Shkruan: Ramadan Osmani – Rexhepi, Suedi
Me rastin e daljes nga shtypi të librit të dr. Hysamedin Ferajt “Skicë e mendimit politik shqiptar”, Tiranë 1998
Të nderuar bashkëatdhetarë
Që në fillim dëshiroj t’i përshëndes ata që morën iniciativën e këtij takimi të sotëm. Në dorë të parë dua t’i përshëndes z. Sabri Novosellën e z. Shefki Osekun. Në dorë të dytë dua t’ju përshëndes juve që e keni bërë të mundur këtë takim, në të cilin së bashku, në mënyrë krejt modeste, do të përpiqemi ta nderojmë shkaktarin kryesor të këtij takimi, e që është zoti Hysamedin Feraj, kampion i ri i çështjes sonë kombëtare.
Ajo që na pikëllon të gjithëve është kjo: “Skicë e mendimit politik shqiptar” e kemi në mesin tonë, por jo krijuesin e saj, i cili, gjykuar nga parathënia e veprës, ka harxhuar me qindra e mijëra netë për të na e prezantuar në gjenden e tanishme.
Mungesën e dr. Ferajt nuk mund ta plotësoj askush dhe, më së paku ne që jemi mbledhur këtu. Megjithatë, jam i sigurt se, si inisiatorët e kësaj ndërmarrjeje ashtu edhe ne të tjerët, e ndjejmë veten të nderuar që si zoti Feraj u bë shkaktar të shihemi në shoqatën “BESA” të Trelleborgut, dhe të flasim për mendimin politik shqiptar.
Duke qenë se jam humanist dhe gjuhëtar, nuk do të marr guxim t’u mundoj me gjykimet e mia mbi librin që e kam para vetes. Kjo thjesht nga fakti, sepse libri në fjalë sapo ka arritur në Suedi dhe, për shkak të kohës kaq të shkurtër, unë nuk arrita që “Skicë e mendimit politik shqiptar” ta lexoj me seriozitetin që e meriton të lexohet një vepër e tillë.
Megjithatë, edhe si humanist, edhe si gjuhëtar, edhe si mësues, po edhe si shqiptar, dua të konstatoj se kurrë më parë nuk na janë dashur libra të këtilla si kjo “Skicë e mendimit politik shqiptar” e dr. Ferajt.
S’ka dyshim se populli ynë ka qenë ngushtë edhe pas vdekjes së Skënderbeut, kur një e katërta e shqiptarëve e lëshuan atdheun e tyre dhe u shpërngulën në Itali (të përmendim kalimthi se tokat ku u vendosën shqiptarët e asaj kohe ishin prona private të feudalëve katallanë, pra spanjollë, të cilët më me qejf ua lëshonin ardhacakëve shqiptarë se sa fshatarëve italianë).
Populli ynë ka qenë ngusht edhe gjatë robërisë osmane. Megjithatë, gjatë kësaj robërie të gjatë, nga radhët e veta i nxorri arkitektë si Sinani, pashallarë si Mehmet Aliun e Egjyptit, Aliun e Tepelenës dhe Bushatlinjtë e Shkodrës.
Populli shqiptar ishte ngushtë edhe gjatë Kryengritjes së Madhe, kur shumica e liderve të tij, pos Hasan Prishtinës së Madh, ia ngulën thikën prapa shpinës, por, megjithatë populli shqiptar ia arriti t’i sigurojë vetvetes gjysmën e territorit të vet etnik.
Populli shqiptar ishte ngusht edhe gjatë Luftës së Dytë botërore, kur nuk e sumuan vetëm italianët, gjermanët, serbët e bullgarët por edhe sivëllezërit e tyre, partizanët shqiptarë.
Populli shqiptar ishte ngusht edhe pastaj, gjatë diktaturës së proletariatit, kur gjysma e kombit mbeti nën robërinë sllave dhe gjysma tjetër mbeti nën robërinë greke.
Megjithatë, ai kurrë s’ka qenë më ngushtë se sot. Dikur ai goditej larg, në trevat që i kishin mbetur në periferi, pra goditej në margjina, kurse tani po goditet në zemër, në kryeqytetin e Shqipërisë dhe, shqiptarët, përkundër kapacitetit të tyre intelektual e shpirtëror, janë katandisur në një moçal të thellë.
Për herë të parë në ecjen e tyre, ata kanë çuar dorë nga atdheu, nga nderi, nga krenaria. Gjatë këtyre 5-16 muajve që shkuan, ata ndërruan tri herë qeveri dhe të tri herët zgjodhën kryeministra e qeveri joshqiptare!?
Ja, ky është shkaku se pse na duhet libra si “Skicë e mendimit politik shqiptar” e dr. Hysamedin Ferajt. Them “libra”, sepse libri sido që ta ketë emrin, e ka një mesazh dhe nuk zëvendësohet as me CD-pllaka, as me videokaseta. Libri është si kroi i mirë i bjeshkës, sa më shumë që të pijmë, aq më shumë na shtohet etja....
Shkaqet, bashkëudhëtarë të nderuar, se pse dr. Feraj e ka shtruar tezën e tij si “skicë” e jo si diçka më të madhe, është çështja irelevante. Kryesorja është se si ai i është qepur një teme vendimtare dhe si autori, ashtu edhe ne, lexuesit e tij, e dijmë se mendimi i mirëfilltë politik shqiptar fillon me rilindasit: jeronim De Rada, Thimi Mitkon, Vaso Pashën e Sami Frashërin, dhe vazhdon pastaj me Faik Konicën, Aleksandër Drenovën, Luigj Gurakuqin, Mit’hat Frashërin, Shahin Kolonjën, Fan Nolin dhe hasan Prishtinën.
Edhe pse ai zë fill para Lidhjes Shqiptarë të Prizrenit, ky mendim fillon të kristalizohet pas daljes së Faik Konicës në skenën kulturore dhe politike. Ky personalitet i madh i kulturës shqiptare, në fillim i afërt me Ismail Qemalin pastaj armik i përbetuar i tij, arrin të rekrutojë thuajse shumicën e intelektualëve shqiptarë dhe i boton të gjitha polemikat e tyre në revistën e paharruar, “Albania”.
Që nga kjo kohë, e deri në agun e Luftës së Parë Botërore, mendimi politik shqiptar, edhe pse i gjymtë në ecjen e tij, është relativisht i lirë dhe radikal. Ka aty artikuj kritik, ka polemika, ka reportazhe shoqërore, ka thirrje për kryengritje, ka thirrje për paqë, ka sharje, ka fyerje, ka gjithçka.
Kryesorja, është se aty një jaz i madh që i ndanë aktorët e mendimit politik shqiptar në dy blloqe kryesore, të cilët, me rrjedhën e kohës, ndahen pastaj në skëndërbegas dhe vazalistë, në sllavo-fil e turkofilë, në zogistë e nolistë, etj.
Kjo ecje vazhdon deri sa pëlcet Lufta e Dytë Botërore. Me triumfin e Partisë Komuniste Shqiptare mendimi politik shqiptar rraset në qivur dhe përfundon në një varrezëtë madhe, e cila na kujton varrezat e dikurshme egjyptiane, ku të gjitha pllakat janë pa emër e të parëndësishme me përjashtim të obelisqeve perandorake që janë shumë të gjatë, shumë të rrallë dhe shumë të pakët.
Që nga kjo kohë, për 45 vjet me radhë, në hapësirat e mendimit politik shqiptar vërtiten si lugetër Marksi, Engelsi, Vladimir Iliç Lenini, Stalini dhe Enver Hoxha. Të futesh në atë botë i papërgatitur, është një tmerr i vërtetë. Por të futesh në atë botë me një libër, siç e kemi sot, është njëlloj si të futesh në një strofull të gjarpërinjve me një shkop në dorë dhe, papra, me atë shkop, t’i godasësh gjarpërinjtë e tërbuar.
Ky detaj po ma kujton agun e viteve 60-të kur unë sapo isha kthyer nga trevat e Kosovës Lindore dhe isha punësuar si gazetar i Rilindjes. Banoja në një lagje të re që kufizonte me stacionin hekurudhor dhe ndaja banesën me një të ri gjakovar, që më vonë do të bëhej doktor i shkencave.
Kolegu im simpatik e dëgjonte Radio Tiranën natë për natë. Asnjë emision nuk e lëshonte dhe, saherë që e gjente ndonjë artikull interesant, ma sillte në gji. I lexoja ata artikuj me interesim të madh, duke konstatuar se nuk dallonin aspak njëri prej tjetrit: të gjithë fillonin me disa citate të gjata të klasikëve të marksizmit.
Herë pas here këto citate zgjateshin në disa faqe. Të gjithë ata ishin të ngjashëm me njëri-tjetrin si kokrat e qershive mes vete. Të gjithë ata ishin shkruar me një gjuhë, që mua më dukej më e ngatërruar se kinezçja. Më në fund çova dorë prej tyre, gjë që e dëshpëroi mikun tim.
Një shprehje e urtë popullore thotë sa vijon: kështu është kur kërkon sy prej qorrit. Duke mos patur as më të voglën ide sa ç’ka fshihej në kutinë e Pandorës. Intelektualët, studjuesit e politikanët shqiptarë nga Kosova ranë në kurthën e Lëvizjes Antishqiptare dhe brodhën me dekada nëpër errësirë.Gjithnjë duke pritur se qorri do t’ju jepte sy.
Ndonëse këtu nuk është vendi i përshtatshëm për të ngritur atë temë, megjithatë, mund të konstatojmë se ky gabim, kjo mjegullirë, ka qenë një vetëvrasje e madhe politike.
Të bindur se të gjithë ata artikuj që i shkruanin cincarët dhe loparët e Dropullit janë kryevepra shkencore, me qindra e mijëra kosovarë ranë viktimë të një komploti të madh.
Flijuan rininë e tyre, flijuan familjen e tyre për të mësuar 45 vjet më vonë se shkencat dhe premtimet që u jepnin minoritarët grekë, ishin qyfyre të Nastradin Hoxhës. Ata as që e kishin hallin e Kosovës, as që e kishin hallin e trevave të shkëputura prej saj.
Halli i minoritarëve grekë e bullgarë ishte se si t’i qepen aparatit shtetëror shqiptar dhe ta shembin Shqipërinë, për së brendshmi, me themel.
Të nderuar bashkëatdhetar!
Në vitin 1984, pak kohë para se të njihesha me z. Sabri Novosella, kisha marrë pjesë në një seminar që do t’i shqyrtonte Lëvizjet Kombëtare në botë. Gjatë atyre 14 ditëvesa zgjati seminari, pata rastin të dëgjoj shumë ligjërues të njohur e të panjohur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Argjentina, Brazili, Algjeria, Egjipti, India, Irani, Malejzia, Japonia dhe Kili.
Të gjithë ata zhvilluan tezat dhe mendimet e tyre rreth raporteve që ekzistojnë midis familjes, fisit dhe kombit. Jo popullit, po kombit.
Duke folur për lojalitetin e individit kundrejt familjes, klanit dhe kombit, thuajse të gjithë ligjëruesit e cekën se një shoqëri ku individi e do më shumë familjen se klanin, aty klani është i dobët dhe shanset e tij për të mbijetuar janë të dobëta.
Sa më shumë që zihen familjet, aq më i rrezikuar do të jetë klani. Thuajse e njëjta gjë vlen për kombin. Ata e cekën se një shoqëri ku individi e do më shumë klanin e tij se kombin, aty kombi është më i dobët dhe shanset e tij për të mbijetuar janë të dobta.
Nga sa po shohim sot, besnikëria e popullit shqiptar ka ngecur diku mes familjes dhe kombit. Shqiptarët, të indoktrinuar 45 vjet me radhë, janë shumë lojalë ndaj familjes së vet, por pak ose aspak me kombin e tyre.
Shqiptarët në përgjithësi, janë shumë krenarë për ta mbrojtur nderin, por jo dhe kombin. Pas asaj që përjetuan 50 vjet me radhë, shqiptarët brengosen vetëm për fatin e barkut të tyre. Të gjitha atributet e tjera që e bëjnë shtetin shtet, si patriotizmi, flamuri, krenaria kombëtare etj., janë ishuj të panjohur në gjeografinë e popullit shqiptar.
Këto janë, para disa nga aspektet që duhet të na shtyjnë ta lexojmë librin që e kemi përpara. “Skica” e zotit Feraj mbërthen mendimin politik shqiptar që nga mosha e tij më e vjetër e deri në çastet e sotme, duke shtuar në pjesën e parë konceptet, metodat dhe teoritë ekzistuese rreth mendimit politik.
Në pjesën e dytë autori i qaset çështjes kombëtare dhe dy traditave kryesore që kanë mbizotëruar në hapësirën politike shqiptare. Kjo pjesë, pjesa kyçe e veprës, e trajton lindjen e nacionalizmave ballkanikë dhe relacionet e tyre me eksponentët e nacionalizmit , përkatësisht antinacionalizmit shqiptar.
Në pjesën e tretë të librit, dr, Feraj i qaset stalinizmit, sepse kjo ideologji ishte platforma më e fuqishme e lëvizjes antikombëtare shqiptare.
Pjesën e katërt të librit autori ia kushtuar enverizmit, pjellës më të ulët që ka dalë nga stalla staliniste.
Unë, Ramadan Rexhepi – Osmani, s’ka nevojë t’ju flas mbi dëmet që i ka shkaktuar kjo ideologji antikombëtare. Rezultatet e asaj sëmundjeje ngjitëse po i shohim në parlamentin shqiptar, në studjot e TVSH-së, në faqet e shtypit që po del në Shqipëri, në skafet, gomonet dhe fytyrat e atyre që po e braktisin vullnetarisht atdheun e tyre dhe posaçërisht, në pullazet, shtëpiat dhe pronat e demoluara të fshatarësisë kosovare.
Dhe në fund, do të dëhsiroja t’ua them nja dy fjalë rreth misionit të këtij libri në Shqipëri, Kosovë e diasporë. Ashtu si na e ka nisur dr. Feraj “Skicë e menimit politik shqiptar” nuk është ndonjë abetare politike por një vepër shkencore.
“Skicën” e dr. Ferajt do ta lexojnë nja 200-300 intelektualë shqiptarë, por jo dhe ata që kanë më së shumti nevojë për të. Por kjo nuk guxon t’u demoralizojë as juve, as neve.
Përkundrazi, kjo na obligon që ta lexojmë më mirë e mirë këtë libër dhe esencën e tij, brumin e tij t’ia transemtojmë popullit me fjalë më të thjeshta nëpër shoqata, nëpër oda të ndënjes, por edhe në takime politike.
Për vete, dëshiroj që ky libër të mos mbetet vetëm si një libër i rrallë i bibliotekës kombëtare, por të jetë një udhërrëfyes në të ardhmen tonë.
Lus grupin inisiator që ta përurojë zotëri Hysamedin Ferajn për punën e tij atdhetare dhe t’i dëshiroj atij jetë të gjatë.
Juve, nga ana tjetër, u lus që të mos i kurseni ato 80 korona sa kushton ky libër sepse, duke i ndihmuar shkrimtarët tonë kombëtarë ne e forcojmë vetveten.
Rrofshi sa malet, dhe më falni nëse kjo fjalë e rastit doli si e gjatë!
Tiranë më 10.10.2003 Ramadan Osmani – Rexhepi, Suedi.
Krijoni Kontakt