E ndërsa temperaturat e larta ka mundur t'i shmangë fare mirë, falë pushimeve në jug të vendit, duket se bukuroshja Gjoni nuk ka mundur të shmangë vëmendjen e paparacit tonë, i cili ka arritur ta fotografojë, ndërsa ajo ka qenë duke shijuar rrezet dhe relaksin e një pasditeje të këndshme, në shoqërinë e mbesës së saj Ana, në një prej hoteleve luksoze përgjatë bregdetit shqiptar. E ndërsa prisnim që në praninë e këngëtares të shihnim ndonjë djalë simpatik, në ndjekjen e tij përgjatë jugut të vendit, paparaci ynë e ka gjetur Ingritin vetëm në shoqërinë e familjes, duke preferuar në këtë mënyrë pushime të qeta nën rrezet e diellit e duke shfletuar kohë pas kohe ndonjë revistë apo libër. Këngëtarja është vendosur prej disa ditësh në qytetin jugor të Sarandës, ku po qëndron së bashku me nënën dhe motrat e saj, por njëkohësisht këtë periudhë e ka shfrytëzuar mjaft mirë edhe për koncerte, që kohët e fundit kanë qenë të shumta, duke e renditur ndër këngëtaret më të kërkuara të kësaj vere. Pas koncerteve, që ka realizuar jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj, kryesisht në Kosovë e Maqedoni, ku ka qenë gjithmonë e më e kërkuar Ingrit Gjoni ka gjetur kohë edhe për pushimet, duke i alternuar hera-herës edhe me punën. E ndoshta kjo është një arsye më shumë, që e ka mbajtur ende në Shqipëri dhe nuk e ka lejuar të largohet për të pushuar jashtë kufijve.



E kështu javën e shkuar, asaj i është dashur të udhëtojë nga Saranda drejt Himarës, për të qenë e pranishme në një koncert të madh të zhvilluar në këtë qytet bregdetar. Paparaci ynë ka realizuar këto foto në hotel "Panorama", ku Ingriti është akomoduar së bashku me Anën, vajzën e motrës së madhe Ilda, pak orë përpara nisjes së koncertit. Jo vetëm kaq. Ingriti duket në formë të mrekullueshme, fizike dhe nga sa shihet është duke e shijuar këtë periudhë pushimi, në këto ditë të fundit të verës, ndërkohë që gjithçka rreth së kaluarës me sa duket e ka hedhur tej. Me një shall të bardhë të lidhur te flokët dhe lëkurën e bronztë nga dielli, ndërsa e shohim në foto na sjell ndër mend femrat orientale. Këngëtarja dhe familja e saj janë vendosur në një hotel të qetë në periferi të qytetit të Sarandës, duke dëshiruar që ta mbajnë larg edhe vëmendjen apo sytë kureshtarë të personave që i njohin. E ndërsa vitet e shkuara Ingriti ka preferuar Dhërmiun për të pushuar, këtë verë ndalesa e familjes Gjoni ka qenë Saranda, ndoshta me dëshirën për të shijuar ndonjëherë edhe jetën e natës që ofron ky qytet. Sa për mbesën e saj Ana, të cilën e shohim edhe në foto, protagoniste gjithashtu në klipin "Barbie silicon", thuhet se është shoqëruesja më e mirë e Ingritit gjatë koncerteve të saj. Mësojmë se pushimet e familjes Gjoni do të përfundojnë në fillim të javës së ardhshme dhe atëherë Ingriti do të kthehet në kryeqytet.