-
26.11.2006
Sot Kisha katolike kremtoi të dielën XXXIV dhe të fundit të kohës gjatë vitit kishtar, për t’i hapur udhën Kohës së Ardhjes. Këtë të dielë Kisha ia kushton Krishtit Mbret. U përkujtua sot edhe festa e Shën Siriçit, papë; e Shën Leonardit nga Porto Mauricio, meshtar françeskan dhe e Shën Silvestrit, abat, themelues i silvestrinëve.
Nesër, e hënë, është festa e Shën Virgjilit, ipeshkëv i Salcburgut. Liturgjia e festës së Shenjtit na kujton se njerëzit që kanë zemrën e pastër, do të shohin Zotin.
Festa e Shën Jakut të Markjes, meshtar françeskan, që do të kremtohet të martën, na kujton se në historinë e njeriut gjithçka kalon: edhe gjërat më të mëdha e më të shenjta. Por besimtari në Krishtin nuk e humb kurrë shpresën në Zotin, me sigurinë se Zoti është mëshira e pambaruar.
Të mërkurën do të kremtohen Shën Saturnini, martir; Shën Juta e Shën Federiku, jeta e të cilëve na shtyn të meditojmë mbi rolin e të krishterëve në histori. Ata, ashtu si Zoti i tyre, janë shpesh shenjë kundërshtie. Por as keqkuptimet e as persekutimet nuk duhet t’i pengojnë për të qenë dëshmitarë të vërtetë të Ungjilit.
Duke ndjekur liturgjinë e festës së Shën Andreut Apostull të enjten e ardhshme, kujtojmë se Shenjti qe ndër të parët që e ndoqën Krishtin. Ai, që la rrjetat e veta të peshkimit buzë detit të Galilesë, peshkoi më pas mijëra njerëz për Zotin, duke nisur nga i vëllai, Simon Pjetri.
Për besimtarët, vrojtimi i shenjave të kohës nuk është burim shqetësimi, por sigurie në ardhjen e mbretërisë së Zotit. Këtë na kujtojnë, të premten e ardhshme, Shën Eligji ipeshkëv i Nojonit dhe Shën Naumi profet në festën e tyre liturgjike.
Të shtunën do të kremtohen Shën Bibiana, matronë romake; Shën Pimeni martir dhe Shën Silveri papë. Na bëjnë thirrje të lutemi e të vigjëlojmë, për t’u ruajtur nga sëmundjet e shpirtit.
-
-
3.12.2006
Sot Kisha katolike kremtoi të dielën e parë të Kohës së Ardhjes. U përkujtua sot edhe festa e Shën Françesk Saverit, meshtar jezuit, apostull i Indive, Pajtor i misioneve.
Nesër, e hënë, është festa e Shën Gjon Damashenit, meshtar e doktor i Kishës dhe Shën Barbarës, martire, që na kujtojnë se mund të marrim mësim feje edhe nga një centurion romak. Ai që dëshiron të shërohet, mjafton t’i drejtohet Jezusit me fjalët e romakut të lashtë: “Zot, ti thuaje një fjalë vetme!”
Misteri u zbulohet të vegjëlve: ky është kujtimi kryesor që na ngjall festa e Shën Sabës abat, që do të kremtohet të martën.
Të mërkurën, në festën e Shën Kollit të Barit, ipeshkëv i Mirës, kujtojmë se Jezusi ua kumton njerëzve lajmin e mirë me fjalë, me shërime e me shumëzimin e bukëve, duke i ftuar të ulen me gëzim në sofrën e Zotit, ku njeriu shuan etjen e trupit e të shpirtit.
Të enjten e ardhshme, duke ndjekur liturgjinë e festës së Shën Ambrozit, ipeshkëv i Milanos e doktor i Kishës, mësojmë t’ia besojmë veten vetëm Zotit e ta vlerësojmë jetën ashtu siç është.
Solemniteti i Zojës së Papërlyer, të premten e ardhshme, na fton të bashkojmë zërin në korin e mbarë Kishës, që brohoret: “Kundruam, o Zot, mrekullitë e dashurisë sate”.
Të shtunën do të kremtohen Shën Huan Diego, Shën Siri e Shën Valeri , të cilët me jetën e tyre na kujtojnë se vërtetë i lum është vetëm ai që pret Zotin!
-
-
(10.12.2006)
Të Dielën Kisha katolike kremtoi të Dielën e dytë të Kohës së Ardhjes.
U përkujtua edhe festa e Zojës së Loretos, Shën Mauri martir e Shën Gregori II, papë.
Të hënën, është festa e Shën Damazit I papë. Na kujton se Zoti ynë po vjen të na shëlbojë, të na i falë mëkatet e të na shërojë trupin e shpirtin.
Në festën e Zojës së Guadalupes, që do të kremtohet të martën, ndjehet tashmë atmosfera e një bote të përtrirë, në të cilën asnjë njeri që i beson me gjithë zemër Zotit, nuk do të humbasë, sepse Krishti është gjithnjë në kërkim të deles së humbur.
Në festën e Shën Luçisë, virgjër e martire e Sirakuzës, që do të kremtohet të të mërkurën, liturgjia na kujton se nuk duhet të ligështohemi kurrë nga mundimet e përditshme, por duhet ta lëshojmë gjithnjë veten në dorë të Jezusit zemërbutë e të përvujtë, të sigurtë se një ditë do ta kundrojmë me sytë tonë lumninë e tij.
Të enjten e ardhshme, duke ndjekur liturgjinë e festës së Shën Gjonit të Kryqit, meshtar e doktor i Kishës, karmelitan i zbathur, meditimi mbi leximet liturgjike të festës na nxit t’i drejtojmë vetes pyetjen: “A jemi aq të përgatitur, sa ta presim Jezusin edhe kur nata është tepër e errët?”.
