Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,955

    Shqetësimi për shpërbërjen e kombit

    Sot kombi shqiptar ndodhet në një moment tepër të rëndësishëm të historisë së tij kur i janë krijuar të gjitha mundësitë për një zhvillim të barabartë me shtetet dhe kombet e tjera të rajonit.Faktori shqiptar në Ballkan me pozicionin gjeostrategjik që zë në zemër dhe në perëndim të Ballkanit, ku kryqëzohen rrugë të rëndësishme detare, tokësore dhe ajrore, edhe pse nuk është i bashkuar në një shtet të vetëm, përfaqëson një strukturë të fuqishme, që me kushtet dhe zhvillimet e reja, ka tendencë të zhvillohet më tej. Pikërisht sot na kërkohet ta copëzojmë këtë komb duke krijuar në një pjesë të hapësirës shqiptare një komb tjetër me një identitet të ri kombëtar, identitetin kosovar.

    Me të drejtë Rexhep Qosja shqetësohet për këto ide e dukuri të cilat i vlerëson si “ përpjekje me ndikim çintegrues në jetën shoqërore e në njësinë shpirtërore të popullit, prandaj edhe me ndikim të mundshëm shpërbërës ndaj identitetit të tij kombëtar. “( Rexhep Qosja, “ Ideologjia e shpërbërjes “, Tiranë 2006, fq. 17 ). Përkundrazi, sot nga shqiptarët kërkohet ta fuqizojnë më tej identitetin e tyre kombëtar e t’i afrohen një identiteti evropianizues, me synim që të integrohen në strukturat euor-atlantike në pajtim me pozicionin e tyre gjeostrategjik. Këtë zhvillim ata e shohin jo në kurriz e në dëm të fqinjëve, por përkundrazi, në bashkëpunim dhe në harmoni me gjithë zhvillimet në rajon. Ide me karakter çintegrues vihen re edhe në synimet për të krijuar një variant të dytë të gjuhës standarde shqipe apo në disa qëndrime e trajtesa jo të drejta ndaj vetëdijes fetare.

    Kodifikimi i gjuhës standarde shqipe u bë në Kongresin e Drejtshkrimit, mbajtur në Tiranë, më 20 deri më 25 nëntor 1972, në vigjilje të festës gjithëkombëtare të 60 vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Ishte ky një tubim shkencor gjithëkombëtar ku morën pjesë 87 delegatë jo vetëm nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, por edhe nga trojet shqiptare të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, si dhe nga arbëreshët e Italisë. Të gjithë personalitete të shquara të gjuhësisë, letërsisë e të kulturës shqiptare. Mospjesëmarrja në të e 2-3 personaliteteve edhe pse të spikatura të kulturës shqiptare nga diaspora, nuk mund të cenojnë vlerat e këtij Kongresi. Punimet e Kongresit i ndoqën edhe disa albanologë të huaj. Kodifikimi i gjuhës standarde shqipe, i miratuar nga Kongresi nëpërmjet një rezolute ishte rrjedhojë e një pune disa vjeçare hulumtuese, studimore mbi kritere të mirëfillta shkencore. Ç’ka është më e rëndësishme, gjuha standarte shqipe ka kaluar në sprovën e rreth 34 viteve e në tërësi është vlersuar e suksesshme.

    Ajo përbën pa dyshim një arritje të madhe dhe një fitore me vlera të popullit shqipatr, që shpreh fuqizimin e mëtejshëm të identitetit kombëtar shqiptar, si dhe ka ndikuar në çimentimin e lidhjeve shoqërore, ekonomike, kulturore e shpirtërore të shqiptarëve në gjithë trevat e tyre edhe pse rreth gjysma e këtyre trevave ndodhej jashtë shtetit shqiptar. Të ngrihesh sot kundër gjuhës standarte shqipe, kundër parimeve themeluese të saj, kur ajo është konsoliduar e përvetësuar nga breza të tërë shqiptarësh, në gjithë trevat e tyre gjeografike e ka dëshmuar vlera të qënsishme, e të kërkosh krijimin e një gjuhe të dytë standarte për shqiptarët e Kosovës e për gegët e Shqipërisë, do të thotë, sikurse shprehet me të drejtë Rexhep Qosja, jo vetëm përmbysje e gjithë krijimtarisë shkencore dhe artistike të krijuar me këtë gjuhë, por edhe mohim i lidhjeve kulturore dhe shpirtërore të popullit shqiptar, të vendosura e të forcuara pas krijimit të kësaj gjuhe. ( vepra e cituar, fq.21 ).

