SHKRUAN: EXPRESS
Në kuadër të marshit përkujtues organizuar në shenjë nderimi të 21-vjetorit të vdekjes së Enver Hoxhës, liderit komunist të Shqipërisë, enveristët ferizajas emëruan me emrin e tij sheshin e vogël në qendër të qytetit.
"Kërkesën tonë me mbi 800 nënshkrime të qytetarëve, zyrtarët komunalë e hodhën me motivacion se ajo kishte arritur me vonesë. Ne sot kemi 1280 nënshkrime, ndaj nga ky manifestim shkojmë drejt në sheshin para pllakateve të kinemasë dhe duke ia uruar njëri-tjetrit emër-timin, e legjitimojmë kërkesën tonë", u tha të pranishmëve në sallën e hotelin “Libeten" ideatori i kësaj iniciative, profesori i sociologjisë Remzi Hasani, i cili njëherazi është edhe kryetar i rrethit të Lëvizjes për Kosovën, parti kjo e përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës me deputetin nga kjo anë Emrush Xhemajlin.
Kështu edhe ndodhi. Mbi 200 enveristë të ardhur edhe nga anë tjera të Kosovës, nga hoteli marshuan qetë deri tek sheshi i vogël dhe me shtrëngim duarsh i uruan njëri-tjetrit pagëzimin e sheshit me emrin e prijësit të tyre ideor dhe shpirtëror.
Dëshmitarë të kësaj ceremonie ishin vetëm dilerët, të cilët edhe para lufte e kanë shfrytëzuar këtë hapësirë për të kryer transaksionet e tyre me marka, dollarë e franga zvicerane. Si zakonisht, kësaj ceremonie i parapriu manifestimi i zakonshëm dhe tash-më tradicional i dy lindjeve të Enver Hoxhës.
"Shqipëria e Enver Hoxhës ishte shteti më i fuqishëm i planetit. Gjenerali Veli Lika tashmë ka bërë publike dëshminë se Enver Hoxha qe i gatshëm që me 150 mijë forca ushtarake të nisë çlirimin e Kosovës që në vitin 1980. Tash as në Shqipëri, as në Kosovë nuk mund të prodhohet as edhe një gjilpërë. Tash na mungojnë njerëzit, por nuk na mungojnë idetë për ta shpjerë Shqipërinë përpara. Dhimbjen do ta kthejmë në forcë, lotët në qëndresë", tha ndër të tjera në fjalën hyrëse ideatori ikësaj iniciative Remzi Hasani.
Profesori i gjuhës shqipe dhe njëherazi kryetar i sindikatave të arsimit të Komunës së Ferizajt, Rexhep Sadiku, tha se "nuk jemi nostalgjikë, siç na cilëson propaganda antikombëtare. Ne jemi ndërgjegjja e kombit. Nuk presim gjë nga ata që për këshilltar marrin Azem Vllasin. Ne do t'i mbajmë duart larg nga vllasët. Sheshi që do ta emërtojmë me emrin e shokut Enver, do të jetë shekulli i ëndrrave tona. I kemi mbushur sheshet e qyteteve tona me emrin e Nënë Terezës, ndërsa ajo më së paku mund të jetë nëna jonë. Ajo ka mundur të jetë fetare e mirë, por jo edhe kombëtare e mirë".
Gani Neziri, anëtar i kryesisë së PDK-së në Gjilan, pasi lexoi një vjershë kushtuar prijësit shpirtëror të tij, ndër të tjera tha se "Skënderbeu arriti vetëm 25 vjet ta mbajë Shqipërinë të pavarur, ndërsa shoku Enver Hoxha e mbajti dyfish më shumë. E mbajti Shqipërinë të pavarur për 50 vjet". Në këtë tubim foli edhe kryetari i veteranëve të UÇK-së, Sherif Krasniqi, i cili tha se edhe komandanti i UÇK-së Adem Jashari ishte i frymëzuar nga vepra e Enver Hoxhës. Enveristët e Ferizajt si zakonisht pasi nga monitori përcollën fjalimin e Enver Hoxhës nga Kongresi VIII, ku prijësi i tyre sulmon jugosllavët, manifestimin e mbyllën me një këngë për të.
Krijoni Kontakt