Bashkim ABAZI

Në shoqëritë post-totalitare, rënkimi i individit - të çliruar nga dhuna dhe të prirur nga liria e shprehjes - është i dobët dhe e ka të largët dritën e lutjes për drejtësi.Ai ndjehet i lodhur dhe me zemër të thyer, i shtypur nga shtrembërimi i historisë, i venitur nga injoranca social-politike, i paaftë ndaj rrjedhave të ngjarjeve kriminale, i pashpresë drejt vizionit ende të panjohur, gjysëm të mbyllur dhe jo plotësisht të qartë të rrugëtimit drejt progresit social, i vetmuar në shkretëtirën përvëluese të mplakjes. Ai ndjehet në burgun e padëshiruar të e të pamerituar të shpirtit. Kjo nuk vlen vetëm për individin. Çfarë po bëjmë për ta përmirësuar jetën tonë – është dilemë e gjithë shoqërisë dhe e mekanizmave të shtetit. Etja e publikut për përgjigje të drejtpërdrejta të kësaj bote komplekse është shuar. E dukshmja dhe e padukshmja po rendin drejt dyshimit dhe mundësia për njohje reale është larg së qenuri e prekshme për këdo.

1. Jemi vend i vogël, në zhvillim dhe në kërkim të modelit, për të qenë shtet dhe partner, për t’u ndjerë qytetarë të respektuar nga të tjerët. Kjo është kërkesë jo e vogël, brenda amullisë me anatema therëse: përse kaq shumë probleme për t’u zgjidhur? Sikur të mos mjaftonin kryqet e thyer (Fikas, Xarë, Bushat) statuja e Nënë Terezës po e tret në harresë ekuilibrin dhe balancën e dimensioneve humane.
Tek ky simbol – i ridimensionuar në përmasa midis shtatvogëlsisë, zemërgjerësisë, bujarisë dhe madhështisë – mbetet e papranuar dhe e patretur dëshira për arritje të mëdha shqiptare. Kriza social-politike dhe mosdëshira për krijimin dhe lartësimin e identitetit tonë kombëtar po u vjen më për shtat akuzave apo kritikave nga faktorë ndërkombëtar, sesa inkurajimit politik për angazhime e kontribute të vazhdueshme. Si më pak përfitues dhe mjaft “bujarë” për të tjerët – kundër vetes – po endemi të çoroditur në shtëpinë tonë. Vjen një senator dhe lëshon bombën “…kujdes , eleminoni OJF terroriste”.

Në rrjedhën e modelit “contact of extrems”, rreziku i mjedisit mbarset me dëshminë - e përgojuar në mosveprimin dhe mungesën e provave – për “…rrjete shqiptare të terrorizmit”. Hija e dyshimit rritet në doza të larta frike me deklaratën për sistemin e drejtësisë “…ka gjykata dhe prokurorë të kapur nga krimi”. Në një përvjetor të çmuar të historisë pluraliste ndjehet aktuale akuza ndaj piramidës shtetërore “…unë e di kush ma vrau vëllain…”! Heqja e imunitetit për “vendin e llomotitjeve” dhe ngërçi politik – i pasqyruar në vonesat për ligjin elektoral, me pretekstin banal të rregullores së Parlamentit – e kanë të pamundur mbulimin e kaosit të problemeve, si “halle të popullit” të cilësuara mjerisht nga ndonjë qaraman i mandatuar gabim.

2. Në një hapësirë të re, nuk po mundim ta fshehim nostalgjinë e formalitetit të shtetit në diktaturë, ndaj përgjegjësive dhe të drejtave në demokraci. Jemi kthyer në të paduruar dhe e meritojmë kronometrin mbrapsh, duke u argëtuar vetëm me numërimin e ditëve të qeverisë. Në një progresion gjeometrik lutemi të ndodhë çudia për të përfituar nga çdo ndryshim, mjafton që ai të jetë kundër saj.

