Shkruar nga: Albinot MALOKU
Lëvizjet që e përpinë globin këtyre viteve të fundit bënë që edhe në mesin e popullit tonë të diskutohen, hulumtohen dhe analizohen faktorët që çuan në këto lëvizje të përshkruara ekstremisht.
Fakti që populli ynë spontanisht i kishte kuptuar dhe po i kupton elementet që formojnë një qënje njerëzore në vertikalen dhe horizontalen e saj më shtyu t’i përkushtohem analizës së thënjes së mirënjohur: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”.
Kur për herë të parë e dëgjova këtë, mendova me naivitet, kush qenka Zoti i kësaj feje, ku duhet të shkoj unë që t'i lutem Zotit të kësaj feje? E shumë pyetje. Përgjigjen nuk e gjeta atëherë, por mendova t'i përkushtohem punës për të hulumtuar intensën e kësaj thënje të famshme shqipe.
Për botën kjo thënje e famshme nuk vlen shumë, por për shqiptarët është shumë domethënëse. Them i bindur se bota duhet të marrë si shembull mënyrën se si shqiptarët e kanë ndarë qartë shapin prej sheqeri.
Në thellësinë e kësaj shprehje mund të mbështes idenë time për ndarjen e identitetit. Me këtë është ruajtur identiteti shpirtëroro-fetar i shqiptarit. Nuk është kërkuar të krijohet shoqëri laike, nuk është kërkuar të krijohet shoqëri qui foris sunt, por duke ditur se tek njeriu vendin më të madh e zë identiteti i tij shpirtëroro-fetar, atëherë me këtë fjalë është kërkuar që shqiptari ta binjakëzojë këtë identitet me identitetin kulturoro-etnik dhe ky identitet që ka qenë në krizë është ruajtur dhe mbrojtur.
Ne kemi identitetin shpirtëroro-fetar, identitet i cili ishte dhe do të mbetet i ruajtur nga që këtu luan rol një forcë që vjen nga jashtë, nga Zoti. Kemi identitetin kulturoro-etnik me një traditë shumë të pasur. Duke ruajtur këtë identitet po ndërtojmë identitetin shtetëroro-politik në Kosovë. Identitet të cilin në Shqipëri e kemi të ndërtuar ndërsa së bashku do të ndërtojmë identitetin politiko-ekonomik Europian.
Vendet fqinje, por edhe shumë vende me një demokraci të përsosur nuk e kanë bërë këtë ndarje që populli im spontanisht e ka kuptuar. Atyre u ka kushtuar shumë dhe do t'u kushtojë sepse të manipulosh me identitetin shpirtëroro-fetar të njeriut në aspektin negativ, është si të luash me zjarrin.
Populli im me identitet shpirtëroro-fetar: musliman, katolik dhe ortodoks etj, ka kuptuar diçka të madhe, e ajo është: që të gjithë ndajnë besimin në një Zot i cili na krijoi prej një shpirti dhe na shpërndau në vende të ndryshme të globit, ndajnë të njëjtin babë Adamin (Ademin a.s) dhe nënë Evën (Haven), ndajnë të njëjtin ajër të cilin e thithim dhe lindjen e diellit, i cili u jep dritë, ndajnë besimin që kishte Abrahami (Ibrahimi a.s), ndajnë dashurinë për të virgjërën Mari (Mehreme) dhe birin e saj Jezu Krishtin (Isan a.s), ata ndajnë bëmat e Moisiut (Musës a.s) dhe të popullit të tij në malin Sina, ata ndajnë fjalën e drejtë të Kur'anit dhe shembullin e jetës së Muhamedit s.a.v.s.
Kjo atyre u ka ndihmuar që më dinjitet t'u qëndrojnë pranë vlerave të shenjta njerëzore. Populli im këtë e ka kuptuar ndërsa këto tani po shtjellohen në dekleratën e propozuar nga reisu-l-ulemi i BH, dr.Mustafa Ceriq të ashtuemëruar «Deklaratë e Muslimanëve të Europës».
Pasi këto kanë qënë të qarta për popullin tonë, ai ka dhënë identitetit të tij shpirtëroro-fetar vendin e vet dhe nuk ka manipuluar me të siç kanë bërë fqinjët dhe siç po bëjnë shumë vende demokratike.
E përmenda edhe më lart, që të manipulosh me identitet shpirtëroro-fetar të njeriut është si të luash me zjarrin dhe shprehja e famshme: «feja e shqiptarit është shqiptaria» shumë bukur e largon shqiptarin nga zjarri. Edhe nëse tentohet të manipulohet, manipulohet me identitetin e tij kulturoro-etnik, por duke ruajtur të pastër identitetin e tij shpirtëroro-fetar do ta mbrojë identitetin e tij kulturoro-etnik.
