Parathënie për një punim shkencor
„Heshtni! Pohime të paarsyetuara të kësaj natyre i përkasin një tjetër arene.“ Jeta në sallë pushon së qëni, sikur të ishte makineri e një ndërmarrjeje nën ulërimën e një qarku të shkurtër. Vështrimet ngrijnë dhe frymëmarrjet rëndohen. Zëri i shtypur gjen rrugën për në brendi, ku fjalimi vazhdon dhe në mbyllje shndërrohet në një diskutim mes trajtave të pranishme. Trajtohet çështja e kufijve të shkencës.
Janë krijuar dy grupe. Mund t’ju rrëfej me fjalët e mia atë që po ndodh, por më mirë po ju hap portën të ngroheni dhe ju prej zjarrit.
Grupi i parë: Për ne shkenca qëndron mbi jetën, mbi njerëzimin. Ajo qeveris dhe sjell në jetë principe, të cilat i një drejtim të tashmes dhe të ardhmes. Këta principe është e vështirë të rrëzohen. Megjithatë nëse bëhet përpjekje për t’i rrëzuar, për t’i zëvendësuar me të reja, atëherë duhen dhënë prova shkencore, që mbështesin tezën e nevojës së një zëvendësimi...prova empirike, të cilat të jenë të vërtetueshme.
(Nga grupi i dytë dëgjohen të qeshura dhe një sulm rrufeje niset mbi të parin.)
Zëdhënësi i grupit të dytë: Dritëshkurtër!
(Dëgjohen fjalë të nënzëshme. Zëdhënësit të tyre po i qëllojnë me gishta të thyer mbi xhaketë e po e pickojnë në ije.)
Një ngacmues nga grupi i dytë: Jo aq rëndëëëëë.
Zëdhënësi (i kthyer drejt ngacmuesit me sy të egërsuar): Po si? Dritëshkurtër janë.
Ngacmuesi: Dritëshkurtësi e padëshiruar i dashur koleg!
Zëdhënësi: Jo vetëm e dëshiruar, por dhe e qëllimtë.
(Mbështetësit e tij brohorasin.)
Zëdhënësi (duke vazhduar): Kufijtë e shkencës janë të rrjedhshëm. Shkenca është fëmijë i njerëzimit dhe megjithëse ajo mund të marrë trajtën e një të rrituri dhe të shpallë pavarësinë e shpirtit të vet, ajo mbetet e nënshtruar ndaj të atit.
Principet janë të kritikueshme. Ata kanë nevojë për kritikën, që të përmirësohen, për t’u përdorur edhe në vazhdim nga njerëzimi e për të mos u mbyllur në sirtarët e harresës. Provat empirike nuk janë pjesë e vetëkuptueshme e punimit shkencor. Në raste të jashtëzakonshme (dhe të tillë ka pandërprerë në historinë e shkruar e të pashkruar të natyrës dhe njerëzimit) nevojitet së pari guximi i dikujt që e pranon të vërtetën, që krijon bazën për një përballje shumëfytyrëshe me të fshehtën. Më së pari gjatë kësaj përballjeje, mbërrin shpirti kërkues tek provat empirike.
Grupi i parë: Guxim? Për cilin guxim e keni fjalën?
Zëdhënësi i grupit të dytë: Për atë, që iu hapi sytë njerëzve, teksa dielli u shpall si qendra e sistemit tonë diellor dhe toka si një planet, që rrotullohet rreth vetes. Nga ky lloj guximi përbëhet terreni ushqyes i një shkencëtari të vërtetë, një njeriu, që është në gjendje të kundërshtojë edhe veten, që shfaqet i hapur ndaj së resë e së papërfshirës në përvojë e që mbetet i tillë deri në fund të jetës.
Dikush nga grupi i dytë: Po rolin e shkencës në teatrin e krizave, luftërave, mjerimit njerëzor, përndjekjes politike, spastrimit etnik, të dashur ku e latë? A do ta kritikonin vallë veten shkencëtarët dhe a do të pëftonin brerje ndërgjegjeje, nëse do të përjetonin përballjen e trajtesave të tyre shkencore me çastin historik?
Britma përplasin portën e brendisë dhe i shtrembërojnë kanatet. Por nuk ka gjë për t’u habitur; në një rreth filozofues njerëzish një sjellje e tillë është e pritshme, ndaj rrëfimin më duhet ta vazhdoj me fjalë. Unë qëndroj e ulur aty, i shoh, pikturoj fytyrat e tyre të acaruara në fletët e kujtesës sime (jam e sigurtë që nga fytyrat e tyre do të lindë piktura më mbresëlënëse e impresionizmit të ringjallur) dhe vazhdoj të merrem me përfundimin e poezisë, që deri tani përmbante katër vargje.
Zërat bëhen gjithnjë e më të lartë e po kështu edhe poezia ime. Hapësira trandet. Nuk bën më të hesht. „Mjaft u bluajtët“ iu them më në fund, „dhe mos harroni, se vlerësoheni të jeni shpresa e ditëve tona.“ Vetja iu shtrëngon rubinetin e fjalëve. Shfrytëzoj qetësinë e rrezikuar nga shpërthimi i ardhshëm dhe iu lutem filozofëve të mi të dashur për vëmendje. Vështrime të buta prej të djegurish mbi varrin e së dashurës të humbur (a prej të treturish mbi të dashurën që i mban gjallë në sy) ndalen mbi fytyrën time dhe unë lexoj:
Shpirti kritik
Qielli i qashtër pikon madhështi të vrazhdë.
Mëkatet e botës tërë peshon i pabrengosur,
në poezinë pa fund qëndiset gjithpushtetshëm,
Ai, zot i narcistëve mbi kurorën e zemrën,
në vdekjen e njerëzimit mbyt dritën e shpresën.
E trishtuar kollitet koha në varr.
Mes lehtë dhe rëndë merr frymë i pavendosur,
në të drejtën njerëzore prin i kudogjendshëm,
Ai, shpirti kritik (zoti laik) me syrin valë,
në detin e të verbërve vetmon si far.
Errësira shkrepëtin në betejën zanë.
Pas përfundimit të leximit, ngrej sytë drejt filozofëve. Sikur të vija nga një botë tjetër, më shohin krejt të shtangur dhe në vazhdim trokasin mbi dru. “Tani e ndiej si gjënë më të mirë që nuk të paralajmëruam, se çfarë do të të ndodhte. Ndryshe shpirtërat tanë s’do të kishin mundur ta shihnin dritën tënde. Mirëseerdhe në rrethin e të padëgjuarës", thotë njëri prej tyre.
Qielli i brendshëm çelet sërish. Unë buzëqesh dhe falenderohem. Qetësia rikthehet në të jashtmen paralele. „Eshtë për të ardhur keq, që nuk ju është dashur të jetoni qoftë edhe një ditë të vetme nën “Yes Men”- ët, iu them në vazhdim trajtave njerëzore në sallën e vështrimeve të ngrira dhe frymëmarrjeve të rënduara dhe shtyp brengën time në të padukshmen.
Maj-Korrik 2004
Krijoni Kontakt