës, me fjalë të tjera besimi i Evropës e i Amerikës se Kosova mund të hynte si shtet i pavarur në familjen kontinentale?
    Aq më këmbëngulëse bëhej krrokama se shqiptarët ishin si mishi i huaj, pra i padashur, për Evropën!
    Cilët ishin këta krrokatës?
    S’ka përgjigje!
    Çka ngjau pak para se të mbushej java e fillimit të bisedimeve të Vjenës për statusin e Kosovës, e s’kishin kaluar veç disa orë që avioni i kryekomisionarit evropian, Baroso, ishte ulur në aeroportin e Tiranës?
    Murmurimat kaotike u shtuan edhe më shumë.
    Prej nga erdhën ato murmurima kaotike?
    Prej nga priteshin më pak.
    Prej nga priteshin më pak?
    Nga ndonjë deklarim i akademikut nga Kosova, Rexhep Qosja.
    Akademiku nga Kosova? Pse e quan akademiku nga Kosova? A vetëm nga Kosova? Ai në zemër s’e ndan Shqipërinë nga Kosova. Për ta larguar prej Shqipërisë shtetërore apo për të treguar se nuk njihet në Shqipërinë shtetërore?
    S’ka përgjigje!
    Mos kur thua se priteshin më pak do të thuash se, megjithatë, nuk është që nuk priteshin fare murmurima kaotike prej gojës së tij?
    Megjithatë, murmurima të tilla kaotike priteshin edhe prej tij?
    Si mund të priteshin murmurima të tilla që t’i i pandeh kaotike prej tij kur ai ka shkruar mbi 3500 faqe për çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare në përgjithësi dhe të gjitha këto faqe janë dëshmi e përpjekjeve të tij për t’u çelur dyert e shtëpisë së madhe evropiane edhe për shqiptarët? Si mund të priteshin murmurima të tilla kaotike prej tij, që ti i pandeh kundërevropiane kur aq përpjekjet mendore dhe politike ka bërë dhe bën ai për të sjellë vlerat dhe standardet evropiane në jetën e popullit të vet?
    S’ka përgjigje!
    Dhe, ja se si e dëshmon Ismail Kadare pohimin e tij se edhe prej meje priteshin murmurima kaotike kundër ardhjes së kryekomisionarit evropian, Baroso, në Tiranë në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes me Shqipërinë dhe kundër bisedimeve të Vjenës për caktimin e statusit përfundimtar të Kosovës, domethënë për kthimin e Shqipërisë shtetërore dhe të Kosovës në familjen mëmë.
    “Përveç nervozizmit të papërligjur ndaj asaj tradite kulturore që ka qenë lidhur me katolicizmin e hershëm shqiptar, nervozizëm që nuk lë pa prekur mbajtjen e portretit të Nënë Terezës në institucionet e Kosovës, në këto shkrime (pra në shkrimet e Rexhep Qosjes-R.Q) spikat diçka e errët dhe e rrezikshme: ndarja e identitetit shqiptar”.
    Nuk ka dyshim se Ismail Kadare nuk është “i ngathët nga mendja” që të mos e kuptojë të vërtetën dhe të drejtën, por Ismail Kadare sado përpiqet të lahet e të shpërlahet nga e kaluara politike dhe ideologjike, nuk arrin të lirohet prej shprehive mendore të krijuara në atë të kaluar. Ato shprehi bëjnë që në shkrimin tim të mos shohë çka në thelb ka dhe që në shkrimin tim të fusë çka nuk ka! Në trajtesën për idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare askund, me asnjë fjali, nuk jam marrë me “traditën kulturore që ka qenë e lidhur me katolicizmin e hershëm shqiptar”. Në qoftë se në këtë shkrim me asnjë fjali nuk jam marrë me atë traditë kulturore, shtrohet pyetja: ku e gjen Ismail Kadare atë “nervozizëm të papërligjur” të Rexhep Qosjes ndaj “traditës kulturore që ka qenë e lidhur me katolicizmin e hershëm shqiptar”?
    Në veprat e mia? Jo.
    Në shkrimin për Gjon Buzukun, Një vazhdim a një fillim i madh, të paraqitur në sesionin shkencor, në Ulqin në vitin 1995, me rastin e 440-vjetorit të Mesharit? Jo.
    Në Antologjinë historike të letërsisë shqipe, të botuar nga Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore të Kosovës në Prishtinë në vitin 1985, në të cilën janë përfshirë edhe Formula e pagëzimit dhe përkthime e shkrime të Buzukut, Lekë Matrangës, Frang Bardhit, Pjetër Budit, Pjetër Bogdanit, Gjon Nikollë Kazazit, Ndue Bytyçit, Filip Shirokës, Ndre Mjedjes, Zef Skirovit, Luigj Gurakut, Hilë Mosit? Jo.
    Në Historinë e letërsisë shqipe, Romantizmi I-II-III, të botuar për herë të parë në vitin 1984-1985, në të cilën, përpos autorëve të besimit ortodoks dhe myslimanë, natyrisht, janë paraqitur edhe autorët katolikë, mes të cilëve edhe Zef Skiroi, të cilit Ismail Kadare atëherë mund t’ia përmendte emrin vetëm dënueshëm? Jo
    Në studimet, trajtesat, sprovat e mia të botuara në revista në Prishtinë për Ndre Mjedjen, Filip Shirokën, Luigj Gurakuqin, Gjergj Fishtën? Jo.
    Në studimin mbi periodizimin e letërsisë shqipe prej Rilindjes e deri sot, të botuar për herë të parë në vitin 1973 dhe të mbajtur, mandej, si ligjëratë edhe në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në të cilën është folur edhe për Gjergj Fishtën dhe është folur në një kohë kur Ismail Kadare për të shqiptonte akuza tepër të rënda me të cilat e zhvlerësonte krijimtarinë e Fishtës dhe, në përgjithësi, letërsinë e klerikëve katolikë? Jo.
    Në librin Tri mënyra të shkrimit shqip, në të cilën flitet edhe për Gjon Buzukun, Pjetër Budin, Frang Bardhin, Pjetër Bogdanin, Ndre Mjedjen, Gjergj Fishtën? Jo.
    Askund në veprat e mia – në monografitë, studimet historike, trajtesat, sprovat, antologjitë e mia, askund nuk mund të gjendet farë “nervozizmi i papërligjur ndaj asaj tradite kulturore që ka qenë e lidhur me katolicizmin e hershëm shqiptar”. Përkundrazi: për secilin që gjykon ndershëm, mund të gjendet një përkushtim, vërtet, i madh, si edhe ndaj gjithë letërsisë shqipe. Ku e gjen atëherë Ismail Kadare atë “nervozizëm të papërligjur” të Rexhep Qosjes “ndaj traditës letrare që ka qenë e lidhur me katolicizmin e hershëm shqiptar”? Ku, vërtet?
    Mos në nxitimet e tij të tanishme për të qenë politikisht i koniunkturshëm duke u paraqitur si mbrojtës kinse i asaj tradite që dikur e zhvlerësonte, madje e mallkonte politikisht, ideologjikisht dhe artistikisht? Mos për t’i krijuar vetes edhe mundësinë “e përligjur” që të bëhet politikisht dhe letrarisht i koniunkturshëm duke mbrojtur gjoja edhe një figurë politikisht fort të koniunkturshme sot: duke mbrojtur Nënën Tereze prej meje thuajse ajo “tradita kulturore që ka qenë e lidhur me katolicizmin e hershëm shqiptar” dhe Nëna Tereze pashmangshëm janë në lidhje historiko-letrare?
    E bën këtë lidhje të paligjshme Ismail Kadare për të pasur mundësinë “e ligjshme” që të shprehë habinë e tij- të mbrojtësit tmerrshëm të vonuar të “asaj tradite kulturore që ka qenë e lidhur me katolicizmin e hershëm shqiptar”- se si mendja ime – e mbrojtësit të asaj tradite kur ai e mohonte dhe fyente – nuk e arsyeton” mbajtjen e portretit të Nënës Tereze në institucionet e Kosovës.” Dhe, këtu, pikërisht në mospajtimin tim me mbajtjen e portretit të Nënës Tereze e të Papës në institucione partiake e administrative të Kosovës, Ismail Kadare pandeh se paska zbuluar Djallin e Tasmanisë, për çka do t’i shprehet mirënjohje nga shqiptarët në Kosovë e në Shqipërinë shtetërore, ndoshta në Evropë apo, pse jo, edhe në Nju-Jork! Zbulimi i këtij Djalli që u ngritka edhe kundër vënies së portretit të Nënës Tereze në institucionet në Kosovë e bën shumë të koniunkturshëm katekizmin politik dhe ideologjik të Ismail Kadaresë.

    vazhdon....

  2. #102
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2004
    Postime
    6,063
    Përdorimi politik i emrit të Nënës Tereze

    Po cila është e vërteta për qëndrimin tim ndaj mbajtjes së portretit të Nënës Tereze në institucionet e Kosovës, në të vërtetë në një institucion partiak dhe në një institucion administrativ të Kosovës? Nuk është e vërtetë se jam ngritur me “nervozizëm” kundër mbajtjes së portretit të shenjtores, Nëna Tereze, në institucionet e Kosovës; e vërtetë është, vetëm, se jam ngritur dhe ngrihem pa nervozizëm kundër përdorimit politik të emrit, të portretit dhe të veprimtarisë së misionares dhe humanistes, Nëna Tereze, prej disa fundamentalistëve fetarë dhe disa koniunkturistëve politikë gjithnjë për interesat e tyre fetare - në rastin e parë dhe pushtetore – në rastin e dytë. Të them se menjëherë pas vdekjes së saj, për Nënën Tereze kam botuar një sprovë dhe kam dhënë dy deklarata: njërën të kërkuar prej BBC-së e tjetrën prej medieve të Prishtinës. Qëndrimi im ndaj emrit dhe portretit të Nënës Tereze sot nuk mund të mos jetë i kushtëzuar nga përdorimi fundamentalist fetar dhe politik i atij emri dhe atij portreti. Mbas gjithë asaj që është bërë dhe po bëhet rreth Nënës Tereze, domethënë mbas gjithë këtij përdorimi e shpërdorimi politik të emrit, të portretit dhe të veprimtarisë së saj si misionare dhe humaniste, nuk e quaj kombëtarisht të mençur mbajtjen e portreteve të saj qoftë në institucionet politike e shtetërore të Kosovës, qoftë në institucione politike e shtetërore të Shqipërisë shtetërore. Jo. Është tejtheksuar se veprimtaria prej humanisteje e Nënës Tereze është e pandarë, madje, e kushtëzuar, nga veprimtaria e saj prej misionareje katolike. Papa Gjon Pali i Dytë ka shpallur disa qindra të shenjtë, gjithsesi, thonë njohës të tij, më shumë se të gjithë papët para tij. Ndër shenjtorët dhe shenjtoret që ka shpallur Ai dhe që kanë shpallur papët para tij natyrisht se nuk ka ortodoks, hebre, hindus, mysliman. Të gjithë janë shpallur shenjtorë dhe shenjtore sepse ishin të jashtëzakonshëm si katolikë. Është e kuptueshme se prej të gjithë atyre që e shikojnë portretin e Nënës Tereze, kudo qoftë i vënë ai, që e shikojnë shtatoren e saj kudo qoftë e ngritur ajo, që e lexojnë emrin e saj kudo qoftë i shkruar ai, Nëna Tereze perceptohet si shenjtore katolike. Kot përpiqen të na e mbushin mendjen përdoruesit fetarë dhe politikë të emrit, të portretit dhe të veprimtarisë së saj humaniste, se Nëna Tereze meriton të jetë portreti, shtatorja, mbishkrimi mbizotërues në institucionet politike e shtetërore, në institucionet kulturore të qyteteve shqiptare, sepse është fituesja e vetme shqiptare e Çmimit Nobel. Çmimi Nobel i është dhënë edhe shkencëtarit dhe humanistit shqiptar, Ferid Murati, zbulimi shkencor i të cilit është i rëndësishëm për të gjithë njerëzit në të gjitha kontinentet dhe jo vetëm për të sëmurët, të varfrit e të braktisurit e botës, para së gjithash, të Indisë. Por, Ferid Muratit nuk i ngrihet kund një shtatore, nuk stoliset me emrin e tij ndonjë institucion kulturor, nuk vihet portreti i tij në ndonjë institucion politik e shtetëror. Pse? Sepse Ferid Murati nuk është i krishterë prandaj emri dhe portreti i tij nuk mund të shpërdoren për nevojat e mobilizimit politik të krishterimit dhe për nevojat karrieriste të koniunkturistëve tanë politikë dhe kulturorë.