Shën Valeriani, ipeshkëv i Afrikës e martir, që do të kremtohet të premten e ardhshme, na fton t’i drejtojmë Hyjit lutjen: “O Hyj, më jep dijen e nevojshme për të të njohur Ty, me vetëdijën se kush ndjek Zotin, do të ketë dritën e jetës”.
Të shtunën do të kremtohen Shën Davidi mbret e profet e Shën Adelaidja perandoreshë. Na kujtojnë se na kërcënon gjithnjë rreziku të mos jemi në gjendje ta dallojmë, ndërmjet zërave të shumta që vijnë nga të katër anët e botës, zërin i cili përgatit ardhjen e Mesisë. Na ndihmo, o Zot, t’i njohim menjëherë të dërguarit e tu.
-
-
(17.12.2006)
Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën e tretë të Kohës së Ardhjes.
U përkujtua edhe festa e Shën Danielit profet dhe e shenjtorëve Anania, Azaria e Misaeli.
Nesër, e hënë, është festa e Shën Malakisë profet. Na kujton se Mesia, i paralajmëruar nga Jeremia, vjen për ta shpëtuar popullin prej mëkatesh. Por për ta bërë këtë, Hyji shërbehet nga të drejtët, nga ata që e dëgjojnë fjalën e tij.
Shën Urbani V papë e Shën Anastasi papë, që do të kremtohen të martën, na nxisin të reflektojmë për veprat që Zoti vijon t’i kryejë ndërmjet njerëzve e për dhuratat me të cilat i mbush plot ata që e pranojnë fjalën e Tij.
Liturgjia e festës së Shën Liberatit dhe Shën Filogonit, që do të kremtohen të mërkurën, na kujton se për ta njohur me të vërtetë Hyjin Atë nuk mjafton të studiosh filozofinë ose teologjinë: rëndësi ka të kundrosh Foshnjën Hyjnore të lindur nga Virgjëra Nënë.
Të enjten e ardhshme, meditimi mbi liturgjinë e festës së Shën Mikesë Profet e të Shën Pjetër Kanizit, jezuit e doktor i Kishës, na kujton se Maria e Elizabeta janë ikona e çdo të krishteri, që ndjek Zotin përplot me Shpirtin Shenjt e që prandaj ecën me gëzim e optimizëm edhe ndër shtigje të thepisura.
Shën Françeska Kabrini, virgjër, themeluese e Misionareve të Zemrës së Krishtit, që do të kremtohet të premten e ardhshme, na nxit ta lavdërojmë Hyjin për dhuratën e Krishtit që po vjen e ta lëshojmë plotësisht vetveten në dorë të Zotit, me besimin se mëshira e tij shtrihet mbi të gjithë ata që i druhen.
Të shtunën do të kremtohet Shën Gjoni i Ketit, meshtar, që na kujton thirrjen e psalmistit: ‘Ta ngrejmë lart kokën, shpëtimi ynë është afër!’.
-
-
(7 janar 2007)
Nesër e hënë 8 janar kisha përkujton Shën Severinin, pajtor kryesor i Austrisë dhe i Bavarisë, zonë që në antikitet quhej Norik. Me veprat e tija bamirëse, ndërmjetësitë e tija si qytetar romak pranë fiseve barbare gjermane që merrnin peng të huajt, Shën Severini na kujton se sa e rëndësishme është ta duash të afërmin në çaste të vështira. Banorët e Norikut përqafuan fenë e Krishtit falë pikërisht veprave dhe dhuntive të këtij shenjti.
Të martën Kisha kremton Shën Julianin dhe Shën Basilisën, bashkëshortë, të dy shenjtër, që me kujdesin e tyre për të shtegtarët dhe endacakët treguan dashurinë ndaj Kishës dhe të varfërve në shpërblim të mëkateve të veta.
Me 10 janar Kisha kremton Shën Aldon, murg benedektin irlandez, i varrosur në Pavi, Itali, që gjatë gjithë jetës zbatoi fjalët “ora et labora”- “lutu dhe puno”.
Martirologu romak me 11 janar përkujton Shën Igjinin Papë, filozof, rregullues i hierarkisë kishtare. Vetë veprat dhe vdekja e tij si martir gjatë persekutimeve të perandorit romak Antonino Pio na sjellin ndërmend se sa sakrificia duhen për të mbrojtur besimin.
Emri i Shën Çezirës apo Çezaries që do të kremtohet të premten, 12 janar, është i lidhur ngushtë me atë të vëllait Shën Çesarit, ipeshkëv. Në fakt ishte ky që shkroi Rregullën e urdhërit murgëtar në të cilin do të bënte pjesë e motra, Urdhër që bazohet tek heqja dorë nga çdo pronë private, klauzura e përjetshme, përjashtimi nga juridiksioni ipeshkvnor dhe bindja ndaj superiores së quajtur “mater”.
Shën Hilari i mbiquajtur “Athanasi i Perëndimit” do të kremtohet të shtunën më 13 janar. Ipeshkëv i Puatjesë, që në vitin 353 u bë mbrojtës i flakët i Koncilit të Niçesë që luftoi herezinë ariane. Vepra e tij më madhe mbetet “De Trinitate” – “Mbi Trininë Shenjte”.
Arritëm kështu tek e diela e ardhshme. Në këtë ditë Kisha do të përkujtojë Shën Feliçin e Nolës, ipeshkëv, martir. Varri i tij njihet nga tradita e krishterë si “Ara veritatis” – “Altari i së vërtetës” sepse edhe pas vdekjes bënte mrekullira duke nxjerrë në shesh të vërtetën dhe duke luftuar gënjeshtrat dhe shpifjet.
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt