Prishtinë, 18 Prill 2006 (Kosovapress) Koha 17:24
Ekipi Negociator i Kosovës është pajtuar me propozimin e Grupit Politik Strategjik që në qytetin e Mitrovicës të formohen dy njësi komunale brenda një komune të bashkuar.
Kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha pas takimit të martën se Grupi Negociator është pajtuar që në Mitrovicë të krijohen dy njësi komunale, gjë që sipas tij, synim i faktorit politik vendor dhe atij ndërkombëtar është që në qytetin e Mitrovicës të ruhet tërësia territoriale.
Ndërkaq, Sejdiu sqaroi se karakteri organizativ i qytetit do të jetë me dy njësi të rëndësishme brenda një komune të qytetit të bashkuar.
“Qasja jonë themelore është një qytet i integruar i Mitrovicës. Ne ende nuk kemi ndonjë projekt konkret të mënyrës së saktësimit të komunave të reja. Por për ne është shumë më rëndësi që të mbajmë kriterin, ku komunat që do të krijohen të mbështeten në ligjet e Kosovës, që do të jenë të qëndrueshme ekonomikisht dhe të kenë konsideratën e shtrirjes etnike edhe të komuniteteve të tjera”, ka deklaruar pas takimit Sejdiu, duke vlerësuar lartë punën e grupit Politik Strategjik, i cili ka hartuar dokumentin që parasheh integrimin e qytetit të Mitrovicës me dy njësi komunale.
Ndërkaq, se kush do të udhëheq me dy njësitë komunale, sipas Sejdiut janë çështje që do të përpunohen dhe analizohen dhe krejt në fund do të arrihet një ujdi e përbashkët e faktorit politik të Kosovës në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar rreth kësaj çështje.
“Unë s’besoj se do të ketë emra të ndryshëm rreth udhëheqjes se dy njësive komunale, sepse Mitrovica është Mitrovicë”, tha shkurt ai.
Sipas tij, është shumë e rëndësishme që të krijohet një proces që parasysh integrimin e përgjithshëm të qytetit të Mitrovicës.
Grupi Negociator i Kosovës gjithashtu ka diskutuar edhe rreth takimit të katër të Vjenës që do të mbahet më 4 maj, me ç’rast pala kosovare dhe ajo serbe do të diskutojë për çështjen e kufijve të komunave të Kosovës dhe integrimin e qytetit të Mitrovicës.
Ekipi Negociator për statusin ka biseduar edhe për përshpejtimin e procesit të mëtejmë rreth përgatitjeve të legjislacionit të nevojshëm në kuptim organizativ territorial që do ta ketë Kosova, duke pasur parasysh nevojën që komunat të jenë njësi bazë e qeverisjes lokale.
Ndryshe, sipas dokumentit të Grupit Politik Strategjik, në këtë kuadër do të formoheshin edhe 3 komuna të tjera me shumicë serbe, Ranillugë, Graçanica dhe zgjerimi i Artanës.
Mirëpo, zëvendëskryeministri Lutfi Haziri, i cili e kryeson delegacionin e bisedimeve në Vjenë, tha se ky është vetëm dokument pune që do të pësojë ndryshime në funksion të zgjidhjeve më të mira për çështjen e decentralizimit.
“Sigurisht deri në fund të majit do të pësojë ndryshime, me angazhim maksimal që duhet të bëhet në mënyrë që ta përmbyllim procesin e Vjenës që ka të bëjë me reformën e pushtetit lokal,” tha ai.
Jakup Krasniqi, anëtar i Grupit Politik nga radhët e Partisë Demokratike, pohoi se në dokumentin e tyre është pranuar zgjidhja që Mitrovica të ketë dy komuna, një në jug dhe një në veri.
Ndryshe, as Haziri dhe as Krasniqi nuk mendojnë se me formimin e dy komunave do të legjitimohet ndarja e Mitrovicës./L.Blakaj/
Krijoni Kontakt