Kosova do të bëhet e pavarur me rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e jo në bazë të njëfarë marrëveshjeje. Këtë mbrëmë në një intervistë për "Nova televizionin" e Sofjes, e deklaroi kryeministri kosovar Agim Çeku, duke shtuar se pret që rezoluta të miratohet deri në fund të vitit.
Çeku shton se me rezolutën e re të Këshillit të Sigurimit, Kosova do të ketë "sovranitet të plotë" dhe do të jetë anëtare e KB-ve. Çeku, ka shtuar se edhe më tutje do të ketë prani ndërkombëtare në Kosovë me qëllim që të kontrollohet zbatimi i obligimeve të marra përsipër. Siç shprehet kryeministri kosovar, zhvillimi i këtillë i ngjarjeve është në përputhje me tri përcaktimet themelore të Grupit të Kontaktit, ndërsa propozimin e rezolutës do ta dorëzojë ndërmjetësuesi Marti Ahtisari, lajmëroi agjencia Bgnes. Burimi i njëjtë shton se ndërmjetësuesi i Kombeve të Bashkuara Marti Ahtisari deri tani asnjëherë nuk ka dhënë shenjë për një zhvillim të tillë të ngjarjeve. Drejt pavarësisë së Kosovës me rezolutë të posaçme të Këshillit të Sigurimit të KB-ve shpie edhe pozicioni i Serbisë - deklaroi Çeku, duke shtuar se po krijohet përshtypje se pozicioni serb është në "qorrsokak" dhe se pret që bashkësia ndërkombëtare ta imonojë zgjidhjen për Kosovën. Kryeministri Agim Çeku në intervistën për "Nova televizionin" e Sofjes deklaroi se çështja e kufirit ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës dramatizohet pa nevojë, dhe se e njëjta është imponuar nga Serbia. Kosova e shikon Maqedoninë si partnere strategjike dhe në asnjë rast nuk dëshiron destabilizimin e saj, deklaroi kryeministri kosovar Agim Çeku. /Makfaks/
RTK 28/04/2006 12:32:37
Krijoni Kontakt