Dy shtete, një kulturë


Bujar Leskaj*

Vizitën e parë në Kosovë si ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Shqipërisë e bëra në një moment fort të hidhur për mbarë botën shqiptare e më gjerë, pikërisht atëherë kur Ibrahim Rugova po përcillej për në banesën e fundit ose e thënë ndryshe, në Panteonin e historisë së këtij kombi.
Të gjithë e ndiejmë mungesën e tij fizike, por ngushëllohemi me gjithçka ai na la.
Së dyti, i ardhur në Kosovë e kam nevoje shpirterore para së gjithash të them disa fjalë për burrin që së bashku me Nënë Terezën modernizuan historinë tonë të përbashkët.
Ibrahim Rugova traditën, të shkuarën tonë kulturore e racionalizoi në bashkëkohësi, duke krijuar kështu një mendim politik të llojit të veçantë. Ai, presidenti i Kosoves, gandi i ditëve tona, esteti dhe teoricieni i letërsisë, për mua, mbetet formula më frytdhënëse e Shqiptarisë si doktrinë humane e intelektuale, si vizon politik e patriotik.
Brishtësia ia forcoi konturet këtij kolosi, i cili në Ballkanin e tërbuar besoi fort te paqja si thelb i njeriut. Rugova me urtësi sokratiane tokën në të cilën prej dekadash konservohej krimi i okupatorit e ktheu ne tokë të paqes, duke e lënë Kosovën në agimin e pavarësisë.
Herën e fundit që e pamë në Shqipëri, ai u përkul në gjunjë para heroit kombëtar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe tha: Do t’i forcojmë aleancat me aleatët e të madhit Skënderbe. Kjo fjali e thjeshtë ishte magjia e politikës së tij, vizioni strategjik i rikthimit të shqiptarëve në familjen e natyrshme evropiane.
Qeveria “Berisha”, e dalë nga zgjedhjet e 3 korrikut, integrimin, dialogun, komunikimin dhe njohjen i ka parësore në politikat e veta, por çështja e statusit të Kosovës është madhore për të e në këtë kontekst në sintoni me qeverinë tuaj ajo përpiqet të ndihmojë sa më shumë në arritjen e zgjidhjes së dëshiruar sepse një Kosovë e pavarur, demokratike e lirë dhe që respekton minoritetet e sheh si burim stabiliteti në rajon.
Qëndrimi i qeverisë “Berisha” për Kosovën është i qartë. Unë ju citoj këtu deklaratën më të fundit të kryeministrit Berisha dhe qeverisë që ai drejton se “pavarësia e Kosovës do të shërbejë si një faktor madhor stabiliteti për vetë Kosovën në radhë të parë, e cila ka nevojë për zhvillim, për investime, përparim në mënyrë që të ketë stabilitet e paqe për qytetarët e saj brenda vendit”.
Dua t’iu informoj ju se ministria që unë drejtoj bashkëpunimin me Kosovën e sheh si tejet të rëndësishëm si në fushën e turizmit të rinisë dhe sporteve, por mbi të gjitha në fushat e kulturës.
Kultura e Kosovës dhe e Shqipërisë janë dy pjesë të një të tëre pra të asaj që të gjithë ne e quajmë kulturë kombëtare. ”Nja asht gjuha, kombi nja”, pat thënë Ndre Mjeda. Natyrshëm së bashku i ndiejmë si pjesë të trashëgimisë tonë patriotike, krijuese e shpirtërore emra të tillë si Barleti, Beçikemi, Buzuku, Budi, Bogdani, Bardhi, Sulejman Vokshi, Haxhi Zeka, Ymer Prizereni, Ali Gucia, Fishta, Gjeçovi, Hasan Prishtina, Konica, Frashëri, Gurakuqi, Noli, Koliqi, Bajram Curri, Shaban Polluzha, Esat Mekuli, Anton Pashku, Ismail Kadare, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Rexhep Ferri, Sabri Hamiti e shumë të tjerë për të theksuar fort krenarinë për Ibrahim Rugovën, për të cilin kam shprehur konsideratën personale që në çetën e profetëve të kombit pas Skënderbeut zë të parin vend.