    Në fund të shtjellimit të sipërthënë është e kuptueshme të shtrohet pyetja: ku i çon shqiptarët përdorimi i tillë i tejshtrirë e i tejmadhëruar fetarisht i emrit, i portretit dhe i veprimtarisë së Nënës Tereze? Çka u sjell shqiptarëve, të cilët u takojnë jo vetëm dy a tri, po pesë feve (katolike, ortodokse, myslimane, protestante dhe ateiste) përdorimi aq irracional i emrit, i figurës dhe i veprimtarisë së një shenjtoreje sa edhe emri i aeroportit të Tiranës pagëzohet me emrin e saj: NËNA TEREZE, edhe pse çdokush mund ta dijë se prej atij aeroporti, ashtu si edhe prej çdo aeroporti në këtë botë, mund të ngrihen nesër edhe aeroplanë luftarakë, që do të bombardojnë fshatra e qytete e të vrasin burra, gra, fëmijë, të varfër e të sëmurë, të cilëve ajo ua kishte kushtuar jetën? Çka do të thotë ky mitologjizim në thelb fetar, për arsye fundamentaliste fetare dhe të koniunkturshme politike, i një shenjtoreje në një vend shumëfetar? Logjika e jep këtë përgjigje: do të thotë nxitje e pjesëtarëve të feve të tjera, para së gjithash, të fesë myslimane, që e njëjta gjë të bëhet me emrat dhe me portretet e figurave të shquara fetare të fesë së tyre. Për këtë arsye emri, portreti dhe shtatorja e Nënës Tereze duhet vënë në mjedise fetare, humanitare dhe shëndetësore e jo edhe në aeroportin e Tiranës, e jo edhe në institucione politike e shtetërore, e jo edhe në sheshe të qyteteve. Bashkëjetesa e harmonishme mes feve të cilave u takojnë shqiptarët, baraspesha historike midis këtyre feve, interesat historike të popullit shqiptar e kërkojnë sot si dje, nesër si sot, që emrat, portretet dhe shtatoret e figurave të njohura, të shquara e të mëdha kombëtare, historike dhe kulturore, siç janë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Gjon Buzuku, Marin Barleti, Pjetër Budi, Frang Bardhi, Konstandin Kristoforidhi, Vaso Pasha, Abdyl, Sami dhe Naim Frashëri, Çajupi, Fan Noli, Faik Konica, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Gjergj Fishta, Ndre Mjedja, Eqrem Çabej, Aleksandër Moisiu dhe të sa e sa piktorëve, skulptorëve, kompozitorëve, shkencëtarëve, krijuesve e artistëve të tjerë të mos zëvendësohen nga emra, portrete, shtatore klerikësh, shenjtoresh, që perceptohen para së gjithash si vetje fetare – katolike, myslimane, ortodokse. Të sipërpërmendurit janë emra vetjesh që mbahen mend për veprat kulturore që kanë lënë a për bëmat historike që kanë bërë, që kanë pasur, kanë dhe do të kenë funksion integrues në jetën e popullit shqiptar sepse vepra e tyre, krijimtaria e tyre, veprimtaria e tyre kulturore, shoqërore, politike i shërbente Shqipërisë, u shërbente të gjithë shqiptarëve. Pavarësisht së cilës fe i takojnë, ata perceptohen ndryshe se ç’perceptohet Nëna Tereze: perceptohen kryekëput si krijues e veprimtarë atdhetarë e jo si fetarë.

    vazhdon....

  3. #103
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2004
    Postime
    6,063
    Identiteti dhe identitetet

    Përveç, si e pamë, për nervozizmin që “nuk lë pa prekur mbajtjen e portretit të Nënës Tereze në institucionet e Kosovës”, Ismail Kadare më fajëson edhe se po e ndaj “identitetin evropian” të shqiptarëve në “identitet mysliman” dhe në “identitet të krishterë”. Dhe, kjo ndarje që bëkam unë i ngjan atij si një muzikë e njohur, që e ka dëgjuar shumë herë. I shqetësuar prej tingujve të kësaj muzike të dëgjuar shumë herë, është e kuptueshme pse ai ua përkujton lexuesve shumë i sëndisur pasojat e një ndarjeje të tillë, domethënë të një muzike të tillë! Në vend të gjithë fjalive, në të cilat numërohen ato pasoja, po e citoj vetëm fjalinë përmbyllëse: “Përçartje të tilla, në prag të afrimit të portave të Evropës, përpara se të ishin komike, janë thellësisht tragjike. Si të tilla, ato kërkojnë një përgjigje të qartë, serioze dhe pse jo, të prerë. Në raste të tilla parimi kryesor është se një popull është ai që është dhe s’ka nevojë as për pudër zbukurimi e as për blozë përçmuese”.

    Bukur apo jo!
    Një popull është ai që është.
    S’ka dyshim.
    Dhe, s’ka nevojë për pudër zbukurimi.
    Pa dyshim.
    As për blozë përçmuese.
    Pa dyshim.
    Kur e zbukurojmë një popull me pudër zbukurimi?
    Kur e quajmë evropian dhe të krishterë, pa dyshim.
    E kur e shëmtojmë me blozë përçmuese?
    Kur e quajmë joevropian dhe mysliman, pa dyshim!
    Domethënë: pudra zbukuruese mund të qitet vetëm në fytyrën evropiane dhe të krishterë, kurse bloza përçmuese vetëm në fytyrën joevropiane dhe myslimane!
    Kjo është përgjigjja e qartë, serioze dhe, pse jo e prerë e Ismail Kadaresë!
    Bukur apo jo! Muzika ngjan shumë e njohur apo jo!

    Po, t’i kalojmë njëherë për njëherë gjykimet e këtilla “serioze”, serioze në mënyrë raciste, të Ismail Kadaresë dhe të merremi pak me katekizmin e tij të identitetit.
    Prej sprovës së tij Identiteti evropian i shqiptarëve shihet se Ismail Kadare e trajton identitetin si diçka të dhënë njëherë e përgjithmonë, që e përcaktojnë gjeografia, lidhja gjinore, ngjyra e lëkurës dhe... hajde gjeje çka më! “S’duhej ndonjë filozofi për të kuptuar se fetë mund të ishin të ndryshme, por identiteti, ashtu si lidhja gjinore, mbetej gjithmonë një”! Kultura materiale dhe shpirtërore, feja, tradita, zakonet, historia – si të mos ishin fare: ato nuk lënë kurrfarë shenjash në identitetin e vetjeve, grupeve etnike dhe popujve! Ku është dëgjuar kjo? Maturanti që do të gjykonte ashtu për identitetin në Bashkimin Evropian dhe në SHBA-të do të përsëriste klasën. Ndikimin e fesë në përbërjen e identitetit Ismail Kadare jo vetëm se e mohon, por edhe e përbuz! Thuajse nuk ka parë dhe thuajse nuk ka dëgjuar se fetë janë përbërës shumë i rëndësishëm i identitetit, aq të rëndësishëm sa shumë herë dhe shumëkund janë bërë përcaktues të tij. Po të mos ishte kështu nuk do të flitej, për shembull, për qytetërimin e krishterë dhe për qytetërimin islamik. Dhe, po të mos ishte kështu nuk do të shkruante Semjuel Hantingtoni veprën e tij Konflikti i qytetërimeve, në të cilën bazë
    të qytetërimeve që ai, fatkeqësisht, i pandeh në konflikt, quan fenë myslimane, në njërën anë, dhe fenë e krishterë, në anën tjetër!

    Në sprovën e tij Ismail Kadare gjykon dhe bën përgjithësime për identitetin duke mos pasur parasysh se kemi identitet të veçantë dhe identitet të përgjithshëm; identitet vetjak dhe identitet kolektiv; identitet konvencional dhe identitet të ri; identitet historik dhe identitet kulturor; identitet politik dhe identitet mendor; identitet fetar dhe identitet shtetëror. E të tjera. Të gjitha këto identitete, që janë identitete më pak a më shumë të veçanta, të një rrafshi më të ngushtë, bashkohen në një përgjithësi, në një të tërë, që do t’i themi identiteti kombëtar.

    Dhe, më konkretisht: kemi shqiptarë me identitet kosovar, shqiptarë me identitet lab, shqiptarë me identitet gegë, shqiptarë me identitet toskë, shqiptarë me identitet mirditas, shqiptarë me identitet malësor, por të gjitha këto identitete të veçanta bashkohen në atë përgjithësinë, të përgjithshmen, të tërën, që i themi identiteti kombëtar shqiptar.
    Dhe, më tej: kemi shqiptarë me identitet katolik, shqiptarë me identitet ortodoks, shqiptarë me identitet mysliman, shqiptarë me identitet protestant dhe shqiptarë me identitet ateist, por të gjitha këto identitete të veçanta, më të ngushta, më të vogla, në sajë të përbashkëtave të përmbajtura në secilin prej tyre bashkohen në atë përgjithësinë, në atë të përgjithshmen, në atë të tërën që i themi IDENTITETI KOMBËTAR SHQIPTAR.
    Ai që i ka të qarta këto, ai që ka kuptim për marrëdhënien e të veçantave me të përgjithshmen, nuk do të akuzojë kë se po ndan shqiptarët në të krishterë dhe në myslimanë vetëm pse konstaton se kemi shqiptarë me identitet të krishterë dhe shqiptarë me identitet mysliman- se ata si të krishterë (katolikë, ortodoksë, protestantë) dhe myslimanë janë të gjithë shqiptarë: janë shqiptarë në sajë të përbashkëtave shqiptare të përmbajtura në secilën prej feve të tyre.
    Pse, atëherë, Ismail Kadare çel derën e çelur prej meje para tij?!


    vazhdon......

  4. #104
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2004
    Postime
    6,063
    Evropa shumëkulturore

    Ashtu siç nuk do ta kuptojë drejt marrëdhënien e identiteteve fetare shqiptare me identitetin kombëtar shqiptar, po ashtu Ismail Kadare nuk do ta kuptojë drejt as marrëdhënien e identitetit kombëtar shqiptar me identitetin evropian! Nuk është e vështirë për të parë se togfjalëshin identitet evropian ai e njëjtëson me projektin politik evropian, domethënë me Bashkimin Evropian, si bashkësi e shteteve dhe popujve evropianë, në njërën anë dhe me krishterimin, në anën tjetër. Nuk ka dyshim se shtetet dhe popujt, që do të përbëjnë Evropën e Bashkuar, do të kenë një identitet politik – shtetëror, si një përgjithësi, si një e tërë, si një e përbashkët e të veçantave politike dhe shtetërore të shteteve që do ta përbëjnë. Evropës së Bashkuar të gjitha shtetet që do ta përbëjnë do t‘ia dhurojnë, të mos thuhet do t’ia flijojnë, të veçantat e tyre politiko-shtetërore, por nuk do të mund të thuhet se Evropës së Bashkuar do t’ia flijojnë, së paku tani për tani, identitetet e tyre kombëtare, në të cilat janë të përmbajtura veçantitë që nënkuptojnë historia, gjuha, feja, tradita, kultura, zakonet e të tjera. Nuk e di si do të jetë sot pesëdhjetë a sot njëqind vjet, por sot për sot shihet se të gjithë popujt evropianë, që përbëjnë Bashkimin Evropian, kujdesen të ruajnë përbërësit e identitetit të tyre kombëtar: historinë, gjuhën, fenë, kulturën, traditën e përbërësit e tjerë. Bashkimi Evropian bëhet Evropë e kombeve.

    Përpos me projektin politik evropian, domethënë me Bashkimin Evropian, togfjalëshin identitet evropian Ismail Kadare e njëjtëson edhe me krishterimin. Ky njëjtësim, historikisht i shikuar, nuk është i saktë. Kontinenti evropian nuk ka prejardhje vetëm të krishterë. Është i madh numri i intelektualëve dhe i politikanëve evropianë të cilët vitin e kaluar e kanë kundërshtuar nismën për të futur në Kushtetutën e Bashkimit Evropian konceptin mbi prejardhjen e krishterë të kontinentit. Shkrimtari dhe teoriku i njohur italian, Umberto Eko, e kundërshton atë nismë për dy arsye:
    e para, për arsye politike, dhe,
    e dyta, për arsye historike.


    Arsyeja politike: nuk duhet të futet në Kushtetutën e Bashkimit Evropian koncepti mbi prejardhjen e krishterë të kontinentit, sepse Evropa e ardhshme duhet të jetë, thotë ai, projekt politik dhe vizion antropologjik e kjo, projekt politik dhe vizion antropologjik, për të e nënkupton Evropën shumëkulturore, shumëfetare dhe, gjithnjë e më dukshëm, shumëracore, shumëngjyrëshe – jo vetëm të bardhë.
    Arsyeja historike: nuk duhet të futet në Kushtetutën e Bashkimit Evropian koncepti mbi prejardhjen e krishterë të kontinentit sepse e kaluara e kontinentit, thotë ai, nuk është plotësisht e krishterë. Kulturën evropiane e kanë pasuruar: matematika e Indisë, mjekësia arabe, filozofia dhe shkenca greke, kur e kur e zbuluar në Evropë përmes arabëve, filozofia dhe shkenca romake, gjuha latine si gjuhë e ritualeve të shenjta, mitet dhe adetet pagane me trajtat e politeizmit, monoteizmi i hebrenjve. E të tjera.


    vazhdon....

  5. #105
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2004
    Postime
    6,063
    Ide raciste

    Nuk mund të them a është a s’është Ismail Kadare i një mendjeje me intelektualët dhe politikanët evropianë, që janë ngritur kundër futjes në kushtetutën e Bashkimit Evropian të konceptit mbi prejardhjen e krishterë të kontinentit, por mund të them se disa ide dhe disa mendime të tij të përmbajtura në Identitetin evropian të shqiptarëve do të priteshin mirë prej publicistes së njohur italiane, Oriana Falaçi,dhe prej kult-shkrimtarit francez, Mishel Uelbek, që në vendet e tyre janë akuzuar për ide raciste!
    Pse do të mund të priteshin mirë prej asaj publicisteje dhe prej atij shkrimtari disa ide dhe mendime të shkrimtarit tonë? Sepse janë ide raciste.

    “Letrat e Shqipërisë – shkruan Ismail Kadare në Identitetin evropian të shqiptarëve – janë të qarta. Populli shqiptar nuk ka identitet gjysmak, të shtirë apo të fshehur pas lajlelulesh mashtruese. Identiteti i tij është gjithashtu i qartë, pavarësisht se dikush nuk dëshiron ta shohë, e dikujt nuk i intereson ta shohë”.
    Kush janë ata që nuk dëshirojnë ta shohin këtë identitet të qartë të shqiptarëve?
    S’ka përgjigje!
    Kush janë ata të cilëve nuk u intereson ta shohin identitetin shqiptar, që nuk është i “fshehur pas lajlelulesh mashtruese”?
    S’ka përgjigje!
    A ka identitete të fshehura pas” lajlelulesh mashtruese”?
    S’ka përgjigje!
    Pse s’thuhet se edhe letrat e Kosovës janë të qarta?
    S’ka përgjigje!
    Çka thuhet më tutje?
    Thuhet:
    “Gjeografia, gjëja më kokëfortë në botë, dëshmon e para evropianitetin shqiptar. Zelli i atyre që me çdo kusht duan ta zbehin disi edhe këtë fakt kokëfortë, arrin disa herë të krijojë përshtypjen se Shqipëria është në skaj të Evropës dhe fill pas saj nis Turqia, ose Azia. Ndërkaq, kur hedh sytë në hartë vëren se gjer në atë kufi shtrihen së paku tri shtete të tjera: Maqedonia,Greqia dhe Bullgaria. Për të mos përmendur atë që quhet “Turqia evropiane”. Popullsia shqiptare, ashtu si e gjithë kontinentit evropian, është e bardhë. Ashtu si gjuha, ajo quhet, në rastin më të favorshëm, pasardhëse e ilirëve, në më të pafavorshmet, e trako-ilirëve”.
    A është e mundshme?
    Shkrimtari është bërë mësues i gjeografisë: po na tregon se Shqipëria është në Evropë. Nxënësit që do të përgjigjeshin saktë do të merrnin notë dhjetë!
    A është e mundshme!
    Muzika, vërtet, ngjan si e njohur! Tragjikisht e njohur.
    Shqipëria dhe Kosova, kur është fjala për identitetin, i paskan letrat e ndara! E mësuam prej gojës së Ismail Kadaresë se letrat e
    Shqipërisë janë të qarta, por çfarë janë letrat e Kosovës. Çfarë janë letrat e shqiptarëve në Maqedoni? Çfarë janë letrat e shqiptarëve në Mal të Zi? Çfarë janë letrat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës?
    Të paqarta!
    Pse nuk qenkan të qarta letrat e Kosovës? Pse nuk qenkan të qarta letrat e gjithë shqiptarëve të tjerë kudo qofshin ata? Përgjigjen na e jep, natyrisht, vetë Ismail Kadare: duke i ndarë letrat e Kosovës prej letrave të Shqipërisë shtetërore!
    Dhe, kjo përgjigje nuk është e bindshme për arsye se gjeografia, “gjëja më kokëfortë në botë”, atë që e dëshmon për Shqipërinë shtetërore do të duhej ta dëshmonte edhe për Kosovën dhe shqiptarët e tjerë, së paku në Ballkan.
    Gjeografia është një “gjë” shumë e dashur nga shkrimtari ynë. Pse? Sigurisht për dy arsye: e para, për arsye se e dëshmon evropianitetin e shqiptarëve të Shqipërisë shtetërore dhe, e dyta, pse Evropën e ndan, në sajë të Gjirit të Bosforit, të Mesdheut, dhe të Gjirit të Gjibraltarit, prej Azisë dhe prej Afrikës! Ismail Kadare është i gëzuar pse Shqipëria shtetërore është më larg prej Azisë se disa shtete të tjera evropiane me identitet evropian. Ai është i gëzuar pse midis Shqipërisë shtetërore dhe Azisë shtrihen tri shtete: Maqedonia, Greqia dhe Bullgaria.
    “Për të mos përmendur atë që quhet “Turqia evropiane”! Dhe, këtë çerekshtetin tjetër, Turqinë evropiane, ai e fut në thonjëza!
    Pas këtyre margaritarëve gjeografikë, me të cilët e stolis qafën e Shqipërisë, shkrimtari ynë na e dhuron kryemargaritarin gjeografik me çmimin e të cilit shpreson të na bëjë të lumtur të gjithëve: “Popullsia shqiptare, ashtu si e gjithë kontinentit evropian, është e bardhë”. Në qoftë se gjeografia u ka caktuar shqiptarëve dhe evropianëve të tjerë fatin që të jenë të bardhë, mos gjeografia ua ka caktuar fatkeqësinë aziatikëve dhe afrikanëve që të jenë të verdhë, të vrugët, të zinj? Mos ngjyra është arsyeja pse Ismail Kadare dëshiron të na mbajë sa më larg prej tyre?
    Nuk është gjeografia e vetmja frymëzuese e idesë raciste të Ismail Kadaresë: frymëzim të njëjtë mund t’i sjellin atij edhe historia e arkeologjia. Dëgjojeni:” “Ashtu si gjuha, ajo quhet (popullsia shqiptare – R.Q) në rastin më të favorshëm, pasardhëse e ilirëve, në më të pafavorshmet, e trako-ilirëve"! Meqenëse, si e thonë studiuesit e tij, racizmi është “botëkuptim që s’pranon t’i çmojë dinjitetet të barabarta”, atëherë na del se rumunët e shkretë, si pasardhës të dakëve, fis trakas, nuk mund të kenë dinjitet të barabartë me pasardhësit e ilirëve, madje, as të iliro-trakasve.
    Po, t’i lëmë për pakëz idetë raciste dhe të merremi me frymëzuesen e tyre kryesore: me gjeografinë.

    vazhdon.......