    Na thonë se edhe gjuha angleze ka tre standarte, që përdoren përkatësisht në Angli, SHBA e Australi. Po, ashtu është, por na thoni ju lutem a mund të bëhet një krahasim i tillë kur këto standarte përdoren në tre kontinente, i pari në Evropë, i dyti në kontinentin amerikan dhe i treti në kontinentin Australian. Besoj kushdo e ka të qartë se çfarë lidhjesh kulturore, shpirtërore apo kombëtare mund të ketë ndërmjet këtyre shteteve. A mund të krahasohet lidhja kulturore, shpirtërore zakonore etj., e shqiptarëve që banojnë në trevat e tyre të pashkëputura në një sipërfaqe rreth 60000 km katror me një histori të përbashkët mijra vjeçare, me lidhjet ndërmjet anglezëve, amerikanëve e australianëve, që banojnë në tre kontinente të ndryshme ?

    Ka autorë që mund të pranojnë një standard të vetëm të shqipes, por jo ata të vitit 1972. Kjo do të thotë të shkatërrosh atë çfarë ke ndërtuar. Me këtë vendosmëri, me këtë ngulm që dëshiroj të mbroj variantin ekzistues të gjuhës standarte shqipe, me këtë ngulm e vullnet do ta mbroja edhe nëse ky variant do të ishtë bazuar kryesisht në dialektin e gegërishtes. Por të zhbësh atë që ke bërë, tashmë që është konsoliduar e trupëzuar dhe i ka dëshmuar vlerat e veta, kjo është një veprim destruktiv. Pastaj, si çdo fenomen edhe gjuha kalon në procesin e evoluimit dhe zhvillimit të mëtejshëm. Në këtë proces ka hapësirë që ajo të pasurohet dhe të përsoset.

    Të ndërhyhet me elegancë në gjuhën standarde ekzistuese, t’i jepet asaj hijeshia që e gjejmë në mjaft struktura të dialektit të gegërishtes, pse jo. Kjo është, plotësisht e realizueshme. Janë shkrimtarët, gjuhëtarët, gazetarët, studiuesit që shkallë-shkallë e në mënyrë të natyrshme do t’ia arrijmë këtij synimi. Një fenomen tjetër negativ që lidhet drejtpërdrejtë edhe me identitetin kombëtar, është idea që qarkullon për t’u kthyer në fenë e të parëve. Përkatësia trefetare mund edhe të ketë ndikuar në vonesën e krijimit të vetëdijes kombëtare te shqiptarët, por është mëse e vërtetë që të tre fetë kanë bashkëpunuar në harmoni të plotë.

    Trysnia e krijimit të vetëdijes kombëtare ndikoi fuqishëm në konsolidimin e harmonisë fetare ndërmjet tre feve, më tej ishte kjo trysni që e çoi Vaso Pashën në sentencën e tij programatike “ feja e shqiptarit është shqiptaria “. E pas këtij procesi gati tre shekullor kur të tre fetë janë pranuar, kanë bashkëjetuar e kanë hedhur rrënjë në besimtarët e tyre, të ngrihesh e të kërkosh kthimin në një fe të vetme, kjo është një absurditet i tërë, i mbarsur me shumë rreziqe. Kthimi në një fe të vetme sigurisht është një ide utopike, por ndërkaq vihet re në të dy anët e kufirit një tendencë për të tejvlersuar njërën apo tjetrën fe, ç’ka paraqet rreziqet e veta.

    E në këto kushte të propagandosh tezën e kthimit në një fe të vetme, në fenë e të parëve, do të thotë as më pak e as më shumë, veç t’i hedhësh benzinë zjarrit. Sigurisht ka të drejtë Rexhep Qosja që jep sinjalin se vetëdija e tej theksuar fetare ka ndikim “ më pak a më shumë çintegrues në jetën shoqërore, prandaj edhe me ndikim të mundshëm më pak a më shumë shpërbërës ndaj identitetit kombëtar “ ( Vepra e cituar, fq. 24 ).

    S’mendoj se këto ide e veprimtari mund të thellohen e të krijojnë një gjendje të vështirë. Sidoqoftë, i takon strukturave drejtuese të komuniteteve fetare të tregohen të vëmendshme e të inspirojnë atë harmoni fetare që tradicionalisht ka ekzistuar në të gjitha trevat e banuara nga shqiptarë. Kujdes duhet të bëjnë edhe organet e shtetit e të politikës, si dhe intelektualët e strukturat studimore e shkencore. Është rasti të kujtojmë se incidente si ajo që ndodhi në Shkodër lidhur me vendosjen e bustit në Nënë Terezës tregojnë, intolerancë që s’pajtohet me harmoninë fetare e që s’duhet të përsëritet.

    Nënë Tereza e tejkalon përkatësinë ndaj një feje të caktuar, ajo është një shenjtore që i ka shërbyer mbarë njerëzimit, që nderohet nga e gjithë bota e që meriton e ka fituar respekt mbarëkombëtar. Po ndalem pak, fare pak në një pohim që seriozisht më ka habitur. “ Të jesh i pavarur,- nënvizon autori – nuk do të thotë të jesh i pavarur vetëm nga Serbia,por edhe nga Shqipëria “, ç’ka “nënkupton krijimin si komb, si komb kosovar “ ( Nexhmedin Spahiu, “Drejt kombit kosovar”, Mitrovicë 2004 ). Këtë ide e thellon më tej kur shprehet : “ Sepse të jesh i pavarur nuk do të thotë të pavarsohesh vetëm nga Serbia por edhe nga Shqipëria. E pavarësia do të thotë të jesh i pavarur edhe në aspektin gjuhësor” ( Vepra e cituar, fq. 129 ). Për çfarë pavarësie flitet këtu ? Askush s’është i varur nga njëri-tjetri, as Kosova nga Shqipëria dhe as Shqipëria nga Kosova.

    hqiptarët kudo që jetojnë në trevat e tyre janë një komb i vetëm me gjuhë, zakone, tërësi shpirtërore e kulturore e histori të përbashkët. Edhe sikur të krijosh një standard tjetër të gjuhës, ajo prapë gjuhë shqipe do të jetë. S’e quaj të arsyeshme të ndalem më tej në këtë çështje, më mirë po e vlerësoj si një lapsus të autorit. Për ta mbyllur këtë shkrim duhet të theksoj se edhe vetë autorët e krijimit të një identiteti të ri kombëtar, të identitetit kosovar duket se e ndjejnë veten disi ngushtë. Ata s’e mohojnë se janë shqiptarë. E megjithatë duan të krijojnë një identitet tjetër , ç’ka duket si e pakuptueshme.

    E ritheksojmë, të krijosh një shtet të pavarur s’do të thotë se duhet të krijosh edhe një komb të ri. A mundet shteti i ri të ketë simbolet e veta ? Kjo ka logjikën e vet. Simbolet sigurisht nuk përcaktojnë kombin,ato janë simbole të shtetit. Por vini re. Edhe në përcaktimin e simboleve ata, tregohen shumë të kujdesshëm. Kështu, në përcaktimin e flamurit e kanë të vështirë të bëjnë ndryshime themelore. Duke ruajtur thelbin, shqiponjën e zezë në sfond të kuq, bëjnë ndonjë ndryshim të vogël në formë, pra në esencë mbetet sërish një flamur i kombit shqiptar. Si festë kombëtare propozojnë 10 Qershorin që përkon me Lidhjen e Prizrenit.

    Por Lidhja e Prizrenit është një kulm i Rilindjes Kombëtare që u takon gjithë shqiptarëve. Po kështu pranojnë dhe mirë bëjnë se duhet festuar edhe 28 Nëntori. Pa shkuar thellë në histori le të kujtojmë figurat madhore të shekujve të fundit : Ymer Prizreni dhe Abdyl Frashri, Haxhi Zeka e Çerçiz Topulli, Ismail Qemali e Isa Buletini, Hasan Prishtina e Luigj Gurakuqi e dhjetëra e dhjetëra patriotë, luftëtarë e mendimtarë të pushkës e të penës që i janë përkushtuar një kauze të përbashkët, një strategjie e një qëllimi të përbashkët kombëtar. A e shikoni sa lidhje të ngushta ekzistojnë,.

    A mund të ndahen shqiptarët e Kosovës nga shqiptarët e Shqipërisë, të Maqedonisë, të Malit të Zi apo të Çamërisë, Preshevës, Bujanovës, Medvegjës, panvarsisht nëse janë element shtet formues apo pakicë kombëtare ? Jo, kurrsesi jo. Ata formojnë një komb të vetëm. Janë këto mendimet e një intelektuali shqiptar që burojnë nga frymëzimi patriotik, nga dashuria për shqiptarët në të gjitha trevat.

    -----

    Kjo është vazhdimi i artikullit "Shqetësimi për shpërbërjen e kombit", që është botuar në gazeten SOT, ka edhe nje pjesë tjetër të parë, që për fat të keq s'po mund të gjej në web.
    My silence doesn't mean I am gone!

  2. #2
    Perjashtuar Maska e Sabriu
    Anëtarësuar
    29-12-2005
    Postime
    1,283
    Vonë u ka dal gjumi kalamaj....

Tema të Ngjashme

  1. Rugova: Dardania dhe flamuri dardan
    Nga krokodili_73 në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 375
    Postimi i Fundit: 30-04-2017, 14:19
  2. Rexhep Qosja: Moisiu nderoi tradhtarin Rugova
    Nga Arb në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 56
    Postimi i Fundit: 15-05-2007, 12:50
  3. Ku po shkon kombi shqiptar?
    Nga ARIANI_TB në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 18-01-2007, 05:47
  4. Përgjigje: 139
    Postimi i Fundit: 14-06-2005, 06:29
  5. Shteti grek, ky armik i kombit shqiptar
    Nga ~Geri~ në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 26
    Postimi i Fundit: 09-04-2005, 07:33

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •