"France Football" nxjerr renditjen e më të paguarve në botën e futbollit 18-04-2007
Ronaldinjo, "bosi" i pasanikëve!
Ergi Lubani
Në pritje që Devid Bekham të transferohet në Los Anxhelos dhe të plotësojë një deklaratë të re të të ardhurave vjetore, futbollisti më i paguar në botën e futbollit mbetet Ronaldinjo. Braziliani përfiton rreth 24 milionë euro në vit. Një milion më shumë se një vit më parë.
Buzëqeshje - Sipas "France Football", që çdo vit bën llogarinë e futbollistëve më të pasur, 27-vjeçari Ronaldinjo përfiton 8.5 milionë euro nga Barcelona (710 mijë euro në muaj, 23 mijë euro në ditë, 986 euro në orë). Këtyre parave u shtohen të ardhurat nga reklamat që arrijnë shifrën e 15 milionë eurove (Nike, Pepsi, Gatorade, Sony Ericsson, Chervon-Texaco). Pavarësisht nga një botëror duarbosh dhe nga eliminimi i Barcelonës në Champions, duket se buzëqeshja e brazilianit vazhdon të paguhet me "ar". Nëse do të kalojë te Milani, paga vjetore do t'i shkojë në 12 milionë euro.
Podi - Devid Bekham ndodhet në vendin e dytë dhe përfiton 17 milionë euro, një më pak në krahasim me sezonin e kaluar. Gjithsesi, mesfushori anglez pritet të arrijë sërish majën në sezonin e ardhshëm. Kontrata me Los Anxhelos Galaksi do t'i japë 37 milionë dollarë për pesë vjet dhe pritet që në SHBA të afrohen edhe sponsorë të rinj për mesfushorin e Realit që aktualisht merr nga "merengesit" 6.5 milionë euro në vit, ndërsa nga reklamat, 10.5 milionë. Në vendin e tretë të renditjes së pasanikëve gjendet Tierri Henri, i cili së bashku me premiot përfiton 9 milionë euro nga Arsenali. Portofoli i francezit rritet me 6.9 milionë euro të tjera që vijnë nga reklamat.
Italia - Alesandro Del Piero është italiani më i paguar me 11.5 milionë euro (4.2 milionë euro nga Juventusi dhe 6.8 milionë nga sponsorët). "Pinturikio" merr një milion më shumë se Fabio Kanavaro, i cili renditet në vendin e dhjetë të renditjes së përgjithshme, falë dhjetë milionë eurove që i vijnë të ndara në mënyrë të barabartë mes Realit dhe sponsorëve personalë. "Podi" i italianëve kompletohet me Françesko Totin, i 14-ti në renditjen e përgjithshme me 6 milionë euro.
Të tjerët - Një vend mbi kapitenin e Romës, i 13-ti, ndodhet Kaka. Milanisti përfiton 9.2 milionë euro në sezon. Kristiano Ronaldo, njeriu i momentit, është vetëm i 17-ti me 8.7 milionë euro në sezon. Në vendin e pestë të renditjes së përgjithshme ndodhet Ronaldo që përfiton 15.2 milionë euro në vit, por ka humbur dy pozicione në krahasim me 2006-n. Ndërmjet trajnerëve, "bosi" është Hoze Mourinjo me 10 milionë euro dhe do të renditej i 11-ti ndërmjet futbollistëve. Portugezi ndiqet nga Aleks Ferguson dhe Fabio Kapelo. Për herë të parë në "top 10" figuron edhe Roberto Mançini, teksa është rikthyer sërish në skenë Trapatoni me të ardhurat e majme nga Red Bull Salcburg.
Renditja e futbollistëve1.Ronaldinho 24 mln euro
2.D.Bekham 17
3.T.Henri 15,7
4.M.Balak 15,3
5.Ronaldo 15,2
6.A.Shevçenko 12,7
7.A.Del Piero 11,5
8.Xh.Terri 11,4
9.S.Xherrard 11,3
10.F.Kanavaro 10,5
Renditja e trajnerëve:
- 1.H.Mourinjo 10 mln euro
- 2.A.Ferguson 6,1
- 3.F.Kapelo 5,8
- 4.S.G.Erikson 5,2
- 5.G.Hidink 5
- 6.Xh.Trapatoni 4,6
- 7.F.Rajkard 4,5
- 8.A.Venger 4,4
- 9.R.Mançini 3,4
- 10.R.Benitez 2,8
Sporti Shqiptar
Krijoni Kontakt