  6. #106
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2004
    Postime
    6,063
    Gjeografia lëvizëse

    Është e çuditshme pse Ismail Kadare, megjithëse do të ketë qenë në kontinente të ndryshme, sigurisht, në Amerikë, në Azi dhe në Afrikë, nuk do të shohë se deri ku arrin roli i gjeografisë në përcaktimin e identitetit të popujve dhe të grupeve të ndryshme etnike. Nuk është shumë e vështirë, edhe në qoftë se nuk kemi pasur fatin që, përpos Evropës, të shohim edhe kontinente të tjera, të pranojmë se gjeografia, vërtet, flet shumë për identitetin e popujve e të grupeve etnike por, megjithatë, nuk i thotë të gjitha për të. Përpos gjeografisë, edhe një sërë faktorësh të tjerë marrin pjesë, cili më pak e cili më shumë, në përcaktimin e identitetit të tyre.Mund të thuhet se dikur, para, fjala vjen, katër-pesë shekujsh, gjeografia, vërtet, e përcaktonte plotësisht ose përafërsisht plotësisht, identitetin e popujve dhe të grupeve të ndryshme, por më vonë ky ndikim i saj do të vijë duke u pakësuar gjithnjë e më dukshëm. Zbuluesit e kontinenteve e të vendeve të reja, Kristofor Kolombo, Ferdinand Magelani, Amerigo Vespuçi dhe hulumtuesit e kontinenteve të zbuluara, mandej, posaçërisht të Afrikës, Azisë dhe Amerikës Jugore do të jenë të merituar – do të thoshin kozmopolitët apo do të jenë fajtorë – do të thoshin kundërshtarët e tyre – pse lartmadhëria e saj gjeografia pothuaj ka rënë prej fronit të lartë të identitetit.
    Pse mund të thuhet kështu?
    Mund të thuhet kështu sepse janë të shumtë shembujt që e dëshmojnë shfronësimin e gjeografisë në mbretërinë e identitetit.
    Nuk ka dyshim se dikur, para zbulimit të kontinenteve të reja, gjeografia e kontinentit të Australisë e përcaktonte identitetin (fizik, shoqëror dhe kulturor) e aborixhanëve; gjeografia e Amerikës e përcaktonte identitetin e majëve, inkëve, shoshonëve, çejenëve, apaçëve, komançëve e të fiseve të tjera indiane; gjeografia e kontinentit të Afrikës e përcaktonte identitetin e zezakëve, të arabëve dhe të popujve a grupeve të tjera që në atë kontinent jetonin; gjeografia e kontinentit të Azisë e përcaktonte identitetin e persianëve, tani të quajtur iranas, të afganëve, të kinezëve, të japonezëve, të vietnamezëve, të hindusve, të tajlandezëve e të tjerëve. Ajo kohë, ndërkaq, ka kaluar përgjithmonë dhe nuk do të kthehet më. Kontinentet e reja, Amerika dhe Australia, janë banuar me popullsi të kontinenteve të vjetra, para së gjithash, me popullsi të Evropës, të Afrikës dhe të Azisë. Prej gjysmës së dytë të shekullit njëzet lëvizjet e njerëzve prej shteti në shtet, prej kontinenti në kontinent janë bërë më të shpeshta.
    Tani njerëzit sikur e marrin gjeografinë me vete: në shpinë dhe në shpirt.
    Çka po shohim tani?
    Tani po shohim, natyrisht ata që duan të shohin, se anglezët, skocezët dhe irlandezët, fjala vjen, të cilëve dikur ua përcaktonin identitetin ishujt britanikë, e kanë ruajtur identitetin e tyre historikë edhe në Amerikë, në Kanada, në Australi dhe në Republikën Jugafrikane, natyrisht, të pasuruar me përbërës apo me ngjyresa përbërësish, që ka sjellë koha dhe që ka sjellë bashkëjetesa me popuj të tjerë në ato kontinente. Apo jo? Arabët jetojnë në dy kontinente, në kontinentin e Azisë dhe në kontinentin e Afrikës, prej të cilëve Ismail Kadare, pikërisht pse arabët jetojnë atje, përpiqet aq shumë ta largojë Evropën, sidomos, Shqipërinë, por arabët e kontinentit aziatik pothuajse nuk ndryshojnë prej arabëve të kontinentit afrikan: kanë të njëjtin identitet – arab, me prejardhje, me gjuhë, me fe, me kulturë, me qytetërim pothuaj të njëjtë.
    T’i afrohemi edhe më tepër Evropës.
    Turqit jetojnë në kontinentin e Azisë dhe në kontinentin e Evropës, që janë të ndarë nga Bosfori, por turqit e Turqisë Evropiane nuk ndryshojnë me asnjë përbërës të identitetit prej turqve të Azisë.
    Rusët jetojnë edhe në Evropë edhe në Azi, por rusët e kontinentit evropian kanë të njëjtin identitet që kanë rusët aziatikë.
    Shqiptarët jetojnë në Ballkan, në këtë pjesë të skajshme të Evropës, e jetojnë edhe në SHBA-të, në Kanada dhe në Australi, por shqiptarët ballkanikë, që kanë pasur rastin të vizitojnë bashkëkombësit e tyre në ato kontinente, nuk thonë se e kanë ndryshuar identitetin, së paku jo ata që kanë lindur në Ballkan. Përkundrazi.Thonë se shqiptarët që jetojnë në kontinente të tjera nuk janë më pak shqiptarë se ne në Ballkan: e kanë tejçuar atje identitetin kombëtar dhe e ruajnë traditën kulturore me shumë dashuri.
    Se sa është bërë i paqëndrueshëm roli i gjeografisë në përcaktimin e identitetit të popujve e të grupeve të ndryshme etnike në këtë planet më së miri, ndoshta, e tregojnë hebrenjtë. Fati tragjik historik i ka shpërndarë në disa kontinente, në vende të ndryshme të kontinentit evropian, të kontinentit aziatik dhe të kontinentit amerikan, por, prapë, edhe nëse përpiqen shumë që t’u përshtaten kushteve politike, shoqërore, kulturore në vendet ku jetojnë, prapë e ruajnë identitetin historik të hebrenjve.
    Por, sa i paqëndrueshëm është bërë ndikimi i gjeografisë në identitetin e popujve e të grupeve të ndryshme na e thotë edhe deklarata e shkrimtares së njohur amerikane, Emili Dikinson. I takonte brezit të ashtuquajtur brezi i humbur i shkrimtarëve amerikanë; kishte vendosur të jetonte një kohë larg Atdheut të vet – në Evropë, në Paris. Kur, më një rast, miqtë evropianë e pyesin: a frikësohet se duke jetuar aq gjatë larg atdheut, larg SHBA-ve, do të mbetet pa rrënjë, ajo do të përgjigjet: “Çka më duhen rrënjët në qoftë se nuk janë rrënjë që mund t’i marr me vete”. Kjo shkrimtare, me popullorësi, kryesisht, të paktë, por, megjithatë, shkrimtare gjeniale, para Luftës së Dytë Botërore e kishte vërejtur atë që ne as shtatëdhjetë vjet pas saj nuk po e vërejmë: se gjeografia nuk është më çka ishte. Kush ju beson të dhënave sendore mund të bindet se të njëjtën fjali të shkrimtares amerikane do të mund ta shqiptonin edhe Fani Noli, Faik Konica, Arshi Pipa, që kanë jetuar dhe kanë vdekur në SHBA-të,Naim Frashëri e Sami Frashëri, që kanë jetuar dhe kanë vdekur në Azi, në Stamboll; Vaso Pasha që ka vdekur në Azi, në Liban; Andon Zako Çajupi që ka vdekur në Afrikë, në Egjipt; Filip Shiroka që ka jetuar dhe ka vdekur në Azi, në Liban, dhe , sot, Naum Prifti dhe Naim Balidemaj, që jetojnë e krijojnë në Nju-Jork.
    Ç’duan të thonë të gjitha këto të dhëna?
    Duan të thonë, ndoshta, se gjeografinë mund ta shpallin edhe më tej faktor vendimtar në përcaktimin e identitetit të popujve e të grupeve të ndryshme etnike vetëm ata politikanë e intelektualë, të cilët, kur flasin për gjeografinë dhe identitetin, në thelb mendojnë për gjeografinë e kohës së Kristofor Kolombos. Harrojnë se, përpos lëvizjeve të njerëzve prej kontinenti në kontinent, edhe teknika e teknologjia, mediet elektronike, interneti dhe globalizimi i egër, ndikojnë në identitetin e popujve më shumë se gjeografia e shfronësuar.
    Ç’duan të thonë të gjitha këto?
    Duan të thonë, ndoshta, se që nga zbulimet e Kristofor Kolombos e këndej e, sidomos, që nga Revolucioni i Madh Francez, më 1789 e këndej, shumëfish më tepër se gjeografia është gjeopolitika, pra, politika e të fuqishmëve dhe e të pasurve, ajo që luan rol të “perëndishëm” në identitetin e vartësve të të gjitha llojeve.

    vazhdon.......

  7. #107
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2004
    Postime
    6,063
    Identiteti dhe kultura

