
Postuar më parë nga
Davius
Kosova nuk bëhet as demokratike dhe as e pavarur (edhe nëse i njihet pavarësia e saj), me një shtyp kaq të varur nga qarqe e burime të dyshimta që vazhdimisht u japin infuzione financiare vetëm ish-strukturave gazetareske e publicistike të një regjimi diktatorial që ka perënduar dhe që tradicionalisht ishin luajal të asaj politike, kurse kreatorët e saj historikisht kanë qenë të armiqësuar me Amerikën dhe tradicionalisht me shqiptarët.
Shkruan: Shefqet DIBRANI
Administrata kosovare që nga viti 1999 udhëhiqet nga shqiptarët etnik të cilët edhe pse në prezencën e administratës së përkohshme ndërkombëtare të OKB-së sikur po improvizojnë administrim ndonëse në shumë sfera të jetës publike nuk u treguan aq të shkathtë dhe aq të denjë për të administruar një vend. Në Kosovën e pasluftës, dhe përgjithësisht në mijëvjeçarin e ri që sapo ka hyrë, shqiptarët e atjeshëm kanë pasur mundësinë reale të dëshmojnë se janë të aftë për të udhëhequr shtetin e tyre dhe e meritojnë pa asnjë diskutim pavarësinë e tyre, pavarësisht nga pengesat dhe pamjen tejet të shëmtuar që vazhdimisht po e japin mjetet e informacionit publik.
Ndonëse në vitin 1999 askush nuk përcaktonte saktësisht fundin e një misioni ndërkombëtar në Kosovë, por si të gjitha fundet tjera edhe ai do të vjen edhe për Kosovën dhe kosovarët, dhe kjo s’ka rëndësi nëse vjen tashti apo pas disa dekadash. E rëndësishme është të shtrohet pyetja çfarë duhet të bëjnë shqiptarët etnik për vetën e tyre, për ta ndërtuar një shtet ligjor që më shumë se korrupsion do të prodhojë dinjitet dhe devotshmëri për respektim të ligjit dhe ligjshmërisë që vet i kanë aprovuar. Po ashtu e rëndësishme është për të dëshmuar si dhe sa do të janë në gjendje për të ndërtuar raporte të qëndrueshme me pakicat etnike që jetojnë në Kosovë për t’u ndier ato të sigurta në të ardhmen e tyre në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor përplot trauma e traumatizime politike.
Siç duket problemet me pakicat etnike nuk janë aq të mëdha sa thonë dhe sa shkruajnë mjetet e informacionit publik, sepse në raport me standardet e atjeshme do të gjendet një kompromis i besueshëm dhe i pranueshëm për të gjithë, po sikur në Kosovë të mos jetonin serbët të cilët edhe në këtë fazë të ndërtimit të së ardhmes sikur manipulohen dhe dirigjohen nga politikat serbe që hartohen në Beograd në njërën anë, si dhe në anën tjetër qëndrimi jo aq parimor i Kishës Ortodokse Serbe e cila nuk është në gjendje edhe pas gjithë kësaj tragjedie për ta pranuar realitetin e ri në Kosovë.
Nëse hulumtuesit e mëtutjeshme do të thelloheshin në këto çështje do të bindeshin të gjithë se është Beogradi dhe kreu i Kishës Ortodokse Serbe që po ndikojnë në zvarritjen e zgjidhjes së problemeve dhe me këtë drejtpërdrejt po ndikojnë në pasigurinë e serbëve minoritar që të jetojnë në Kosovë. Ata prej vitesh po jetojnë në një gjendje stresi e pasigurie totale, që për interesa të Beogradit janë duke u petëzuar si metalet që petëzohen në mes kudhrës dhe çekanit. Fati i tyre është i dhembshëm jo aq për hasmëritë që kanë me shqiptarët por nga vet fakti se Beogradi nuk po jua ndez dritën jeshile për të jetuar në Kosovë bashkërisht me shqiptarët etnik. Sepse shqiptarët me të gjitha mangësitë e tyre janë të njohur tradicionalisht se falin dhe mund të jetojnë me serbet, pasi janë të vetëdijshëm se ndër shekuj kanë jetuar në një fqinjësi dhe miqësi me serbët, bile shumë më të mirë se sa bashkëjetesa e tyre në dy dekadat e fundit në fund të shekullit të shkuar, kurse për serbët në këtë periudhën shtatëvjeçare prej se ka përfunduar Lufta e Kosovës.
Interesave të politikës së Beogradit (duke i sakrifikuar serbet minoritar), po i fryjnë edhe mediat shqiptare të Kosovës për të cilat flitet se tradicionalisht frymëzohen dhe furnizohen me para e propagandë nga Beogradi për të shkaktuar rrëmujë e rrëmet në çaste të caktuara, dhe kjo strategji e shëmtuar po bëhet vetëm sa për të zvarritur zgjedhjen e statusit përfundimtar të Kosovës.
Por një zgjuarsi e ndërkombëtarëve dhe sidomos me një dinjitetshmëri më të madhe të shqiptarëve shumë procese do të orientoheshin në të mirën e vendit dhe në të mirën e qytetarëve të saj, ku të gjitha etnitetet do të ishin të sigurta dhe do të shihnin perspektivën e tyre në Kosovë. Mendoj se shumë me rëndësi është qasja e Bashkësisë Ndërkombëtare ndaj Kosovës jo për të kënaqur barabarësish apetitet e të dyja palëve të konfrontuara por për të bërë një zgjidhje më pak të dhembshme dhe më shumë të qëndrueshme. E, kjo arrihet vetëm duke pavarësuar Kosovën dhe duke i inkurajuar serbet e atjeshëm për të jetuar në fqinjësi me shqiptarët. Kjo hipotezë nuk është utopi dhe e paarritshme sepse ndër shekuj kanë jetuar në fqinjësi të mirë edhe serbet edhe shqiptarët, kjo hipotezë do të bëhet më e rrezikshme nëse Bashkësia Ndërkombëtare nuk ushtron trysni permanente mbi Beogradin për të mos e nxitur spastrimin etnike në Kosovë, por tani jo duke i dëbuar shqiptarët por duke i nxitur serbet e atjeshëm të shpërngulen vetëm e vetëm që politika e tyre dështuese të verbojë edhe për një kohë diplomacinë progresive të Unionit Evropian dhe përgjithësisht atë të ShBA-ve e cila është prioritare e shumë e shumë proceseve demokratike që po ndodhin në mbarë universin tonë. Këto procese sado të dhembshme dhe me përmasa tragjike për të tashmen do të reflektojnë siguri, paqe dhe emancipim për të ardhmen e ndritur, për vende e popuj të përfshira në konfliktet dhe luftëra gjatë viteve të fundit. Prandaj mendojmë se trysnia e Bashkimit Evropian që duhet ta bëjë mbi Beogradin për të mos nxitur shpërnguljen e serbëve në Kosovë dhe sidomos njohja sa ma e shpejt e pavarësisë së Kosovës do të qetësonte jo vetëm Kosovën por përgjithësisht rajonin dhe vendet e Ballkanit Perëndimor të përfshira në konfliktin dhe luftërat e viteve të fundit.
Por, në vend që shtypi dhe mediat kosovare të merren me këtë çështje që shtruam më lart, analist të shumët merren me çështjen e misionit të UNMIK-ut, KFOR-it, OKB-së, dhe NATO-s në Kosovë, sidomos po bëhen qesharak me shkrimet për dalje a qëndrim të këtij misioni në Kosovë. Në vend që të merreshin me forma të mëkëmbjes së ekonomisë dhe përmes saj të reflektojnë më shumë siguri, (jo aq për banorët e Kosovës se sa për donatorët dhe investitorët e huaj), ata sikur janë lëshuar në yryshe për të përftuar dhe për ta menaxhuar sa më keq Kosovën. Në vend që shtypi dhe mediat e atjeshme të shënojnë sa më shumë gjëra pozitive, për të reflektuar zhvillime pozitive, shtypi dhe mediat e atjeshme vazhdimisht regjistrojnë të shëmtuarën për të zvarritur, penguar e neglizhuar të gjitha zhvillimet pozitive që kanë ndodhur dhe po ndodhin në Kosovë dhe mbase shumë gjëra të tjera mjaftë pozitive do të ndodhin në atë vend. Në vend që shtypi dhe mediat kosovare të ndërgjegjësohen dhe me këtë të ndërgjegjësojnë administratën kosovare, ato vet janë zhytur në krim dhe kriminalitet në ngarendje për tu pasuruar me mbllaçitje publike e publicistike. Tani më në Kosovën e pasluftës ka vërshuar një armatë analistësh, gazetarësh dhe publicistësh të cilët duke i fshehur e mistifikuar veprimet e tyre, vazhdimisht po atakojnë dhe kritikojnë të gjithë aparatin legjislativ dhe administrativ të Kosovës. Duke mos parë asnjë zhvillim pozitiv që po ndodhka në Kosovë shtypi kosovar sikur e ka shëmtuar më shumë realitetin e zhvillimeve dhe administrimeve të atjeshme.
Natyrisht ndërgjegjësimi duhet të nis diku, sepse demokracia do të vjen hë deshën apo nuk deshën mediat kosovare, por ky ndërgjegjësim të mos pritet edhe për ca kohë në mediat e atjeshme të cilat më shumë se secila pjesë e administratës kosovare janë të korruptuara nga donatorët të cilat donacionin e tyre financiar nuk e kanë dhënë për ti pavarësuar apo demokratizuar këto institucione informative por i kanë dhënë si yshtje të tejdukshme për t’i realizuar qëllimet e tyre kobzeza për të bërë rrëmujë e rrëmet në të gjitha sferat e jetës.
Demokracia e një vendit mund të matet edhe me lirinë e shtypit, por shtyp të lirë nuk ka nëse ai nuk vetëfinancohet dhe nuk i ka burimet financiare të ndërgjegjshme. Shtypi që vazhdimisht i pret infuzionet financiare nga ato vende që nuk e donë dhe nuk e dëshirojnë pavarësinë e Kosovës dhe as demokratizimin e Ballkanit Perëndimor nuk është shtyp i lirë dhe i pavarura, prandaj ai regjistron të shëmtuarën për të dëshmuar servilizmin dhe vasalitetin publik ndaj financuesve qofshin publik apo të fshehur.
Krijoni Kontakt