Abramoviç, jetimi që u bë miliarder
Rusi zotëron një pasuri prej 13.2 miliardë dollarësh
Kur Roman Abramoviç, oligarku rus dhe guvernatori i rajonit të pasur me minerale të Çukotkas, në korrik të vitit të kaluar bleu shumicën e aksioneve të klubit të Çelsit, pati një interesim të jashtëzakonshëm nga ana e të gjitha mediave për të zbuluar burimet e pasurisë së tij të pashtershme.
Askush nuk e njihte miliarderin më të ri të botës, një miliarder i mistershëm për të cilin thuhet se deri para vitit 2000 nuk ekzistonte asnjë foto që paraqiste imazhin e tij. Sot për Abramoviçin mund të thuhet me plot gojën si një nga njerëzit më të pushtetshëm në ekonominë botërore. Perandoria e tij financiare është jashtëzakonisht e madhe, teksa vlera e pasurisë së tij kap shifrën marramendëse të 13.2 miliardë dollarëve.
Biografia
Po kush është miliarderi rus, fama e të cilit është shpërndarë në të gjitha anët e rruzullit? Biografia e Abramoviçit është e një njeriu që ka arritur t'ia dalë mbanë me forcat e tij dhe me çdo kusht. I lindur në Saratov më 24 tetor të vitit 1966, ai mbeti jetim që 18 muajsh, pas vdekjes së të ëmës. Ndërsa babai i vdiq kur Roman ishte katër vjeç. Ai u rrit në familjen e xhaxhait të tij, në rajonin e Komit, në verilindje të kryeqytetit të Rusisë, ku u transferua për të ndjekur studimet. Por, rënia e komunizmit dhe etja për të privatizuar sa më shumë e detyruan Romanin që të braktiste shkollën dhe të niste aventurën e biznesit pa rregulla. Fillon të punojë si saldator për "Runikom", një kompani e specializuar për shitblerjen e naftës. Në vitin 1992, kur ishte në moshën 25-vjeçare, hetohet së bashku me disa persona të tjerë për zhdukjen e 50 fuçive me naftë, të cilat u zhdukën në mënyrë misterioze.
Afrimi me klanin Jelcin
Në mesin e viteve '90 bëhet mik i afërt i vajzës së preferuar të Boris Jelcin, si dhe të mbretit të oligarkëve rus, njeriut të fuqishëm dhe energjik Boris Berezovski, i cili kishte kontribuar shumë për rizgjedhjen e presidentit Jelcin. Por, ndërsa Berezovski dhe bashkë me të manjati i medias, Vladimir Gusinski, u detyruan që të largoheshin nga vendi për shkak të presioneve të qeverisë, pasi kishin sfiduar drejtpërdrejtë politikën e presidentit Putin, Roman Abramoviç arriti të afirmohej si një personazh i fuqishëm, i ndimuar shumë edhe nga zgjedhja për të vetëqeverisur: oligarku i rritur në kopshtin e gangsterëve, transformohet shumë shpejt në një pronar dhe biznesmen të fuqishëm. Fati i tij më i madh ishte, kur në vitin 1995 ai takoi kapitalistin më të fuqishëm rus, Boris Berezovski, me të cilin arriti të hidhte hapat e para e të fitonte aksione në kompaninë gjigande të naftës "Sibneft". Kur Berezovski la Rusinë në vitin 2000, për t'u shpëtuar nga akuzat që ishin ngritur ndaj tij, atëherë të gjithë kompaninë e naftës ai ia shiti Abramoviçit. Tani, përveçse kompanisë "Sibneft", Abramoviç ka interesa edhe në sektorin e aluminit, automobilave dhe televizionit; të gjitha këto biznese të tij janë të regjistruara në kompaninë britanike "Millhouse Capital". Ai po e shpenzon pasurinë e tij në një mënyrë mjaft të dukshme, duke përfshirë këtu edhe shumën e 400 milionë dollarëve për të blerë klubin anglez të futbollit, Çelsi dhe disa nga futbollistët më të mirë të botës.
Tërheqja e bizneseve nga Rusia
Abramoviç, i cili gjatë vitit të kaluar pritej të ishte oligarku i radhës në shënjestrën e Kremlinit ka filluar menjëherë të shesë asetet e tij në Rusi. Në muajin shtator të vitit 2003, ai shiti 25% të aksioneve të para që zotëronte në kompaninë e aluminit, "Ruski Alumin", ndërsa pak kohë më parë ai ka shitur me vlerën e 2 miliardë dollarëve, 25% të aksioneve të mbetura në këtë firmë. Tashmë, gjithnjë e më shumë, të gjitha këto shitje dhe tërheqja nga bizneset e tij në Rusi, lënë për të dyshuar se shkaku ka të bëjë me faktin që Abramoviçi synon t'i shpëtojë goditjeve të mundshme nga Kremlini. Ai njihet si mbështetës i ish-presidentit Jelcin, ndërsa me presidentin aktual Putin, ka pasur mosmarrëveshje të shumta, sidomos lidhur me faktin e sponsorizimit të fushatave elektorale të rivalëve të numrit 1 të shtetit rus.
Shifra
8
vendi, që zë Roman Abramoviç në renditjen e njerëzve më të pasur të Britanisë së Madhe. "De fakto", Abramoviç është edhe miliarderi më i pasur i Rusisë, pasi aktualisht njeriu që ka më shumë para në Rusi, Mikail Kodorkovski, është i burgosur. Abramoviç është renditur në listën britanike të të pasurve, pas zhvendosjes së tij nga Rusia në Londër.
13.2 miliardë
dollarë është pasuria aktuale e Roman Abramoviç. Manjati rus gëzon një ndër pasuritë më të mëdha të botës dhe renditet në vend të 13-të miliarderëve të rruzullit tokësor. Aktualisht, Abramoviç është pronar i kompanisë së naftës "Sibneft", i skuadrës së Çelsit dhe është kandidatura numër 1 për blerjen e garës së makinave Formula 1.
3 miliardë
dollarë është rritja e pasurisë së Abramoviçit nga viti i kaluar. Rusi është i pari biznesmen, që ka përfitimin e rritjes së pasurisë në një vit. Në vitin 2004, pasuria e tij ishte 10.6 miliardë dollarë, ku renditej në vendin e 25-të të listës së miliarderëve botërorë, ndërsa në vitin 2003, pasuria e tij ishte 8 miliardë dollarë.
100 milionë
dollarë në vit që i siguronte nga rafineria e naftës "Sibneft" në Omsk. Në këtë kompani ai ka 80% të aksioneve. Përveç "Sibneft", Abramoviç ka investuar në industrinë e aluminit, flotave ajrore, në centrale termoelektrike, fabrika automobilash, kamionësh e autobusësh, banka dhe kompani sigurimesh në të gjithë Rusinë.
Krijoni Kontakt