Përmenda këta emra për të ravijëzuar një ide: atë të një historie dhe kulture të përbashkët. Kultura është gjuha më e mirë për të komunikuar më të ndryshmin e jo më me vellezerit e një gjaku. Politikat e reja që po koncepton MTKRS-ja konsistojnë kryesisht te libri, etnokultura dhe te trashëgimia materiale dhe shpirtërore kjo në fushën e kulturës, ndërsa në turizëm po punojmë që krahas turizmit të rërës dhe diellit që tashmë ju keni pasur rast të jeni konsumues të tij, po kunturojmë strukturat bazë për një turizëm kulturor elitar.
Pesë parqet arkeologjike që kemi shpallur janë tregues i kësaj nisme. Synimi ynë në fushën e librit për sa i përket bashkëpunimit me ju është që ai të mos njohë asnjë pengesë. Kur them këtë, kam parasysh panaire të librit, të përbashkëta brenda dhe jashtë vendeve tona si dhe panaire shkëmbyese, botime të përbashkëta që transmetojnë vlera të ndërsjella.
Por duhet të marrim në konsideratë realitetin që për fat të keq këtë nuk është ai i dëshiruari. Ka një situatë moskomunikimi thelbësor që deri dje justifikohej nga konjukturat historike, ndërsa sot është një neglizhencë të cilën nuk e meritojmë dhe që duhet të punojmë të gjithë për ta ndryshuar.
Mosnjohja e ndërsjellë e kulturës që prodhohet nga bota shqiptare, ka shpënë në largimin e saj, veçimin, thellimin dhe mbylljen, pa krijuar një rezonancë gjithëkombëtare, sipas principit:një gjuhë –një kulturë. Por tendenca është e qartë në favor të ndryshimit të gjendjes. Në pak kohë më parë gjatë promovimit të korpusit të plotë të veprave të Rugovës jemi shprehur të gatshëm që të botojmë një studim antologjik kushtuar këtij personaliteti ku të përfshihen studime e analiza të studiuesve nga Kosova dhe Shqipëria.
Tek unë si ministër, i inkurajuar edhe nga orientimet e qarta të kryeministrit Berisha për një bashkëpunim intensiv me Kosovën, ekziston një vullnet absolut për të punuar me ju.
Gjej rastin t’iu përgëzoj për seriozitetin, cilësinë dhe përkushtimin që keni treguar në fushën e botimeve të klasikëve të kulturës kombëtare. Kam ndjekur me vëmendje Kolanat e Fishtës, Konicës, Harapit, Koliqit, Rugoves, Hamitit etj. dhe kam kuptuar që kemi shumë për të nxënë nga ju në këtë drejtim. Kështu që kam nxitur punën në këtë drejtim pra për të evidentuar si e kemi gjendjen e botimeve deri tani dhe si e sa do ta zgjerojmë atë. E ndiej të nevojshme të theksoj që si në Kosovë dhe Shqipëri po formëzohet një brez shkrimtarësh dhe artistësh të rinj, por që për arsye të ndryshme po mbesin si ishuj kreativë të izoluar, atëherë intensifikimi i marrëdhënieve, e thënë ndryshe, përçimi i kësaj krijimtarie në të dy anët e kufirit e bën më të lehtë integrimin e dy pjesëve që përmendëm më sipër.
Një nismë e tillë nuk duhet të kufizohet vetem te libri, por edhe te muzika me zhanret e veta si dhe teatri apo piktura.
Ekspo-Prishtinë që do të bëhet pas pak ditësh nën kujdesin e piktorit Fatmir Velaj me pjesëmarrjen e artistëve të ndryshëm ballkanas është një përvojë që duhet të bëhet fillim i një tradite të bashkëpunimit midis dy ministrive tona të kultures.
Në Shqiperi me e avancuara në këtë drejtim është Biblioteka Kombëtare që bashkëpunon ngushtë më atë të Kosoves në forma të ndryshme. Por kësaj here jemi këtu për të krijuar lidhje direkte ndërmjet të gjithave institucioneve të varësisë dhe drejtorive paralele në dy ministritë tona.
Kultura është element thelbësor dinjiteti e identiteti. Mendimtari ynë i shquar Branko Merxhani, e shihte kulturën si bazën fillestare dhe kushtin primar të ndryshimit të shoqërisë shqiptare. Citoj: “Kultura është nisja”, - thoshte ai në një shkrim të botuar tek Përpjekja Shqiptare. Që një popull të fitojë fuqi politike duhet më parë nga të gjithë të krijojë një kulturë të lartë. Ne në anen tjetër të kufirit shohim me simpati të madhe autobuzat me të rinjtë kosovarë që vijnë për të vizituar qytetet shqiptare. Këto vizita kanë një simbolikë të tyren të qartë atë të dashurisë dhe njohjes reciproke.
Kam takuar plot të rinj kosovarë që mbanin emrat e qyteteve dhe simboleve tona jam emocionuar vertet.
Në menyrë që edhe rinia e shtetit të Shqipërisë të njohë më mirë Kosovën, i kam indikuar departamentit të rinisë në ministri hartimin e një axhende që ka në qendër të saj një turizem kulturor në Kosovë, pra njohjen me qytetet, vendet arkeologjike, muzete apo ato të rezistences kunder represionit serb. Për sa i përket Turizmit mendoj që Zoti u ka falur bukuri të mëdha dy shteteve tona. Para se ta pretendojmë nga të tjerët është mirë që në fillim të jemi klientë të njëri-tjetrit, sepse përveç mikpritjes tradicionale mund të gjejmë plot gjëra që kënaqin kuriozitetin tonë. Edhe në këtë pikë ju keni qenë më të vëmendshëm dhe më eksperimentues nga ne. Aktualisht ne gjendemi në një proces reformimi të plotë të strukturave hoteliere, plazheve dhe lidhjeve të tyre me monumentet e ndryshme kulturore ju them me bindje që stina që po afrohet e gjen ambientin turistik shqiptar më cilësor në çdo pikëpamje e si të tillë më argëtues
MTKRS-ja e Shqiperisë dhe Ministrinë e Kultures së Kosoves i shoh si dy portat të hapura përballë njëra-tjetrës, nga të cilat kalojnë marrëdhëniet tona më të bukura më integruese pikërisht ato marrëdhënie që në kodin e tyre të komunikimit kanë magjinë e artit kozmopolit e tabanin kombëtar, por mbi të gjitha forcën edukuese të artit të dialogut paqes mirëkuptimit e respektit ndaj të ndryshmit.
Unë jam nga Vlora e deputet i saj, pra nga qyteti i Flamurit, të pavarësisë, atij flamuri që puthi dhe mbrojti Isa Boletini. Jo pak herë kam menduar se çfarë mund të kete ndier dhe thëna baca Isë në ato çaste! I pa ndihmuar nga procesverbalet historike, e gjeta zgjidhjen tek Ali Podrimja, pra “Miq, Kosova është gjaku im që nuk falet!” Kosova ka qenë malli ynë i pashuar e çdo shqiptar e ka ndier këtë brengë, por vlonjatet me tepër e them kete pa frikën se do të akuzohem për pervetësim dashurie. Isopolifonia që shoqëroi barkën me Ismail Qemalin, Gurakuqin e të tjerë kur po shkonin të mbronin çështjen shqiptare në vitin 1913, mbeti mes nesh, qe një këngë që nuk rreshti kurrë, në pritje që anija të kthehet me lajmin e gezuar të Kosoves së pavarur.
Sot proceset integruese janë kryefjala e politikave evropiane e ballkanike. Ne shqiptarët në të dy anët e kufirit nuk kemi kohë për të humbur, por besojmë fort në percaktimin e shkrimtarit tonë të shquar Ismail Kadare që thotë: “Dy shtete shqiptare në Ballkan do të përfaqësojnë më bukur kombin shqiptar, do të jenë shumë të fuqishem dhe do t’i japin shtatin e vertetë kombit shqiptar. Dhe bashkë me këtë shtet të vertetë, do t’i japin një psikikë tjetër shumë të shëndetshme, sepse kur një trup plotësohet dhe mendja plotësohet.”

*Ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve

Po me pelqen shume si politikan Leskaj. Keshtu duhet te jene politikanet shqiptare, mendoj une.