    Përpos gjeografisë, Ismail Kadare do ta vërë edhe kulturën në shërbimin e përpjekjeve të tij për të qëruar hesape njëherë e përgjithmonë me përbërësit myslimanë të identitetit të shqiptarëve. Është bindur, më në fund, se vetëm me gjeografinë nuk e ka kryer punën. Përpos nocioneve, më së shpeshti të pasqaruara a të keqkuptuara, do të përdorë ai edhe krahasime, metafora e simbole për t’i mohuar e, kur nuk arrin t’i mohojë, për t’i zhvlerësuar ata përbërës. Si shkrimtar do ta quajë të arsyeshme apo, ndoshta, edhe të obligueshme që më së pari të qërojë hesape me letërsinë e bejtexhinjve e cila, sipas tij, është fryt i luftës që bënte Perandoria otomane, “për zbehjen e identitetit shqiptar dhe zëvendësimin me atë otoman” edhe pse kjo letërsi nuk ka luajtur ndonjë rol të veçantë në krijimin a mbajtjen e identitetit të shqiptarëve myslimanë. Në këtë betejë fitoren e pandeh të paracaktuar, për ç’arsye edhe mund të shkruajë:”
    “Letërsia e bejtexhinjve, për shembull, njëfarë brumi i përzier shqiptaro – turk, u thye përfundimisht, si një sajesë prej qerpiçi prej murit hijerëndë e monumental , ndonëse të ftohtë, të traditës së letërsisë dygjuhëshe shqiptaro-latine”. Sa më kujtohet, as Osman Myderrizi, as studiuesit e tjerë të paktë para tij apo pas tij të letërsisë së bejtexhinjve, nuk kanë shkruar se autorët e saj ishin të detyruar prej pushtetit turk që të shkruanin ashtu siç shkruanin, domethënë se ajo letërsi ishte e tillë çfarë ishte sepse në Perandorinë Otomane kishte një doktrinë teorike-letrare dogmatike, së cilës, deshën s’deshën, ishin të detyruar t’i përmbaheshin shkrimtarët, në radhë të parë shkrimtarët shqiptarë. Sa dihet, në Perandorinë Otomane nuk kishte një formacion letrar, që do të quhej “realizmi otoman” apo, “realizmi despotik”. Perandoria Otomane, si e thonë historianë të saj evropianë, që kanë jetuar në Stamboll si përfaqësues diplomatikë të vendeve të tyre evropiane, ishte një shtet kur më pak e kur më shumë despotik, si mbretëritë e asaj kohe në Evropë.Ka madje historianë evropianë që thonë se Perandoria Otomane, së paku deri në shekullin XIX, ishte shtet që e karakterizonte toleranca etnike. Mos të ishte kështu, thonë ata, nuk do të mbahej aq gjatë. Në këtë mbretëri ngjante, sigurisht, shpesh, që fatkëqijtë e shpallur fajtorë të nguleshin në hunj, por edhe në mbretëritë evropiane ngjante që fatkëqijtë e shpallur fajtorë të digjeshin në turrë të drurëve! Mund të besohet se ndonjëri nga të dënuarit më parë do të zgjidhte djegien në zjarr se nguljen në hu, por mund të kishte edhe të tillë që më parë do të zgjidhte nguljen në hu se djegien në zjarr! Barbaria politike ishte ligji i kohës edhe në Azi edhe në Evropë. Bejtexhinjtë shqiptarë shkruanin ashtu siç shkruanin jo pse ishin të detyruar t’i nënshtroheshin luftës së Perandorisë Otomane “për zbehjen e identitetit shqiptar” dhe për “gjymtimin e trurit të tyre”, por pse vetë, vullnetarisht, kishin vendosur të shkruanin ashtu: përzieshëm! Letërsia e bejtexhinjve shkruhej prej vetjeve, që kishin kryer farë shkolle fetare në gjuhën turke, arabe a persiane, ashtu siç shkruhej letërsia e krishterë prej vetjeve që kishin kryer farë shkolle a fakulteti në gjuhën latine. Ajo shkruhej prej vetjeve të cilët, si shumëherë dhe shumëkund gjatë historisë, e kishin pranuar pushtetin, gjuhën, kulturën, politikën, ideologjinë, zakonësinë, rendin shoqëror të pushtuesit: të pushtuesit despotik i cili, megjithatë, vëllezërit e tyre të besimit katolik dhe ortodoks i lejonte të shkruanin qoftë shqip, qoftë latinisht, qoftë greqisht apo italisht. E tillë çfarë ishte ajo përfaqësonte për ta dhe lexuesit e tyre shijen e kohës, besimin dhe iluzionin e kohës. Letërsia e bejtexhinjve ishte, pra, shprehje e vullnetshme e autorëve të saj, ashtu siç ishte letërsia katolike apo ortodokse shprehje e vullnetshme e autorëve të tyre, ashtu siç ishte letërsia e realizmit socialist shprehje e vullnetshme, edhe teorikisht e mbështetur, e Ismail Kadaresë në kohën e komunizmit. Letërsia e bejtexhinjve shkruhej mbi temat fetare, si edhe letërsia e krishterë. Letërsia e bejtexhinjve, ndërkaq, më shpesh se letërsia e krishterë, shkruhej edhe mbi tema laike dhe kjo do të thotë se tematikisht ishte më e pasur se ajo. Po t’i vlerësojmë artistikisht, pa paragjykime fetare, letërsinë e bejtexhinjve dhe letërsinë e krishterë do të mund të themi se nuk dallojnë shumë njëra prej tjetrës, me përjashtim të sibilave të Pjetër Bogdanit që shquhen me vlerë estetike: janë letërsi me vlera kryesisht modeste artistike. Por, aq sa e ul vlerën e letërsisë së bejtexhinjve leksiku i huaj-turk, arab dhe persian, po aq e shton vlerën historike gjuhësore të letërsisë së krishterë, në mënyrë të veçantë të letërsisë katolike, pikërisht gjuha shqipe e përdorur në të sado me shumë shtresa të huaja.
    Ismail Kadare na bën me dije, i gëzueshëm, se letërsia e bejtexhinjve na qenka thyer përfundimisht “si një sajesë prej qerpiçi” prej “murit hijerëndë e monumental, ndonëse të ftohtë, të traditës së letërsisë dygjuhëshe shqiptaro-latine”. As historia e letërsisë shqipe, as historia politike e popullit shqiptar nuk e dëshmojnë këtë pohim poetik. Letërsia dygjuhëshe shqiptaro-latine asnjëherë, gjatë asnjë shekulli, nuk ia ka vënë përpara letërsisë së bejtexhinjve murin e saj “hijerëndë e monumental”, prandaj edhe nuk e ka thyer, siç thuhet, “si një sajesë prej qerpiçi”. Letërsitë nuk qërojnë hesape mes vetes as me mure, as me qerpiçë! Letërsitë dygjuhëshe shqiptaro-latine, shqiptaro-greke dhe shqiptaro-turke, shqiptaro-arabe kanë bashkëjetuar, duke mos u takuar apo duke u takuar rrallë e tek, deri në gjysmën e dytë të shekullit nëntëmbëdhjetë. Jo ato njëra tjetrën, po vetëm letërsia e Rilindjes Kombëtare, që në jetën e popullit shqiptar sjell idenë laike as katolike, as ortodokse, as myslimane, që kryetemë të saj bën Kombin në vend të Fesë, do t’i tregojë historikisht jo përkatëse, historikisht të tejkaluara ato letërsi. Shkrimtarët e Rilindjes do t’i pranojnë ato si traditë të veten pavarësisht prej ideologjive fetare në të cilat mbështeteshin jo për arsye artistike sa për arsye se, duke i pranuar që të tria, mund të ndërtohej ideologjia kombëtare shqiptare mbi sloganin: fe e shqiptarëve është shqiptaria. Ata i trajtonin ato letërsi të barasvlershme qoftë edhe pse ishin të vetëdijshëm se nuk kishte arsye as etnike, as shoqërore, as ideologjike që autorët e njërës prej tyre të shpalleshin më të aftë, më të talentuar se autorët e të tjerave.
    Mendja e shëndoshë nuk do t’i quante më të pa dhunti krijuese bejtexhinjtë se krijuesit e letërsisë së krishterë vetëm pse ishin myslimanë.
    Sado letërsia e Rilindjes kombëtare e bënte historikisht të tejkaluar, letërsia e bejtexhinjve, si edhe letërsia e krishterë, do të vazhdojë të shkruhet edhe më vonë, në Kosovë, madje, deri te Lufta e Dytë Botërore.
    Qëndrimi tepër subjektiv, nga pikëpamje historiko-letrare i paarsyeshëm, i Ismail Kadaresë ndaj letërsisë së bejtexhinjve nuk merr fund me kaq. Ai shkruan se “gjatë kohës së komunizmit u bënë shumë përpjekje për ta rehabilituar këtë letërsi, me qëllimin meskin për t’ia kundërvënë letërsisë tradicionale mesjetare, sidomos asaj katolike, që regjimit nuk i pëlqente kurrsesi”. Dhe, këto përpjekje për “rehabilitimin” e saj bëheshin pavarësisht pse studiuesit që “e morën nëpër duar, e panë se përveç që ishte qesharake për nga niveli, ajo ishte thellësisht e pamoralshme”.
    E pse ishte qesharake, për nga niveli kjo letërsi?
    Ishte qesharake për nga niveli pse nuk përshkohej prej besimit të krishterë si letërsia e krishterë, sidomos ajo katolike, po prej besimit mysliman!
    E pse ishte thellësisht e pamoralshme kjo letërsi?
    Ishte thellësisht e pamoralshme jo aq për shkak se pjesa e saj erotike ishte e “mbushur me motive ashikësh e dylberësh”, që Shqipëria mund t’ia paraqiste Evropës sot” si dëshmi të habitshme të vizionit të saj të emancipuar për homoseksualizmin, dy shekuj përpara Evropës së sotme”, por pse “e ashtuquajtura letërsi erotike, në një pjesë të madhe të saj s’ishte gjë tjetër veçse bejte dhe lavde për pedofilinë. Ne - vazhdon Ismail Kadare – i dëgjojmë këto këngë edhe sot, por shtiremi sikur nuk i marrim vesh ç’thonë. Ato gjëmojnë disa herë nëpër lokalet e natës, madje, në programet televizive, e ne prapë shtiremi se nuk i kuptojmë”.
    Kjo që thotë shkrimtari ynë është e vërtetë: në pjesën erotike të kësaj letërsie kishte, si të themi, pornografi, kishte homoseksualizëm, kishte ashikë e dylberë, kishte, ndoshta, edhe “bejte dhe lavde për pedofilinë”! Kishte shumë çka nga ato që mund të shihen e mund të dëgjohen edhe në një pjesë të nënkulturës së sotme masive. Por, lexuesit e sprovës së Ismail Kadaresë Identiteti evropian i shqiptarëve, që mund të kenë dëgjuar dhe lexuar se kush ishte kush në kohën e komunizmit, mund ta pyesin Ismail Kadarenë: ti që ishe gjatë deputet i Kuvendit të Republikës Popullore të Shqipërisë, që ishe, njëkohësisht, nënkryetar i Frontit Popullor të Shqipërisë, që edhe deputet, edhe nënkryetar i Frontit Popullor ishe përzgjedhur si përfaqësuesi më i shquar i letërsisë, një, si mund të thuhet, ideolog i krijimtarisë artistike komuniste, pse nuk e ngrije zërin kundër rehabilitimit të letërsisë së bejtexhinjve dhe kundër diskriminimit të letërsisë së krishterë, sidomos asaj katolike? Do të kishe argumente të fuqishme: ruajtjen e masave popullore prej atyre që këndoheshin në atë letërsi: prej homoseksualizmit, që aq fort e dënonte komunizmi dhe prej pedofilisë, që aq fort e dënonte edhe komunizmi dhe e gjithë bota? Pse i lejoje vetes të shkruaje në sprovën Mbi ndikimet e huaja dhe karakterin kombëtar të letërsisë, me të cilën i jepje përgjigje sprovës së Rexhep Qosjes Letërsia kombëtare dhe letërsia botërore ose afrimi përmes ndryshimeve: “Nuk ishte pak për letërsinë tonë (të realizmit socialist – R.Q) që në këta tridhjetë vjet të jetës së saj të ngrihet si një protestë kundër botës së vjetër, të ndante llogaritë një herë e përgjithmonë prej letërsisë reaksionare zyrtare, dekadente dhe klerikale të së kaluarës...”?
    Po mirë, të mos kërkojmë shumë prej Ismail Kadaresë në atë kohë kur nuk ishte e lehtë të thoshe lirisht çka mendoje, sidomos çka mendoje në kundërshtim me mendimet zyrtare, sado në Shqipëri edhe në atë kohë kishte intelektualë dhe qytetarë të zakonshëm që e thoshin mendimin mospajtues pavarësisht prej pasojave. Por, hajde, ta kërkojmë të drejtën dhe të vërtetën prej Ismail Kadaresë sot! Në qoftë se me të drejtë ngre zërin kundër pornografisë tradicionale në letërsinë e bejtexhinjve e në këngët popullore, pse nuk ngre zërin edhe kundër pornografisë në nënkulturën tonë të sotme? Mos pse ajo e para shprehet në gjirin e ideologjisë fetare myslimane, kurse kjo e dyta nuk është në lidhje me këtë ideologji fetare? Në qoftë se Ismail Kadarenë e shqetësojnë lokalet dhe televizionet në të cilat, ja, këndohen këngë për ashikët, dylberët, pedofilët, pse nuk e shqetësojnë po aq edhe filmat pornografikë, në të cilët vajza të reja përjetojnë përuljen më të shtazërishme që mund të imagjinohet e që jepen rregullisht në shumë Zelevizione në botë, që i shohin të rinjtë dhe qytetarët tanë, që duan t’i shohin? Në qoftë se sinqerisht e shqetësojnë këngët për dylberat, ashikët dhe pedofilët, pse nuk e shqetësojnë edhe këngët e shfrenimet pornografike në klubet e natës, në të cilat për joshje ashikërie përdoren edhe lloje të ndryshme të drogës? Pse nuk e ngre zërin edhe kundër këtij zhgruanimi, ”zhburrërimi e zvetënimi moral të pashembullt”?
    Mos pse ajo e para na qenka Lindje, kurse kjo e dyta Perëndim?
    Mos pse kjo e dyta është dëshmi e identitetit modern evropian, kurse ajo e para ishte dëshmi e identitetit “lëngaraq”, si e quan Ismail Kadare identitetin mysliman, të cilin identiteti shqiptar, “si një luan i zgjidhur nga zinxhiri”, bënte përpjekje ta hidhte “si leckë”! Bukur! Identiteti, si luan me zinxhirë në qafë! Ku është parë luan i tillë? Me zinxhirë në qafë!
    Betejës së pabarabartë mes identitetit mysliman dhe identitetit shqiptar pas çlirimit nga Perandoria Otomane i jep fund vetë Ismail Kadare kur thotë: “Kombet nuk ndryshohen as nga pushtimet e as nga konvertimet”. Për të dëshmuar sa serioz, sa shkencor, sa i qëndrueshëm është ky pohim i Kadaresë po e japim një të dhënë. Në Enciklopedinë linguistike të Kembrixhit, të autorit Dejvid Kristal, shkruan se deri sot, në botë, janë shuar rreth njëzetmijë gjuhë, që ishin gjuhë të grupeve të vogla etnike, të fiseve dhe të popujve. Me to mund të besohet se janë shuar a janë përvetuar nga popuj të tjerë edhe folësit e tyre. Dhe, mund të besohet se numri më i madh i këtyre grupeve, fiseve dhe popujve janë shuar a janë përvetuar nga popuj të tjerë si pasojë e pushtimeve dhe e kolonializmit. Edhe historia shqiptare e përgënjeshtron përgjithësimin “teorik” të Ismail Kadaresë: pushtimi turk ka sjellë konvertimin e mbi dy të tretave të popullit shqiptar, kurse ky konvertim ka sjellë një identitet fetar, identitetin fetar mysliman, si përbërës i identitetit të përgjithshëm, historik shqiptar: i identitetit kombëtar shqiptar. Domethënë: kombet mund të ndryshohen shumë edhe nga pushtimet, edhe, sidomos, nga konvertimet.

    vazhdon.......

  8. #108
    Sami Frasheri Maska e Arrnubi
    Anëtarësuar
    19-07-2003
    Vendndodhja
    dynja
    Postime
    741
    Sorry

    Ismail Kadareja në tregun global të maskave

    LEHTËSIA E PAPËRBALLUESHME E MISTIFIKIMIT

    Ardian Vehbiu

    Temës së shkrimtarit nën totalitarizëm të gjithë duan t’i kthehen: lexuesit e vjetër, për t’u gërmuar rrënjët veprave; shkrimtari vetë, në momente krizash autobiografike; lexuesit e rinj, për të zbuluar në veprat çka u dëshiron e bardha zemër. Kombet e vogla post-totalitare, nga ana e tyre, priren t’i përdorin autorët e vet emblematikë si orakuj ose autoritete morale, e përveç fjalës së shkruar, t’u mbajnë vesh edhe zërin në tribunat e piedestalet e vëmendjes publike – siç po e përjetojnë këtë shqiptarët përditë me Ismail Kadarenë, tanimë të shndërruar në timonier të kalimit nga diktatura në “demokraci”.
    Ky transfigurim ndoshta është i natyrshëm e pritej, por me siguri nuk i shërben letërsisë, leximit të veprës ekzistuese dhe konceptimit të veprës ë re. Shkrimtari i madh është i tillë për ç’ka shkruar, jo vetvetiu për figurën që i paraqet publikut. Mediat nga ana e tyre janë të etura të sendërgjojnë personazhe me një këmbë në jetën reale e një këmbë tjetër në fantazitë më irracionale e primitive të publikut viktimë; dhe nuk tregojnë ndonjëherë mëshirë për institucionet kombëtare, qofshin edhe njerëz prej mishi e kocke. Rreziku më i madh, në këtë rast, është që shkrimtari të vijë e të posedohet prej kostumit ose uniformës që duan t’i veshin studiot televizive, ose ta shohë veten gjithnjë me makiazhin e trashë e të nevojshëm për kamerat.
    Ismail Kadaresë vitet post-totalitare i dhuruan njëkohësisht lavdi e njohje planetare nga njëra anë, sulme të shfrenuara e shpesh të papërligjura nga ana tjetër. Nëse për milionat e lexuesve në botën mbarë ai emër mbetet edhe sot etiketë e një kontributi letrar të meritueshëm, një numër detraktorësh shqiptarë veprën pothuajse ia kanë kaluar tashmë në hije, për t’u përqendruar në hollësi të jetës publike të shkrimtarit nën totalitarizëm dhe të raporteve të tij me Enver Hoxhën e regjimin komunist në përgjithësi. Këta detraktorë, të frymëzuar prej gjithfarëlloj motivesh ndonjëherë meskine e ndonjëherë rreptësisht etike, duan t’ia shndërrojnë Kadaresë jetëshkrimin në një vepër të posaçme, të cilën ta sulmojnë pastaj sipas dëshirës e midesë.


    Sulmet e fundit Kadaresë i vijnë prej Stephen Schwartz, kritik amerikan me një profil biografik sa kaleidoskopik, aq edhe të parëndësishëm; por që po tregon interes të pazakontë për çështje të kulturës shqiptare e të kalimtarisë prej komunizmit në post-komunizëm. Duke iu bashkuar një kori të zhurmshëm, Schwartz e quan të padenjë çmimin Man Booker International që sipas tij nuk iu dashkësh dhënë një “mashtruesi komunist”, bashkëpunëtor aktiv i diktaturës në Shqipëri, duke i shërbyer propagandës komuniste me veprën dhe regjimit me veprimtarinë e vet publike aso kohe. Megjithatë, e ndryshe nga të tjerë komentatorë që kanë përdorur ad nauseam argumentet e Schwartz, ky i fundit i kërren artikujt e vet në revista të mëdha e të njohura në Perëndim, duke ua paragjykuar leximin romaneve kadarejane që tanimë po përkthehen varg në anglishte.
    Kritikat e llojit biografik nisen në thelb nga pyetja nëse Kadareja ka qenë apo jo disident nën komunizëm; duke iu kundërvënë të gjithë atyre që e paraqitin shkrimtarin si hero e martir të qëndresës ndaj shtypjes policore dhe asfiksimit të fjalës së lirë, e duke u përpjekur të vërtetojnë të kundërtën, ose pikërisht që Kadareja në mos e ka përfaqësuar, të paktën e ka mishëruar diktaturën – si përjashtim që vërtetonte rregullin, sukses gatuar e pompuar prej shërbimeve të fshehta, mik intim i Enver Hoxhës dhe i familjes së tij, eksponent i nomenklaturës komuniste. Relevanca letrare e një debati të tillë lidhet me natyrën e letërsisë që Kadareja vetë krijoi nën totalitarizëm dhe me leximin që i duhet dhënë sot asaj vepre, në rrethanat kur totalitarizmi nuk është më faktor veprues në jetën e lexuesve përkatës.
    Kush kërkon t’i japë përnjimend përgjigje çështjes kaq të koklavitur të disidencës kadarejane, harron se kjo është sajuar në kontekste paraletrare; prej të gjithë atyre kritikëve e dashamirësve të shumtë të shkrimtarit që kanë kërkuar t’ia prezantojnë veprën në mënyrë sa më tërheqëse për publikun perëndimor. Kjo lidhet drejtpërdrejt me mitin e shkrimtarit disident nga Lindja, që rëndom vërtitet në qarqet elitare të lexuesve në Perëndim, ushqyer prej bindjes në thelb naive se vlerat e një vepre letrare botuar nën diktaturë varen fund e krye nga natyra subversive politike e kësaj vepre. Nëse edhe çmimi Man Booker International iu dha Kadaresë në bazë kësi kriteresh jashtëletrare, atëherë detraktorët do të kishin të drejtë – meqë ta titullosh shkrimtarin tonë si disident, do të thotë jo vetëm të fyesh të gjithë ata artistë që përnjimend u janë kundërvënë regjimeve totalitare në botën mbarë duke e paguar shtrenjtë rebelimin, por edhe t’ia mistifikosh veprën Kadaresë vetë.


    Kur vjen fjala për letërsi të mirëfilltë, një vepër ka po aq lexime sa edhe lexues; dhe detyra e kritikës letrare është, ndër të tjera, të tentojë njëfarë katalogimi ose kategorizimi të këtyre leximeve, për t’iu përafruar atij funksioni tekstual që Umberto Eco e ka quajtur “intentio lectoris”, ose krijim të lexuesit nga vepra. Pritja e romaneve të Kadaresë nga publiku anglo-sakson i shekullit XXI nuk ka shumë pika takimi me përjetimin e së njëjtës vepër nga lexuesi shqiptar i periudhës totalitare. Kritika komerciale vetvetiu që kërkon ta orientojë lexuesin perëndimor drejt leximit alegorik të veprës kadarejane si manifest anti-totalitar; por vetë pikturimi i shkrimtarit shqiptar si disident ose “viktimë” e regjimit është, në thelb, kundërprodhues; pavarësisht nga dosja K, pohimet autobiografike të shkrimtarit vetë, rrëfimet e dashamirësve të tij, dhe roli objektiv i letërsisë kadarejane nën totalitarizëm, si alternativë ndaj shkretëtirës kulturore të komunizmit.
    Pesëmbëdhjetë vjetët e fundit kanë qenë të furtunshme për Kadarenë, aq pranë çmimit Nobel për letërsi dhe njëkohësisht i sulmuar si rrallë ndonjëherë, ndoshta pikërisht për arsye të suksesit global. Sikurse ndodh rëndom edhe me shkrimtarë të tjerë të këtij kalibri, triumfi ose përfshirja në tregjet kulturore globale të planetit koinciduan me një farë krize prodhimtarie, po të gjykohet nga niveli i veprave që Kadareja ka botuar rishtas e që artistikisht u mbeten larg romaneve të mëdha shkruar në vitet 70-80. Schwartz e ka relativisht të lehtë të hedhë baltë, bie fjala, mbi “Pasardhësin”, meqë ky roman nuk i imponohet dot lexuesit me forcë artistike por më tepër funksionon si hije inerciale e Kadaresë së mëparshëm.
    Figurës së Kadaresë disident ashtu siç po i shitet publikut në Perëndim i përgjigjet ndër shqiptarë personazhi mediatik i profetit, kryepriftit e autoritetit moral; një mistifikim ky që, në raste të skajshme, rrezikon ta shndërrojë shkrimtarin në ikonë dogmatike ose kujdestar honoris causa të panteonit kombëtarist. Kadareja vetë, me praninë e vet publike tashmë të përhershme në mediat, nuk duket ta ketë përballuar dot trysninë për një travesti të tillë, por ka hyrë në kompromise me manipulatorët e opinionit, duke e pranuar rolin e titullarit sublim të së vërtetës historike “kombëtare”. Për kë është mësuar të kërkojë në fjalën kadarejane mesazhin subversiv, ose marrjen në pyetje të ekzistueses; denoncimin e banalitetit dhe autopsinë e Leviatanit të shtetit; ose përjetimin e përmasës sublime si bashkudhëtare të së përditshmes, kjo travesti nuk mund të sjellë veçse trishtim.


    Si në një rast, ashtu edhe në tjetrin; si në Shqipëri ashtu edhe në Perëndim, kritika dhe mediat kanë hyrë në një garë sa agresive aq edhe absurde për ta zëvendësuar veprën e Kadaresë me kitschin e jetës së tij private dhe veprimtarisë së tij publike si qytetar; dhe për ta shndërruar shkrimtarin në personazhin kryesor të romaneve të veta, duke përfshirë edhe arki-romanin biografik. Është triviale të flasësh për Kadarenë anëtar të Partisë së Punës, deputet të Kuvendit Popullor, nënkryetar të Frontit Demokratik e të nxjerrësh përfundimin se ky njeri ka qenë praktikisht eksponent i totalitarizmit të Enver Hoxhës; sikurse është njëlloj triviale të peshkosh në arkiva akuza e denoncime gjithfarësh që mund t’i jenë bërë nga armiqtë që i ka pasur (dhe i ka) të shumtë e të palodhur. Një zhurmë e tillë mediatike, për fat të keq, e zhvendos vëmendjen nga çka duhej të mbetej temë themelore e çdo debati mirëfilli kritik rreth fenomenit Kadare në letërsinë shqiptare dhe botërore – vepra letrare e shkrimtarit.
    Letërsia shkruar dhe botuar nën totalitarizëm mund të ketë qenë motivuar nga besimi i sinqertë në komunizëm; adhurimi për diktatorin; urrejtja për “armikun e klasës”; nevoja për të inxhinieruar shpirtrat njerëzorë; vullneti për shëlbesë e kështu me radhë. Vepra kadarejane, para se të jetë denoncim i terrorit policor siç e duan disa ose përligjje e atij terrori siç e duan disa të tjerë, është monument i përpjekjeve – të shkrimtarit, të lexuesit, dhe të shqiptarit vetë – për mbijetesë në rrethanat ndalimtare të tmerrit totalitar. Duke e quajtur Kadarenë “mashtrues komunist”, Schwartz provon se nuk ka kuptuar absolutisht asgjë nga natyra e regjimit në Shqipërinë totalitare dhe nga vepra letrare e Kadaresë vetë, çka është katastrofike për dikë që e pikturon veten si kritik radikal.
    Proza e Kadaresë shtjellohet rreth enigmës madhore të pushtetit politik, sa kohë që romanet rregullisht i popullohen nga një kohortë komandantësh, gjeneralësh, sulltanësh, sekretarësh të parë, pashallarësh, ambasadorësh, të dërguarish, gjeneralësh, krerësh e në përgjithësi sundimtarësh jetërsuar pikërisht prej pushtetit të pakufishëm. Etosi elitist i kësaj proze, nëse përnjimend ekziston, themelohet mbi imperativin për të dalluar thelbësoren nga trivialja në histori, tragjiken nga banalja. Pavarësisht prej këtij obsesioni ndaj pushtetit, Kadareja nuk i përcjell lexuesit ndonjë adhurim për autoritetin, por dramën që i bashkëlidhet, duke prodhuar një letërsi shekspiriane si ripërjetim i tmerrit totalitar në përmasën e fantazisë historike, mitike e të legjendës. Jo metafizike, si Kafka, as filozofike si Borges, as ludike si Calvino, por një sublimim të admirueshëm të tmerrit të individit përballë kërcënimit policor të shtetit.
    Ky tipar unik e lejon veprën kadarejane t’i mbijetojë kolapsit komunist në Lindje dhe implikimeve të Kadaresë qytetar me pushtetin e asaj kohe; pse e shndërron atë vepër në një pasqyrë unike të shpirtit njerëzor e të shqiptarit në veçanti, në një mjedis sunduar, madje modeluar prej dhunës totalitare, ku heroizmi shpesh gjente shprehje në përpjekjet e përditshme për t’ia ruajtur jetës me thonj e me dhëmbë përmasën normale. Letërsisë ndoshta i kishte munguar një sublimim kaq i përkryer i frikës përballë terrorit brutal të shtetit; ose përjetimit të ulërimave të viktimave si heshtje; dhe nëse një kumt i tillë i mbërrin kulturës së përbotshme prej Shqipërie, kjo na jep të gjithëve një arsye madhore, në mos të mjaftueshme, për t’u krenuar si bashkëkohës e bashkëqytetarë të shkrimtarit Ismail Kadare.

    Ardian Vehbiu
    [botuar fillimisht në “Bota Shqiptare”, gazetë e shqiptarëve në Itali,
    Romë, 9 maj 2006.]
    Sa budalla eshte "Odisea"

  9. #109
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2004
    Postime
    6,063
    Thirrje për kthim në fenë e të parëve

    Përpos në Shqipërinë shtetërore, ku, thotë Ismail Kadare, përkraheshin prej komunizmit, bejteve, muzikës, këngëve, veshjeve, në përgjithësi, traditës myslimane, shqiptarët do t’ia shohin sherrin edhe në ish-Jugosllavinë. Dhe, do t’ia shohin sherrin jo vetëm në Jugosllavinë mbretërore, por edhe në Jugosllavinë komuniste.
    Duke filluar prej viteve të 50-ta të shekullit njëzet, shkruan ai, shqiptarët po treteshin:” i gjithë ngjyrimi kombëtar po zbehej me shpejtësi. Muzika po orientalizohej më fort se më parë, veshjet e famshme tradicionale, ato që edhe gjatë periudhës së gjatë otomane ishin ruajtur, po zëvendësoheshin, jo prej veshjeje të kohës si kudo, por me petka arabe që nuk ishin njohur kurrë në këtë vend. Jugosllavia, kjo primadonë e “botës së tretë”, po i ofronte kësaj bote popullsinë më të padëshiruar të saj, shqiptarët. Ajo përpiqej që këta të ngjanin sa më pak evropianë e aq më shumë afrikano-veriorë e aziatikë”. Megjithëse në fund të kësaj fjalie do të duhej të vihej, së paku një pikëçuditje, Ismail Kadare e vë një pikë të zakonshme! Jugosllavia, “primadona” e botës së tretë, po i afronte asaj bote popullsinë më të padëshiruar: shqiptarët në ndryshorin (variantin) afrikano-verior dhe aziatik! Domethënë: popullsia më e padëshiruar e kësaj bote nuk ishin shqiptarët, po vetëm shqiptarët që ngjanin “më pak evropianë e aq më shumë afrikano-veriorë e aziatikë”! Përfundimi i gjykimit të këtillë të Ismail Kadaresë është ky: afrikano-veriori dhe aziatiku, për shkak se dallojnë prej evropianit, nuk kanë dinjitet të barasvlershëm me të.Ja edhe një shpërthim racist i shkrimtarit tonë – edhe një qërim hesapesh me turqit dhe me arabët!
    Nuk ka dyshim se si në Jugosllavinë mbretërore ashtu edhe në Jugosllavinë komuniste janë bërë përpjekje të ndryshme për shkombëzimin e shqiptarëve.Përpjekje për shkombëzimin e tyre, gjithsesi shumë djallëzore, ishte regjistrimi pa i pyetur, i një numri shqiptarësh si myslimanë apo si turq! Por, as në Jugosllavinë mbretërore, as në Jugosllavinë komuniste shqiptarët as nuk janë kandisur as nuk janë detyruar që të orientalizojnë muzikën e tyre, veshjen e tyre, pamjen e tyre vetëm e vetëm që të ngjajnë sa më pak evropianë e sa më shumë aziatikë, domethënë turq dhe afrikano-veriorë, domethënë arabë. Jo. Përkundrazi: ka ngjarë që detyrueshëm të “çaziatizohen” dhe të “çafrikanizohen”! Kështu, për shembull; grave ,në shumë raste, me dhunë u është hequr ferexheja. Aziatizim dhe afrikanizim folklorik i shqiptarëve në Kosovë, “duke filluar prej viteve të 50-ta të shekullit njëzet”, nuk ka ngjarë. As në Jugosllavinë mbretërore, as në Jugosllavinë komuniste, turqit nuk janë përbuzur, përkundrazi: janë çmuar. Kudo ishin në Jugosllavi – në Kosovë, në Maqedoni, ata ishin një si shtresë e lartë; në Kosovë ata ishin qytetarët e qytetëruar të Kosovës, fisnikët e Kosovës. Ata trajtoheshin kështu qoftë edhe për shkak se si Jugosllavia mbretërore ashtu edhe Jugosllavia komuniste kishte marrëdhënie politike dhe shtetërore me Turqinë të mira, në situata të veçanta, jashtëzakonisht të mira, kurse babai i Turqisë moderne, Ataturku, kishte qenë mik i mbretit Aleksandër, ashtu siç kishte qenë kryetari i mëvonshëm, gjeneral Evreni, mik i Josip Broz Titos. Në Serbi dhe, në përgjithësi, në Jugosllavi nuk përbuzeshin siç i përbuz Ismail Kadare as veshja, as muzika turke apo arabe. Si muzika e veshja ashtu edhe veçori të tjera orientale të kulturës serbe shiheshin si një mbetje historike, që do të duhej të ruhej në muze, në teatër apo në festivale të këngës popullore. Të rinjtë shqiptarë që kanë studiuar në universitetin e Beogradit, mbajnë mend se në dekanatin dhe sallat e Fakultetit të Gjuhës dhe të Letërsisë Serbe mbahej portreti i madh me
    fes në kokë i themeluesit të gjuhës letrare serbe, Vuk Stefanoviq Karaxhiqit, i cili njihet edhe si autor i sloganit ku jeton qoftë edhe një serb është tokë serbe, që do të bëhet slogani i nacionalizmit pushtues serb, duke filluar prej gjysmës së parë të shekullit nëntëmbëdhjetë. Në teatrot serbe, qoftë edhe në Beograd, më shpesh se asnjë shfaqje tjetër do të shihej shfaqja e punuar sipas dramës së shkrimtarit serb, Borisllav Stankoviq, Koshtana, në të cilën të gjithë personazhet janë të veshur siç ishin veshur në kohën e Perandorisë Otomane – allaturka dhe argëtoheshin siç ishin argëtuar atëherë – allaturka!Ata që urreheshin në Jugosllavi, ata që përbuzeshin në Jugosllavi, në Jugosllavinë mbretërore dhe në Jugosllavinë komuniste, mund të ishin vetëm shqiptarët. Ata ishin të paracaktuar për të bërë punët më të rënda dhe më të pista në Beograd e në qytete të tjera si më të mëdha në të dy Jugosllavitë: për të bartur qymyrin dhe për të fshirë rrugët.
    Dhe ata që ishin të paracaktuar për dajakun e policisë dhe për plumbat e ushtrisë serbe kudo e, sidomos, në kufirin me nënën Shqipëri, ishin kësulëbardhët – shqiptarët, që mbanin në kokë qylafin, që i binin fyellit dhe çiftelisë! Vetëm ata, thuhej në Klubin kulturor serb, ku përpunohej strategjia e zgjidhjes përfundimtare të çështjes shqiptare e ku ishte paraqitur edhe projekti i Vasa Çubrilloviqit Shpërngulja e arnautëve - para Luftës së Dytë Botërore dhe në UDB-në e Rankoviqit - pas Luftës së Dytë Botërore, e mbajnë kombin sepse vetëm ata nuk e ndërrojnë qykën lehtë! Në kohën kur Sllobodan Millosheviqi e kishte filluar të ashtuquajturin jogurt – revolucionin, me qëllim që të përmbyste autonominë e Kosovës të njohur në vitin 1974 dhe, ashtu, mandej, t’i ndryshonte marrëdhëniet kushtetutore mes republikave të ish-Jugosllavisë, serbëve që prej Kosovës shkonin nëpër Serbi për ta shprehur zëshëm mosdurimin e tyre ndaj shqiptarëve, në Novi Sad të Vojvodinës, u thuhej: kthehuni atje prej nga keni ardhur dhe qërojini hesapet me ato kokat e gjipsuara! Vetëm ata ju vijnë haqesh ju! Jo shqiptarët që Ismail Kadare i pandeh të veshur në rroba turke (aziatike – thotë ai) dhe arabe (afrikano-veriore – thotë ai) po shqiptarët, me kokë “të gjipsuar”, ishin ata që duhej të dëboheshin prej Kosovës, sepse prej tyre, prej vitalitetit të tyre, prej qykës së tyre, frikësoheshin serbomëdhenjtë. Do ta provojmë këtë në vitin 1998 dhe në gjysmën e parë të vitit 1999: fshati shqiptar ishte ai mbi të cilin u derdh gjithë tërbimi i shtazërishëm i paramilitarëve, i policive në uniforma të ndryshme dhe i ushtrisë serbe dhe i cili u “pastrua etnikisht”, për fat, vetëm përkohësisht. E, këta, “primadona e botës së tretë”, Jugosllavia, nuk do të denjonte t’i vishte në veshjet e miqve të atëhershëm politikë: të turqve dhe arabëve.
    Qëllimin e këtyre bredhjeve të tij fetare, politiko historike, nëpër Jugosllavinë mbretërore dhe Jugosllavinë komuniste, Ismail Kadare do ta shpjegojë vetë kur shkruan: “Një shekull më pas – thotë ai, duke e zgjatur harkun kohor në një shekull edhe pse rrëfimin për orientalizimin e shqiptarëve në Jugosllavi e kishte filluar nga vitet e 50-ta të shekullit njëzet – kundër propagandës serbe që këmbëngulte t’i jepte shqiptarët si turq apo aziatikë të ardhur vonë në Ballkan, dhjetëra mijëra të rinj myslimanë shqiptarë më 1981-shin e 1991-shin, kërkuan rrënjët e krishterimit të hershëm shqiptar, aspak për arsye fetare, por thjesht për të treguar se populli i tyre kishte qenë ngulitur në Kosovë shumë shekuj përpara sllavëve”.
    Sa shumë do të befasohen “të rinjtë myslimanë shqiptarë” kur ta lexojnë këtë pohim propagandistik të koniunkturshëm të Ismail Kadaresë. Rinia studentore dhe shkollore e Kosovës, as në vitin 1981, as në vitin 1989-1990, nuk është ngritur në demonstrata “për të kërkuar rrënjët e krishterimit të hershëm shqiptar”. Demonstratat e vitit 1981 dhe të vitit 1989-1990 nuk janë bërë as për të kërkuar rrënjët e paganizmit ilir, as të krishterimit të hershëm, as të krishterimit të vonshëm, as të myslimanizmit të hershëm a të vonshëm. Jo dhe jo. Kërkimi i rrënjëve të krishterimit të hershëm do të bëhet zbulim i komunistëve të kthyer shpejt e shpejt në gjoja demokratë pas viteve të 90-ta, të cilët do ta kuptojnë se duke i kërkuar ato rrënjë do të mundë të përfitojnë politikisht për karrierat e tyre! Dhe, disa prej tyre edhe do të përfitojnë: do të dëgjohet për ta dhe do të jenë të ndihmuar në përparimin e tyre. Të rinjtë e ngritur në demonstratat e vitit 1981 dhe 1989-1990 nuk do të kërkojnë rrënjë, sepse ata rrënjët i kishin me vete si në shtëpi, në shkolla e në fakultete ashtu edhe në demonstrata. Në qoftë se, megjithatë, do të pranojmë se do farë rrënjësh i kërkonin, atëherë duhet të thuhet e vërteta: të vetmet rrënjë që disa prej tyre kërkonin më 1981, fatkeqësisht, ishin rrënjët marksiste-leniniste!
    Ata nuk ishin ngritur në demonstrata as “për të treguar se populli i tyre kishte qenë ngulitur në Kosovë shumë shekuj përpara sllavëve”. Ata brohorisnin: jemi shqiptarë jo sllavë jo për të thënë se shqiptarët janë rrënjës, banorë më të hershëm të Kosovës se serbët, po për të thënë se Kosova as etnikisht, as historikisht s’i takon Jugosllavisë. Ata nuk ishin ngritur në demonstrata as për arsye fetare, as për arsye arkeologjike, historike a linguistike. Për këtë as nuk kishin nevojë, as nuk kishin kohë. Ngulitjen e popullit të tyre në Kosovë përpara sllavëve e kishin dëshmuar arkeologët, historianët dhe gjuhëtarët e shquar shqiptarë: Hasan Ceka, Skënder Anamali, Muzafer Korkuti, Vangjel Toçi, Neritan Ceka, Aleks Buda, Arben Puto, Kristo Frashëri, Stefanaq Pollo, Kristaq Prifti, Ali Hadri, Gazmend Shpuza, Eqrem Çabej, një varg shkencëtarësh të huaj – gjermanë, francezë, italianë,bullgarë, kroatë, boshnjakë, madje, edhe ndonjë serb. Ata nuk e lodhnin mendjen atëherë të shqiptojnë në demonstrata parullat fetare që Ismail Kadaresë do t’i duhen dhjetë a njëzet e pesë vjet më vonë për koniunkturën e tij politike dhe letrare. Ata ishin ngritur në demonstrata për ta bërë botore një kërkesë shumë më të rëndësishme: kërkesën për Kosovën republikë e cila, mbasi të bëhej republikë, do të mundë të bashkohej me, si thuhej atëherë, shtetin amë – Shqipërinë.

    vazhdon.........

  10. #110
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2004
    Postime
    6,063
    Cili s’është misioni i Shqipërisë

    Nxitimi për të qenë politikisht i koniunkturshëm atje ku ai shumë dëshiron të jetë i koniunkturshëm, do të bëjë që Ismail Kadare të predikojë një ide politike oh sa të palejueshme për Shqipërinë dhe një ide politike, oh sa të palejueshme për të si krijues! Ta dëgjojmë me ç’vetëbesim e predikon këtë ide ai.
    “Klisheja krejtësisht e gabuar e përftimit të Shqipërisë si vend ndërmjetës, një sanduiç midis Lindjes dhe Perëndimit, një qytetërim as shtu, as kështu, thënë ndryshe një “vend i as-as-it”, s’na bën kurrfarë nderi.Së pari, sepse nuk është e vërtetë, së dyti, sepse të lakmosh një cilësim të tillë, është njëlloj si të vetëshpallesh “gjysmak”, që në shqip midis të tjerash do të thotë “tarrallak”. Ideja e përhapur andej-këndej, dhe fatkeqësisht e përkrahur nga Qosja, se “fati ynë historik është i paracaktuar për të sendërtuar zbutjen e kundërshtimeve midis Lindjes dhe Perëndimit”, të kujton një nga njollat (e) historisë shqiptare, kapardisjen e Shqipërisë komuniste për kinse misionin e saj planetar për mbrojtjen e marksizëm-leninizmit.
    Ide të tilla delirante, ato me të cilat, Shqipëria, për një kohë të gjatë, u bë gazi i botës, u kanë ardhur në majë të hundës shqiptarëve”.
    Çfarë margaritari politik!
    Çfarë margaritari diplomatik!
    Çfarë margaritari historik!
    Çfarë margaritari gjuhësor-stilistik!
    Për ta kuptuar plotësisht, me të gjitha ngjyresat politiko-diplomatike, dhe tragjiko-komike këtë katekizëm politik të Ismail Kadaresë është e nevojshme ta kthejmë në trajtë të bashkëbisedimit.
    Çka është pohimi i Rexhep Qosjes se fati historik i popullit shqiptar është i paracaktuar për të sendërtuar zbutjen e kundërshtimeve midis Lindjes e Perëndimit?
    Është një klishe krejtësisht e gabuar e përftimit të Shqipërisë si vend ndërmjetës, një sanduiç midis Lindjes e Perëndimit.
    Thënë ndryshe?
    Thënë ndryshe do të thotë një vend i as-as- it.
    Çka s’na bën ky pohim i Rexhep Qosjes?
    S’na bën kurrfarë nderi.
    Pse s’na bën kurrfarë nderi pohimi për Shqipërinë si vend ndërmjetës, që mund të zbusë kundërshtitë midis Lindjes dhe Perëndimit?
    Sepse, kjo së pari nuk është e vërtetë.
    E së dyti?
    Së dyti, sepse të lakmosh një cilësim të tillë, të lakmosh të bëhesh ndërmjetës është njëlloj si të vetëshpallesh gjysmak.
    Çka do të thotë gjysmak në shqip?
    Gjysmak në shqip, midis të tjerash, do të thotë “tarrallak”.
    A është kjo ide që i pari e paraqet publikisht Rexhep Qosja?
    Kjo është ide e përhapur andej – këndej?
    Nuk më kujtohet që për këtë ide të kem lexuar në gazetat tona a të kem dëgjuar në mediet tona elektronike.
    S’ka përgjigje!
    Idetë e përhapura andej këndej kanë një shqiptues të parë.
    S’ka përgjigje!
    Duket, megjithatë, se shqiptues i parë publik i kësaj ideje djallëzore, kësaj klisheje, të jetë Rexhep Qosja.
    S’ka përgjigje!
    Çka të kujton kjo ide e Rexhep Qosjes e përftimit të Shqipërisë si vend ndërmjetës, një sanduiç midis Lindjes dhe Perëndimit, një qytetërim as ashtu, as kështu?
    Më kujton një nga njollat e historisë shqiptare, kapardisjen e Shqipërisë komuniste për kinse misionin e saj planetar për mbrojtjen e marksizëm-leninizmit?
    Ëhë! Po cili është kontributi yt në kapardisjen e Shqipërisë komuniste për kinse misionin e saj planetar për mbrojtjen e marksizëm-leninizmit?
    S’ka përgjigje!
    Sa kap numri i vjershave, tregimeve, romaneve, sprovave, artikujve, referateve, intervistave me të cilat ti i ke shërbyer posaçërisht shumë asaj kapardisjeje të Shqipërisë në kohën e komunizmit për kinse misionin e saj planetar për mbrojtjen e marksisëm-leninizmit?
    S’ka përgjigje!
    A dëshiron t’i përkujtojmë titujt e tyre dhe të shënojmë ndonjë citat si më të gjatë?
    S’ka përgjigje!
    Si mund të cilësohet ideja e Rexhep Qosjes për përftimin e
    Shqipërisë si vend ndërmjetës, një sanduiç midis Lindjes dhe Perëndimit, një qytetërim as ashtu, as kështu?
    Mund të cilësohet si ide delirante?
    Deri ku ju kanë ardhur idetë e tilla delirante shqiptarëve?
    Idetë e tilla delirante, me të cilat për një kohë Shqipëria u bë gazi i botës, u kanë ardhur në majë të hundës shqiptarëve.
    E pse idetë e tilla delirante ju kanë ardhur në majë të hundës shqiptarëve? A vetëm pse i shqipton Rexhep Qosja?
    Sepse idetë e tilla po “shkaktojnë çoroditjen kryesore në politikën shqiptare. Një pjesë e madhe e politikanëve flasin gjithë ditën për Evropën dhe Perëndimin, por mendjen, me sa duket, e kanë nga Lindja.
    Nga Lindja në të gjithë gamën që ajo ngërthen: Lindja e Mesme, ish-lindja sovjetike, e po të mos mjaftojë kjo, edhe ajo kineze maoiste”.
    E pabesueshme! Vërtet delirante! Lindjefobi! Myslimanofobi!
    Myslimanofobia e Ismail Kadaresë, vërtet, është delirante! Dhe, është e leverdishme!

    vazhdon......

Faqja 11 prej 12 FillimFillim ... 9101112 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Premisa të gabuara
    Nga Arrnubi në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 30-04-2012, 18:25
  2. Përgjigje: 10
    Postimi i Fundit: 06-10-2011, 14:03
  3. A po realizohet teoria e konspiracionit hebre?
    Nga DEN_Bossi në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 9
    Postimi i Fundit: 20-11-2006, 12:27
  4. Rexhep Qosja: Të vërtetat e vonuara
    Nga ARIANI_TB në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 20
    Postimi i Fundit: 19-09-2006, 20:51
  5. Historia fetare përmes historisë dramatike (nga Ismail Kadare)
    Nga macia_blu në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 23
    Postimi i Fundit: 13-01-2004, 12:15

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •