Edhe pse e dëgjuar rrallë, 120 vjet pas krijimit të saj ka njerëz në disa vende të botës që mësojnë dhe e flasin gjuhë artificiale - esperanto. Madje shumë të rinj edhe në Gjermani impresionohen nga kjo gjuhë
Mendimet për lirinë dhe mirëkuptimin paqësor janë ato që shtynë okulistin, Ludvik Zamenhof nga Bialystoku i sotëm polak të publikojë gjuhën e tij. Deri më sot gjuha esperanto është përhapur në të gjitha pjesët e botës dhe nuk ka humbur atraktivitetin për shumë njerëz. Edhe 29 vjeçari Markus është i impresionuar nga kjo gjuhë:
"Kush mëson esperanton, mund të bisedoj me shumë njerëz në mbarë botën dhe mund të kontribuoj për mirëkuptimin mes popujve dhe për paqen. Dhe në këtë mënyrë njihesh me njerëz interesantë", sqaron Markus.
Kontaktet ndërnjerëzore, komunikimi përtej kufijve - këto janë vetëm dy pikëpamjet themelore për kulturën esperanto. Ndërkohë është zgjeruar skala e zhanreve artistike që që flasin gjuhën esperanto. Përkrah përkthimeve të veprave të klasikëve botërorë, të cilat janë botuar në origjinal në gjuhën esperanto, ka edhe grupe muzikore që këndojnë në këtë gjuhë artificiale.
Megjithatë esperantoja nuk ka arritur të njihet si gjuhë nga organizatat ndërkombëtare. Ana, 19 vjeçare këtë e arsyeton me faktin se kjo gjuhë është e paatdhe. Por njëkohësisht ajo përmend përparësitë që ka njohja e kësaj gjuhe: "Ka shumë esperantistë, çfarë ndoshta ka të bëj me faktin se kjo gjuhë nuk është e njohur si gjuhët e tjera dhe nuk ka asnjë vend ku flitet në këtë gjuhë. Besoj që kjo gjuhë flitet rrjedhshëm nga dy milionë njerëz në botë. Por me esperanto njeriu mund të kuptohet përshembull edhe në Spanjë apo Itali", thekson Ana.
Nuk mendon kështu Iris Budveth. Ajo është kryetare e klubit Oksford në Bon, i cili ndër të tjera organizon udhëtime për në Britaninë e Madhe për ata që mësojnë anglisht. Ajo flet pesë gjuhë dhe nuk e sheh shumë të arsyeshme të merret me një gjuhë artificiale siç është esperantoja.
"Në të vërtetë më shumë kuptim ka të mësohet anglishtja apo frëngjishtja. Ka shumë më tepër njerëz që flasin njërën apo tjetrën gjuhë dhe njeriu mund të udhëtoj në këto vende dhe të flas në atë gjuhë. Esperanto për më tepër duhet të bëhet një gjuhë ndihmëse. Por besoj që pikërisht edhe e tillë ka mbetur: një gjuhë ndihmëse", sqaron Iris Budveth.
Megjithatë një gjuhë e cila mësohet lehtë. Gramatika e thjeshtësuar me vetëm 16 rregulla dhe e shoqëruar me fjalorë nga gjuhët romane të mundësojnë që për një fundjavë të flasësh dhe të kuptosh fjali të tëra, sqarojnë esperantistët. Një aspekt, i cili nuk e bind shumë Irisin. Për ta kthyer në gjuhë të shoqërisë kjo gjuhë artificiale duhet të shpallet si gjuhë obligative: "Në mbarë botën në të vërtetë do të duhej të mbështetet, të zbatohet dhe praktikisht secili të mësoj esperanton, pa marrë parasysh në Kinë, Zelandë të re apo në Austri. Atëherë nuk do të kishte problem. Por të rrish e të kërkosh një njeri në një hapësirë prej rreth 30 kilometrash që flet këtë gjuhë - kjo është e vështirë", nënvizon Iris Budveth.
Por esperantistët nuk rrinë duarkryq. Këtë vit ata organizojnë takime ndërkombëtare si në Kanada, Francë dhe Kinë. Po ashtu ata kanë ngritur një shërbim për mysafirët të quajtur "Pasporta Servo", nga i cili është entuziasmuar Ana: "Veçanërisht për të rinjtë ekziston 'Pasporta Servo', i cili u mundëson atyre që të kontaktojnë me esperantistët në vendet e tjera, nëse bëjnë pushim atje, qëndrojnë një apo dy ditë tek këta njerëz dhe komunikojnë me ta në gjuhën esperanto. Dhe në këtë mënyrë krijohet mundësia për të udhëtuar në mbarë botën, nga një esperantist tek tjetri".
Ludvik Zamenhof krijoi esperanton...
Krijoni Kontakt