Në takimet e mia me udhëheqës fetarë shumë të respektuar nga rajoni të cilët me kontributin e tyre janë munduar të ndikojnë pozitivisht në ngjarjet që e përpinë botën këtyre viteve, interesimin më të madh e shfaqa m'u këtu, tek manipulimi dhe nevoja që ka njeriu për të ndarë dhe emëruar disa gjëra.
Në pyetjen time që i bëra ekselencës së tij Anastas Janullatos në Tiranë, për manipulimet negative me identitetin shpirtëroro-fetar të njeriut nga politika, mora këtë përgjigjje: «Unë gjithmonë kam thënë dhe kërkuar që feja të mos përdoret për qëllime politike. Besoj se feja duhet t'i shërbejë një të ardhmeje më të mirë në raportet e shëndosha ndërnjerëzore dhe jo të nxisë zjarre.»
Një ndarje të kuptuar lehtë dhe mirë të sqaruar e bëri edhe kardinali Vinko Puliq në takimin që kisha me të në Sarajevë, në pyetjen e njëjtë që i bëra. Ai kështu u bën vend besimit dhe politikës: «Besimi nuk është jetë për vete, besimi është domosdoshmëri shoqërore, këtu takohen feja dhe politika. Dhe kjo është jeta shoqërore. Takohen, por jeta shoqërore duhet të marrë nga besimi vlerat e mira, e ato janë vlerat morale të njeriut, marrëdhëniet e shëndosha morale ndërnjerëzore. Këto nëse arrin t'i japë feja ajo sigurisht do të luajë rol në vendosjen e paqes. Pa këto, edhe ato që ka ndërtuar politika do të shkatrrohen. Besimi i jep kuptim jetës, ndërsa politika është trend i kohës». Shumë e qartë dhe e menduar bukur. «Besimi i jep kuptim jetës, ndërsa politika është trend i kohës.»
I frymëzuar prapë nga shprehja e famshme shqipe, «feja e shqiptarit është shqiptaria», në takim me françeskanin At Petar Angjelloviq OFM, u interesova të marr opinionin e tij për nevojën që ka identiteti shtetëroro-politik nga identiteti shpirtëroro-fetar dhe ai më dha këtë pergjigjje: «Shtetit sikur se edhe lirisë i nevojitet e vërteta si një themel me të cilin nuk mund të manipulohet, për të cilën nuk vendos shumica demokratike. Ajo e vërtetë është nga jashtë, vjen nga diçka. Atë të vërtetë të jashtme e dhuron religjioni, e vërtetë e cila është e vendosur në shpirtin dhe mendjen e popullit. Mendja e ka borxh ta zbulojë këtë dhe ta përjetojë në jetën e përditshme» . Me mjaft precizitet ndahen dhe u jepen vlera të merituara identitetit shpirtëroro-fetar dhe identitetit shtetëroro-politik..
Lëvizjet e shkaktuara nëpër botë gjoja të buruara nga njerëz me identitet shpirtëroro-fetar musliman të përshkruara ekstremisht më detyruan që në takimin që kisha në Beograd me kryeimamin e bashkësisë islame haxhi-mufti Hamdia Jusufspahiq t'i bëja një pyetje shumë direkte: A po manipulohet identiteti shpirtëroro-fetar i muslimanëve nëpër botë? Haxhi-muftiu Jusufspahiq ishte edhe më direkt: «Ka qarqe që po tentojnë të manipulojnë me islamin, por islami i vërtetë nuk është fe që propagandon dhunë, Islami thërret në paqe».
Kjo ishte shumë e qartë për mua nga që vij nga një popull që ka ditur dhe po di të ruajë identitetin e njeriut dhe po solidarizohet me kërkesën që po e fton botën për paqe.
…
Përveç takimeve të mija me udhëheqës fetar, i bazuar në thënjen e Eyferth, filozof i lashtë, i cili thotë: « Aty ku nuk jemi të informuar mirë dhe ku gjërat për nga natyra strukturore e tyre nuk janë të vështruara mirë, kapemi në ato informata të pakta që kemi. Në fund të mos informimit dhe jo sigurisë rriten paragjykimet». Unë kam zhvilluar edhe vizita direkte nëpër institucione fetare. Aty kam takuar njerëz të thjeshtë që i shërbenin me përkushtim dhe dashuri institucionit ku punonin.
I vështroja ata njerëz në mënyrën se si ata e kuptonin fenë dhe mishërimin ndaj Zotit. Në çdo institucion të feve të ndryshme ku unë hyja isha i mirëpritur.
Krijoni Kontakt