Kush janë më të mirët, më të aftët, më të zotët – nuk ka gjetur ende fatin të ballafaqohet denjësisht në kohë, në programe, në përgjegjësi dhe me drejtësinë (normën juridike-penale) me të paaftët, zullumqarët, hajdutët, matrapazët, spekullatorët e pushtetit të besuar. Përfaqsuesit e politikës sunduese vijnë në drejtimin dhe administrimin (shpërdorimin) e pushtetit të patrazuar dhe largohen po të patrazuar, sikur shkojnë me pushime. E shpalosur bindshëm dhe e shtrirë në pista të orjentuara, Reforma në Drejtësi po ndjehet “çalamane” qysh në hapat e foshnjërisë së saj. Jo vetëm bamirësia e ligjeve por edhe kontrolli i tyre nga rrjete kriminale e ka degraduar misionin e madh të reformës. Në një apologji dhe analogji me Reformën historike, ndjehem mosbesues ndaj aktit të saj final. Apogjeu i pritshëm do të jetë zhgënjyes për shumicën, kur pjesët aktive dhe të vendosura “…për ta çuar deri në fund me tolerancë zero” do të jetë e detyruar të rradhisë vështirësitë si pjesë të demagogjisë politike. Këtë panoramë nuk e dëshiron askush.

Nuk dëshiroj të faktorizojë emrin e Prokurorit të Përgjithshëm, por apeloj kundër ndryshimit, kur realisht – pamvarësisht se kush është në krye të organit të akuzës – ai duhet të funksionojë detyrimisht sipas Kushtetutës dhe detyrimeve ligjore institucionale. Atëhere: përse kërkojmë ndërrime individi apo ekipi, kur ligji ndëshkon çdonjerin prej tyre, kur abuzon me detyrën? Barazia para ligjit është barazi edhe për ndëshkim. Në një kohë me mite të pandëshkuar dhe përpjekje për ndëshkim, tingëllon e zbrazur parrulla “Koha për ndëshkim”, kur mjedisi mbarset deri me akte të kryera me C-4. Të mos merremi me zhurmë me pasojën, por pa bujë dhe profesionalisht me burimin, shkakun dhe motivin real të kësaj veprimtarie kriminale. Rritja e nivelit operacional të shërbimeve inteligjente dhe të policisë duhet të motivohet për më shumë arritje të pritura nga të gjithë. Çfarë po bëjmë?

3. Etja për pushtet po demostron veten si anti-vlerë e politikës dhe kundër jetës sociale. Nuk po arrijmë ta disiplinojmë veten me rregulla loje dhe ta konvertojmë urrejtjen ndaj opozitës në pritshmëri për të demostruar realisht aftësitë dhe energjitë në drejtimin e shtetit. Mendje djallëzore intrigojnë në lloj-lloj mënyrash për të përshpejtuar rrëzimin e shumicës, duke harruar se kostua e ndryshimit (rotacionit) të pushtetit është e lartë dhe rëndon në jetën e përditshme. Verbëria brenda vetes po na heq mundësinë e shikimit jashtë vetes dhe më gjerë. Konsiderata “çfarë u realizua sot” dhe “çfarë duhet korigjuar nesër” është shprehje e emancipimit politik dhe e vendos klasën politike në normalitet veprimi.

Në një botë jo më eurocentrike, por edhe anglofone, edhe sinike apo edhe hindu, procesi integrues euroatlantik (BE-NATO) është rilevuar potencialisht si një shqisë e një qytetërimi aktiv për hapësira jetike dhe vështrime historike të pritshme, duke e anashkaluar identitetin e çdo shteti me etje integruese. Përballë sfidave të mijëvjeçarit – ekologjia si ndotje dhe shkatërrim i mjedisit, varfëria – si papunësi dhe emigrim i pakontrolluar i njerëzve dhe kapitaleve, demografia – si mundësi për rregullimin e jetës në të gjithë planetin – “kokëçarjet” e politikës dhe “paudhësitë” e një pakice kriminogjene po e shtrojnë shoqërinë në situata të lodhshme me psikozë frike dhe mungesë të shpresës për më mirë. I konceptuar si një mijëvjeçar i shkurtër, parazgjedhja me luftën kundër korrupsionit na shpalosi të trazuar, të tronditur dhe shkaktarë të fatkeqësisë së vetvetes. Kujt i ankohemi? Çfarë po bëjmë?

4. Ngacmimi psikologjik i mjedisit social me politika mediatike të kapërcyera ka si produkt retrospektivën e padëshiruar. Mbi imazhe manipulues dhe histori me ngjarje të hidhura po ëndërrojmë të panevojshmen. Një vend i vogël me të gjitha mbrekullitë e natyrës po orjentohet kundër jetës së përditshme. Pamje filmike të dy luftrave botërore (Gjeli Vizion) dhe me sekuenca pambarim të 1997-ës (TV Klan) po e risjellin apogjeun e harruar mjaft afër, si të dëshirojnë të ngjallin egon e psikologjisë shqiptare për shkatërrime, anarki dhe pasiguri. Tradita jonë historike flet ndryshe. Një terminologji tmerruese me “mafie, krim i organizuar, korrupsion, evazion fiskal, pastrim të parave të pista, rrjete kriminale, abuzivizëm…” është kristalizuar në analiza dhe debate mediatike, duke i syrgjynosur termat e kërkuar “…paqe, siguri, lumturi, solidaritet, humanizëm, respekt, dinjitet, demokraci, liri…”. Duke mos u shkëputur nga e kaluara, vështrimtarët prapa janë sulur të shpallin injorancën si inteligjencë të tyre çudibërëse. Kur mori vesh vrasjen e Hitlerit, Stalini u shpreh “ …I dha fund maskarai! Më vjen keq që nuk arritëm ta zëmë të gjallë” . Kjo fjali dëshpëruese ka një pjesë të çuditshme, të ndërtuar mbi profecinë e djallëzisë së sistemit: Ku është kufoma e Hitlerit? Një panik i krijuar artificialisht duhet të orjentohet nga situata reale dhe vetëm në interes të sigurisë, paqes dhe progresit.

Në mentalitetin vrasës dhe spekulator të diktatorit, pyetja mbart dhunën psikologjike për të mposhtur të tjerët po me dhunë misteri pafund. Kohët moderne po njohin ridimensionimin e individit. Tashmë, seicili e di të mirën dhe të keqen. Individi i njohu energjitë dhe burimet e jetës, mësoi se çfarë i shërben dhe si duhet ta marr atë. Persekutimi social me anë të “revolucionit pa gjak” nga Media apo kriza e sistemit politik duhet të priret nga Jeta Sociale dhe ta harrojë profesinë e Kasandrës. Vuajtja e delirit dhe e manisë profesionale kthehet në një prirje pozitive, kur ofron Mbrekullinë dhe jo Qametin, kur largon Ligësinë dhe ofron Mirësinë, kur transmeton Vlerat dhe jo Barbarinë e padëshiruar, kur përshpejton Shtetin Ligjor dhe Mirëqënien Sociale dhe jo Anarkinë apo Terrorin. Duke dashur të qetësojë shpirtin e trazuar nga një deklaratë e vjetër e një ambasadori të një vendi ish-mik, ideja e “një vendi të vogël” e vendit tim “për të mos qenë kurrë shtet” më nderet magjishëm midis Fatit dhe Fatalitetit me dilemën e arsyetuar “çfarë po bëjmë” dhe përgjigjen e nevojshme filozofike se “…po bëjmë atë që është e duhur, e nevojshme dhe e domosdoshme”.

Sa më shpejt, aq më mirë.

Gazeta SOT